Wednesday, October 19, 2011

Pakti detar dhe regjistrimi i popullsisë, një tradhëti e pushtetit ndaj sovranitetit


Gazeta “SOT” 13 Tetor 2011

Tentativa e Berishës për marrëveshjen e paktit detar si dhe regjistrimi i popullsisë sipas oreksit të shovinizmit grek, përbën një tradhti kombëtare ndaj sovranitetit, si dhe një sfidë për vetë popullin shqiptar. Sot, asnjë vend në botë nuk do të dëshironte që në krye të vendit të tij të kishte një qeveri si e Sali Berishës, që në emër të demokracisë dhe të integrimit të vendit të rrezikonte seriozisht sovranitetin e vendit të tij. Po ja që ndodh...!

Ato që nuk ndodhin në vendet e tjera ndodhin në Shqipërinë e tranzicionit 20 vjeçar. Edhe pse qeveria Berisha kishte marrë më parë goditjen nga Gjykata Kushtetuese dhe që kishte rrëzuar me shumicë votash marrëveshjen e përcaktimit të paktit detar mes Greqisë dhe Shqipërisë, edhe pse kjo marrëveshje ishte konsideruar si antikushtetuese në kundërshtim me interesat territoriale dhe ekonomike të vendit tonë, përsëri del në skenë në mungesë të një transparence të plotë. Përsëri qeveria shqiptare po përpiqet të përsërisë të njëjtin gabim, duke mos u ndërgjegjësuar për krimin dhe tradhtinë që po bën ndaj sovranitetit shqiptar.

Kreu i diplomacisë së Jashtme z. Haxhinasto, rastësisht ministër pa asnjë përvojë diplomatike po mundohet të bëjë të njëjtin veprim antishqiptar njëlloj si ish kolegu i mëparshëm Lulzim Basha. Marrëveshja e paktit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë përbën sot një sfidë për “sovranitetin shqiptar” një turp për qeverinë shqiptare që ende nuk po kupton se vatani nuk shitet dhe as blihet. Ministri Haxhinasto duhet të kuptojë se është kalimtar dhe se një marrëveshje në dëm të interesave të Shqipërisë përbën tradhti kombëtare.

Asnjë vend nuk do të vepronte në këtë mënyrë amatore, nuk do të nxitonte për t’i falur një vendi tjetër një pjesë të vatanit të tij, siç po vepron sot qeveria shqiptare. Të udhëheqësh një vend për një kohë të caktuar nuk do të thotë ta trajtosh atë si një mjet biznesi.I kujtoj Berishës dhe kreut të diplomacisë shqiptare, z. Haxhinasto se Greqia me Turqinë kanë bërë 67 takime në rrugë zyrtare, dhe deri më sot këto dy vende fqinje nuk kanë rënë dakord akoma për paktin detar. Një pyetje mbetet: Përse qeveria Berisha tenton të hapë tema të rrezikshme, të falë dhe t’i dhurojë vendit fqinj atë që nuk i takon? Të bëjë regjistrimin e popullit të tij sipas kërkesave dhe dëshirave të shovinizmit fqinj? Jo pak herë kryeministri shqiptar është gjunjëzuar dhe treguar frikacak përballë presioneve të shovinizmit grek.

I kujtojmë qeverisë shqiptare ngritjen e varrezave greke të ushtarëve të rënë në grykën e Mezhgoranit, ndërtuar mbi themelet e ish manastirit të Shën Kollit, ku edhe pse ka 5 vjet që ka përfunduar ende nuk janë rivarrosur eshtrat e ushtarëve grekë. Kërkesat e pafundme të Greqisë lidhur me regjistrimin e popullsisë, ku të përfshihen feja dhe kombi, duke ardhur tek presionet e paktit detar. Po a mund të ketë një marrëveshje të përbashkët kur ndërmjet dy vendeve ekziston ende “Ligji i Luftës”? Edhe pse vendi ynë është anëtar i NATO-s, ende ndihet inferior përballë kërkesave shoviniste të helenëve, në një kohë kur duhet të ndihet i barabartë, aq më keq kur qeveria shqiptare emëron në postin e kreut të diplomacisë së Jashtme njerëz që nuk kanë eksperiencën dhe profesionalizmin e duhur. Për ato që Berisha tenton të bëjë në kundërshtim me interesat kombëtare na detyron të pyesim përse nuk bën marrëveshje të tilla me helenët si:


Marrëveshje për heqjen e “Ligjit të Luftës”

Marrëveshje për zgjidhjen e pronave të çamëve

Njohja e gjenocidit ndaj popullit çam në vitet 1944-1945

Hapjen e shkollave shqipe për arvanitasit

Hapjen e shkollave shqipe për emigrantët shqiptarë

Njohjen e viteve të punës së shqiptarëve në Greqi (siguracione për pension)

Njohja e patentave shqiptare

Hapja e hetimeve për emigrantët e vrarë (të 154 viktimave)

Keqtrajtimet dhe torturat nga autoritet greke të 245 shqiptareve

Zhdukja e 1.245 fëmijëve shqiptarë etj.

Këto janë disa nga problemet e shumta që qeveria Berisha duhet të trajtojë me vendin fqinj.Kërcënimi i ministrit të Jashtëm grek Stavros Lambrinidis, më 8 gusht të 2011, se “Tirana të zbatojë paktin detar me Greqinë, si një shkëmbim përkrahje perspektivës së anëtarësimit në BE, tregon qartë presionin mbi qeverinë shqiptare. Greqia nuk e priste nga qeveria shqiptare një anulim të kësaj marrëveshje, pasi interesat lidhur me shfrytëzimin e pasurive natyrore ishin në interes të saj. Kanalet televizive greke bënë zbulimin se në ujrat e përbashkëta kishin zbuluar rezerva të mëdha nafte dhe gazi.

Anulimi i marrëveshjes në këtë kohë krize nuk u prit mirë nga qeveria greke, e cila vazhdimisht i kujton qeverisë shqiptare se duhet të gjejë mënyrat për të implementuar këtë marrëveshje.Por interesat e sovranitetit tonë nuk duan që të kthehen përsëri në ditët më të errta të politikës shqiptare, ku një 28 prill 2009 ish ministri i Jashtëm Lulzim Basha dhe ish ministrja e Jashtme greke Dora Bakojanis firmosën marrëveshjen mbi paktin detar. Sipas kësaj marrëveshjeje, Greqisë do i dhuroheshin rreth 354. 4 km 2 sipërfaqe ujore në detin Jon, pjesë e ujërave territorialë të shtetit shqiptar. Por më 26 janar 2010 Gjykata Kushtetuese, e vënë në lëvizje nga PS, vendosi shfuqizimin si anti-kushtetues të paktit shqiptaro-grek. Vendimi u mor unanim 9-0.

Të mos harrojmë se deri më sot midis dy vendeve janë bërë 65 marrëveshje të përbashkëta, por asnjë nuk na thotë se deri në çfarë niveli dhe interesi janë realizuar ato. Incidentet e rënda ndaj vendit, torturat dhe vrasjet e shqiptarëve, zhdukjet masive të fëmijëve tanë, ndërhyrjet në punët e brendshme të Shqipërisë, provokimet e herëpashershme të helenëve tregojnë qartë se në çfarë niveli qëndrojnë këto marrëdhënie.Regjistrimi i popullsisë, një problem delikat nën presionin e shovinizmit grek, duket se edhe ky ka gjunjëzuar qeverinë shqiptare, një qeveri të babëzitur që përveç interesave personale nuk shikon dëmin që po i sjell sovranitetit. Qeveria tashmë është e dorëzuar plotësisht ndaj fqinjit Helen. Askush nuk mund ta kundërshtojë këtë. Tentativa e qeverisë Sali Berisha, lidhur me paktin detar, si dhe regjistrimin e popullsisë sipas dëshirës së shovinizmit grek, (mbështetur në deklarimin e besimit fetar dhe kombësisë) i bën një dhuratë vendit fqinj, njëkohësisht bën edhe një tradhti ndaj sovranitetit tonë. Kryeministri Berisha po të kishte dëshirë dhe vullnet të mirëfilltë në mbrojtje të interesave të sovranitetit shqiptar, shumë mirë mund të merrte modelin e regjistrimit të qeverisë së Greqisë, ku nuk përmban as fenë dhe as kombësinë.

Koha ka treguar se Greqia nuk të jep atë që të takon pa të marrë atë që nuk i takon. Incidentet e shumta me Shqipërinë, trajtimi i emigrantëve shqiptarë, torturat dhe vrasjet e një numri të madh të tyre tregon se ky vend është dhe ndihet më superior se sa vendi ynë. Po kjo nuk i jep të drejtë asnjë qeverie qoftë shqiptare të luajë me fatet e kombit dhe të sovranitetit të tij. Qeveria është përfaqësuesja e popullit dhe si e tillë duhet të shprehë dëshirën dhe vullnetin e tij kur ka të bëjë me interesa të tilla kombëtare.

Është tragjike që në mungesë të një transparence të plotë përballë popullit dhe opozitës, nëpërmjet buzëqeshjeve komike dhe duarve tradhtare në sallat luksoze, të shpërfillin historinë dhe të ardhmen e vendit, duke përkëmbur nderin dhe dinjitetin vendit. Kjo lloj marrëveshjeje në mungesë të një transparence të plotë nuk është diplomaci, por është një tradhti që vret të ardhmen e vendit. Kjo marrëveshje që tenton të bëjë qeveria shqiptare mban vulën e turpit dhe të tradhtisë, në një kohë kur ndarja e kufijve ndërmjet dy vendeve është bërë nga Komisioni Ndërkombëtar më 1913-1925. Siç dihet, qeveria e sotme është kalimtare, por sovraniteti mbetet i përhershëm. Historia në botë na ka treguar se asnjë udhëheqës nuk i ka shpëtuar drejtësisë së vendit të tij, për tradhti ndaj atdheut…