Monday, July 20, 2009

Greqia, vendi ku " Skllevërit" paguhen sipas ngjyrës së lëkurës



Written by Gazeta SOT
Saturday, 28 March 2009 10:43 -

Ndoshta pak e rëndë… Titulli i shkrimit nuk ka të bëjë me një truk gazetaresk, por në fakt është një realitet, një dhimbje. Askush nuk mund të thotë se sa shekuj i duhen Greqisë për të patur një udhëheqës, një Obamë, njeri me ngjyrë, në një kohë kur “skllevërit” në këtë vend paguhen sipas ngjyrës së lëkurës dhe jo punës. Një problem racist që nuk i shkon më për shtat Greqisë, djepit ku lindi demokracia, vendit që më mirë se këdo, di se çdo të thotë emigrim. Fatkeqësisht politika vendase mjafton të kujtohet për këta të fundit, vetëm kur plas ndonjë skandal. Kjo tragjedi ndodh në një kohë kur BE është ngritur në këmbë për të luftuar, padrejtësitë dhe shfrytëzimin në “punë të zezë” të emigrantëve…
Edhe njëherë del në dritë kampi i punës i skllevërve në serat dhe në fushat e rritjes së luleshtrydhes (fraulës) në Nea Manolada. Një kamp pune që për nga skandali bëri zhurmë marsin e vitit të kaluar, jo vetëm për pagën e ulët, por mbi të gjitha trajtimi në punë, si dhe për kushtet e jetesës. Pas një viti, puna dhe kushtet e jetesës mbeten të njëjta, të mjerueshme si në mesjetë. Edhe pse qeveria aktuale kishte marrë zotim “se do ta…” rregullonte gjendjen e mjerueshme, se do të luftonte padrejtësitë dhe shfrytëzimet antinjerëzore, sot përsëri asgjë nuk ka ndryshuar.
Në shkallë vendi puna e zezë zë rreth 30-35 për qind, ndërsa në zonat e veriut të vendit deri në 80 për qind. Shfrytëzimi në kampin e punës sundon i pa shqetësuar nga qeveria, thua se skllavet e shekullit nuk janë njerëz në zonat rurale të punës në mbledhjen e luleshtrydhes (fraules). Por edhe si në vitin e kaluar ku mjerimi i skllevërve që tronditi mbarë opinionin grek, duket se nuk ka për të ndryshuar. Skllevër të varfër të mënjanuar nga shoqëria vendase, të përbuzur nga shteti, të shtypur nga racizmi që punojnë në kushte të papranueshme të punës, qëndrimi i egër i punëdhënësit, përbëjnë sot një realitet për këta njerëz të “humbur” në dritën e demokracisë në Greqi.
Brenda në kamp, baranga të ngritura me dërrasa e llamarina dhe thasë prej plasmasi, duke shfrytëzuar materiale dhe kushtet natyrore, të japin një pamje të mjerueshme dhe aspak të pranueshme për ditët tona. Një grope e hapur në tokë për nevojat personale, rrethuar me thasë plastike, kundrejt kushteve higjienike flasin vetë përballë politikës vendase.
Qëndrime raciste të shfrytëzimit sa vijnë dhe po shtohen me ritme gjeometrike. Nën petkun politik “për një zhvillim të mëtejshëm në prodhime bujqësore dhe blegtorale”, akoma edhe një rast tjetër del në dritë në shtypin vendas, që kohët e fundit të lë përshtypjen po qëndron në padrejtësitë që u bëhen emigrantëve. Të gjithë emigrantët që punojnë në kampin e punës rrethuar me tela me gjemba, janë emigrantë klandestinë, që dikush ka marrë dhe familjen e tij. Ky shfrytëzim mesjetar i ka “rrënjët” që nga viti 1990-të, ku qeveria e Micotaqit, Papandreut, Simitis dhe Karamanliut, iqëndruan përkrahë biznesit fitimprurës. Heshtja dhe burokracia hap portën korrupsionit dhe ky I fundit kriminalitetit.
Hyrja në kampin e punës është e pamundur pasi ruhet me bodyguardë. Edhe një kanal televiziv grek që tentoi të filmonte kampin, u trajtuan në mënyrë shtazarake dhe u shtruan në spital. Institucioni i Drejtësisë së Greqisë hesht përballë kësaj tragjedie. Një tragjedi e thurur në legjendë...
Në zonen Filiatra, pagesa bëhet jo më sipas punës, por bëhet sipas ngjyrës së lëkurës së skllavit. Asgjë nuk është e panjohur edhe pse ndonjë parti e majtë ka shtruar këtë problem në parlamentin vendas, problemi vazhdon akoma. Edhe ndonjë nga premtimet që janë bërë nga politikanët janë “harruar”, duke treguar se politika vendase është e pazonja përballë padrejtësisë që u bëhet emigrantëve. Kjo politikë në përgjithësi mbi të gjitha tregon se ky “komunitet” i kësaj shtresë po i trajtohen si njerëz vetëm për krahun e punës, pa asnjë zë për kushtet se si punojnë dhe jetojnë. Koha po tregon se punëdhënësit nuk kanë me frikë më nga padrejtësitë që u bëjnë emigrantëve, përballë indiferentizmit të shtetit, që duket se është bashkëpunëtor që shfaq kufizime dhe mangësi në këtë situate.
Shteti mbi të gjitha po trajton këtë shtresë vetëm për nevojat e biznesit, i cili është edhe furnitori më i madh me luleshtrydhe në Europë, duke mënjanuar mekanizmin përkatës (policinë) që në këto momente i ka kthyer shpinën kontrollit dhe akuzave të emigrantëve. Mospajisja me dokumente nga qeveria u jep krahë punëdhënësve të shfrytëzojnë emigrantët, ku temperatura brenda në sera shkon deri në 45 gradë. Vendi ku jetojnë emigrantët nuk do ti shkonte për shtat as stallave të kuajve, të stivosur njëri pas tjetrit kundrejt pagës së qirasë.
Në kushtet e përditshme një copë llastiku është i përshtatshëm, ndërsa për rrjet elektrik nuk bëhet fjalë. Sa për t’u larë mjafton llastiku i ujit të ftohtë, si dhe gatimi bëhet si në mesjetë. Një pjesë shfrytëzojnë shtëpi (baraka të vjetra), disa të tjerë jashtë kampit banesa të vjetra të braktisura, kundrejt qirasë për secilin. Banesa të shkatërruara dhe të rrënuara, që u japin gjallëri jo vetëm emigrantët, por edhe minjtë e hardhucat. Janë banesat e braktisura, stallat e dikurshme që përbëjnë luksin për emigrantët. Është një dhimbje që kuptohet dhe ndjehet nga vetë ata që e vuajnë, sa për të tjerët…