Si u prodhua lajmi nga mediat tona mbi tërheqjen e konsullit grek...!
Gazeta “SOT” 6 Mars 2011
Mediat shqiptare treguan se janë kthyer në “Copy Paste” për momentin, gjendjen tragjike dhe efektet negative, media shqiptare që egziston, është kthyer në instrumenta përçuese dhe lajm prodhues se sa një mjet informues, në mungesë të një drejtimi profesional dhe specifik। Rasti i fundit për largimin e konsullit grek në Korçë tregoi “Copy Past-in” shqiptar dhe seriozitetin e mediave tona që prodhuan këtë lajm, gjoja sipas mediave greke, duke mashtruar në këtë mënyrë mbarë opinionin publik shqiptar. Nga media deri më sot akoma nuk është kërkuar ndonjë falje apo ndonjë përgënjeshtrim të lajmit të serviruar para opinionit. Realiteti është që të gjitha mediat greke nuk e trajtuan fare ketë lajm, duke nxjerrë edhe njëherë të pavlefshëm lajmin e zhurmshëm të mediave shqiptare, që më pas kanë marrë edhe përgjigjen nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, z. Gregory Delavekouras.
Pak ditë më parë, mediat në Shqipëri treguan se funksionon seriozisht ky mjet informimi dhe se në çfarë mënyre janë në gjendje për të prodhuar një lajm, si dhe startimin rekord në transportimin e tij, të marrë nga “Copy Paste”. Dikushi përbën çuditërisht alibinë e lajmit, përbën prodhuesin e lajmit, ndërsa mediat shqiptare përçuesin, që startuan për ta transmetuar sa më parë në një antagonizë të paparë, duke mos e verifikuar më parë burimin nga ka dalë. Këtu shtrohet pyetja: Një gabim i radhës, një viktimë mashtrimi, apo një gabim momental? Shumë zhurmë bëri media shqiptare për largimin e konsullit grek në Korçë, po ja që ai u rikthye prapë. Ishte media shqiptare ajo që publikonte largimin e tij. Po vallë, a janë në gjendje ato të përgënjeshtrojnë atë “Copy Paste” që dhanë pak ditë më parë?
Prodhimi i lajmit nga Facebook-u
Pak ditë më parë, nga Athina në Facebook u hodh një lajm, që bënte fjalë për largimin e konsullit grek në Korçë dhe se Ministria e Jashtme greke e kishte tërhequr atë, menjëherë pas deklarimeve tashmë të njohura. Sipas autorit të lajmit që e kishte hedhur në Facebook, pas një komunikimi me të mësuam se, ishte mbështetur në mediat greke. Pas disa komunikimesh doli se e kishte dëgjuar nga një person i konsullatës, se konsulli ishte larguar nga qyteti i Korçës për në Athinë.
“Copy Paste” i lajmit
Mediat tona, pa verifikuar lajmin se sa i vërtetë ishte, në një kohë rekord prej 30 minutash e dhanë këtë lajm, duke cituar pothuajse të gjithë të njëjtat fjalë për fjalë. Të gjitha këto theksonin se burimin e kishin marrë nga mediat greke, në një kohë kur asnjë nga mediat greke nuk e kishin trajtuar fare këtë lajm të madh “ekskluzivisht” shqiptar. Gabimi fatal ishte se kopjonin lajmin nga njëra-tjetra me ndryshim të pakta fjalësh në mbyllje. Por…? Serioziteti i medias u pa të nesërmen. Të gjitha gazetat shqiptare ranë viktimë e prodhimit të lajmit, përjashto vetëm një gazetë. Të gjitha u nxituan duke pushtuar faqet e para, lajmin e fotokopjuar e të prodhuar në Facebook, duke mos përjashtuar edhe kanalet televizive që theksonin edhe këto të njëjta fjalë: sipas mediave greke.
Media greke, asnjë lajm për konsullin grek në Korçë
Kjo gjë më bëri që të shkoja në një kioskë shqiptare në “Neo Kozmo” dhe të shfletoja me radhë, njëra pas tjetrës 27 gazetat ditore. Për “çudi” asnjë nga këto nuk kishte këtë lajm lidhur me largimin e konsullit grek nga Korça. Me pas, çudia vazhdon kur edhe në internet asnjë gazetë elektronike nuk kishte pasqyruar këtë lajm, gjithashtu as kanalet televizive nuk e dhanë këtë lajm kaq të rëndësishëm por...? Asnjë nga korrespodentët e medias shqiptare në Greqi, nuk u mor me këtë lajm, pasi e dinin se ky lajm i bujshëm nuk kishte asnjë bazë. Perse vallë duhej të jepej ky lajm?
Një ditë pas publikimit të lajmit në mediat shqiptare
Viktima të prodhimit të lajmit ranë edhe gazetat javore të ekstremit të djathtë: “STOKOS” dhe “Eleftheri Ora” dhe e përditshmja “Dhimokratia”. Po me një ndryshim pasi këto me të vërtetë ishin mbështetur me të drejtë tek media shqiptare, duke cilësuar gazetat dhe kanalet televizive shqiptare. Publikimi i lajmit në këto gazeta ishte një “Copy Paste” mbështetur në mediat shqiptare, duke bërë më pas edhe komente të ndryshme.
Të publikosh një lajm politik të pabazuar është njëlloj sikur të krijosh një konflikt ndërmjet dy vendeve. Lajmi i sajuar shkoi deri atje sa thuhej që ministri i Jashtëm grek Drucas, kishte thirrur konsullin grek Ikonomu për shpjegime, në një kohë kur ministri nuk ndodhej fare në Greqi, por ndodhej në Qipro dhe në Angli.
Misioni i medias, një mision i shenjte…
Kjo tregon se media nuk ka më një mision të shenjtë e të mbulojë ngjarjet ashtu siç janë, por siç duket e ka më të lehtë që ndoshta për pakujdesi të manipulojë e ti servirë shoqërisë një “Copy Paste” prodhim lajmi, se sa një informim të paanshëm dhe real. Një pyetje që pret përgjigje mbetet ende se: Në cilën media greke u bazua media shqiptare në publikimin e lajmit, për largimin e konsullit grek? Nuk është hera e parë që media shqiptare në përgjegjësi “prodhon” lajme të tilla, pasi siç dihet antagonizmi ndërmjet tyre dhe kostoja ekonomike në përçues lajmi është zero…