Saturday, February 05, 2011

Çfarë demokracie kemi, Evropiane apo Berishiane?


Gazeta Sot 05 /02/ 2011

Shqipëria ende mbetet në gjysmën e rrugës së saj për demokratizimin e vendit. Ngjarjet e rrjedhura gjatë 20 vjetëve të fundit tregojnë se vendi ynë ka mbetur në një udhëkryq. Populli po ndeshet përballë një rreziku real, përballë një regjimi që sot po ve në dilemë se çfarë demokracie duam të pranojmë.
Qeveria Berisha, me një këmbëngulje dhe kokëfortësi po na servir që të pranojmë demokracinë tip “Berisha”, ndërsa pjesa tjetër e popullit kërkon të kundërtën, demokracinë “evropiane”. Këto dy kërkesa kanë ndikuar që sot politika e vendit që nga zgjedhjet e qershorit të 2009 të mos funksionojë plotësisht. Dihet që demokracia nuk mund të qëndrojë në këmbë e të ecë përpara pa prezencën e qytetarëve. Populli voton për qeverinë, për të udhëhequr shtetin. Është populli ai që i jep besimin disave që të jenë në krye të shtetit.
Demokracia u ka lejuar që në emër të saj çdo gjë të legalizohet, edhe pse prish interesat e shoqërisë dhe mbarë kombit. Për të mbajtur pushtetin legalizojnë qindra objekte e banesa të pamiratuara në kundërshtim me ligjin mbi urbanistikën, në një kohë kur duhej prishur.

Sot në demokracinë e brishtë shqiptare politikanët dhe pushtetarët po përfaqësojnë interesa të ngushta materiale, si edhe të disa klasave duke dëmtuar deri diku imazhin e tyre politik. Mungesa e transparencës në investime të ndryshme ekonomike për interesa të tyre janë një tregues kuptimplotë përballë shoqërisë. Moskryerja e misionit ndaj situatave dhe kërkesave në kohë po rrisnin pakënaqësinë e popullit.

Duke parë situatën kaotike të sistemit politik sot në Shqipëri hidhet pyetja: Vallë a mund të flitet për një demokraci që kërkon të luajë rolin aktiv dhe funksionues vetëm në atë ekzekutiv e përjashtuar rolin legjislativ? A ka mundësi Shqipëria për instituimin e demokracisë tip evropian, apo do të qëndrojë me atë të tipit Berishian, në mungesë të një transparence në zgjedhjet të lira dhe të ndershme?

Legjitimi i demokracisë në vendin nuk ka nevojë vetëm për të dëgjuar leksione se mund të funksionojë demokracia, por ka nevojë për këtë demokraci që mbi themelet e saj duhet që të sundojë një ligj i vërtetë në Shqipëri, mbi bazat e ngritjes së një gjyqësori dhe prokurorie të vërtetë e të pavarur. Në thelb demokracia konsiston në pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen e vendit, kryesisht nëpërmjet institucionit të votës së lirë, dhe jo në mungesë të një transparence. Gjë që kjo ende nuk njihet në vendin tonë, nga ana tjetër, demokracia nuk ka shumë vlerë përtej respektimit të atyre të drejtave dhe sidomos konsolidimit të shtetit ligjor. Përplasja e mekanizmave të shtetit ligjor, të prokurorisë me të policisë, ndërhyrja e kryeministrit në punët e prokurorisë, përplasja me të dhe presidentin shqiptar, tregojnë se politika jonë po ecën në rrugën e një vendi me një demokraci të tipit Berisha.

Demokracia nuk është vendi i këtyre parazitëve, por mesa duket demokracia shqiptare i pranon këta parazitë në trupin e saj të brishtë. Demokracia shqiptare ndryshe nga ajo e vendeve të tjera, u ka dhënë të drejtën krerëve të pushtetit që për të na qeverisur duhet të na premtojnë, të na gënjejnë, të na mashtrojnë sa herë që duan, vetëm e vetëm për të veshur kostumin e pushtetit për interesat vetjake. Skandalet e freskëta të ditëve të fundit janë pasqyra e sistemit të sotëm.

Një shembull konkret të një demokracie evropiane shohim në Greqinë fqinje, që gjatë 20 vjetëve të fundit në partinë “Demokracia e Re” (Nea Dhimokratia) rokada e kryetareve të kësaj partie është bërë katër herë, Micotaqis, Evert, Karamanlis dhe Samaras, po e njëjta gjë ka ndodhur edhe me partinë e Pasok-ut. E kundërta shihet në vendin tonë, ku mentaliteti ballkanik ka bërë që kryetari i partisë demokratike nuk ka luajtur nga vendi këtu e 20 vjet, po edhe sipas deklaratave të tij publike thekson se do të dalë në pension si i tillë

Demokracia si koncept është një term i gjerë, po ne shqiptarët ende nuk po e gjejmë vehten, sepse jemi akoma të rrënjosur në ideologjinë se; Dikush sundon, të tjerët vetëm kritikojnë. Pa dyshim fajin për këtë e kanë në radhë të parë e kanë partitë politike e më pas edhe ne vetë. "Demokracia është forma më e keqe shtetërore, me përjashtim të të gjitha të tjerave. Një demokraci perfekte nuk ekziston askund. Pavarësisht nga të gjitha kritikat, demokracia është procesi më i suksesshëm drejt zgjidhjes paqësore të konflikteve. Kudo në botë, njerëzit mbështeten tek ajo, në rajone dhe sisteme të ndryshme”. Kështu është shprehur ish-kryeministri britanik Uinston Çërçill. Duke pasur parasysh kriterin e raportit të demokracisë me raporte shoqërore ne në vendin tonë shohim vetëm një demokraci formale nga ajo reale. Por sot sipas realizimit të saj mungon zbatimi i demokracisë së drejtpërdrejtë nga populli, duke u zëvendësuar me praktikën Berishiane të një demokracie tërthore e përfaqësuar prej tij.

Në demokracinë e vërtetë evropiane për popullin shqiptar, demokracia dhe të drejtat e njeriut duhet të kenë vendin e merituar në shoqëri, duke ju larguar përfundimisht çdo lloj dhune. Ngjarjet e fundit, dhuna dhe vrasjet treguan se ne ndodhemi përballë një demokracie të njëanshme, jo të një demokracie të drejtpërdrejtë nga populli, por të një demokracie tërthor me përfaqësues të qeverisë. Demokracia e sotme në Shqipëri po humbet kuptimin e fjalës së saj, duke u zëvendësuar me shprehjen e fjalës diktaturë.

Po të marrim kryeministrin e sotëm, do të shohim se gjatë 20 vjetëve të tranzicionit ai qëndron si një “monument kulture” brenda partisë së tij duke e kthyer në një monopolist, ndërsa jashtë monopolit partiak në krye të vendit ai përbën një rast të veçantë duke thyer rekord për vendet ballkanike dhe ato evropiane. I zgjedhur një herë si president dhe dy herë kryeministër brenda 20 vjetëve na tregon qartë se po zëvendëson demokracinë e sapongritur me diktaturën e mëparshme, nga ku edhe ai ka ardhur. Brenda gjirit të partisë mungon demokracia e brendshme në radhët e saj.

Që të mashtrosh veten është e drejta kujtdo, por të mashtrosh një popull të tërë përbën një krim politik. Të mirën demokracia shqiptare do ta kishte në një kohë kur politika e vendit do të ishte në shkallën e duhur. Konkretisht Shqipëria tenton të barazohet me Europën e Bashkuar, një dëshirë e madhe kundrejt një mentaliteti ballkanik, që herë pas herë shfaqet në politikën shqiptare. Çdo ditë populli ndeshet përballë të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe rrallë përball realitetit. Gënjeshtra dhe mashtrimi janë binomi i jetës së politikës shqiptare, duke mos përjashtuar edhe vetë “Drejtësinë” e mbërthyer në kthetrat e kësaj “politike të re” me fytyra të vjetra. Demokracia gjithashtu lejon edhe indiferentizmin tonë për mëkatet e mëkatarëve, duke lënë në mëshirë të tyre fatin e fëmijëve tanë, fatin e kombit tonë.

Këtu nuk është fjala se çfarë demokracie sundon, por çfarë demokracie duam të kemi në vendin pasi jemi një popull me të vërtetë evropian, një popull për integrimin në BE me një demokraci të vërtetë evropiane. Nga kush duhet të ruhet dhe kujdeset për mbrojtjen e demokracisë nga ata që e shfrytëzojnë për qëllime të tjera, në një kohë kur dihet që demokracia do të dal e fortë kur pushtetarët të mos luajnë më me institucionet e vendit, të marrin plotfuqinë i dikastereve për të mbajtur me pa të drejtë atë që nuk i takon.

Në një shtet demokratik evropian, qeveria përbën vetëm një element që bashkëjeton në kuadrin e një strukture shoqërore të përbërë prej institucionesh, dikastere partish politike, organizatash dhe shoqatash të ndryshme. Demokracia është sistem ku shtetasit marrin lirisht vendime politike, duke zbatuar parimin e sundimit të shumicës. Protestat dhe grevat apo demonstratat janë të pranueshme në shoqërinë demokratike, duke përjashtuar çdo lloj dhune. Një shembull të keq në këtë drejtim po jep vetë kreu i qeverisë, pasi sot po bën rolin e gazetarit, hetuesin gjykatësin, prokurorin, policinë etj, duke mos patur parasysh se është kryeministër i gjithë vendit dhe jo vetëm i pjesës së elektoratit të tij.

Qeveria në emër të demokracisë abuzon deri aty, sa vetë kryeministri tallet dhe luan me ndjenjat e popullit, me atë të urrejtjes dhe të banaliteti, ndërsa kabineti i qeverisë së tij pas skandaleve bën sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë. Këta drejtues pushteti që uzurpuan shtetin të kthyer në parazitë në kurriz të shoqërisë, treguan se janë të pathyeshëm në demokracinë e sotme Berishiane, që sapo ka hedhur themelet pas një diktature 50 vjeçare, duket se i lehtëson këta parazitë të zhvillohen. Vetë parazitët e qeverisë aktuale kujdesen që mundësinë që u dha demokracia për t’u zhvilluar pa patur pengesa, të mos i lërë mëndja që të sundojnë në dëm të saj, sepse më pas nuk do të kenë më mundësi për të gjetur vendin dhe kohën për të qenë më parazitë në kurriz të popullit

U ka dhënë mundësi që kur marrin në duar frenat e drejtimit të vendit, pa patur turp e dinjitet të luajnë me fatet e popullit tonë, duke na treguar se pa ata vendi do të shkonte në katastrofë, pasi më parë kanë siguruar jetën e familjeve dhe fëmijëve të tyre. U lejon që të na flasin për korrupsion, në një kohë kur këta parazitë të qeverisë nuk mund të jetojnë një ditë pa të. Na flasin për një ndryshim në sistemin tonë demokratik, kur vetë në radhë nuk kanë ndryshuar, duke ditur se erdhën nga sistemi i mëparshëm. Na flasin për antikomunizëm nga pozita ende komuniste apo të kriptokomunizmit, duke na bërë që të qeshim, në një kohë kur është për të qarë. Thua se Shqipëria nuk kishte më parë element më të pastër se këta…

Në emër të demokracisë na vidhen në mes të ditës votat. Në emër të demokracisë zënë karrigen për në parlament njerëz që nuk e meritojnë, njerëz me dy fytyra, pasi duhet të dalin para drejtësisë. Në emër të demokracisë na flasin kur duhet të japin llogari para drejtësisë për pasuritë e tyre të mëdha. Fenomeni i shumë përfolur Gërdeci i Mediut apo rruga Basha mbeten tashmë të harruar nga pushteti i sotëm, pasi të tjera skandale dalin në dritë. Këta njerëz që vranë në Gërdec, apo vodhën parat e popullit dhe u pasuruan si asnjëherë tjetër, udhëheqin akoma dikastere të rëndësishme…

Shprehja demokraci njihet nga të gjithë, si dhe është një koncept që keqkuptohet dhe shpërdorohet në një kohë kur regjimet totalitare dhe diktaturat ushtarake të ngjashme me to. Të frymëzuar nga abuzimet demokratike, vullneti dhe mendja njerëzore kanë gjetur shprehje të thellë nxitëse. Demokracia nuk është vetëm një sistem idesh dhe parimesh mbi lirinë, por është një sërë praktikash veprimi dhe institucionalizimi i lirisë. Por a jemi të kënaqur se si shprehet liria në demokracinë e sotme në Shqipëri?

Në vendin pa kulturë në debate parlamentare, në mungesë të një transparence dhe urrejtje, demokracia e këtij vendi do prodhojë efektin e kundërt nga ajo pozitive që pritej prej saj. Në këtë vend demokratik pa kulturë demokratike, demokracia shndërrohet një forcë për vetë armiqtë e saj, por më pas ajo u shërben si alibi për t'u mbajtur në pushtet.

Mazhoranca është e dominuar tërësisht nga Berisha, që vazhdon me kokëfortësi të mohojë ekzistencën e krizës politike në vend, edhe pse konkretisht ajo ekziston që nga 28 qershori i vitit të kaluar. Mazhoranca nuk dëgjon kritikat apo udhëzimet e partnerit dhe faktorin e huaj. Ngërçi politik vë para përgjegjësisë direkte për zgjidhjen e krizës mazhorancën si forcë politike që udhëheq vendin. Ndërsa opozita përballë kritikave të njëpasnjëshme të mazhorancës, si një forcë e dytë politike në vend ka për detyrë stabilizimin e jetës politike me format nga më të ndryshme, si protestat, demonstratat brenda kuadrit ligjor. Me fjalë të tjera, pa qytetarë vërtetë të lirë, Shqipëria do të mbetet shumë larg sistemit politik perëndimor që formalisht ka adoptuar...