Demokracia, kërkon një kryeministër për gjithë shqiptarët
07 Shtator
Shkruar në gazetën “SOT”
Sa mirë do të ishte që vendi ynë të kishte një parlament dhe një kryeministër për të gjithë shqiptarët dhe jo më partiak. Fatkeqësisht “Qeveria Berisha” po jep shembullin më të keq në qeverisjen e vendit, përballë një populli të lodhur e të varfër por të duruar, me sindikata të paralizuara dhe organizma të tej politizuara, me një rini të heshtur dhe të pajtuar me regjimin aktual. Sot integrimi i vendit me një demokraci të vërtetë më shumë se kurrë ka nevojë për një kryeministër dhe për një Parlament për gjithë shqiptarët, pasi kështu e kërkojnë interesat e kombit. Për interesat e kombit shqiptar nuk ka më vetëm rëndësi se kush po udhëheq vendin, po rëndësi ka se çfarë lë pas Ai udhëheqës. Koha kërkon një kryeministër dhe një Parlament të të gjithë shqiptarëve dhe jo një kryeministër me një parlament partiak dhe qesharak. Nga ana tjetër opozita edhe pse nuk udhëheq vendin shumë herë akuzohet dhe ironizohet nga kryeministri Sali Berisha, duke ia faturuar të gjitha të këqijat e vendit asaj. Kabllogramet e publikuara kohët e fundit treguan qartë se në duart e kujt regjimi kanë rënë fatet e Shqipërisë, regjim i pjellë nga ish diktatura komuniste, sot instaluar në tip mafie të egër “Made in SalAlbania”.Gjithashtu kabllogramet vulosën përfundimisht se në demokracinë e brishtë shqiptare, shumica e partive politike përfaqësojnë interesa të ngushta materiale, ose të disa klasave, duke dëmtuar jo pak imazhin e tyre politik. Pothuajse e gjithë klasa politike është përlyer dhe ka shfrytëzuar pushtetin politik për interesa personale, duke lënë mënjanë interesat kombëtare. Rastet e fundit të korrupsionit treguan për një mungesë transparence në investime të ndryshme ekonomike, në favor për interesa të tyre, që është një tregues kuptimplotë se në duart e kujt kanë rënë fatet e popullit. Mungesa e një opozite serioze i hapi rrugë korrupsionit të regjimit Berisha të bëjë ç’të dojë e kur të dojë, deri në atë fazë sa të mos kursejë as kufijtë e vendit. Kryeministri shqiptar nuk ka asgjë të ngjashëm, asgjë të përbashkët me kryeministrat e vendeve të tjera demokratike. Me veprat e tij mizore, Saliu mund të rreshtohet për krah diktatorëve të vendeve të Lindjes së Mesme, Mubarakut, Gadafit etj.
Saliu e ka të qartë se dështimi i tij në politikë do ti kushtojë shumë, prandaj bëri çmos që të vidhte votat përsëdyti herë përballë një opozite aspak serioze.Në teori, çdokush prej nesh është i lirë të mendojë e të vendosë ashtu siç e gjykon, për të mirën e përgjithshme, për të zgjedhur figurën politike që beson, për demokracinë. E pikërisht mbi këtë liri të shprehjes e të barazisë u mbështet dhe u ndërtua demokracia e sotme. Por në praktikë regjimi Berisha përmbysi çdo gjë duke e çuar vendin edhe disa vite prapa, duke renditur edhe pas Ugandës që zgjedhjet parlamentare i bëri më mirë se Shqipëria.Kabllogramet çdo ditë na tregojnë se Pushteti është në kurriz të shoqërisë që disave në Shqipëri u është dhënë "e drejta" që partinë që iu besua, ta trajtojnë si një çiflig të vetin. Sikur të mos mjaftojë kjo, një pakicë njerëzish të veshur me pushtetin që u dha populli, brenda një periudhe të shkurtër janë pasuruar aq shumë, saqë sot nuk u besojnë dot as syve të tyre. Kjo falë edhe drejtësisë shqiptare. Demokracia nuk është vendi i këtyre parazitëve, por mesa duket demokracia shqiptare i pranon ata në trupin e saj të brishtë.
Këta drejtues pushteti, të cilët uzurpuan shtetin, e tani janë thjesht e vetëm parazitë në kurriz të shoqërisë, duket se janë bërë të pathyeshëm. Ata zhvillohen gjithnjë e më shumë në një demokraci të brishtë, si ajo në Shqipërinë e pas-diktaturës 50-vjeçare. Mësuan shumë nga kjo diktaturë. Populli po ndeshet përballë një rreziku real, përballë një regjimi që sot po vë në dilemë se çfarë demokracie duam të pranojmë. Demokraci Europiane apo regjim Berishian? Por fatkeqësisht ish komunisti i zjarrtë Sali Berisha, me një këmbëngulje dhe kokëfortësi po na servir që të pranojmë regjimin "Berisha". Nga ana tjetër regjimi Berisha lufton me çdo mënyrë opozitën që kjo e fundit të mos ekzistojë më. Ai nuk kursen as edhe fjalorin e tij të “pasur” ofendues në ambientet publike, duke ulur imazhin e vendit dhe të personalitetit të tij. Në të kundërtën, në një shtet demokratik evropian, qeveria përbën vetëm një element që bashkëjeton në kuadrin e një strukture shoqërore të përbërë prej institucionesh, dikastere partish politike, organizatash dhe shoqatash të ndryshme.
Demokracia është sistem ku shtetasit marrin lirisht vendime politike, duke zbatuar parimin e sundimit të shumicës. Protestat dhe grevat apo demonstratat janë të pranueshme në shoqërinë demokratike, duke përjashtuar çdo lloj dhune. Ngjarjet e 21 janarit treguan se në Shqipëri mungojnë themelet e demokracisë së vërtetë. Një shembull të keq në këtë drejtim po dha vetë kreu i qeverisë, që pasi vrau në mes të ditës në bulevard, sot po bën rolin e gazetarit, hetuesin, gjykatësin, prokurorin, policinë etj, duke mos patur parasysh se është kryeministër i gjithë vendit dhe jo vetëm i pjesës së elektoratit të tij. Po pas nuk mbetet edhe Parlamenti në mungesë të një edukate të përgjithshme dhe profesionalizmi është kthyer në kupolë partiake dhe një çështje urrejtje ndaj kujtdo që mund të ngrejë zërin për korrupsion etj.Demokracia shqiptare e ndërtuar mbi themelet e ish komunizmit u ka dhënë të drejtën krerëve të pushtetit që, për të na qeverisur, të na vrasin, të premtojnë, të na gënjejnë e të na mashtrojnë sa herë që duan, vetëm e vetëm për të veshur kostumin e pushtetit, së bashku me kravatën politike. U ka dhënë mundësi që, kur marrin në duar frenat e drejtimit të vendit, pa pasur turp e dinjitet të luajnë me fatet e popullit tonë, duke na treguar se pa ta vendi do të shkonte në katastrofë (më parë, ata sigurisht që kanë siguruar jetën e familjeve dhe fëmijëve të tyre). Për të punësuar nipërit dhe mbesat e tyre, dyfishojnë numrin e personelit të ambasadave tona. E ndaj abuzimi nën emrin e demokracisë u dha të drejtën atyre që, para popullit të jenë ata, e pastaj ne, populli i thjeshtë. Në emër të demokracisë na vidhen votat në mes të ditës.
Në emër të demokracisë, në krye të KQZ-së vendosen njerëz që më parë janë dënuar për ryshfet, e për të cilët më parë është marrë edhe pëlqimi i dy partive më të mëdha të vendit. Në emër të demokracisë zënë karrigen për në Parlament njerëz që nuk e meritojnë, pasi priten të dalin para drejtësisë. Në emër të saj vidhen miliona euro dhe ata që duheJ të dilnin para drejtësisë sot drejtojnë dikastere dhe Bashkinë e Tiranës. Në emër të demokracisë na flasin kur zihen ngushtë dhe kur duhet të japin llogari para drejtësisë etj. Por nga ana tjetër demokracia nuk mund të qëndrojë në këmbë e të ecë përpara pa qytetarët. Populli voton për qeverinë që dëshiron ta udhëheqë atë dhe shtetin. Është pikërisht populli Ai që u jep besimin disave për të qenë në krye të shtetit. Por në Shqipëri ndodh ndryshe.
Demokracia u ka "lejuar" që në emër të saj, çdo gjë të legalizohet, edhe pse prish interesat e shoqërisë dhe mbarë kombit. Për të mbajtur pushtetin, ata legalizojnë qindra objekte e banesa të pamiratuara, në kundërshtim me ligjin mbi urbanistikën. Për të ndërtuar shkatërrojnë me urrejtje atë që ish ndërtuar më parë.Ata, pra, që u qëndrojnë në krye partive politike dhe politikës, nuk qëndrojnë duarkryq ndaj shtypit të lirë, kur e shikojnë se u dalin skandalet, marrin masa në mënyrat e tyre. Flasin dhe premtojnë, pasi e dinë se sa më shumë të premtojnë, aq më shumë do t'i besojmë. I japin popullit karta identiteti, kur vetë janë të parët që nuk i njohin ato. Premtojnë e premtojnë, por në fund nuk të thonë as "na falni se bëmë gabim", pasi këto fjalë nuk i njohin më. Miratojnë ligje penale dhe statute partie, në një kohë kur janë të parët që nuk i zbatojnë, por luajnë me to si pa të keq.
Në emër të demokracisë abuzohet deri aty, sa vetë Kryeministri tallet dhe luan me ndjenjat e popullit, premton dhe bën sikur harron. Mburret kur duhej të bëj autokritikë për ato premtime të kota. U harrua Shqipëria një euro?...Berisha me shokë bëjnë sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë, që edhe Shqipëria të integrohet sa më parë në familjen europiane, pasi më parë na kanë vjedhur votën, por më pas na lënë në mëshirën e fatit. Demokracia "i lejon" të gjitha këto. Ashtu sikurse na lejon edhe ne të "flemë" në indiferentizmin tonë, për të cilin, nesër nuk do të na falë askush. Edhe pse vendi drejtohet nga qeveria, fajet për këtë vend ja faturohen opozitës. Rinia e sotme jeton akoma në botën e saj adoleshente, duke qëndruar larg rolit të rinisë së vendeve të tjera. Mazhoranca është e dominuar tërësisht nga Berisha, që vazhdon me kokëfortësi të mohojë ekzistencën e krizës politike në vend, edhe pse konkretisht ajo ekziston që nga 28 qershori i vitit të kaluar.
Mazhoranca nuk dëgjon kritikat apo udhëzimet e partnerit dhe faktorin e huaj. Ngërçi politik vë mazhorancën para përgjegjësisë direkte për zgjidhjen e krizës si forcë politike që udhëheq vendin në mungese të një kryeministri dhe Parlamenti të të gjithë shqiptarëve, të një regjimi “de facto”. E keqja e vendit tonë nuk është opozita por vetë Saliu...