Kujdes zoti kryeministër! Nuk duam kthim prapa tek ‘97-ta…
Gazeta "Sot" 19/05/2011Ndërhyrja e kryeministrit në këto zgjedhje të lira dhe vendore përbën një shkelje të hapur në kundërshtim me çdo parim demokratik, një shkelje që nuk i shkon përshtat asnjë kryeministri të një vendi evropian. Përbën një krim politik në shkelje të parimeve demokratike. Në asnjë vend demokratik nuk shihet që në zgjedhje vendore të ndërhyjë ndonjë kryeministër për qëllim manipulimi. Çdo vjedhje ka një kufi. Nuk ka gjë më të tmerrshme se sa të vjedhësh votën e të cënosh demokracinë. Berisha duhet të ndërgjegjësohet dhe të heqë dorë nga vjedhja e votës, nëqoftëse i do të mirën vendit. Në të kundërtën, sipas opozitës qeveria do të përballet me protestat e vazhdueshme...
Asnjë shqiptar, përjashto vetë kryeministrin Berisha nuk dëshiron që Shqipëria të kthehet përsëri në ngjarjet e dhimbshme të 1997-tës, që e çuan vendin edhe disa vite më pas. Protagonisti i ngjarjeve të dhimbshme të ‘97-tës, ishte mos qoftë kryeministri i sotëm Berisha, “demokrati” që veshi me të zeza qindra e mijra familje shqiptare. Pas kaq vitesh vendi ynë sot ndodhet sa afër po edhe aq larg, një konfrontim, pasi ka përballë një kryeministër të paparashikueshëm e të papërgjegjshëm në veprimet e tij.
Nuk duhet të harrojmë se fatkeqësia e popullit tonë është se “Demokracia në Shqipëri” po ndërtohet mbi themelet e ish komunizmit, të cilët brenda një nate u kthyen në demokratë të vërtetë, duke përjashtuar pjesën tjetër. Një ndër “demokratët e vërtetë” të ardhur nga ish komunizmi është edhe Berisha që në emër të demokracisë ka abuzuar aq shumë, sa është zor që t’i gjesh fillin. Koha, ka treguar që Berisha duhet të jetë i vetmi njeri që për zullumet që i ka bërë vendit, nuk duhet të flasë për integrimin e zhvillimin e vendit, për demokracinë etj.
Besoj në vetvete se në asnjë vend demokratik nuk mund të gjesh një shembull të tillë, si në Shqipëri, ku në emër të demokracisë të abuzohet deri aty, sa që komunizmi po ndërton demokracinë. Kjo në një kohë kur dihet që idealet e komunizmit, nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet demokratike. Berisha së bashku me të tjerë erdhi në politikë nga radhët e ish komunizmit, si një sekretar partie, duke na treguar me dy gishta përpjetë rrugën e demokracisë në Shqipëri. Të papërgatitur për këtë demokraci, populli shqiptar po e paguan sot më shumë se kurrë.
Të gjithë e dimë dhe jemi dëshmitarë se në çfarë gjendje kritike ndodhet procesi i demokratizimit në vendin tonë, se sa shumë ndihet mungesa e saj. Mund të jemi të vetmit që besojmë se krahas diktaturës së sotme, po ndërtojmë demokracinë e vërtetë, mbështetur në njerëz me idealet ish komuniste. Kryeministri Berisha nuk është Alien, nuk është qenie jashtëtokësor. Ai, më shumë se kushdo tjetër e njeh veten e tij se kush është, sa para vlen dhe për të udhëhequr popullin. Po dhe shumë mirë e njeh edhe pjesa tjetër më e madhe e vendit. Gjithashtu dimë se sa komunist ka qenë, por dimë edhe se çfarë lloj demokrati është. Por më shumë si popull dimë që shporrëm një diktator, po ashtu dimë se si sollëm edhe një diktator tjetër. Dimë që Sali Berisha renditet përkrah diktatorëve të vendeve të Lindjes së Mesme, ku me politikën e tij antikombëtare do ta kishte zili akoma edhe vetë Adolf Hitleri.
Pjesa më e madhe e popullit nuk do ta besonte kurrë që protagonisti i ngjarjeve të dhimbshme të ‘97-tës, do të kishte përsëri në duart e tij fatet e popullit shqiptar. Por ja që ndodh në Shqipëri. Ato që nuk ndodhin përkund, ndodhin në vendin tonë. Shumë shpejt, pjesa më e madhe e popullit tonë harroi të këqijat, dhimbjet dhe bëmat e Saliut të ‘97-tës, duke e besuar përsëri të udhëheqë vendin drejt shkatërrimit përfundimtar. Me zgjedhjet e 8 Majit, Berisha varrosi përfundimisht “demokracinë” në Shqipëri, varrosi shpresat e popullit për një liri të vërtete dhe të ardhme më të mirë. Vallë kush forcë mund ta ndalojë kryeministrin shqiptar të bëjë si të dojë dhe kur të dojë? Të luajë dhe të tallet me ndjenjat e popullit? Cila forcë juridike, politike dhe morale mund ta ndalojë kryeministrin Berisha, për të mos na kthyer prapa në vitet ‘97-të, kur dihet që mbi të rëndojnë ende krime të rënda? Vallë, a duron më vendi ynë konflikte të tjera të brendshme?
Vjedhja e votave të 28 Qershorit si dhe manipulimet e votave të 8 Majit, na lë të kuptojmë se populli shqiptar po përballet me një cinik të etur për pushtet. Përveç opozitës askush nuk po e ngre zërin për vonesat e numërimit të kutive të votave. Në një kohë kur shteti duhej të menaxhonte lirinë e votave është vetë ai që po i manipulon ato.
A kemi nevojë ne për këtë pushtet ordiner që mundohet me çdo kusht të vjedhë votën natën dhe gjoja bën sikur numëron atë ditën. Të gjithë e kemi për detyrë të ndihmojmë dhe të mbështesim vendin për të ecur përpara, njëlloj si fqinjët tanë. Të gjithë dëshirojmë dhe mendojmë për një demokraci të vërtetë. Me 8 maj votuam brenda afatit, votuam si asnjëherë tjetër, por nuk e prisnim që votat tona të vidheshin përsëdyti me ndërhyrjen e vetë kryeministrit të vendit. Sa turp! Historia përsëritet…
Këtë radhë në zgjedhjet vendore askush nuk e priste që mafia pushtetare me në krye vetë Berishën, të rrezikonte edhe njëherë demokracinë e sotme shqiptare, të rrezikojë aplikimin për në BE. Askush nuk i jep të drejtë pushtetit të sotëm që të lozë me votat dhe fatin e popullit shqiptar, pasi këta janë vetëm kalimtarë. Ndërhyrja e kryeministrit në këto zgjedhje të lira dhe vendore përbën një shkelje të hapur në kundërshtim me çdo parim demokratik, një shkelje që nuk i shkon përshtat asnjë kryeministri të një vendi evropian. Përbën një krim politik në shkelje të parimeve demokratike. Në asnjë vend demokratik nuk kemi parë që në zgjedhje vendore të ndërhyjë ndonjë kryeministër, të japë urdhër se kush do fitojë…
Tensioni politik nga ana e qeverisë ka ndikuar edhe në numërimin e votave në prezencë edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët kanë shprehur edhe shqetësimet e tyre. Edhe pse kanë kaluar ditë asnjë me gojën plot nuk mund të thotë se kurë do të përfundojë numërimi i votave, kjo edhe përballë shqetësimeve të vëzhguesve të huaj. Një sëmundje e pashërueshme kjo vetëm për qeverinë shqiptare, që ende nuk po ndërgjegjësohet akoma që vota nuk duhet vidhet më.
Askush nuk i jep të drejtë qeverisë të ndikojë dhe të çojë vendin drejt një konflikti të ri. Berisha sot është në fuqi, mund të bëjë çfarë të dojë, të vjedhë votat e të vrasë, por nesër do të përgjigjet para një drejtësie, jo si kjo e sotmja. Historia na kujton edhe njëherë se asnjë diktator si tipi Berisha, nuk i ka shpëtuar drejtësisë së vendit të tij. Berisha si një “demokrat i vërtetë” në qoftëse nuk ka ndërmend të vjedhë përsëri votat e lira të popullit, të mos ndërhyjë për manipulime, të mos ndikojë në ngritje të tensionit politik në vend. Të harrojë njëherë e përgjithmonë se nuk ka më kthim prapa në vitet 1997…