Shqipëria, vendi ku korrupsioni nuk dënohet
Gazeta "SOT" 7/04/2011
Skandalet e përditshme tregojnë qartë se deri më sot asnjë dikaster, apo pushtetar nuk ka mbetur ende i pakorruptuar, duke filluar që nga kreu i qeverisë e deri tek roja apo shoferi i dikasterit. Në këtë drejtim, qeveria aktuale po jep shembullin më të keq në qeverisjen e vendit, duke e futur vendin tonë në listën e zezë, të atyre vendeve që nuk kanë asgjë të përbashkët me NATO, apo për integrimin në BE. Edhe pas 20 vjetësh, korrupsioni po mbetet problem i gjithë shqiptarëve, me protagonistë pushtetarët dhe qeverinë, duke na treguar se ky fenomen është një dukuri i pashmangshëm në periudhën tranzitore ku gjendet Shqipëria. Mbi të gjitha të këqijat mbetet ende vendi ku korrupsioni nuk dënohet.
Përgjigjen më të saktë nga qeveria, po e merr nga dita-ditës populli shqiptar, që përveç varfërisë po përballet edhe me fenomenin e korrupsionit. Politika në vendet e demokratizuara ka treguar se asnjë politikan me rrogën e tij nuk mund të pasurohet, por përkundrazi është korrupsioni që i pasuron këta. Këtë rrugë po ndjekin prej vitesh pushtetarët tanë, që në kurriz të popullit po pasurohen aq shumë, sa nuk u besojnë syve të tyre.
Korrupsioni në Shqipëri vazhdon të mbetet ende në shkallë të lartë si asnjëherë tjetër. Qeveria me gjithë masat dhe përpjekjet për të luftuar këtë fenomen negativ ka dështuar, pasi u përpoq ta luftojë atë jo brenda vetes, por jashtë saj. Zotimet e herëpashershme të kryeministrit Berisha për të luftuar korrupsionin, mbeten vetëm zotime. Si një politikan i vjetër, kryeministri shqiptar e ka të qartë se ky fenomen nuk mund të luftohet me fjalë, nuk mund të luftohet dhe të gjejë zbatim tek të tjerët, pa u luftuar në radhë të parë brenda qeverisë së tij. Kjo gjë po shihet sot, ku ky fenomen negativ ka futur në kthetra pothuajse gjithë shoqërinë duke filluar nga drejtësia që marrin ryshfete e deri tek kërcënimet e kriminelëve. Ngjarjet e Gërdecit apo vrasja e fundit e katër demonstruesve, zvarritja e qëllimshme e drejtësisë për të vënë para drejtësisë autorët, na lë të kuptojmë se vendi është i mbërthyer keq nga fenomeni korrupsion. Po kush mund ta luftojë më mirë këtë fenomen, se sa vetë qeveria me anën e drejtësisë? Një dukuri që është e lidhur ngushtë me funksionimin e shtetit, që deri më sot nuk po identifikon dobësinë e tij si funksion i korrupsionit dhe anasjelltas.
Rritja e standardeve profesionale në sistemin gjyqësor do të ndihmonte në luftën e korrupsionit. Por, a do të ishte e pranueshme kjo për një qeveri me pushtetarë të korruptuar? Sot nuk mund të gjesh një pushtetar të qeverisë, që emri i tij të mos jetë i qarkuar për korrupsion, por edhe sa kohë mund të presë shoqëria një gjendje të tillë me protagoniste qeverinë? Kush vallë mund të ndalë këta pushtetarë, sipas parimit "hajduti bërtet, kapeni hajdutin"? Investimet e fundit të qeverisë Berisha në ndërtimin e rrugëve pa kriter dhe pa hartuar në fillim kostoje ndërtimi, tregon se korrupsioni shtetëror e ka më të lehtë të vjedhë atje, pasi edhe paratë janë të pallogaritshme.
Fakti i rrugës Basha, zhdukja pa gjurmë e miliona euro, tregon se vendi ynë do vuajë akoma nën kthetrat e korrupsionit. Rastet e vjedhjes së pronës shtetërore dhe private janë të përditshme. Bashkëvjedhja në Shqipëri është produkt i qeverisjes njëlloj si të gjitha krimet e tjera, por me një ndryshim, ku fajtorët janë pushtetarët por që nuk dënohen
Në Shqipëri, kafenetë janë kthyer në “zyra”, vendi ku arrihen marrëveshje për korrupsion, por edhe marrëveshje për çështje gjyqësore, bile në disa raste jepen edhe paratë në mënyrë publike. Pak kohë më parë u duk sikur sistemi gjyqësor po përpiqej të çrrënjosë korrupsionin, apo paaftësinë drejtuese të një në dikasteri, po menjëherë u ndesh përballë forcës së kryeministrit shqiptar, për ta gjunjëzuar atë. Në asnjë vend të Evropës nuk shihen veprime të tilla, përplasje të kryeministrit me organet e drejtësisë. Lufta kundër korrupsionit nuk mund të ketë sukses pa një reformim të mëtejshëm të drejtësisë, të shkëputur nga politika. Ajo është sfida më e madhe përballë mbarë shoqërisë shqiptare.
A mund të pranohet në një vend evropian, rasti i Gjykatës së Lartë që pushoi çështjen e ish ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, akuzuar nga Prokuroria sëbashku edhe me 30 të tjerë përgjegjës për shpërthimin e depos me municione në mars të 2008? A mund të pranohet ndërhyrja e kryeministrit shqiptar në punët e brendshme të Prokurorisë, në një kohë kur shkelet çdo ligj dhe Kushtetuta?
Shqiptarët, nga keq udhëheqja drejtuese politike po humbasin çdo vlerë, ku interesat e pushtetarëve shikojnë më shumë xhepat e tyre, se sa interesat e popullit kanë edhe një fund. Ishin këto arsye që nisën në rang domino revoltat e popujve në Lindjen e Mesme. Durimi i popullit përballë një qeverie që pjell vetëm korrupsion, nuk mund dhe nuk duhet të jetë i pafund. Korrupsioni po tregon se është një produkt i drejtpërdrejtë i sistemit të djeshëm e të sotëm politik, që përçon interesat e një elite pushtetarësh pasurim sa më të shpejtë. Shoqëria duhet ta ketë të qartë se integrimi në BE, nuk është vetëm një objekt dëshire, nuk është gjthçka dhe as shpëtimtare në zgjidhjen e problemeve të tyre, pasi primare dhe e domosdoshme është ngritja e një shteti ligjor, ngritja e një shteti ku pushteti të jetë i ndarë nga shteti.
Thirrjet e dikurshme: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë” Evropa” duket se i takojnë`së kaluarës. Kjo për arsye se pjesa më e madhe kanë humbur ose po humbasin besimin, pasi dihet se nuk mund të ketë një integrim, pa patur në fillim identitetin e vendit demokratik. Demokratizimi i vendit duket në radhë të parë në ngritjen e një shteti ligjor, ku drejtësia të jetë e pavarur nga pushteti brenda kuadrit ligjor dhe kushtetues. Korrupsioni në Shqipëri mbetet një problem themelor për demokracinë shqiptare, si një zgjidhje e dorës së parë. Kjo gjë ka bërë që vendi të vlerësohet vend problematik në Evropë.
Një shtet i konsoliduar dhe legjitim, është e vetmja mundësi reale për të dalë nga vorbulla e korrupsionit, por deri më sot qeveria që ka uzurpuar shtetin ka dalë e pafuqishme. Këtë gjë e ka theksuar edhe ambasadori Arvizu, aleati i qeverisë Berisha, disa ditë më parë që pati theksuar se: “Korrupsioni është një problem që ka pushtuar gurët e themelit të shoqërisë shqiptare, qeverisjen, biznesin, arsimin, shëndetësinë, dhe të tjera. Populli shqiptar meriton më shumë. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë t’u bëjnë thirrje udhëheqësve shqiptarë të marrin hapa vendimtarë kundër korrupsionit”.
Ndërsa në janar të këtij viti "Reuters" gjatë një analize bërë vendit tonë për korrupsionin, konstatoi se në Shqipëri, korrupsioni nuk ndëshkohet dhe se shumica e rasteve të korrupsionit në vendin tonë kalojnë pa u ndëshkuar për shkak të nepotizmit dhe nivelit të ulët të pavarësisë së gjykatave. Si shembull në shkrim përmenden rastet e hetimit për ministrat Basha e Mediu, të cilët, jo vetëm nuk u dënuan, por janë sërish në qeveri. Në rastin më të fundit të korrupsionit, zv/kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta dorëzoi imunitetin e tij për ti hapur rrugë hetimeve për korrupsion. Kryeministri shqiptar, i cili ka nevojë për partinë e Metës për të vazhduar qeverisjen në koalicion, doli në mbështetje të zëvendësit të tij, duke e quajtur provën e filmuar si të montuar. Në Shqipëri për shkak të nepotizmit dhe nivelit të ulët të pavarësisë së gjykatave, duhet të jesh një gjykatës shumë trim, për të dënuar një person të rëndësishëm. Që një zyrtar të dënohet, ai ose duhet të jetë budalla, ose duhet të ketë humbur gjithë aleatët e tij politikë.
Në shkrimin analizë për korrupsionin, "Reuters" konstaton gjithashtu se megjithë presionin e madh të Bashkimit Evropian për ndëshkimin e korrupsionit, shumë pak është bërë në këtë drejtim. Kjo për shkak se rastet që përfundojnë në gjykatë janë të shumta, por në një mënyrë ose në një tjetër, çështja mbyllet aty, pa të dënuar. Nuk ka dyshim që korrupsioni në Shqipëri po ndjek të njëjtën strategji njëlloj me atë të vendit fqinj, Greqinë, që sot është kthyer në ditët më zymta të popullit të tij. Mos dënimi i korrupsionit në vendin tonë po e drejton vendin drejt një humnere të sigurtë me protagoniste vetë qeverinë…