Camëria, turpi i shtetit shqiptar
गजेटा "सोत" २३/०४/2011Çamëria përbën sot turpin e shtetit shqiptar. Një turp që vë para përgjegjësisë qeverinë aktuale, por edhe atë të mëparshmen. Ky problem përbën jo vetëm turpin e qeverisë, por ende mbetet një sfidë për të. Çamëria nuk i përket vetëm një subjekti politik, por i përket gjithë shtetit shqiptar që ende nuk po fillon negociatat me fqinjin grek.
Më në fund shteti shqiptar duhet ti përgjigjet publikisht popullit, se a ka ndërmend ndonjëherë të merret seriozisht për zgjidhjen e pronave të komunitetit shqiptar çam. Gjatë 20 vjetëve të fundit asnjë qeveri nuk ka marrë mundimin të hedhë vështrimin për të parë se cila do të ishte zgjidhja më e mirë e kthimit të çamëve në trojet e shtëpitë e tyre. Një zgjidhje që për dy dekada të tëra mbajti me shpresa të kota këtë komunitet shqiptar, të dhunuar e sakatuar, dëbuar me pa të drejtë nga shovinizmi grek. Të mashtruar prej vitesh, komuniteti çam tashmë e di se ky problem nuk ka vetëm zgjidhje politike, por kërkohet edhe zgjidhje juridike dhe morale. Politika shqiptare ka përgjegjësinë e saj, pasi për vite e la këtë në heshtje. Askush nga politika shqiptare me gojën plot nuk mund të thotë se a do të marrin çamët pronat e tyre dhe cila do të jetë kostoja politike shqiptare.
Në emër të “fqinjësisë së mirë” me Greqinë, ku në mes qëndron një ligj lufte, shumë gjëra i humbëm pasi nuk i kërkuam në kohë, po dhe shumë të tjera po i humbasim sepse nuk kemi kurajon që t’i kërkojmë edhe kur na takojnë. Shqipëria nuk ka përbërë dhe nuk përbën asnjë rrezik për fqinjin grek, por kjo nuk do të thotë që të mos ngrejë zyrtarisht zërin për të injoruar jo vetëm këtë lloj ligji lufte, por edhe diskriminimin e komunitetit çam.
Por sot, vallë a mund të presë zgjidhje politike komuniteti çam nga ky shtet shqiptar? Mungesa e dëshirës së politikës shqiptare të zgjidhjes çame tregon qartë se ky problem është lënë në mëshirën e këtij komuniteti, duke mos u bashkuar as edhe kur e kërkojnë interesat e kombit. Problemi çam nuk i përket vetëm qeverisë, as edhe subjektit të saj politik me të njëjtin emër, por ka një vend edhe për opozitën që ende po hesht ndaj këtij problemi kombëtar.
Bazuar në ligj, askush nuk ka të drejtë të rrëmbejë pronat e tjetër kujt. Të dhunojë, të vrasë e të dëbojë një komunitet të tërë. Të imagjinohet për një çast sikur kjo të kishte ndodhur me minoritarët grekë në Shqipëri. Greqia gjithmonë në aspektin politik ka treguar se problemin çam e ka mbyllur njëherë e përgjithmonë, ndërsa për shqiptarët ekziston akoma një shpresë se një ditë do të kthehen pranë shtëpive dhe varreve të prindërve tyre. Nuk ka asnjë dyshim që Greqia në aspektin politik do ta përdorë problemin çam si një “peng” për futjen e Shqipërisë në BE, me anën e vetos, që do të jetë një shpresë për të. Po një gjë të tillë nuk do ta dëshironte ta bënte asnjë shtet që të mbyllte këtë plagë duke marrë si dhuratë një veto për në BE. Ndërsa në aspektin juridik me ligjet e saj antidemokratike, harron se mbi ligjet e saj kombëtare, gjithashtu ekzistojnë edhe ligje ndërkombëtare.
Grabitja dhe përvetësimi i pronave të komunitetit çam me ideologjinë e njohur shoviniste përbën sot një sfidë për politikën shqiptare, që kohet e fundit po lan gjynahet e të shkuarës.
Komuniteti çam tashmë nuk është i vetëm, sepse edhe maqedonasit po kërkojnë të rikthehen në trojet e tyre në Greqi. Greqia anëtare e Bashkimit Europian, më shumë se kurrë vazhdon të jetë një partner i vështirë pranë BE, edhe pse kanë kaluar mbi 30 vjet si anëtare e këtij komuniteti, për padrejtësitë në shkelje të të drejtave të njeriut mbetet “Delja e Zeze” e këtij komuniteti.
Me politikën e saj herë pas here vazhdon të nxjerrë probleme të ndryshme nga më të sajuara BE-së, për shkak të qëndrimit shovinist, kapriçioz ndaj fqinjëve. Dihet që helenët ishin në armiqësi me shqiptarët, maqedonasit, romët, ciganët, bullgarët. Sot këta janë armiq të përhershëm të turqve, çamëve dhe të amerikanëve, duke përfaqësuar mbi të gjitha në aspektin social një shoqëri të mbyllur në vetvete, duke lënë të kuptosh se gabon, kur beson se për një të ardhme të afërt ta konsiderosh këtë vend me një demokraci të lashtë, si urë që do të lidhë vendet e Ballkanit me Europën. Si i vetmi vend i Ballkanit që bënte pjesë në BE, i kishte të gjitha mundësitë të luante një rol të rëndësishëm në Ballkan dhe në Europën Lindore, por me mentalitetin e saj nacionalist deri tani ka dështuar.
Siç dihet prej vitesh Greqia ka problem ende të pazgjidhur edhe ndaj fqinjit shqiptar, ku me ligjet e saj ka bërë të mundur të mbyllë padrejtësitë që u janë bërë komunitetit çam. Grekët harrojnë ose e bëjnë një gjë të tillë se mbi ligjet e tyre ka edhe ligje të karakterit ndërkombëtar. E kanë të qartë se ky problem sa vjen dhe po bëhet më aktiv dhe nuk po qëndron me një problem i mbyllur. Gjithashtu e kanë të qartë se përballë tyre kanë njëkohësisht edhe një shtet shqiptar të pafuqishëm dhe të gjunjëzuar. Një shtet pa dinjitet dhe të korruptuar që për një karrige mund të japë gjithçka e jo më të kërkojë të drejtat që i takojnë mbi shtetasit e tij… Tashmë komuniteti çam nuk është i vetmi që kërkon t’i rikthehen pronat e grabitura, pasi kohët e fundit media greke po trajton e shqetësuar edhe rikthimin e 50.000 pronave të komunitetit maqedonas në Greqinë Veriore. Edhe pse kanë kaluar mbi 65 vjet nga masakra e gjeneralit Metaksa, kundrejt komunitetit të popullsisë çame, sot akoma vendi fqinj që nga shpallja e dekretit mbretëror të ligjit të atëhershëm 2636, që padrejtësisht ka shkelur çdo lloj norme logjike njerëzore, u dha padrejtësisht të drejtë vetvetes të grabiste, të vriste dhe sekuestronte pronat e shqiptarëve.
Ligji i Luftës vazhdon të mbetet ende në fuqi
Ligji i Luftës, i dekretuar nga ish-mbreti Kostandin vazhdon të mbetet “De Facto” ende në fuqi, pasi projekt-ligji i vitit 1989 për shfuqizimin e tij, nuk u miratua në Parlamentin grek. Lidhur me këtë ish ambasadori ynë në Greqi z. Vili Minarolli (Dhjetor të 2006) ka një tjetër mendim ndoshta edhe të gabuar. Në intervistë për median shqiptare është shprehur se: “Përmendja e “Ligjit të Luftës” me Greqinë, është thjesht një abuzim, pasi ky ligj është zgjidhur përfundimisht kur dy shtetet nënshkruan Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit në vitin 1995, se askush nuk mund t’i referohet më këtij ligji”. Por zyrtarisht asnjë nuk ka deklaruar heqjen e Ligjit të Luftës”.
“De Facto”, lidhja e marrëdhënieve diplomatike me 1971, si dhe nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë dhe të Bashkëpunimit me 1995 nuk solli ndonjë ndryshim pasi ligji i Luftës mbetet në fuqi nga shteti grek “De Facto”. Kjo është një nga arsyet që ky ligj mbahet akoma, pasi deri më sot ka mohuar të drejtën e pronës së grabitur, duke i bllokuar kthimin e pasurive të patundshme të shqiptarëve. Greqia e di mirë se heqja e Ligjit të Luftës do të shkaktonte një furtunë të vërtetë në klimën politike të vendit, që përveç kthimit të pronave të komunitetit çam, do të humbasë edhe disa pasuri të tjera të shqiptarëve në Selanik, të cilat për nga vlera mendohet se janë disa herë më të mëdha se ajo e pasurive të patundura të çamëve etnikë...
Kryeministri grek, Kostas Simitis: Kjo çështje nuk ekziston më…
Në janar të 2001, gjatë takimit dypalësh Ilir Meta me homologun Kostas Simitis në Athinë, gazetari Agim Pipa pati kurajën të pyesë publikisht kryeministrin grek Kosta Simiti nëse në axhendën e takimit, do të kishte rend për çështjen çame? Përgjigja e nervozuar e kryeministrit Kostas Simitis ishte e prerë se: “Për ne kjo çështje nuk ekziston më”. Kthimi në atdhe i ish kryeministrit Meta, e bën këtë njeri të fluturojë, duke mashtruar opinionin publik shqiptar se ishte ky (Ilir Meta) që pati kurajon të ngrejë problemin çam në mes të Athinës dhe askush tjetër. Faktikisht koha si një barometër sinoptik ka treguar se në asnjë takim zyrtar të krerëve të lartë ndërmjet dy vendeve, nuk është përmendur fare nga këta, problemi çam. Edhe kur ai është ngritur nga një gazetar emigrant në Greqi, pa pikë turpi lavdinë mundohen ta marrin sharlatanët tanë pushtetarë, që nuk kanë kurajon të ngrenë problemet që u takojnë si udhëheqës shteti. Bakojanis, gjatë vizitës së saj të fundit në Tiranë theksoi gjithashtu se ky problem mund të ketë zgjidhje vetëm në rrugë juridike.
Sa për kujtesë, politikës dhe komunitetit Çam
Paskal Milo, ish ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i pyetur nga ish deputeti i PS-së, Petro Koçi, në seancën parlamentare të 29 korrikut të1997, ndaj çështjes çame, u përgjigj: "Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shqiptaro-greke është objektiv parësor i qeverisë dhe kjo përparësi është edhe për çamët po kaq e dobishme dhe shpresëdhënëse sa për të gjithë shqiptarët".
Të mos harrojmë të gjithë “JO”, më të madhe të rezolutës për çështjen çame, që të mos kalonte në parlamentin shqiptar nga socialistët (prill 2004). Shprehja e ish kryeministrit Nanos se: “Çështja çame është një çështje shumë e ndjeshme për marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë. Për më tepër, kjo mund të ndikojë tek emigrantët shqiptarë, të cilët punojnë atje. Miratojeni këtë rezolutë dhe pastaj shkoni dhe pritni refugjatët në kufi”.
Në qelitë e policisë, pse vajti dhe trokiti në shtëpinë e tij
Tre vite më parë, një i ish i dëbuar në moshën 4 vjeçar, sot një pensionist emigrant, me autobus niset për në ish fshatin e tij. Me lot në sy i përmalluar në kërkim të varreve të familjes, bie në sy të fshatit tek qëndronte i ngrirë përballë shtëpisë së tij. Pyetjet e njëpasnjëshme të tij përballë gjitonëve grekë, bënë të mundur që fshati të lajmërojë policinë. E marrin dhe e mbajnë të izoluar në komisariatin e policisë. Por, pa u kthyer mirë në Athinë, e gjithë familja dhe farefisi i këtij pensionisti me të njëjtin mbiemër, u gjendën në polici. Në qoftëse ky problem nga politika shqiptare merr ngjyrë juridike, Greqia me çdo forcë do të përdorë në të ardhmen ngjyra politike. Nuk ka asnjë dyshim që Greqia në të ardhmen do ta përdorë këtë problem si një kusht kryesor në veton e saj, për futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kthimi i pronave të çamëve shqiptarë të dëbuar, do të ndikojë më pas edhe në rikthimin e pronave të komunitetit maqedonas të dëbuar, të cilët kohët e fundit po dalin në skenën politike në Greqi. Askush nga politika shqiptare me gojën plot nuk mund të thotë se a do të marrin çamët pronat e tyre dhe cila do të jetë kostoja politike shqiptare.
Mungesa e dëshirës së politikës shqiptare të zgjidhjes çame tregojnë qartë se ky problem është lënë në mëshirën e këtij komuniteti, duke mos u bashkuar partitë politike as edhe kur e kërkojnë interesat e kombit. Shprehja e ish kryeministrit shqiptar Fatos Nano, tregoi kërcënimet e shtetit fqinje, se miratimi i një rezolute do të përbënte një akt jo miqësor ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe kthimi i emigrantëve mban peng zgjidhjen e pronave shqiptare. Për këtë politika shqiptare duhet të ishte më aktive dhe më e bashkuar për interesat kombëtare. Për Greqinë ka ardhur koha se e ka detyrë për të kërkuar falje publike ndaj masakrës se kryer ndaj popullsisë çame, të njohë e të zbatojë të drejtat e tyre detyrimet që ka ndaj tyre, të mos i quajë më bashkëpunëtorë të fashizmit…