Wednesday, October 19, 2011

Trojka fundos Greqinë


Gazeta “SOT” 20 shtator 2011

Paraja e botës të lë në mes të rrugës. Greqia ndodhet përballë një atmosferë të tej rënduar, pasi ka humbur besimin tek partnerët e saj, të cilët shikojnë me dyshim reformat antikrizë të marra nga qeveria Papandreu. Askush nuk do të kishte dëshirë të ndodhej në vend të saj. Po pësimi duhet marrë si mësim.

Greqia, si një nga vendet më të bekuara të rruzullit tokësor ka mbetur në mes të rrugës, që përbën sot viktimën e parë në komunitetin e BE, si një vend eksperimental për vendet e tjera, duke u fundosur përfundimisht për të mos u ngritur më kurrë në këmbë. Greqinë mund ta shpëtojë vetëm Zoti, në qoftë se ai ulet në tokë, pasi gjendja e saj aktuale tregon se ky vend do t’i nënshtrohet një varfërie të tmerrshme e të paparë ndonjëherë. Askush nuk e mendonte që një ditë, nderi dhe krenaria e helenëve që dikur i dhanë botës dritë, sot do të nëpërkëmbëshin për dhjetra miliardë euro. Por ja që ndodh. Është politika ajo që ngre apo fundos vendin, ul nderin dhe dinjitetin përballë të huajve. Janë vetë grekët dhe askush tjetër që fundosin vendin e tyre, të bekuar nga dora e Zotit. Asnjë vend sado i zhvilluar të jetë nuk mund të përballojë dot të paguajë 87 taksa brenda një periudhe dy vjeçare, e jo më Greqia. Janë këta që na japin mësim se asnjëherë nuk i duhet besuar plotësisht politikës, pasi këta janë kalimtarë dhe më pas hallet ja faturojnë popullit.

Papandreu gjunjëzon popullin, vendos 87 taksa

Qeveria e Papandreut, nën presionin e Trojkës me masat antikrizë ka gjunjëzuar përfundimisht popullin helen. Gjatë dy viteve të qeverisjes së vendit nga kryeministri Jorgo Papandreu, populli i tij është përballur deri më sot me 72 taksa, në një kohë që qeveria ka deklaruar edhe vendosjen e 15 taksave të tjera deri në fund të 2011. As gjendja e mjeruar ekonomike nuk mund të ndalë dot Trojkën që në çdo dy muaj i kërkon Greqisë të bëjë kurban popullin e gjunjëzuar, me vendosje taksash të reja, me qëllim për të siguruar kreditë e dhëna. Me gjithë masat antikrizë të marra nga qeveria Papandreu, kjo e fundit është në pritje për të marrë kredinë e 6 –të dhe për këtë duhet të realizojë premtimet e bëra Trojkës më 21 korrik të 2011. Po me gjithë këtë gjendje të rëndë ekonomike, ky vend po i tregon Trojkës dhe BE se ende nuk ka realizuar asnjë nga premtimet e bëra, por vetëm din të kërkojë kredi të reja. Greqia rrezikon sërish të mos ketë para për të shlyer detyrimet e saj. Ajo priste që këtë muaj të merrte rreth 8 miliard euro, por liderët e eurozonës e shtynë vendimin deri në tetor –nëntor pasi Greqia nuk po bën aq sa duhet për të reduktuar shpenzimet.

Greqia harxhon më shumë se sa prodhon

Analistët vendas dhe ata të huaj theksojnë se ky vend përbën një rast të veçantë për BE, edhe sikur t’i falen borxhet Greqisë, ajo prapë se prapë do të ketë nevojë për kredi të reja bankare, pasi prodhimi i përgjithshëm i vendit nuk mbulon dot shpenzimet e shtetit. Këtë e deklaroi edhe dy ditë më parë në një intervistë për mediat ish ministria e Jashtme e Greqisë zj. Dora Bakojanis. Greqia ndodhet përpara një plagë të madhe, hapur gjatë 30 viteve të fundit nga politika e vendit. Numri i madh i punonjësve administrativë përbën një gangrenë për ekonominë e vendit. Në këtë vend një në dhjetë grekë është punonjës në administratë shtetërore, pra jo prodhuese. Llogaritet se numri i tyre shkon në 1 milionë, krahasuar 5 herë më shumë se në Hollandë. Trojka kërcënon Greqinë se duhet të shkurtojë nga puna 200 mijë punonjës të administratës, ku më parë duhet të marrë masa për heqjen nga puna të 55 mijë punonjësve që u morën gjatë dy viteve të fundit.

Trojka: Brenda 2011, shkurtoni 60 mijë punonjës administrate

Trojka kërcënon Greqinë se duhet të shkurtojë për 2011 rreth 60 mijë punonjës administrate me qëllim ulje të buxhetit, duke i kërkuar gjithashtu që deri në fund të 2015 të shkurtojë edhe 100 mijë të tjerë. Faktikisht nga viti 2009 deri më sot janë shkurtuar ose larguar nga puna rreth 200 mijë punonjës të shërbimit publik, ku vetëm për vitin 2011 u shkurtuan nga puna 90 mijë punonjës të shërbimeve publike. Lidhur me shkurtimet nga puna, kryetari i opozitës së partisë Demokracia e Re (ND) z. Antonis Samaras ka theksuar se qeveria në asnjë mënyrë nuk duhet të bëjë shkurtime në bazë të bindjeve politike.

Kriza, 500 grekë i dhanë fund jetës së tyre

Të prekur nga kriza 500 vendas me mënyrat nga më të ndryshme i kanë dhënë fund jetës së tyre, kjo sipas publikimit të medias greke. Çdo ditë me dhjetra biznese greke dhe të huaja mbyllen, duke shtuar radhët e gjata të papunësisë, duke e çuar atë në 16.4%. Borxhet dhe kreditë janë arsyet që vendasit u japin fund jetës në mënyrat nga më tragjike në mënyrë publike. Dy ditë më parë i dhanë fund jetës dy njerëz, ku njeri u vetëvar dhe tjetri dogji veten.

Kriza në Greqi hap polemika në vendet e tjera

Kriza në Greqi ka hapur polemika të mëdha ndërmjet vendeve anëtare së eurozonës. Sipas medias greke, Ministri i Financave të Gjermanisë z. Vólfnkan'nk Sóimple ka deklaruar se: “Pjesëmarrja në Unionin Monetar është një mundësi, por edhe një përgjegjësi e rëndë. Masat për t’iu përshtatur është shumë e vështirë. Grekët duhet të vendosin nëse ata duhet të marrin këtë peshë”, duke hapur polemika të mëdha në politikën gjermane. Ministri gjerman ka kërkuar që Greqia duhet që të zbatojë premtimet e dhëna Trojkës për masat antikrizë, ndërsa homologu belg z. Didier Raiders deklaroi se Greqia ka nevojë "për tu vënë nën mbikqyrje" Kritika ka pasur edhe nga veterani dhe themeluesi i euros, nga ish presidenti francez Jacques Delors, në drejtim të BE për mënyrën se si trajtohet Greqia.

Papandreu anullon vizitën për në SHBA

Kryeministri grek, George Papandreu, ka anuluar një udhëtim të planifikuar për në Shtetet e Bashkuara për shkak të thellimit të krizës financiare në Greqi. Por kthimi i tij për në Athinë është kritikuar nga të gjitha partitë politike greke si një shantazh që i bëhet popullit të tij. Papandreu pritej të merrte pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Nju Jork, por ai është kthyer nga Anglia për në Greqi për t’u marrë me çështjet lidhur me krizën e borxheve të shtetit. Një telofonat e bërë nga ministri i tij i Financave Venizelos pas kthimit nga Polonia, kryeministri Papandreu ka mbledhur ditën e diel Këshillin e Ministrave për të diskutuar rezultatin e përmbushjeve te kërkesave të Trojkës, për marrjen e këstit të 6-të të kredisë, prej një shumë 8 miliardë eurosh nga BE dhe FMN-ja. Por për ti marrë këto qeveria greke duhet të përmbushë premtimet ndaj Trojkës.

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare: Do jetojmë të varfër

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare z. Panos Beglitis ka deklaruar në mediat vendase se do jetojmë të varfër, për këtë duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë të organizuar dhe të ndershëm, pasi vendi ka nevojë për një “kontratë sociale”. Realiteti është se sakrificën e bën vetëm populli si një taksë pagues i rregullt përballë 72 taksave të vendosur në dy vitet të fundit, që ende nuk po japin rezultat në frenimin e shfrenuar të qeverisë që ende shpartallon pa masë shuma të mëdha. Borxhi jo vetëm që nuk është ulur po përkundrazi është rritur, duke venë pikëpyetjen se ku shkuan këto para të paguara nga taksapaguesit vendas dhe të huaj.

Ministri i Financave: Greqia po poshtërohet

Ministri i Financave i Greqisë, Evangelos Venizelos, pas kthimit të tij nga Polonia ka deklaruar se vendi i tij nuk duhet të përdoret si kokë turku për krizën e borxheve. Institucionet evropiane dhe ato ndërkombëtare po e përdorin Greqinë si një ‘falje të lehtë’ për të fshehur paaftësinë e tyre për të menaxhuar krizën. Greqia po shantazhohet dhe po poshtërohet. Reagimi i ministrit grek të Financave Vangjelis Venizelos, ndodh një kohë kur disa vende skandinave janë kundra ndihmës që duhet t’i jepet Greqisë. Nga testet e bëra shumë vende të tjera të BE janë kundra ndihmës që duhet t’i jepet këtij vendi, që sot po rrezikon mbarë eurozonën. Futja e Greqisë në eurozonë nga ana e Simitit ishte një veprim i nxituar pasi ekonomia e këtij vendi nuk ishte në atë shkallë njëlloj me vendet e tjera.

“Financial Times”: Greqia duhet të dalë nga eurozona, të kthehet tek dhrahmia
Në gazetën “Financial Times” ekonomisti i njohur Nouriel Roubini në një artikull të tij thekson se Greqia duhet të shpallë falimentimin dhe të dalë jashtë eurozonës. Për të shpëtuar Greqinë duhet që tani të fillojë një ristrukturim i rregullt i borxhit dhe të dalë nga eurozona për t’u kthyer tek dhrahmia, kjo pasi borxhi është përkeqësuar. Në çdo rast Greqia nuk mund të kthehet në rritjen e zhvillimit, pa rivendosur konkurrencën e saj dhe që kërkon "zhvlerësim real të monedhës së saj" kthimi në dhrahmi. Ai e pranon se ky proces do të jetë traumatike. Sa për bankat greke, duhen marrë masa të ngjashme me ato në Argjentinë, si kontrolli i kapitalit etj

Revista gjermane “Focus”: Humbën paratë tona, zhytet Akropoli

Edhe këtë radhë revista prestigjioze “Focus” në faqen e saj të parë tregon Akropolin të zhytur në ujë, ndërsa në det spikat një statujë koke me një shënim të euros me titull: “humbën paratë tona”, ndërsa më sipër faqes kryesore shkruhet “Miliarda euro për asgjë, Merkel në nevojë, çfarë duhet të dijë depozituesi për Euro-krizë”. Simbas medias greke, revista shoqërohet me një video ku thekson se falimentimi i Greqisë sa vjen dhe po afrohet më afër. Miliarda euro të gjermanëve fundosen pa asnjë rezultat. Do marrim përsëri paratë tona? Kredidhënësit janë të shqetësuar, a ka shpëtim? Pyet një nga redaktorët e kësaj reviste. Theksohet se nuk është hera e parë që kjo revistë trajton tema të kësaj natyre, por edhe ofenduese.Samaras,