Thursday, August 17, 2006

Reagime pas marrëveshjes për sigurimet


Greqi, “Protokolli i ri”, një shpresë e re për emigrantët shqiptarë, që jetojnë e punojnë në shtetin helen.

Vëndet e Bashkimit Europian kanë shumë rrugë për të bërë lidhur me tregun e punës e më pas me sigurimet shoqërore. Ky fenomen shumë delikat ka prekur pothuajse tërë komunitetin europian, si një bazë domosdoshmërie në jetën e përditshme. Më shumë të prekur në këtë drejtim janë komuniteti i emigrantëve, të cilëve sa po vjen po u shtrëngohet laku në fyt për shkak të papunësisë, gjë që ka ndikuar në vështirësinë në sigurimin e krahut të lirë në tregun e punës. Kjo gjë ka ndikuar që emigrantët, në përgjithësi ta sigurojnë vetë me vështirësi vëndin e punës, ndërsa për sa i përket zgjidhjes së sigurimeve shoqërore, kjo gjë mbetet akoma në një udhëkryq deri në atë fazë, që askush nuk mund të thotë me gojën plot ( nga organet kopetentë) se a do t’u njihet në të ardhmen mundi dhe djersa e derdhur për njohje pensioni. Realiteti është se deri më sot kontributi i emigrantëve në këtë drejtim njihet nga qeveria greke si një dokument bazë që hap dritë jeshile vetëm për legalizim, pavarësisht se më parë i është bërë ndoshta një padrejtësi, pasi ka munguar vlerësimi, vullneti, dëshira dhe ndihma konkrete e mekanizmit të shtetit. Në disa vënde europiane, kjo padrejtësi shprehet “me mburje” se është luftuar për të patur një barazi ndërmjet të huajve dhe shoqërisë vëndase. Por faktet radhisin të kundërtën.

Shqipëria më aktive për emigracionin.

Mbas 15 vjetë të emigracion shqiptar më së fundi Shqipëria duket se është kujtuar për nënshtetasit e saj. Dhe jo pa arsye. Për nga numri përbëjnë 33 përqind të gjithë popullsisë shqiptare, të shpërndarë në 46 vënde të botës. Janë këta emigrantë, të cilët kanë nevojë nga shteti i tyre, që jo vetëm t’i mbrojë nga ana ligjore, por, mbi të gjitha t’i përfaqësojë në mënyrë të garantuar, brenda standarteve të legjislacionit ndërkombëtare në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut luftojë për padrejtësitë, që u bëhen nga vëndet pritëse. Deri më sot politika e shtetit shqiptar, në përgjithësi, “strategjia” ndaj emigracionit shqiptar, jo vetëm që kanë qënë të pamjaftueshme, por pothajse kanë dështuar plotësisht.
Shqipëria zë një nga vëndet e para përsa i përket numrit të madh të emigrimit në krahasim me ato të vendeve te tjera, në një kohë kur problemi i emigracioni, si një “plagë që pikon”, duhet ta shihet si një problem mbarëkombëtar e jo partiak.
Faktikisht, mungesa që ka treguar shteti shqiptar në këtë aspekt në të kaluarën tregon indiferentizmin e pajustifikueshëm, në një kohë kur Greqia mban mbi shpatullat e saj rreth 600.000 – 700.000 shqiptarë. Kryeministri Berisha është i vetmi kryeministër shqiptar, që deri më sot nuk ka mundur të bëjë një takim me emigrantët. Megjithatë ka shfrytëzuar rastet e veçanta për këtë gjë. Por a mjafton kjo praktikë?
Në një takim tranzit të para pak kohshëm me homolugun e tij grek, zotin Karamanli, ka treguar interes të veçantë, duke prekur edhe një herë problemin e sigurimeve shoqërore. Një gjë duhet theksuar: emigracioni nuk është problem partiak por mbarëkombëtar. Ky problem nuk i përket vetëm mazhorancës, por edhe partive opozitare.
Lidhur me problemin e sigurimeve shoqërore, Ministri grek i Punës, Cituridhis, duket se është i vetmi deri më sot që ka hapur shumë hapësira në fushën e sigurimeve shoqërore të vëndit, me pikësynime pozitive përsa i përket refomave. Nga ky ministër pritet që deri në fund të vitit të ketë hartuar një projekt ligj për këtë problem, ndërsa nga qeveria Karamanlis pritet që gjatë vitit 2007 në këtë sektor të bëhet një reformë përfundimtare, me shprese zgjidhjen e këtij problemi të mprehtë. Lidhur me këtë, një javë më parë, Ministri i Ekonomisë Kombëtare të Greqisë ka deklaruar se në arkat e sigurimeve shoqërore ka një mungesë prej 400 miliardë eurosh, në një kohë kur pritet që në vitin 2050 pagesat e pensioneve do të dyfishojnë akoma më shumë këtë mungesë eurosh në këto arka. Shumë analistë ekonomistë vendas e shikojnë me shqetësim dhe pesimistë të ardhmen e sigurimeve shoqërore.

Ambasadori shqiptar,

z. Vili Minarolli: “Takimi ishte i një dëshire të mirfilltë...”
Ministri i Punës së Shqipërisë, Kosta Barka, zhvilloi një takim personal të planifikuar me zotin Cituridhis, për të diskutuar programet e dy ministrive përkatëse të Punës. Paraprakisht, për këtë takim kërkova një takim me drejtorin e kabinetit të ministrit të punës greke, ku biseduam rreth problemeve në fjalë. Problemet më kryesore të takimit ishin problemet e emigrantëve shqiptarë, që janë me banim në Greqi prej shumë vitesh, si problemi i sigurimeve shoqërore, punës sezionale, si dhe ato midis dy ministrive. Lidhur me këto probleme diskutuan dy ministrat, ku ranë dakord që të të punojnë për hartimin e një marrëveshje të njohjes së vjetërsisë në punë të qytetarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej shumë vitesh këtu, në përputhje me standartet e Bashkimit Europian. Takimi kishte një mirëkuptim të plotë, me dëshirë dhe vullnet reciprok për të zgjidhur këto probleme. Unë, në takimin që pata me dy ministrat informova ministrin grek lidhur me bisedën që kishte bërë kryeministri Berisha me kryeministrin Karamanlis. Unë mendoj se së shpejti dy ministritë do të ulen për të hartuar projektin, i cili do të zgjidhë përfundimisht një herë e përgjithmonë këtë problem. Gjithashtu ministrit grek i ngrita mundësinë e punësimit sezonal të shqiptarëve, pasi qytetarët grekë në mënyrë ilegalë i marrin shqiptarët në kufi. Kjo punë duhet legalizuar, për t’u futur në kanalet e rregullta, pasi është në interes të përbashkët.

Kryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Greqi:

Ky problem është tepër i vonuar, me një humbje kolosale ekonomike jo vetëm për emigrantët, por edhe për vetë shtetin shqiptar. I pari problem që duhej zgjidhur ndërmjet dy qeverive ishte problemi i sigurimit të pensionit. Po çfarë bëhet me 100,000 emigrantë të cilët punuan në Greqi dhe kanë të dokumentara këto vite pune? Ndërsa sot ndodhen në Shqipëri, ku të humbur padrejtësisht janë indivi dhe shteti shqiptar. Po një numër i madh prej 150.000 gra, që punojnë në pastrimin e shtëpive, i paguajnë paratë nga xhepi për të marrë vetëm legalizimin, kurse nga ana tjetër paguajnë edhe në Shqipëri, për t’u njohur vjetërsia për pension, në një kohë që punojnë e paguajnë edhe në Greqi.

Pensionet merren në atë vënd ku punon dhe kontribuon

Nga një bisedë zhvilluar pak kohë më parë me përgjegjësen e Sigurimeve Shoqërore dhe Pensioneve në Tiranë, z. Iva Zaimi u shpreh se “për kontributet e dhëna në Greqi, pensioni merret në atë vënd ku janë dhënë këto kontribute. Emigrantët shqiptarë në Greqi, kanë të drejtë të marrin pension, ndërsa për ata që nuk duan të humbasin vitet e punës që kanë në Shqipëri, duhet t’i blejnë vetë që u duhen për të plotësuar kontratën e pensionit, ku dhe pensioni do të merret pasi të ketë mbushur moshën 60 vjeç për gratë dhe 65 për burrat...”
Ndërsa në një konferencë ndërkombëtar zhvilluar pak muaj më parë, organizuar nga Instituti Grek për Politikën e Emigracionit, në bashkpunim me Institutin Ndërkombëtar “Migration Policy Institute ( MPI) u theksua nga vetë drejtori i Institutit grek për Politikën e Emigracionit grek z Aleksandër Zavo i cili u shpreh midis të tjerave se “ka patur vonesa të mëdha dhe për shumë kohë u kufizua me një kuadër shumë të rreptë, me një logjike policore, me zgjidhje të çastit dhe pa asnjë perespektivë afatgjatë. Çështja e emigrantëve, duhet të ndërlidhet me politikën zhvilluese dhe me ringjalljen e sistemit të sigurimeve shoqërore, pasi shumica e emigrantëve ka shprehur dëshirën që të qëndrojnë dhe të integrohen në jetën social- ekonomike të Greqisë”.

25% të siguruarve në sigurimet shoqërore janë emigrantë

Kontributi i emigrantëve në përgjithësi në sigurimet shoqërore (IKA) është i padiskutushëm dhe asnjë nuk mund ta mohojë këtë gjë, pasi faktet flasin vetë. Një ndër katër të siguruar në sigurimet shoqërore është emigrant ekonomik, në një kohë kur shteti grek akoma nuk u njeh emigrantëve shqiptarë për pension vitet e punuara në Greqi.


Photobucket - Video and Image Hosting


Sipas të dhënave zyrtare, nga 1.900.000 punëtore të siguruar, mbi 500.000 janë emigrantë ekonomikë. Nga këta 243.033, ose 25%, janë emigrantë shqiptarë. Politika dhe presionet e ndryshme kanë ndikuar që numri i madh i emigrantëve të huaj të siguruar në sigurimet shoqërore ka bërë që IKA të ketë një frymëmarrje më të gjerë dhe arkat e saj të mbushen me të ardhura nga mundi, djersa dhe gjaku i emigrantëve.
Pozitive është për sigurimet shoqërore fakti se për “sigurimin e emigrantëve” mbulohen shumë “vrima”, përsa u përket pensioneve apo subjekteve të ndryshme. Karakteristikë është fakti se emigrantët, të cilët paguajnë shuma të mëdha në siguracione, deri më sot nuk përfitojnë pension, pasi kuadri ligjor grek aktualisht nuk e parashikon një gjë të tillë. Është një padrejtësi, sepse emigrantët punojnë dhe nuk gëzojnë ato që u takojnë.
Si një vënd i veçantë, nga më të vonuarit në krahasim me vëndet e tjera europiane, ligji në Greqi parashikon pensione vetëm për shtetasit e huaj, që vijnë nga vëndet anëtare të BE-së. Lidhur me këto padrejtësi sekretari i sindikatave të ndërtimit në Athinë, Jorgos Theodhoros, është shprehur se “është një padrejtësi që u bëhet emigrantëve, pasi atyre akoma nuk u njihen vitet e punës për pension, por nga ana tjetër duhet që vëndet nga vinë emigrantët të bëjnë presione. Emigrantët do të marrin pensione vetëm atëhere kur ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë të lidhen marrëveshje dypalëshe...”
Gjithashtu specialistët kanë theksuar se mbas një 10 vjeçari, 25% e popullsisë do të përbëhet nga emigrantët e huaj. Gjithashtu duhet theksuar se sipas të gjithave studimeve të Sindikatave të Përgjithëshme të Greqisë, rezulton se hyrja e emigrantëve në ekonominë greke nuk është shoqëruar me pasoja të rënda në tregun e punës, përkundrazi, emigrantët ekonomik punësohen në ato vënde pune, të cilat nuk preferohen më prej vetë vëndasve dhe në një farë mënyre ka ndikuar që ekonomia greke të mos kishte probleme serioze, por përkundrazi emigrantët luajtën një rol pozitiv në ekonominë e këtij vëndi...
Publikuar ne gazeten Ballkan me 12/08/2006