Një miting që nuk u bë kurrë.
Gazeta "SOT" 27 MAJ 2011
Qeveria Papandreu: STOP! Protestës së socialistëve shqiptarë në Athinë.
Në shoqërinë e sotme protesta është një normë demokratike, si edhe në një vend demokratik askush nuk ka të drejtë për ta ndaluar atë, por aq më shumë kur bëhet fjalë në vendin ku lindi Demokracia. Si mund të anullohet një protestë paqësore në një vend, kur mitingjet dhe protestat janë kthyer në kryefjalën e ditës, ku çdo vit zhvillohen mbi 1300 të tilla? Pa dashur lind pyetja: Vallë, kaq shumë do të dëmtoheshin themelet e demokracisë në Greqi nga kjo protestë e emigrantëve shqiptarë? Urdhëri i ndalimit në këtë rast është aq antidemokratik, sa edhe vetë demokracia në të cilën po jetojmë. Ndërkohë që një komunitet tjetër ka disa muaj që proteston në qendër të Athinës, me çadra të mëdha të ngritura pranë universitetit më të vjetër të kryeqytetit, ndërsa një komuniteti tjetër (komunitetit shqiptar) nuk i lejohet për të protestuar në mënyrë paqësore, në një kohë kur dihet që arsyeja e kësaj proteste ka të bëjë me elementin më thelbësor të demokracisë, respektimin e votës së qytetarit...
Emigrantët, për 20 vjet koka turku të politikës ndërmjet dy vendeve.
“Nuk duam që problemet tuaja të na i importoni këtu”. Një frazë që asnjë emigrant shqiptar nuk do të dëshironte që ta dëgjonte. Por në emigracionin shqiptar në Greqi gjithçka ndodh, kur vendit fqinj i preken interesat kombëtare. Praktika ka treguar se të parët që kanë paguar dhe paguajnë edhe sot, ngritjet dhe uljet e tensioneve politike midis dy vendeve janë emigrantët tanë. Një strategji e politikës greke që luhet në kurriz të emigrantëve këtu e 20 vjet, që për çka ndodh ndërmjet dy vendeve, emigrantët bëhen “Koka turku” të kësaj politike. Mëse një javë kryesia e socialistëve shqiptarë të degës në Greqi bënte përpjekje që të organizonte një protestë paqësore lidhur me zgjedhjet dhe manipulimet e votave në Shqipëri. Për këtë u bënë edhe dy takime me simpatizantë të kësaj partie, bile takimi i parë ishte bërë në një nga sallat e PASOK-ut, partisë në fuqi. Dy ditë para se të bëhej protesta në Athinë, nga kryetari i Degës së PSSH, Anastas Murati mësohet se dy vendet kanë rënë dakord që në këto dhjetë ditë të mos ketë asnjë protestë nga komuniteti shqiptar në Greqi. Pra sipas kryetarit Anastas Murati, kjo ishte arsyeja e anullimit të protestës së planifikuar. Por, në fakt u mësua se anullimi i protestës ishte krejt ndryshe...
Protesta e parë që anullohet nga qeveria
Mitingu ishte planifikuar që të behej si gjithnjë në Sheshin “Klathmonas”, duke pasur parasysh që të mos sillte asnjë shqetësim në trafikun rrugor etj. Për nga historia mund të themi që është hera e parë që anullohet një manifestim nga qeveria e Greqisë dhe kjo i përket socialistëve shqiptarë në Athinë. Për tu theksuar është se qeveria e Greqisë asnjëherë nuk ka patur kundërshtime për lejimin e protestave, por edhe komuniteti shqiptar nuk i ka dhënë asnjëherë të drejtë për ndonjë anullim, pasi të gjitha protestat e zhvilluara kanë qenë gjithnjë paqësore.
Ftohja e marrëdhënieve Rama- Papandreu, anullojnë protestën
Gjithashtu mësohet se anullimi i mitingut të programuar ka ardhur si rezultat, i ngurtësimit në marrëdhëniet ndërmjet Ramës dhe Papandreut. Kjo ftohje apo ngurtësim ka ardhur menjëherë pas reagimit të Ramës ndaj marrëveshjes së paktit detar, firmosur nga Basha dhe Bakojani në Tiranë, çka ka indinjuar jo vetëm Papandreun por mbarë politikën greke. Që nga ajo kohë e deri më sot, qëndrimet e Pasokut ndaj socialistëve shqiptarë në Athinë kanë ndryshuar shumë. Faktikisht sot nuk shikohet më ajo marrëdhënie që mbizotëronte dikur ndërmjet partisë së PASOK-ut dhe socialistëve shqiptarë, në një kohë kur kryetari i degës së PSSH, Anastas Murati është i zgjedhur në të gjitha organizatat në Greqi dhe sipas zyrtarëve të zgjedhur të PASOK-ut dhe përkrahës i njohur dhe mik i z. Papandreu. Protesta anullohet në një kohë kur shumë socialistë shqiptarë janë anëtarë të PASOK-ut, si dhe në kongresin e fundit morën pjesë edhe 70 prej tyre të zgjedhur si delegatë. Anullohet në momentin që identifikon rolin e rëndësishëm që kanë luajtur socialistët shqiptarë në Greqi, si në rizgjedhjen e PASOK-ut në vitin 2007, si dhe në fitoret në zgjedhjet evropiane dhe zgjedhjet kombëtare, duke mos lënë mënjanë rolin vendimtar në zgjedhjen e Papandreut si kryetar brenda partisë së tij.
Nga ana tjetër, protesta anullohet në një kohë kur Anastas Murati, është kryetari i degës së PS-së në Athinë. Ky i fundit njihet për mbështetjen që i ka dhënë Edi Ramës në mjaft raste. Dhe po ashtu dihet se Murati ka lidhje të forta me partinë e PS-së në Greqi, PASOK-un, një ndërlidhës i zoti, që lidh dy partitë socialiste. Por tashmë duket se gjërat kanë ndryshuar, duke mos patur asgjë të përbashkët me të kaluarën, pasi Edi Rama ka bërë një “krim” kundrejt Greqisë, ka kundërshtuar marrëveshjen ndërmjet dy vendeve fqinjë lidhur me paktin detar. Është kjo politikë e ngritur mbi nivelet e kohrave mesjetare, në vendin ku lindi demokracia, e cila vepron në mënyrë antidemokratike, për të mos lejuar një protestë që ka të bëjë me elementin më thelbësor të demokracisë, në kërkim të respektimit të votës. Bravo Greqi! Sa për kujtesë: Emigrantët shqiptarë meritojnë më shumë se lejimi i një proteste…