Abuzimet në emër të demokracisë
Gazeta “SOT” 8 Mars 2011
(Vendit i duhet një kryeministër dhe Parlament për gjithë shqiptarët)
Qeveria po jep shembullin më të keq në qeverisjen e vendit, përballë një populli të lodhur e të duruar, nga sindikata të paralizuara dhe organizma të tej politizuara. Vendi ka nevojë për një kryeministër dhe Parlament për gjithë shqiptarët, pasi kështu e kërkojnë interesat e vendit. Për vendin tonë nuk ka më vetëm rëndësi se kush po udhëheq vendin, po një rëndësi ka se çfarë ai lë pas. Vendi ka nevojë për një kryeministër dhe një Parlament të gjithë shqiptarëve dhe jo partiak.
Sot, në demokracinë e brishtë shqiptare, shumica e partive politike përfaqëson interesa të ngushta materiale, ose të disa klasave, duke dëmtuar jo pak imazhin e tyre politik. Mungesa e transparencës në investime të ndryshme ekonomike për interesa të tyre është një tregues kuptimplotë përballë elektoratit. Nga ana tjetër, partitë politike, të përfaqësuara nga shtresa e popullit, pa bërë dallim, të pasur apo të varfër, do të mbeteshin gjithnjë të pashmangshëm nga misioni i tyre historik. Moskryerja e misionit ndaj situatave dhe kërkesave në kohë do rriste pakënaqësinë e elektoratit. Lidhur me këtë, Uinston Çërçill ka theksuar: "Demokracia është forma më e keqe shtetërore, me përjashtim të të gjitha të tjerave". Çdokush prej nesh është i lirë të mendojë e të vendosë ashtu siç e gjykon, për të mirën e përgjithshme, për të zgjedhur figurën politike që beson, për demokracinë. E pikërisht mbi këtë liri të shprehjes e të barazisë u mbështet dhe u ndërtua demokracia e sotme.
Pushteti në kurriz shoqërisë
Por ja që disave në Shqipëri u është dhënë "e drejta" që partinë që iu besua, ta trajtojnë si një çiflig të vetin. Sikur të mos mjaftojë kjo, një pakicë njerëzish të veshur me pushtetin që u dha populli, brenda një periudhe të shkurtër janë pasuruar aq shumë, saqë sot nuk u besojnë dot as syve të tyre. Demokracia nuk është vendi i këtyre parazitëve, por mesa duket demokracia shqiptare i pranon ata në trupin e saj të brishtë. Këta drejtues pushteti, të cilët uzurpuan shtetin, e tani janë thjesht e vetëm parazitë në kurriz të shoqërisë, duket se janë bërë të pathyeshëm. Ata zhvillohen gjithnjë e më shumë në një demokraci të brishtë, si ajo në Shqipërinë e pas-diktaturës 50-vjeçare. Populli po ndeshet përballë një rreziku real, përballë një regjimi që sot po vë në dilemë se çfarë demokracie duam të pranojmë. Qeveria Berisha, me një këmbëngulje dhe kokëfortësi po na servir që të pranojmë demokracinë tip “Berisha”.
Në një shtet demokratik evropian, qeveria përbën vetëm një element që bashkëjeton në kuadrin e një strukture shoqërore të përbërë prej institucionesh, dikastere partish politike, organizatash dhe shoqatash të ndryshme. Demokracia është sistem ku shtetasit marrin lirisht vendime politike, duke zbatuar parimin e sundimit të shumicës. Protestat dhe grevat apo demonstratat janë të pranueshme në shoqërinë demokratike, duke përjashtuar çdo lloj dhune. Një shembull të keq në këtë drejtim po jep vetë kreu i qeverisë, pasi sot po bën rolin e gazetarit, hetuesin, gjykatësin, prokurorin, policinë etj, duke mos patur parasysh se është kryeministër i gjithë vendit dhe jo vetëm i pjesës së elektoratit të tij. Po pas nuk mbetet edhe Parlamenti në mungesë të një edukate të përgjithshme dhe profesionalizmi është kthyer në kupolë partiake dhe një çështje urrejtje ndaj kujtdo që mund të ngrejë zërin për korrupsion etj.
Na premtojnë, na mashtrojnë, luajnë dhe me fatet tona
Demokracia u ka dhënë të drejtën krerëve të pushtetit që, për të na qeverisur, të na premtojnë, të na gënjejnë e të na mashtrojnë sa herë që duan, vetëm e vetëm për të veshur kostumin e pushtetit, së bashku me kravatën politike. U ka dhënë mundësi që, kur marrin në duar frenat e drejtimit të vendit, pa pasur turp e dinjitet të luajnë me fatet e popullit tonë, duke na treguar se pa ta vendi do të shkonte në katastrofë (më parë, ata sigurisht që kanë siguruar jetën e familjeve dhe fëmijëve të tyre). Për të punësuar nipërit dhe mbesat e tyre, dyfishojnë numrin e personelit të ambasadave tona. E ndaj abuzimi nën emrin e demokracisë u dha të drejtën atyre që, para popullit të jenë ata, e pastaj ne, populli.
Gjithçka, në emër të demokracisë
Në emër të demokracisë na vidhen votat në mes të ditës. Në emër të demokracisë, në krye të KQZ-së vendosen njerëz që më parë janë dënuar për ryshfet, e për të cilët më parë është marrë edhe pëlqimi i dy partive më të mëdha të vendit. Në emër të demokracisë zënë karrigen për në Parlament njerëz që nuk e meritojnë, pasi priten të dalin para drejtësisë. Në emër të demokracisë na flasin kur zihen ngushtë dhe kur duhet të japin llogari para drejtësisë etj. Dihet që demokracia nuk mund të qëndrojë më këmbë e të ecë përpara pa qytetarët. Dihet po ashtu se populli voton për qeverinë që dëshiron ta udhëheqë atë dhe shtetin. Është pikërisht populli ai që u jep besimin disave për të qenë në krye të shtetit. Por në Shqipëri ndodh ndryshe. Demokracia u ka "lejuar" që në emër të saj, çdo gjë të legalizohet, edhe pse prish interesat e shoqërisë dhe mbarë kombit. Për të mbajtur pushtetin, ata legalizojnë qindra objekte e banesa të pamiratuara, në kundërshtim me ligjin mbi urbanistikën. Ata, pra, që u qëndrojnë në krye partive politike dhe politikës, nuk qëndrojnë duarkryq ndaj shtypit të lirë, kur e shikojnë se u dalin skandalet, marrin masa në mënyrat e tyre. Flasin dhe premtojnë, pasi e dinë se sa më shumë të premtojnë, aq më shumë do t’i besojmë. I japin popullit karta identiteti, kur vetë janë të parët që nuk i njohin ato. Premtojnë e premtojnë, por në fund nuk të thonë as "na falni se bëmë gabim", pasi këto fjalë nuk i njohin më. Miratojnë ligje penale dhe statute partie, në një kohë kur janë të parët që nuk i zbatojnë, por luajnë me to si pa të keq. Në emër të demokracisë abuzohet deri aty, sa vetë Kryeministri tallet dhe luan me ndjenjat e popullit, premton dhe bën sikur harron. U harrua Shqipëria një euro?...
Japin dhe jetën…?
Ata bëjnë sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë, që edhe Shqipëria të integrohet sa më parë në familjen europiane, pasi më parë na kanë marrë votën, por më pas na lënë në mëshirën e fatit. Demokracia "i lejon" të gjitha këto. Ashtu sikurse na lejon edhe ne të "flemë" në indiferentizmin tonë, për të cilin, nesër nuk do të na falë askush Edhe pse vendi drejtohet nga qeveria, fajet për këtë vend ja faturohen opozitës.
Mazhoranca është e dominuar tërësisht nga Berisha, që vazhdon me kokëfortësi të mohojë ekzistencën e krizës politike në vend, edhe pse konkretisht ajo ekziston që nga 28 qershori i vitit të kaluar. Mazhoranca nuk dëgjon kritikat apo udhëzimet e partnerit dhe faktorin e huaj. Ngërçi politik vë para përgjegjësisë direkte për zgjidhjen e krizës mazhorancën si forcë politike që udhëheq vendin në mungese të një kryeministri dhe Parlamenti të të gjithë shqiptarëve. Por deri kur…?