Sunday, May 29, 2011

Cili vend demokratik do të dëshironte një qeveri të tillë...?



Gazeta "SOT" 2 mars 2011
Asnjë popull tjetër në Europë nuk mund të duronte kaq vite të tëra për plotësimin e nevojave elementare për jetën, të shoqëruar çdo ditë me korrupsionin politik. Çdo ditë media e shkruar publikon pasuritë marramendëse të ministrave të qeverisë Berisha, në një kohë kur nga këta të fundit nuk ka asnjë reagim konkret. Çfarë pritet nga këta ministra?
Demokracia në themel të saj ka kontrollin dhe transparencën ndaj qeverisë që udhëheq popullin, kontroll nga poshtë-lart e të gjithanshëm dhe jo mbrojtje të imunitetit të hajdutëve. Por të jetosh në Shqipëri me një demokraci imagjinare dhe aspak praktike, do të thotë se jemi një popull i tej duruar. Por edhe durimi ka një kufi. Por...?
Vendet e tjera të Evropës kanë ecur përpara dhe as që e mendojnë vjedhjen e votës, ryshfetet etj. Të ecësh përpara në rrugën e integrimit nuk është vetëm një çështje dëshire, sesa një detyrim politik. Po a mundet që ne të ecim përpara me një demokraci të plagosur në një kohë kur në mbarë politikën shqiptare ka vetëm urrejtje, urrejtje për të mbetur në pushtet. “De facto”, Shqipëria tenton të ecë përpara dhe të barazohet me vendet e Europës, një dëshirë e madhe kundrejt një mentaliteti ballkanik, që herë pas herë shfaqet në politikën shqiptare. Çdo ditë populli shqiptar ndeshet përballë të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe rrallë përballë realitetit. Gënjeshtra dhe mashtrimi janë binomi i jetës së politikës së sotme shqiptare.
Të mirën mbarë shoqëria jonë do ta kishte kur kjo politikë të ishte në shkallën e duhur dhe jo të punonte për interesat vetjake. Abuzimet dhe korrupsionet e ndryshme në kurriz të popullit tregojnë se politika e sotme ka një ngritje profesionale në premtime dhe mashtrime, përballë një populli të vuajtur të çon vetvetiu në pyetje se, a mund të luftohet mashtrimi dhe korrupsioni nga njerëz të korruptuar? Futja e Shqipërisë në NATO, si dhe liberalizimi i vizave po tregon se pushteti po pret nga të tjerët, për ta shtyrë në rrugën e integrimit, në një kohë kur me punën e vet duhet të tregonte me fakte, se dëshiron të ndërtojë shtetin e saj demokratik larg çdo abuzimi. Ngjarjet tragjike të 21 janarit na dhanë qartë se pushteti ka uzurpuar tërë shtetin. Kryeministri doli para popullit të tij në rolin e hetuesit, gazetarit, prokurorit etj, duke shkelur çdo parim elementar demokratik.
Pjesa më e madhe e shoqërisë nuk është ende një shoqëri demokratike, pasi përballet jo më nga ligji demokratik, por nga ligji klanor, politikanë apo njerëz që kanë pushtuar majat e pushtetit, që edhe këtë e përdorin për interesat vetjake. Pushteti i sotëm përbën vetë shtetin që është përfaqësues i një shoqërie, që nuk gëzon sa duhet autoritetin e shtetasve të vet, si dhe jo më të fitojë respektin dhe mbështetjen e ndërkombëtareve.
Askush nuk dëshiron që pushteti të veprojë në kundërshtim me ligjet e vendit, duke e drejtuar vendin në humnerë. Veprimet e njëpasnjëshme që bien në kundërshtim me Kushtetutën e vendit kanë shprehur hapur qëndrimet antidemokratike të qeverisë, tashmë më se të njohura. Pretendimet e qeverisë nëpërmjet ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë e Informacionit e të Komunikimit, të z. Genc Pollo lidhur me regjistrimin e popullsisë në deklarimin e fesë, në një kohë që nuk ndodh në asnjë nga 27 vende anëtare të BE, është një veprim antikombëtar dhe i rrezikshëm.
Qeveria kërkon të hapë plagë kur nuk ka, kërkon të hapë konflikte kur ato nuk ekzistojnë. Kjo tregon se qeveria aktuale është një qeveri e pa parashikueshme për të ardhmen. Gabimet e njëpasnjëshme kanë të bëjnë me psikologjinë apo mentalitetin e një udhëheqësi i dalë nga komunizmi dhe që përbën një realitet të hidhur. Sundimi i këtij udhëheqësi në këtë mënyrë antikombëtare nuk ka asgjë të përbashkët me një koleg të një vendi të BE. Kjo u pa edhe në marrëveshjen për vendosjen e kufirit detar ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, ku Berisha gjunjëzohet para Greqisë, në një kohë kur kjo e fundit ka bërë 67 takime me Turqinë dhe akoma dy vendet nuk ranë dakord për vendosjen e kufirit detar.
Ngritja e varrezave të reja greke në pikat më strategjike të vendit, prishja e monumenteve të kulturës, si ai manastirit të vjetër të Shën Kollit në grykën e Mezhgoranit dhe ngritja e varrezave të reja greke, tregon se “Kali i Drurit” është futur në Shqipëri nga qeveria jonë. Po kush forcë mund të ndalë qeverinë aktuale për të mos kryer veprime të tilla antikombëtare. Kush vend demokratik do te kishte dëshirë të kishte një qeveri të tillë...? Berisha i sotëm po të kishte një dëshirë dhe vullnet të mirëfilltë politik për interes të kombit, ai mund të kishte bërë të pamundurën në të mundur dhe jo të flasë me gjuhën e urrejtje dhe të banalitetit. Po a mundet që Europa të na pranojë kështu, se si ne po paraqitemi para saj...?