A duhet të jetojmë një Demokraci të tillë?...
Gazeta "SOT" 4/04/2011
Ngjarjet në Shqipëri po tregojnë se “Demokracia” shqiptare po dhunohet dhe po lahet me gjak nga dita në ditë. Një demokraci e tipit berishiane që nuk do ta dëshironte më asnjë njeri. Të gjitha bëhen në emër të demokracisë së brishtë. Fushata elektorale për disa kohë të linte përshtypjen se do të zhvillohej e qetë dhe në mënyrë të kulturuar, po fakti tregoi se politika shqiptare edhe këtë radhë i dha ngjyra politike. Premtimet e qeverise Berisha për “një fushatë të qetë” ranë si gjithnjë në koshin e plehrave. Vrasjet e 21 janarit treguan përfundimisht se në emër të demokracisë vendin po e drejton një qeveri vrasëse, një qeveri që erdhi në pushtet me vota të vjedhura… Dhuna dhe egërsia e qeverisë, detyrimet me zor të punonjësve të ndryshëm dhe nxënësve të shkollave për të qenë të pranishëm në takime elektorale, vrasjet dhe dhunimet, lënë vend të kuptosh se vendi ynë po ndërton një diktaturë të re në demokracinë shqiptare. Një demokraci që nuk do ta dëshironte më askush ta jetonte në ditët e sotme.
Praktika ka treguar se në asnjë vend të botës nuk kanë jetuar bashkë Diktatura dhe Demokracia. Diktatura shqiptare i la plagët popullit të saj që ende nuk janë mbyllur përfundimisht, ndërsa Demokracia e porsalindur po përballet akoma me fundërrinat e diktaturës së mëparshme, që ende po drejton vendin tonë në emër të demokracisë. Fatkeqësisht, vendi po e udhëhiqet nga pushteti i parasë, nga pushteti që lindi dhe prodhoi mbivlerën në krahasim me mirëqenien dhe fukarallëkun e popullit. Pushteti që ka uzurpuar shtetin kërkon dhe po jeton me luksin. Blerja e makinës së kryeministrit, publikimi në media të disa vilave të sheikëve pushtetarë, tregon qartë jetën e pamerituar që bëjnë në kurriz të popullit. Këta pushtetarë që folën në emër të demokracisë, u zgjodhën nga populli për ti shërbyer dhe për të qenë shërbëtorë të tij, por në praktikë treguan se janë të aftë për të përvetësuar gjithçka që shohin, për të dhunuar dhe vrarë çdo kundërshtar që ka bindje të kundërta me ta, për të drejtuar dhe komanduar vendin atje ku nuk duhet.
Në emër të demokracisë shqiptare pushteti i sotëm jeton në një luks të atillë që as vetë nuk e beson, jeton përballë një Shqipërie të varfër, ku varfëria për ditë është bashkudhëtare me luksin e tyre të veshur me kostumin e pushtetit. Në 20 vitet e fundit në emër të demokracisë në vendin tonë lindi edhe Pushtetomania, që në emër të demokracisë po abuzon në kurriz të shoqërisë shqiptare. Emërimi i njerëzve të tyre të paaftë nga ana profesionale dhe rang miqësie në përfaqësitë tona diplomatike është pasqyra e pushtetit të sotëm. Në emër të Demokracisë shohim një qeveri shqiptare që vjedh dhe vret popullin e vet dhe më pas kërkon fajtorin në vend tjetër. Kjo qeveri nuk mund të jetë me e mirë se qeveritë e Lindjes së Mesme, nuk mund të jetë më e mirë se qeveritë fqinje greke apo serbe që vrasin dhe dhunojnë shqiptarët për interesat e tyre. Heshtja e saj përballë padrejtësive që u bëhen bashkatdhetarëve tanë jashtë, është lidhur ngushtë me interesa vetjake.
Në emër të demokracisë, përurimi i çezmave të ujit nga qeveria, kur nuk ka ujë, përurimi i rrugëve të reja e të asfaltuara, nga dora e korrupsionit dhe e krimit, nga dora e vrasjes së shpresës për një demokraci të vërtetë, duhet kuptuar si një fakt real dhe jo skenar. Mbi qeverinë Berisha rëndojnë shumë krime, të cilat duhet të fshihen nga makina e tij propaganduese, për të luftuar kundërshtarët njëlloj si diktatorët e vërtet. Kjo makinë propaganduese për të mbuluar krimet e qeverisë bëhet në mungesë të paaftësisë së Drejtësisë Shqiptare, themeli i demokracisë. Në emër të demokracisë, në ditët e sotme po shikojmë se fushata zgjedhore është e dhunshme dhe nuk ka asgjë të përbashkët me parimet demokratike. Konkretisht, KQZ-ja nga dita në ditë po merr vendime politike duke shkelur vetë edhe Kodin Zgjedhor ndaj ligjeve të vendit, ndërsa pushteti bën presione mbi administratat e punonjësve të shtetit, mbi arsimtarët dhe nxënësit e shkollave për të marrë pjesë në takime elektorale. Mësohet se rreth 40% e zgjedhësve ende nuk kanë kodin përkatës. Vendimi i KQZ-së për të detyruar televizionet tona për të pranuar kasetat e parapërgatitura nga propagandistët e partive politike ishte mbi të gjitha një vendim politik, duke zgjatur dorën atje ku nuk duhej.
Në emër të demokracisë po shohim premtime të mosbesueshme dhe propaganduese, mashtruese, Rama nga ana e tij kërkon votën me mesazhin e njohur: të heqim Saliun që po na vjedh, ndërsa Basha premton për një jetë të niveleve të larta botërore, hapjen e 100 mijë vendeve pune etj. Në emër të demokracisë, pushtetarët tanë i privojnë të drejtat morale dhe ekonomike popullit, të rinjve për të ndryshuar kombësinë dhe shtetësinë, ndërsa të tjerë të marrin malet për të emigruar. Një demokraci që askush nuk ka dëshirë për ta jetuar me një pushtet absolut ku po shet dhe po shkatërron këtë Shqipëri, ndërsa ne, pjesa e kësaj shoqërie hipokrite vazhdojmë ende të mbajmë këtë pushtet që shet Shqipërinë, vjedh dhe vret bijtë e vet. Uzurpimi i shtetit nga Berisha, i institucioneve kushtetuese dhe dikastereve në përgjithësi, gjykatat dhe prokuroria venë para përgjegjësisë jo vetëm qenërinë Berisha, por mbarë politikën shqiptare që po e drejtojnë vendin drejt një katastrofe të vërtetë. Përse vallë duhet të jetojmë një demokraci të tillë?...