Shqipëri - Greqi, emigracioni një sfidë në marrëdhëniet midis dy vendeve (1)
Gazeta "SOT" 15.04/2011
Ende ka probleme me Greqinë. Qindra e mijëra emigrantë vazhdojnë të përbëjnë problematikën në mes dy vendeve tona. Lejet e qëndrimit, bashkimi familjar, sigurimet shoqërore, shkollat shqipe, keqtrajtimet apo standardi i jetesës së emigrantëve shqiptarë,zhdukja e fëmijëve, apo integrimi në përgjithësi i emigrantëve, përbëjnë shqetësimin më të madh të Shqipërisë në marrëdhëniet me Greqinë.
Edhe pse ndërmjet dy vendeve janë bërë 65 marrëveshje, dëshira për një fqinjësi të mirë në teori mbetet vetëm një dëshirë. Gazeta “SOT” me anën e disa shkrimeve do të trajtojë problemet e emigrantëve, indiferentizmin, premtimet dhe mashtrimet e politikës shqiptare gjatë 20 vjetëve të emigracionit shqiptar ne Greqi…
Emigracioni i sotëm shqiptar përbën një sfidë jo vetëm për vendet e Ballkanit por edhe për Komunitetin e Bashkimit Evropian. Shqipëria edhe mbas 20 vjetësh renditet ende në vend të parë në emigrimin e popullsisë. Asnjë me gojën plot nuk mund të flasë më për numrin e tyre të kudondodhur. Deri më sot nuk ka një numër të saktë nga shteti shqiptar, pasi edhe interesimi ndaj këtij fenomeni është zero. Pas 20 vjet emigrimi në Greqi, emigrantët e dy “atdheve” dhe pa asnjë “atdhe” janë të detyruar tashmë t’i kthejnë sytë nga Shqipëria, nga vendi i sakrificave. Të pasiguruar sistematikisht jo për faj të tyre, por për faj të politikës së dy vendeve, prej shumë vitesh u mbajtën peng i premtimeve dhe mashtrimeve.
E gjithë politika shqiptare kujtohet për emigrantët vetëm një herë në katër vjet, vetëm për t’u marrë votën, armën e fundit të emigrantëve. Emigracioni shqiptar për gjatë 20 vjetëve tregoi se shteti shqiptar nuk po tregon ndonjë interes të veçantë për legalizimet e tyre, për pensionet në vendet ku punojnë, për shërbimin mjekësor, arsimin dhe kulturën, për keqtrajtimet dhe vrasjet, për zhdukjen e fëmijëve në mase etj. Marrëdhëniet e politikës shqiptare me emigracionin i janë lënë momentit dhe rastit, pasi ambasadat shqiptare kudo ndodhura e me personel përkatës, jo vetëm që nuk kanë kohë, dëshirë dhe vullnet të mirëfilltë për të bashkëpunuar, por fatkeqësisht janë kthyer thjesht në punonjës të rëndomtë në ciklime dhe vulosje dokumentesh etj.
Emigracioni realisht zbuloi anët më të errta të Greqisë, të shfrytëzimit çnjerëzor, por edhe të Shqipërisë, qëndrimet e tyre ndaj emigrantëve kanë qenë të papranueshme dhe të dënueshme. Por nga ana tjetër qëndron edhe hipokrizia e politikës shqiptare, përrallat për sigurimet shoqërore të emigrantëve tanë kudondodhur është mbarimi i lirisë qytetare për të besuar pushtetin, por edhe mbarë vetë shtetin. Ky pushtet me vullnetin politik gjithmonë ka luajtur çdo lloj bixhozi në kurriz të emigracionit shqiptar. Një fenomen aspak serioz për një shtet të porsa futur në NATO, që pretendon të hapë derën e BE...
Shumë herë është folur për marrëdhënie të mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, ashtu si shumë herë është folur me buzëqeshje dhe shtrëngime duarsh me mesazhin se emigracioni shqiptar ashtu edhe minoriteti grek në Shqipëri janë ura që lidhin dy popujt tanë. Siç dihet emigracioni shqiptar në Greqi e ka paguar më shtrenjtë se kushdo vend tjetër. Deri më sot ndërmjet dy vendeve janë realizuar 65 marrëveshje dhe pakte, por ende nuk është bërë e mundur marrëveshja për heqjen e “Ligjit të Luftës”.
Emigracioni shqiptar u përdor nga politika e Greqisë si një “kokë turku” për realizimin e synimeve të saja. Greqia mori nga politika shqiptare dhe realizoi të gjitha pikësynimet e saj, gjithmonë në dëm të shtetit shqiptar. Mori atë çka nuk i takonte, në një kohë kur duhej të jepte atë çfarë kishte marrë më parë…
Edhe pse vendi ynë ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh, që për nga numri përbëjnë 64.5% në këtë vend ndërmjet 140 vendeve, qeveria shqiptare në përgjithësi nuk u tregoi ndonjëherë mirënjohje për qeverinë greke, por kjo në asnjë mënyrë nuk mund të justifikojë Greqinë për keqtrajtimet, izolimet dhe vrasjet e emigrantëve të pafajshëm. Jo pak por 154 emigrantë janë vrarë, si edhe mbi 486 fëmijë shqiptarë figurojnë të zhdukur në vendin fqinj vetëm në një shtëpi fëmijësh në Athinë (Agjio Varvara 121).
Shqipëria nuk ka më se çfarë të humbasë, kur në diasporë ndodhen rreth 25%-30% e popullsisë, në një kohë kur duhet të mendojë për të mirën e kombit, se emigracioni nuk është një problem partiak, por mbarë kombëtar. Në të kundërt kur dëshira, vullneti, shqetësimi dhe angazhimi janë në një shkallë të lartë, kjo pengesë komplekse inferioriteti bëhet më e lehtë dhe shumë shpejt e kapërcyeshme. Vizitat e rralla të presidentëve tanë një herë e në dhjetë vjet në Greqinë fqinje, tregon qartë dështimin politik të diplomacisë së Jashtme të vendit tonë. Vendosja e ambasadorëve në bazë të militantizmit partiak, emërimet nga mësues fshati në ambasador të një vendi të Bashkimit Evropian, (rasti i Vili Minarollit) tregon përsëri seriozitetin e qeverisë shqiptare.
Më në fund emigracioni shqiptar përfundon përsëri atje ku nisi rrugën e emigrimit para 20 vjetësh. Emigrantët kthehen ndoshta të indinjuar, por mbi të gjitha të mallëngjyer. Dikur kthimi i tyre në mënyrë vullnetare dukej një skenar filmi, sot është kthyer në një realitet i pakthyeshëm. Nga dita në ditë grupe emigrantësh shqiptarë, të detyruar, po i drejtohen përfundimisht vendit të tyre të lindjes me mënyra nga më të ndryshme. Ikja nga Greqia përbën rendin e ditës. Kushtet e legalizimit, ndërprerja e kontratave të punës me pronarin, gjendja e rëndë ekonomike gjatë gjithë këtyre viteve, i kanë lodhur së tepërmi emigrantët. Dikur punonin me ëndrrën për të mbledhur para, për një të ardhme sa më të mire, ndërsa sot jeta e tyre varet nga këto të mbledhura.
Shumë mallra shtëpiake apo automjete janë blerë nga emigrantët me para në dorë, ndërsa pjesa tjetër me anën e kësteve. Çdo fund muaji në bankat e vendit, shumë emigrantë tërheqin sasi parash për të përballuar jo vetëm nevojat e jetesës, por edhe për të paguar këstin e automjetit dhe mallrave të tjera shtëpiake, por mbi të gjitha qiranë e shtëpisë, gjë që për vendasit përbën një burim për jetese. Vite më parë pronarët grekë kërkonin emigrantë për punë, ndërsa këta të fundit pretendonin me të drejtë për një pagesë më të mirë, ndërsa sot ndodh e kundërta. Vendasit me çdo mënyrë i janë kthyer çdo lloj profesioni të punës.
Sheshi “Omonia”, përsëri vend kërkim pune për emigrantët
Qendra e Athinës ka marrë pamjen e viteve 1990, ku çdo mëngjes shumë emigrantë me çanta në duar grumbullohen në shesh me shpresë për të siguruar punë. Pasi presin me orë të tëra, fytyra të lodhura dhe të pa shpresa marrin rrugën e kthimit për në shtëpitë e tyre. Sot çdo gjë ka ndryshuar, pasi Greqia nuk është më ajo e mëparshmja. Të pashpresë për të ardhmen, sytë e tyre janë drejtuar për nga Shqipëria. Greqia e dikurshme si parajsë për ta përbën një të shkuar, një ëndërr… Largimi i emigrantëve bën që shumë bodrume që më parë ishin kthyer në banesa jetese për ta, sot të kthehen përsëri në ambiente të heshtura dhe të mbyllura me dryn. Shumë banesa prej muajsh qëndrojnë në pritje për t’u dhënë me qira nga largimi i emigrantëve, apo vendasve që braktisin qytetet duke ju rikthyer fshatrave prej nga kishin ardhur.
Pamja në qytete të Greqisë janë të zymta, droga dhe prostitucioni janë të vetmet profesione që nuk e kanë ndjerë krizën ekonomike. Greqia fqinje është partneri i dytë tregtar për Shqipërinë, referuar shifrave të import eksporteve. Krahas kësaj, në vend numërohen mëse 270 biznese greke, në fusha të tilla kryesore si: banka, komunikimi, infrastruktura etj, me investime që arrijnë në gati 550 milionë euro.
300.000 emigrantë humbasin përgjithnjë pensionin në Greqi
Njohja e sigurimeve shoqërore është dhe mbetet një nga problemet më të mëdha që shqetësojnë emigrantët tanë. Zgjidhja e këtij problemi në rrugë juridike apo politike do të jetë një zgjidhje përfundimtare për pensionet e tyre të pleqërisë. Me shtetin fqinj helen deri më sot për këtë problem janë zhvilluar dy takime të nivelit ministror dhe tre takime në nivel specialistësh, ku i fundit ka qenë me Institucionin e Sigurimeve Shoqërore Shqiptare. Për mbrojtjen sociale të emigrantëve shqiptarë është organizuar në Tiranë edhe Konferenca Rajonale Ministrore, ku është shprehur gatishmëria për bashkëpunim e legjislacionit në fushën e sigurimeve shoqërore. Por të gjitha këto përpjekje mbetën vetëm të tilla, pasi konkretisht nuk është bërë asgjë.
Kriza ekonomike në Greqi nuk i lë mundësi këtij vendi që të mendojë për pensionet e emigrantëve, po kjo nuk mund të justifikojë ministrin e Punës në Shqipëri që të mos bëjë asnjë përçapje edhe pse është minoritar.
Dimë që për çështjen e sigurimeve shoqërore autoritetin në dorë e ka vetëm Ministria e Punës dhe e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Është ajo që bën koordinimin e të gjitha çështjeve, që kanë të bëjnë me evidentimin dhe menaxhimin e emigrantëve për motive punësimi në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe legjislacionit përkatës të BE-së. E gjithë politika shqiptare kujtohet për emigrantët vetëm një herë në katër vjet, vetëm për t’u marrë votën, armën e fundit të emigrantëve.
Që nga viti 2000 me Greqinë kanë filluar kontaktet e para institucionale për hartimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për sigurimet shoqërore, por siç dihet deri tani ato kanë mbetur vetëm në teori. Në atë kohë ish kreu socialist Nano, ishte tepër entuziast për këtë çështja, pasi më parë kishte marrë edhe premtimin e qeverisë greke të Kosta Simitit.
Më 31 korrik të 2006 në Athinë, ish ministri i Punës, Kosta Barka me homologun grek Cituridis, patën dhënë shpresë për emigrantët, e cila vetëm shpresë mbeti, pasi edhe premtimi mbeti premtim. Po e njëjta gjë ndodhi edhe me drejtuesit e Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë në një takim që u mbajt në ambientet e ambasadës sonë në Athinë, të cilët në vend që të kërkonin njohjen e viteve të punës të punuar të emigrantëve tanë, kërkonin nga emigrantët që këta të bënin sigurimin vullnetar të dyfishtë pranë këtij institucioni shtetëror.
Një praktikë tepër e dënueshme dhe e palogjikshme që i detyron emigrantët që të siguroheshin edhe në sigurimet shoqërore shqiptare, në një kohë kur duhej ngritur zëri nga ky dikaster apo institucion shtetëror për njohje pensioni nga homologët grekë. Po si gjithnjë u zgjodh rruga më e lehtë dhe më e pandershme në kurriz të emigrantëve.
Vitet e emigracionit treguan se Legalizimi i Emigrantëve Shqiptarë është një proces i njëanshëm, pasi problemë të tjera sociale u dalin përpara emigrantëve të pambrojtur. Padrejtësitë që u bëhen në shtetin fqinj mesa duket nuk kanë të mbaruar. Askush nuk po shqetësohet se çfarë do të bëhet me emigrantët (brezit të parë) mbas 20 vjetësh pune, pasi asnjë shtet nuk po u njeh vitet e punuara në Greqi.
Ish kryeministri grek Karamanlis erdhi në Tiranë vetëm për të marrë. Pas futjes së vendit tonë në NATO, politika greke tentoi për një “kthim të vërtetë” për një fqinjësi të mirë me Shqipërinë, për të patur një aleat të vërtetë me mendimin se ka ardhur koha për të marrë, duke premtuar për të ardhmen “se do të...” Koha tregoi se grekët ishin të parët që premtuan dhe të fundit që miratuan MSA.
Karamanlisi zgjodhi momentin më delikat të politikës shqiptare për të marrë atë që dëshironte, pasi deri më sot diplomacia e jashtme kishte dështuar me vendet fqinje. Ai u ndodh përballë një kryeministri shqiptar, i cili do të mbahet mend për shumë vjet si një njeri servil dhe pa dinjitet, që për një karrige jep atë që nuk duhej të jepej. Problemi në përcaktimin e kufirit ujor ndërmjet dy vendeve kishte dekada të tëra që qëndronte në sirtare, që shumë bukur mund të diskutohej më pas. Grekët kanë bërë 67 takime me turqit, por deri tani ende nuk kanë zgjidhur problemin e kufirit detar. Mediat të shqetësuara me sjelljen e kryeministrit shqiptar prekën më të drejtë këtë fakt duke u ndalur atje ku duhej. Në interesat e kombit, media ndryshe nga politika shqiptare ngriti zërin duke sensibilizuar opinionin për gabimet e kryeministrit Berisha.
Punët që kryejnë emigrantët
Sipas të dhënave zyrtare, 44%i emigrantëve punojnë në sektorin e ndërtimit. Në punët e pavarura dhe në sektorin e pastrimit punojnë 80% e grave, si dhe 9%e burrave. Në profesionin e kualifikuar në punishte të vogla punojnë 22%e burrave dhe 6% e grave. Studimi i fundit bën fjalë se shqiptarët në sektorin e ndërtimit përbëjnë 56%, duke zënë vendin e parë, të ndjekur nga emigrantët e ardhur nga vendet e ish Bashkimi Sovjetik me 51%, si dhe numrin me të ulët në këtë sektor e kanë afrikanët, aziatikët dhe komunitet e tjera, të cilët punojnë në sektorë të tregtisë etj. Gratë në përgjithësi, punojnë si ndihmës shtëpiakë, në mbajtjen e të moshuarve, të fëmijëve, si dhe në pastrimin e shtëpive. Këtu luan një rol edhe prejardhja e tyre si komunitet. Në këtë sektor gjenden 96 % e grave të ardhur nga Filipine, si dhe 71% Rumania. Lidhur me emigracionin në këtë vend, të shfrytëzimit dhe “punës së zezë” ish- ministri i Ekonomisë, Stefano Manos, është shprehur se, "Është uratë e zotit që ne kemi emigrantë, të cilët punojnë dhe paguhen disa herë më pak sesa vendasit. Nuk mund të organizohen për të kërkuar të drejtat e tyre…".
Niveli arsimor, më i lartë sesa vendasit
Për sa i përket nivelit arsimor, emigrantët në përgjithësi paraqiten në një shkallë të lartë se grekët. Këtë gjë e ka deklaruar vetë shefja e diplomacisë së Greqisë, Bakojanis. Emigrantët me arsim të lartë zënë 22 %, ndërsa me arsim të mesëm dhe teknik 45%. Nga emigrantët e brezit të parë nuk u gjet asnjë emigrant analfabet, në një kohë kur në Greqi gjenden rreth 700 mijë vendas. Por niveli arsimor i emigrantëve në Greqi nuk luajti ndonjë rol parësor në integrimin e tyre. Në krahasim me vendet e tjera të BE, emigrantët në përgjithësi paraqiten në një shkallë më të ulët dhe të kufizuar në integrimin e tyre.
Të ardhurat mujore
19%e emigrantëve merrnin rreth 500 euro si pagë mujore. 21% më shumë se 800 euro. Gratë në përgjithësi paguhen më pak. Kështu, 14%e grave dhe 58% e burrave merrnin mbi 600 euro, ndërsa 47% e grave dhe 11% e burrave, bëjnë pjesë në kategorinë e ulët profesionale me pagë mujore nën 500 euro. Pjesa më e madhe e emigrantëve punonin me pagesë ditore, konkretisht 92.5% i emigrantëve punojnë me pagesë ditore, ndërsa 5.8% me punë të pavarur. Përbërja e komunitetit, si edhe e gjinisë, luan një rol te rëndësishëm në pagesë.
Si takohen emigranti dhe afendikoi?
Emigrantët, në përgjithësi, e kërkonin punën vetë. 61% e emigrantëve e ka gjetur punën vetë, ose nëpërmjet ndonjë miku, me pjesën tjetër janë zbatuar politikat shtetërore të punësimit të emigrantëve, sipas aftësive dhe kërkesave të tyre. 11% e siguruan punën duke e kërkuar vetë atë nëpërmjet kontakteve direkt me punëdhënësit. 6.5% e siguruan punën nëpërmjet mjeteve të informimit, si edhe njohjes së punëdhënësit me ndonjë organizëm apo shoqatë. Ditët e mundshme të punuara për emigrantët ishin 189 ditë në vit, ndërsa për vendasit kanë qenë 212 ditë.
Emigrantët, familjarë me Greqinë
Në Greqi, emigrantët kanë ndërtuar jetën e tyre familjare; dhe një pjesë e tyre, sidomos brezi i dytë, e kanë lidhur jetën me Greqinë; pa menduar që të kthehen në atdheun e tyre. Shumë prej tyre kanë mbaruar arsimin e lartë në të gjitha profilet e punës.
- 50% e emigrantëve janë familjarë.
- 46.4% janë beqarë.
- 55.6& të numrit të emigrantëve e përbëjnë gratë
- 3.6% janë të divorcuar.
Greqia ka numrin më të vogël të emigrantëvë të ligjshëm. Për komunitetin shqiptar raporti është një ligjshëm ndër dy emigrantë, ndërsa për afrikanët dhe aziatët, raporti shkon disa herë më lartë. Kombet e Bashkuara kanë parashikuar që për vitin 2015 në Greqi, popullsia do të rritet në 14.2 milionë, nga të cilët 3.5 milionë do të jenë emigrantë të ardhur jo nga vendet e BE. Sot 91% e tyre vijnë nga dhjetë vende të ndryshme.
- Në banesa me qira jeton 82% e emigrantëve, ndërsa 9.6% kanë shtëpitë e tyre, si dhe 2.4% jetojnë nën kujdesin e qendrave të punës ku punojnë.
- 885 e vendasve mendojnë se emigrantët nuk përbëjnë probleme në vendet ku jetojnë. Një pjesë e mirë e tyre mendon se emigrantët kanë ndikuar në rritjen e kriminalitetit. Ndërsa 83 për qind e shikojnë si pozitive që fëmijët e emigrantëve marrin njohuritë në shkollat greke, rreth 120 mijë fëmijë shqiptarë kanë marrë njohuri në këto shkolla