Saturday, September 10, 2011

Shqipëria nuk “shet” det në këmbim të integrimit në B




Zoti Lambrinidis, Shqipëria nuk e ka në nderin e saj të “shesë” det apo ishuj në këmbim për integrim në familjen evropiane! Shqipëria nuk është Greqi. Ju gjithnjë kini ditur ta përdorin mirë diplomacinë e jashtme ndaj Shqipërisë në shërbim të interesave tuaja shoviniste. Ju si një vend fqinj, kur nuk e keni arritur në rrugë diplomatike, keni përdorur presione dhe incidente të ndryshme. Deri më sot marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve bënë të mundur të lidhen 65 marrëveshje të përbashkëta, por asnjë marrëveshje kundër heqjes së “Ligjit të Luftës”, ashtu si nuk duhet të harrojmë se keni kryer edhe shumë incidente të rënda ndaj Shqipërisë. Zoti Lambrinidis, i thoni Papandreut se, Shqipëria nuk “shet” det dhe as ishuj, në këmbim të integrimit për në BE! Ne nuk jemi grekë, por shqiptarë dhe krenarë…! Shitja e detit përbën një krim të shtetit, të një shteti serioz, e jo të një qeverie që firmos një marrëveshje kufiri, çështje kombëtare në mungesë të një transparence. Shqipëria nuk ka asnjë arsye të shesë detin, pasi nuk e ka shitur kur ka qenë më keq se sot. Qeveria shqiptare nuk duhet ta mendojë këtë gjë dhe jo më ta bëjë realitet. Sovraniteti nuk shitet. Kjo realizohet kur në krye të shtetit ke një president dhe një kryeministër me ideale të pastra patriotike, kur ke një parlament me politikanë që u dhimbset Shqipëria. Qeveria shqiptare nuk duhet ta shesë Shqipërinë për plotësimin e kërkesave të helenëve. Shqipëria nuk është Greqi që nxjerr në shitje tokën e saj, por ajo është dhe do mbesë Shqipëri, kushdo që ta qeverisë atë. Qeveritë janë gjithnjë kalimtare dhe koha si barometer i ka gjykuar këto. Gabimet janë për njerëzit, por kur përsëriten nuk janë më të tilla, por janë faje dhe krime.Fatkeqësisht koha ka treguar se vendi po udhëhiqet nga njerëz udhëheqës pa ideale e dinjitet, që nuk kanë ngjashmëri me udhëheqës të vendeve të tjera demokratike. Korrupsionet mafioze të qeverisë shqiptare na kujtojnë fjalët e ish kreut të diplomacisë greke, zj. Dora Bakojani, që konsideroi marrëveshjen e 28 prillit të 2009, si një arritje strategjike për Greqinë. Një strategji ndërtuar mbi interesat kombëtare të Greqisë ndaj vendit tonë. Natyrisht kjo me firmën dhe vulën e udhëheqësve shqiptarë, që po e trajtojnë vendin si një çiflig të familjes së tyre.Mediat vendase dy javë më parë informonin për vizitën e Ministrit të Jashtëm grek, Stavros Lambrinidis në Ballkan, për një përkrahje të këtyre vendeve në anëtarësimin në BE. Një lëvizje që për politikën shqiptare padyshim do të sillte përsëri në tavolinë kërkesën e grekëve për kufirin ujor, një kërkesë e shovinizmit grek që fatkeqësisht dy vite më parë kishte gjunjëzuar kryeministrin shqiptar Sali Berishën. Përsëri shovinizmi grek me anën e kryeministrit Papandreu ngul këmbë për t’i gllabëruar Shqipërisë një pjesë të truallit të saj, atë që nuk bëri të mundur më 28 prill të 2009 nga ish kryeministri Karamanli. Ndërsa sot, dy vite më pas më 12 shtator të 2011, ministri i Jashtëm grek z. Lambrinidis do vizitojë Shqipërinë dhe do t’i kujtojë Tiranës detyrimet që ka ndaj Brukselit, si dhe përmbushjen sa më shpejt të 12 pikave, pasi në muajin tetor Komisioni Europian do të bëjë raportin e vlerësimeve mbi ecurinë e vendit, lidhur me kërkesën për statusin e vendit kandidat. Lambrinidis sëbashku me homologun italian z. Franco Frattini do tentojnë që të nxisin dialogun politik për një sere reformash që nevojiten në rrugën drejt kandidimit për në BE. Ardhja e tij në Tiranë bëhet kur tre ditë më parë në Bruksel kreu i lartë i Diplomacisë greke i dha mbështetjen e plotë për anëtarësim Serbisë, e më pas edhe në Beograd.Sikur të mos mjaftojë kërkesa për “shitjen e detit” misionari grek do të hedhë në tavolinë edhe problemin e minoritetit grek, ankesat e tyre lidhur me regjistrimin e popullsisë në Shqipëri. Vizita e këtij misionari të lartë grek në vendin tonë bëhet pikërisht në një kohë kur marrëdhëniet e Greqisë me Turqinë janë të tensionuara si asnjëherë tjetër. Turqia jo pak herë i ka kujtuar Greqisë që të mos ta mendojë për asnjë çast që të bëjë kërkime për naftë dhe gaz në ishujt e vet pranë kufirit ujor me Turqinë. Ishin bashkëpunimi i Qipros me Izraelin lidhur me kërkimet e përbashkëta të burimeve natyrore që kanë tensionuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve fqinje Greqi-Turqi.Kriza që ka mbërthyer Greqinë e detyron tashmë atë të kërkojë shtigje të reja, duke vënë në radhë të parë politikën shoviniste ndaj vendeve fqinjë. Greqia u nxitua t’ia bënte këtë kërkesë qeverisë shqiptare, pasi e dinte mirë që në fillim se kush e udhëhiqte këtë vend. Athina realizoi programin e saj të hartuar më 1991 nga Kostandino Micotakis. Një meritë për këto ka edhe kryeministri ynë Sali Berisha që për karrigen nuk kursen interesat kombëtare, por gjithmonë krijon probleme të paqena me vendin fqinjë. Këto dhurata prej tij u panë në të gjitha marrëveshjet që Saliu ka bërë me vendin fqinje, gjithnjë në dëm të interesave të kombit. Shqipëria nuk ka asnjë arsye të shesë pjesë të truallit të saj, ajo nuk është Greqi. Populli shqiptar kërkon integrimin për në familjen europiane pasi e meriton këtë. Ajo nuk ka nevojë të bëjë allishverish për integrim në familjen europiane. Po të ekzistonte një politikë serioze vendi edhe mund të ishte sot kandidat për në BE, ashtu sikundër Serbia që në muajin dhjetor ka mundësi të futet në BE edhe pse doli e shkatërruar dhe e coptuar nga lufta.Përsa i përket këtij problemi dimë gjithashtu se në të njëjtat kushte Greqia është edhe me Turqinë, ku për gjatë gjithë bregdetit nuk ka një kufi të vijëzuar në mënyrë zyrtare. Por këto vende ende nuk kanë bërë të mundur për të bërë një marrëveshje ashtu siç bëri Shqipëria. Theksojmë se ndërmjet Greqisë dhe Turqisë janë bërë 47 takime zyrtare lidhur me vijën kufitare detare, por siç dihet Turqia ka pretendime të tjera, duke i kërkuar helenëve spostimin ekzistues edhe 6 milje të tjera. Konformimet dhe problemet ndërmjet dy vendeve ndikuan që Turqia të presë akoma për anëtarësim edhe pse ka mbi 10 vjet si kandidate.Dihet që ekziston një vijë kufitare në mes Shqipërisë dhe Greqisë, pranuar deri më sot në heshtje, ashtu siç ekziston njëlloj ndërmjet Greqisë dhe Turqisë. Por siç dihet po të marrim për bazë ratifikimin e bërë më 28 prill të 2009, Shqipëria humbet mbi 354 km2, por e keqja nuk është vetëm kjo, pasi një marrëveshje e tillë mund të nxjerrë në sipërfaqe probleme të tjera të paqena. Por një shqetësim është dhe mbetet përse nxitohet Greqia në këtë drejtim ku ka një sërë problemesh më jetike, si dhe përse firmos qeveria shqiptare në mungesë të një transparence? Por ministri i Jashtëm grek na citon edhe njëherë që: “Kjo marrëveshje është e nënshkruar nga dy shtete të lira, prandaj presim që kjo marrëveshje të implementohet. Ne dëshirojmë që Shqipëria të jetë si vendet në rajon, në një pozitë që të jetë një vend kandidat. Ne dëshirojmë që Shqipëria të ketë perspektivë dhe ardhmëri në BE. Kemi investuar shumë në rajon dhe vazhdojmë të investojmë aty dhe të kemi marrëdhënie të mira me Shqipërinë”. Është e vërtetë që Greqia ka investuar për Shqipërinë, këtë nuk e mohon njeri. Por pyetja bëhet përse u bë gjithë ky investim, për të mirën e Shqipërisë apo për interesat e Greqisë?. Të kesh marrëdhënie të mira me Shqipërinë nuk do të thotë që kur të jep dorën t’i marrësh krahun. Shqipëria nuk do integrim me këmbim. Kjo më shumë edhe për qeverinë shqiptare, si një qeveri kalimtare…