Wednesday, December 28, 2011

Shqipëria katër herë “jo” nënshtetësi, klerikut grek Anastasios Janullatos


Janullatos i ka kërkuar pesë herë shtetit shqiptar për të marrë nënshtetësinë shqiptare, ndërsa presidentët Alia, Mejdani, Moisiu, Berisha ja kanë रेफुजुँर

Publikuar në gazetën “TELEGRAF”


Pjesa më e madhe e popullit shqiptar nuk do të dëshironte që në krye të Kishës shqiptare të jetë një klerik grek, ashtu sikundër nuk do të dëshironte asnjë grek që në krye të Kishës së tyre të ishte një klerik shqiptar. Po megjithatë kleriku Janullatos i ka kërkuar pesë herë shtetit shqiptar për të marrë nënshtetësinë shqiptare, ndërsa presidentët Alia, Mejdani, Moisiu, Berisha ja kanë refuzuar këtë kërkesë. Janullatos ka një shpresë të vetme tek presidenti Bamir Topi, pasi ai përbën një nga klerikët e vetëm deri më sot që nuk ka marrë nënshtetësi në vendet ku shërbejnë.

Jo pak herë peshkopi grek dhe njëkohësisht Arqipeshkopi i Shqipërisë z. Janullatos u ka kërkuar autoriteteve përkatëse nënshtetësinë shqiptare, për të forcuar dhe siguruar postin e tij si Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale, si edhe për peshkopët e tjerë grekë, që do vijonin më pas në postin e tij. Dihet që Kryepeshkopi i Shqipërisë z. Janullatos kishte kërkuar më pare edhe mbështetjen e ish kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, për të ndërhyrë pranë qeverisë shqiptare, për marrjen e nënshtetësisë. Që në fillim, ai është pritur me reagime nga pjesa më e madhe e popullit dhe kjo ishte më se e logjikshme, duke pasur parasysh se greket kërkonin të merrnin në dorë drejtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare, ku ja arritën edhe qëllimit me ndihmën e pushtetit të asaj kohe, që fatkeqësisht po ata njerëz po qeverisin edhe sot. Kanë kaluar 20 vjet nga ardhja e tij në Tiranë dhe sot kleriku grek është ende në pritje, edhe pse gjatë kësaj kohe autoritetet shqiptare kanë hedhur poshtë deri tani kërkesën e tij, duke mos bërë publike edhe arsyen e mosdhënies nga ana e tyre. Kleriku grek përbën një figure publike për fenë ortodokse në Shqipëri, si i tillë do ishte e mira që kjo pjesë e popullsisë sot dhe mbarë populli shqiptarë të mësonte arsyen, duke pasur parasysh se në Greqi jetojnë dhe punojnë rreth 500 mijë familje shqiptare. Një nga arsyet e zvarritjes dhe mos legalizimit të emigrantëve tanë në Greqi është pikërisht mosdhënia e nënshtetësisë shqiptare klerikut grek Janullatos. Por…? Janullatos me vizitën e tij në Boston të majit 2008, ka lënë një hije dhe një frikë për pjesën më të madhe të popullit shqiptar, pas mbështetjes së vëllezërve Artur dhe Nikon Liolini, të cilët ishin kundra bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi lidhur me luftën ndaj popullit të Kosovës. Edhe pse vizita e tij në atë kohë kishte të bënte me shëndetin e tij, z. Janullatos ka shfrytëzuar këtë rast dhe i ka kthyer vizitën aleatit më të vjetër me kombësi shqiptare klerikut At Arturit, i cili me një grup të tjerë klerikësh kishin ardhur në Tiranë më 1992, për të kundërshtuar peshkopin grek të merrte drejtimin e Kishës Ortodokse autoqefale shqiptare. Kjo dhe për të tjera arsye ndikuan që shumë njerëz të kërkojnë që të ndërpritet kontrolli absolut i Kishës Ortodokse Autoqefale shqiptare nga drejtues grekë, më konkretisht largimin e Janullatos. Vallë kjo është edhe për këtë radhë arsyeja që presidenti Bamir Topi i ka mohuar si paraardhësit e tij dhënien e nënshtetësisë shqiptare peshkopit grek?

Pesë presidentët e Shqipërisë nuk kanë firmosur për dhënien e nënshtetësisë

I pari ish-presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia nuk pati dëshirë të firmosë dokumentin e nënshtetësisë për klerikun grek të porsa ardhur më 1991 në vendin tonë me fjalët: “Jam një zëvendës, eksark me një detyrë të përkohshme”. Por koha si një barometer më i mirë tregoi se këto fjalë të z. Janullatos dolën të pavërteta dhe se ishin një gënjeshtër e qartë. Më pas edhe ish-President Rexhep Mejdani nuk e firmosi nënshtetësinë e pamerituar. Po të njëjtin veprim ka kryer edhe ish-Presidenti Alfred Moisiu. Gjithashtu të njëjtën gjë ka bërë edhe ish-Presidenti dhe Kryeministër i sotëm Sali Berisha, që nuk ka firmosur dhënien e nënshtetësisë, i ndjekur edhe nga presidenti aktual Bamir Topi. Me vizitën e tij në Boston të majit 2008, ai ka lënë një hije dhe një frikë për pjesën më të madhe të popullit shqiptar, pas mbështetjes së vëllezërve Artur dhe Nikon Liolini, të cilët ishin kundra bombardimeve të Nato-s në ish Jugosllavinë lidhur me luftën ndaj popullit të Kosovës.

20 vjet në pritje

Peshkopi grek Janullatos, që prej 20 vjetësh është ende në pritje për marrjen e nënshtetësisë shqiptare. Lind pyetja: Përse kjo këmbëngulje kaq e madhe nga ana e tij, kur atë nuk e pengon asnjë të bëj çfarë të dojë dhe kur të dojë në tokën shqiptare? Përse kërkoi mbështetjen e klerikëve shqiptarë në Amerikë dhe kryeministrit grek Karamanli? Cilat janë arsyet dhe provat që çojnë politikën shqiptare në refuzimin e nënshtetësisë. A mund të dëmtohet seriozisht politika, themelet e demokracisë në Shqipëri nga Peshkopi grek Janullatos? Sot, po ashtu, presidenti më i ri në moshë i Shqipërisë Bamir Topi do të refuzojë përsëri të firmose kërkesën për nënshtetësi shqiptare të Peshkopit grek , apo do t’i jap fund njëherë e përgjithmonë këtij problemi? Kjo ndodh në një kohë kur figura e personalitetit të Janullatos në krahasim me klerikët e tjerë në Greqi është më i madh, me i respektueshëm të një niveli të lartë njerëzor.

Është parapërgatitur, që Kryepeshkopi i kishës shqiptare të jetë gjithnjë me kombësi greke

Askush nga shqiptarët nuk do të dëshironte një gjë të tillë, ashtu sikundër edhe vetë greket nuk do të dëshironin që në krye të kishës së tyre të ishte një shqiptar, kjo më se e logjikshme. Flitet dhe dëgjohet se nën drejtimin e Peshkopit Janullatos prej kaq shumë vitesh është bërë parapërgatitja që më në fund Kryepeshkopi i Kishës Autoqefales shqiptare të jetë vazhdimisht me kombësi greke. Kjo e planifikuar pak a shumë në këtë mënyrë:

Ne fazë të parë, do të përdoret kriteri i vjetërsisë në punë. Kështu mbas Janullatos vjen Peshkopi grek Ignat, mitropoliti i qytetit të Beratit, edhe pse kemi peshkop shqiptar si Jani Pelushi mitropolit në qytetin e Korçës. Në fazën e dytë, do të përdoret kriterit gjeografik. Drejtuesit grekë do të caktonin të themi Beratin si Mitropolia, ku do të shërbente peshkopi pasardhës i kryepeshkopit në pushtet. Në këtë rast një peshkop grek, ose të themi peshkopi grek Dhimitris i qytetit të Gjirokastrës, do të transferohej në Berat me rregullin e ri, ku do të zëvendësonte Kryepeshkopin Ignati, pasardhësin e Kryepeshkopit të sotëm në Tiranë z. Janullatos. Ndërkohë që të tre peshkopët greke, njeri-pas tjetrit kontrollojnë postin e kryepeshkopit, në një kohë që kur t’i vijë radha peshkopit shqiptar do të jetë vonë, i plakur, apo në “boten tjetër.” Ndërkohë specialistët grekë në Fanar me qendër në Turqi do të përgatisin një strategji të re për të siguruar postin e shumëkërkuar të kryepeshkopit, vazhdimisht për një peshkop me kombësi greke. Kisha Ortodokse shqiptare në Amerikë drejtohet nga vëllezërit Liolin, At Artur Liolini si Kancelar dhe Peshkopi Nikon Liolini, si peshkopi ortodoks i zonës Verilindore të SHBA, ku bën pjesë edhe kisha shqiptare. Këta dy vëllezër ftuan Peshkopin Janullatos si dhe Peshkopin Ilia Katre (i lidhur me Patrikanën greke në Stamboll dhe përgjegjës i dy kishave shqiptare në SHBA) për të festuar meshën e së dielës më 9 mars të 2008. Përse u pranua që Peshkopi grek të drejtojë Kishën Shqiptare prej më se 20 vjetësh? Po të kthejmë kokën pas do të shohim se më 22 mars 1908 ishte hapi i parë drejtuar nga Imzot Fan Noli, që përfundoi me themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. E njohur më së fundi zyrtarisht me 1937. Letër shkëmbimet e tij të fundit me Enver Hoxhën tregojnë qartë luftën e tij besnike për një autoqefali shqiptare. Sot mbas kaq vitesh shikojmë reagime konkrete jo vetëm brenda territorit të vendit po edhe jashtë. Kështu që edhe një akt flagrant i vëllezërve Liolinasve që u protestua nga një numër shqiptaresh në Kishën e Shën Gjergjit më 9 mars të 2008. Si rezultat i meshës së 9 marsit, Peshkopi grek Janullatos mori në dorë edhe mbështetjen e kishës shqiptare të Amerikës, që 20 vite më parë kishin reaguar kundër tij. Po ashtu fushata e At Artur është krejt në kundërshtim me pozitën e tij, kur ai së bashku me priftin shqiptar Michael Sotir, kryetarin laik Tom Sotir, patriotin Andon Athanasi, patriotin Niko Kirka dhe Sejfi Protopapën erdhën në Tiranë më 1992, për të kundërshtuar Peshkopin Janullatos dhe ndërhyrjen greke në Kishën Ortodokse autoqefale Shqiptare. Po të vështrojmë pak me larg do të shohim se feja ortodokse greke është shtrirë pothuajse në çdo vend të rruzullit tokësor, përfshi këtu edhe vendet afrikane, por me një ndryshim pasi atje as nuk është diskutuar dhënia apo marrja e nënshtetësisë. Qeveria shqiptare është i vetmi vend demokratik që mund të ndërpresë marrëdhëniet e peshkopit në qoftë se puna e tij paraqet një rrezik kombëtar. Po sa punë mund të prishë Shqipërisë dhënia e nënshtetësisë së klerikut grek, në një kohë kur edhe pa marrjen e nënshtetësisë ai punon dhe jeton i pa shqetësuar nga askënd. Një fakt është se asnjë nuk mund të mohojë punën e Peshkopit në Shqipëri. Dëshira e tij e madhe për të punuar në këtë fushë ka lënë gjurmë të pamohueshme. Peshkopi po kryen të njëjtin mision fetar. A duhet të trembemi nga prezenca e tij në Shqipëri në dhënien e nënshtetësisë shqiptare, në një kohë kur Greqia i ka marrë Shqipërisë çfarë ka dashur?. Cilat janë arsyet dhe provat që mund të çojnë politikën shqiptare në refuzimin e nënshtetësisë? Dikush me të drejtë mund të pyesë: Përse kjo frike kaq e madhe nga një njeri, në një kohë kur në Greqi jetojnë dhe punojnë 700 mijë shqiptarë? A duhet të presë Shqipëria legalizimin e qindra e mijërave emigrantë shqiptarë në Greqi, në një kohë kur ka frikë të japë nënshtetësinë një kleriku grek, ku “de facto” e ka marre. Mos vallë kemi të bëjmë me një hipokrizi shqiptare?

Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi



Greqia fqinje vend anëtare e BE, përbën një nga aleatët më të rëndësishëm për shtetin shqiptar, edhe pse në disa momente të veçanta marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë të tensionuara dhe të ngrira. Sot në përgjithësi marrëdhëniet me vendin fqinjë paraqiten pozitive. Në fushën ekonomike marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve janë në nivelet e kënaqshme. Importet shqiptare nga Greqia përbëjnë rreth 22% të gjithë importit global të vendit, ndërsa eksportet shqiptare drejt Greqisë përfaqësojnë 13% të gjithë eksportit vendas. Minoriteti grek në Shqipëri dhe emigracioni shqiptar në Greqi janë bërë një urë miqësie ndërmjet dy popujve tanë. Futja e vendit tonë në NATO, nga ana filozofike mendohej se do të luante një rol të rëndësishëm në prestigjin dhe influencën e vendit tonë përballë Greqisë, por në praktikë tregoi se Shqipëria pas viteve 2005 është gjunjëzuar plotësisht para politikës së Greqisë. Në marrëdhëniet me vendin fqinj gjatë 35 viteve, Shqipëria ka nënshkruar 65 marrëveshje të ndryshme, por duke mos realizuar akoma zyrtarisht heqjen e “Ligjit të Luftës”...Që nga viti 1976, në marrëdhëniet midis dy vendeve janë nënshkruar 49 marrëveshje, 1 traktat miqësie, 5 konventa, 10 protokolle dhe 3 memorandume. Marrëveshja e parë është realizuar më 21.05.1976 dhe marrëveshja e fundit u nënshkrua ndërmjet dy policive shqiptaro-greke me 15 nëntor të 2011. Në dy vitet e fundit 2010-2011ka pasur vetëm një nënshkrim protokolli dhe një marrëveshje lidhur me policinë. Në krahasim me vendet e tjera të Rajonit dhe të Evropës këto marrëveshje janë 4-5 herë më shumë në numër. Numrin më të madh të marrëveshjeve vendi ynë e ka bërë me shtetin gjerman, ku janë ratifikuar 123 marrëveshje dhe protokolle, ndërsa me Italinë ka ratifikuar 83 të tilla. Gjatë marrëveshjeve bie në sy që brenda një dite, (14.12. 1984) të jenë nënshkruar 5 marrëveshje të ndryshme, ndërsa në vitet 1990-1999 janë nënshkruar 25 marrëveshje. Gjithashtu, mbetet një marrëveshje për t’u ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar, e nënshkruar më 27 shkurt 2009 në Tiranë midis dy ministrave të jashtëm, për deliminitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental. Këto marrëveshje dypalëshe mbyllen me protokollin e bashkëpunimit midis dy policive, nënshkruar në 2010.

Marrëveshjet e nënshkruara gjatë periudhës 1976-1990

1-Konventa veterinare midis Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, nënshkruar në 21 maj 1976.

2- Marrëveshje fitosanitare midis Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, 30 mars 1997.

3- Marrëveshje për transportin ajror civil, nënshkruar më 16 korrik 1977.

4- Marrëveshje për ndërtimin dhe vënien në funksionim të linjës elektrike të tensionit të lartë për lidhjen e sistemeve elektroenergjetike, nënshkruar më 12 shkurt 1981.

5- Marrëveshje kulturore, nënshkruar më 14 dhjetor 1984.

6- Marrëveshje e bashkëpunimit shkencor dhe teknik, nënshkruar më 14 dhjetor 1984.

7- Marrëveshje për transportin rrugor ndërkombëtar, nënshkruar më 14 dhjetor 1984.

8- Marrëveshje mbi shërbimet postare, nënshkruar më 14 dhjetor të 1984.

9- Marrëveshje për shërbimet e telekomunikacioneve, nënshkruar më 4 dhjetor të 1984.

10- Marrëveshje bashkëpunimi midis Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave të Athinës, nënshkruar më 28 nëntor 1985.

11- Marrëveshje bashkëpunimi midis Radiotelevizionit Shqiptar dhe Radiotelevizionit Grek, nënshkruar më 28 nëntor të 1985.

12- Marrëveshje ndërmjet Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe Agjencisë së Lajmeve të Athinës, nënshkruar më 21 nëntor të 1986.

13- Marrëveshje bankare midis Bankës së Shtetit Shqiptar dhe Bankës së Greqisë në Athinë, nënshkruar më 18 nëntor të 1987.

14- Marrëveshje për Tregtinë Kufitare, nënshkruar më 17 prill 1988.

Nënshkrimi i marrëveshjeve gjatë periudhës 1990- 1999

Marrëveshje për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve, nënshkruar më 1 gusht 1991, fuqizuar zyrtarisht më 4 janar 1995

2- Marrëveshje Bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Greqisë, midis forcave të armatosura të të dy vendeve, nënshkruar më 7 nëntor 1992.

3- Marrëveshje midis Ministrisë së Punës dhe përkrahjes sociale të Shqipërisë dhe OAED të Greqisë, nënshkruar më 21 gusht 1992.

4- Marrëveshje, Konventa konsullore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, nënshkruar më 22 qershor 1992, hyrë në fuqi më 31 janar 1993.

5- Marrëveshje për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe të shërbimit, nënshkruar më 22 qershor 1992.

6- Marrëveshje për hapjen e posteve konsullore, nënshkruar më 22 qershor 1992.

7- Protokoll mbi krijimin dhe funksionimin e Komisionit të Përbashkët shqiptaro-grek për nxitjen e marrëdhënieve midis dy vendeve, nënshkruar më 9 prill 1993, fuqizuar zyrtarisht më 9 gusht 1994.

8- Konventë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për zbatimin reciprok të vendimeve gjyqësore për çështjet penale, nënshkruar më 17 maj 1993.

9- Konventa midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për transferimin e të dënuarve të burgosur, nënshkruar më 17 maj 1993.

10- Konventa midis republikës të Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë mbi ndihmën gjyqësore në çështjet civile dhe penale, nënshkruar më 17 maj 1993


11- Marrëveshje për bashkëpunimin administrativ të doganave, nënshkruar më 17 maj 1993, hyrë në fuqi më 9 korrik 1993.

12- Konventa midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, për shmangien e tatimit të dyfishtë lidhur me tatimet mbi të ardhurat dhe kapitalin, nënshkruar më 14 korrik 1995, hyrë në fuqi më 13 dhjetor 2000.

13- Traktat i miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë midis republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, nënshkruar më 21 mars 1996, hyrë në fuqi më 4 shkurt 1998.

14- Marrëveshje për punësim sezonal të fuqisë punëtore, nënshkruar më 17 maj 1996.

15- Marrëveshje për krijimin e posteve konsullore, nënshkruar më 17 maj 1996.

16. Protokoll ndihmës dhe bashkëpunimit të forcave të armatosura midis Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare së Greqisë, nënshkruar më 5 gusht 1997

16- Marrëveshje për transportin ndërkombëtar rrugor të mallrave dhe pasagjerëve, nënshkruar më 20 qershor 1997, hyrë në fuqi më 25 nëntor 1998

17- Marrëveshje për hapjen e pikave të reja kalimit kufitar, nënshkruar më 15 tetor 1997

18- Marrëveshje plotësuese për Protokollin e ndihmës dhe bashkëpunimit të forcave të armatosura midis Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, të 5 gushtit 1997, nënshkruar më 25 shtator 1997.

19- Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, nënshkruar më 15 tetor 1997.

20- Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e teknologjisë dhe pajisjeve mbrojtëse ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare së Greqisë, nënshkruar më 25 shtator 1997

21- Protokoll bashkëpunimi midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Marinës Tregtare të Republikës së Greqisë, në lidhje me patrullimin e përbashkët nga policia kufitare dhe trupave greke të mbrojtjes së limaneve për në mbrojtje efikase të kufirit bregdetar midis dy vendeve, nënshkruar më 9 mars 1998

22- Protokoll i asistencës ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Greke në lidhje me integrimin Euroatlantik të Shqipërisë, nënshkruar më 8 mars 1998

23- Marrëveshje për bashkëpunim në fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës, nënshkruar më 4 nëntor 1998


24- Protokoll mbi zgjatjen e vlefshmërisë së Protokollit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë se Rendit Publik të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Marinës Tregtare të Republikës së Greqisë në lidhje me patrullimin e përbashkët nga policia kufitare dhe trupat greke të mbrojtjes së porteve për mbrojtje më efikase të kufirit detar midis dy vendeve, nënshkruar më 23 tetor 1999.

25- Marrëveshje mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit, nënshkruar më 22 dhjetor 1999

Marrëveshjet gjatë periudhës 2000-2009

1-Marrëveshje e huas për projektin e infrastrukturës sociale për sektorin e arsimit, nënshkruar më 25 korrik 2000.

2- Marrëveshje e huas për projektin e infrastrukturës sociale për sektorin e shëndetësisë, nënshkruar 25 korrik 2000.

3- Marrëveshja midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare së Greqisë, për pjesëmarrjen e personelit ushtarak dhe civil shqiptar në Qendrën Ndërkombëtare për Operacionet Mbështetëse të Paqes, nënshkruar më 25 nëntor 2002.

4- Marrëveshje teknike midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Greqisë, për rregullimin e procedurave të ndërtimit, pajisjes dhe plotësimit me personel të Spitalit ushtarak të Gjirokastrës, nënshkruar më 25 nëntor 2002.

5- Protokoll i bashkëpunimit në fushën e sigurimeve shoqërore, nënshkruar më 22 korrik 2002, hyrë në fuqi më 1 maj 2003.

6- Marrëveshje midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Republikës së Greqisë, për ndërtimin e godinës së komandës dhe mjediseve të akordimit të personelit, të thellimit të kanalit hyrës dhe basenit të bazës detare të Bisht Pallës, nënshkruar më 30 nëntor të 2002

7- Marrëveshje mbi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, nënshkruar më 10 nëntor 2003

8- Memorandumi i mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së mjedisit midis Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit dhe Punëve Publike të Republikës së Greqisë, nënshkruar më 3 prill 2003, hyr në fuqi më 19 korrik 2005.

9- Marrëveshje për krijimin e Komisionit të Përhershëm Shqiptaro-Grek mbi çështjet e ujërave të ëmbla ndërkufitare, nënshkruar më 3 prill 2003 dhe hyrë në fuqi më 23 nëntor 2005.

10- Marrëveshje për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, nënshkruar më 2 shtator 2003, hyrë në fuqi më 10 mars 2005.

11- Protokolli i Komisionit Kryesor të Përbashkët Shqiptaro-Grek për çështje kufitare, nënshkruar më 3 nëntor 2005.

12- Memorandum i mirëkuptimit midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare së Greqisë lidhur me përcaktimin e formave të mbështetjes së ekipit të përbashkët mjekësor të vendeve palë, në iniciativën e Kartës së Adriatikut në operacionin e drejtuar nga NATO, ISAF në Afganistan, nënshkruar më 25 maj 2005.

13- Marrëveshje sigurie ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për mbrojtjen dhe asistencën e fëmijëve, (viktima të trafikut), nënshkruar më 27 shkurt 2006, hyrë në fuqi më 5 dhjetor të 2008.

14- Marrëveshje sigurie ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë për mbrojtjen e ndërsjellët të informacionit të klasifikuar, nënshkruar më 14 shkurt 2006.

15- Marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për bashkëpunimin në fushën e postave dhe komunikimit elektronik, nënshkruar më 6 prill 2006, hyrë në fuqi më 6 qershor 2008.

16- Marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për bashkëpunimin midis shërbimeve të zjarrfikësve, nënshkruar më 27 maj 2006

17- Marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, “Për bashkëpunimin në fushën e energjisë, nënshkruar më 13 shtator 2006, hyrë në fuqi më 27 mars 2007”.

18- Marrëveshje huaje prej 230.000.000 për Republikën e Shqipërisë nga banka ALPHA BANK. A. E., Bankës Kombëtare Greke S.A, agjent ALPHA BANK A.E. Dega Londër, nënshkruar më 4 prill 2008

19- Rregullore e Komisionit të Përhershëm për ujrat e ëmbla, nënshkruar më 10 prill 2008.

20- Marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë dhe “Bankës së Greqisë”, nënshkruar më 18 dhjetor 2008.

21- Marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë,për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakeve grekë rënë në Shqipëri gjatë luftës Greko-Italiane, 1040-1941, për ndërtimin vendprehjes në territorin e Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më 9 shkurt 2009.


22- Marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë dhe “Bankës së Greqisë” , nënshkruar më 18 dhjetor 2008.

23- Marrëveshja midis dy ministrave të jashtëm për deliminitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental, por që nuk është ratifikuar nga parlamenti shqiptar, nënshkruar më 27 shkurt 2009.

23- Marrëveshje midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë përfaqësuar nga Ministria e Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave të Republikës Greke dhe Organizatës të sigurimit të Kredive të Eksportit (ECIO), nënshkruar më 19 mars 2009.

24-Marrëveshje ndërmjet dikastereve përkatëse për ndërtimin e një burgu grek për të dënuarit shqiptar në Greqi, me investime të Greqisë

25-Protokolli i bashkëpunimit midis dy policive, nënshkruar në vitin 2010

26- Marrëveshje dypalëshe midis dy policive, nënshkruar më 15 nëntor të 2011

Po megjithë numrin e madh të marrëveshjeve, shteti shqiptar asnjë herë nuk ka pasur guxim për të trajtuar problemet serioze që ende mbeten për tu zgjidhur. Por për ato që Berisha tenton të bëjë në kundërshtim me interesat kombëtare na detyron të pyesim përse nuk bën marrëveshje të tilla me helenët si:

-Marrëveshje për heqjen e “Ligjit të Luftës”

-Marrëveshje për zgjidhjen e pronave të çamëve

-Njohja e gjenocidit ndaj popullit çam në vitet 1944-1945

-Hapjen e shkollave shqipe për arvanitasit

-Hapjen e shkollave shqipe për emigrantët shqiptarë

- Njohjen e viteve të punës së shqiptarëve në Greqi (siguracione për pension)

- Njohja e patentave shqiptare

- Hapja e hetimeve për emigrantët e vrarë (të 157 viktimave)

- Keqtrajtimet dhe torturat nga autoritet greke të 245 shqiptareve

- Zhdukjen e 1.245 fëmijëve shqiptarë etj.

Mendojmë se këto janë disa nga problemet e shumta që qeveria Berisha duhet të trajtojë me vendin fqinj. Kërcënimi i ministrit të Jashtëm grek Stavros Lambrinidis, më 8 gusht të 2011, se “Tirana të zbatojë paktin detar me Greqinë, si një shkëmbim përkrahje perspektivës së anëtarësimit në BE, tregon qartë presionin mbi qeverinë shqiptare.

Persekutimi i shqiptarëve në Greqi


Arrestimi i Hidër Bucit, një denim politik!

26/12/2011

Publikuar në gazetën “TELEGRAF”

Arrestimi i Kryetarit të Unionit të Emigrantëve Shqiptarë në Athinë në duart e ambasadës, përbën një dënim politik. Punonjësit e policisë shqiptare pranë Ambasadës në Athinë si protagonistë, duhet të informojnë për arrestimin e tij dhe jo të heshtin. Ka ardhur koha që të thuhet e vërteta, pasi asnjëherë nuk është vepruar në këtë mënyrë, që për mashtrime të kërkohet ndihma e Interpolit. Arrestimi i Hidër Bucit ka lidhje me organizimin e paligjshëm të 27 janarit të 2008 në Athinë, për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Nuk kam ndërmend që të paragjykoj drejtësinë shqiptare, pasi tashmë dihet se si vepron ajo në Shqipëri. Por kam bindje të plotë se në qoftë se drejtësia shqiptare do të vepronte në këtë mënyrë me persona e individë të tjerë siç veproi me Bucin, vendit tonë i duhej që të ndërtojë me dhjetëra burgje të tjera. Drejtësia shqiptare nuk zbuloi sot për të parën herë mashtrimin as dhe korrupsionin, ashtu si nuk ka dëshirë të zbulojë të vërtetën përse u arrestua dhe u dënua Hidër Buci? Ky rast nuk përbën çudinë në shoqërinë shqiptare, pasi edhe veprime të tjera të kësaj natyre po shfaqen për ditë, ku autorët gëzojnë lirinë e plotë përballë këtij shtetit ligjor. Veprime të kësaj natyre janë të dënueshme, por…?

Përse heshti ambasada?

Mënyra e arrestimit të kryetarit të Unionit të Emigrantëve Shqiptarë z. Hidër Buci, dita, ora dhe vendi lë për të kuptuar më shumë nga sa janë trajtuar në shtypin shqiptar pak ditë më parë, duke mos hedhur dritë mbi “hijen e së vërtetës”. Sa për kujtesë, arrestimi i tij kryhet në mbrëmjen e 27 nëntorit, në pritjen që jepte ambasada shqiptare, si dhe në prani të punonjësve të policisë shqiptare të inkuadruar pranë ambasadës si titullarë të saj. Të dekoruar edhe nga autoritetet greke për indiferentizëm ndaj keqtrajtimeve dhe zhdukjeve në masë të emigrantë tanë. Ambasada shqiptare e la në heshtje arrestimin e tij, duke mos bërë asnjë njoftim për gazetarët apo komunitetin shqiptar. Një heshtje për të mbuluar të vërtetën pasi në arrestimin e Bucit është vetë dora e kësaj përfaqësie që ende nuk po gjen vetveten. Pasi deri më sot për mashtrime asnjëherë nuk i është kërkuar ndihmë nga Interpoli. Heshtja e saj e plotë na jep të drejtën të mendojmë ndryshe, pasi gjatë 20 viteve në emigracion kemi pare ambasadorët tanë kanë qenë thjeshtë përçuese dhe karrierista të përsosur.

Dritëhijet e arrestimit…

Hidër Buci arrestohet më 27 nëntor, në të njëjtën ditë, ku tre vite më parë ai së bashku me një tjetër organizonte në qendër të Athinës, në sheshin “OMONIA” mitingun mbi Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Mitingu pati jehonë, por u shpall i paligjshëm nga autoritet greke, duke i kërkuar shpjegim edhe ambasadorit tonë të asaj kohe Vili Minarollit. Dy ditë më pas ambasadori ynë zhvillon një takim urgjentë me gazetarë dhe kryetarë shoqatash në Athinë, ku ka dënuar mitingun e Shpalljes së Pavarësisë si të paligjshëm, duke i mbyllur përfundimisht edhe derën e ambasadës, organizuesit të mitingut.

Që nga kjo ditë Hider Buci kërkohet nga autoritet policore. Në derën e zyrës së tij tashmë të braktisur nga frika, policia vinte për ta arrestuar. Në mungesë të tij i ngjiste në dere një fletushkë ku i kërkohej të paraqitej sa më pare në komisariatin e policisë në “OMONIA”. Ambasadori shqiptar përgatit valixhet e kthimit për në atdhe, ndërsa Greqia i jep edhe Interpolit arrestimin e tij.

Në ilegalitet Buci shkon në Shqipëri, ku ngrenë Unionin e Emigrantëve Shqiptarë, duke lënë familjen e tij në Greqi. Në Shqipëri ai qëndron mbi dy vite, i ftuar edhe në kanale televizive, ku drejtësia shqiptare i kishte të gjitha mundësitë për ta ndaluar dhe gjykuar. Buci kthehet ilegal pranë familjes së tij duke rrezikuar jetën, dhe si i tillë jetoi deri sa u arrestua. Por arrestimi i tij në Shqipëri nuk do të bënte bujë, nuk do të kënaqte Greqinë, prandaj edhe u ndalua në Athinë dhe pikërisht në çastin më të volitshëm, për të kënaqur Greqinë lidhur me arrestimin e tij.

Jehona e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka 3 vite që ka pushuar, por shovinizmi grek nuk pushoi për asnjë çast për ta arrestuar këtë njeri, duke vënë si “mashë” autoritetet shqiptare. Greqia hoqi qafe një njeri që herë pas here ngrinte probleme që asaj nuk i pëlqenin, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në zemër të Athinës, kërkesa dhe zbardhja e zhdukjeve në masë të fëmijëve dhe të emigrantëve tanë në Greqi, keqtrajtimet apo vrasjet e emigrantëve, konferencat me gazetat vendase ishin një dhimbje koke për shtetin grek.

Këto që shkruajmë nuk janë fantazi as mashtrime, por janë të jetuara nga afër. Nuk kam qëllim të mbulojë veprimet e tija mashtruese, pasi dihet që janë të dënueshme. Askush nuk do të dëshironte që në shoqërinë tonë të ketë njerëz të tillë të gënjejnë dhe të mashtrojnë bashkatdhetarët e tyre. Por kemi të drejtë të themi se njerëz të tillë ka plotë, mund të gjesh kudo, bile edhe jashtë portës së ambasadës sonë në Athinë, por ndalimi i tyre nuk përbën shqetësim për vendin fqinje bile as edhe për punonjësit e policisë pranë kësaj ambasade të kthyer prej vitesh në “monumente kulture”. Shoqëria jonë ka nevojë për të vërtetën dhe këtë më shumë se kushdo ja ka borxh sistemi politik.