Wednesday, October 19, 2011

Agjensia e Lajmeve SOT - Komente dhe Analiza Korupsioni politik, një hambar plehrash në Shqipëri


Gazeta “SOT” 19 Tetor 2011

Është ky korrupsion, që mbasi ka humbur integrimin për në BE qeveria shqiptare i ka kthyer sytë nga biznesi i plehrave dhe mbetjeve urbane, pasi fitimet në këtë biznes plehrash janë disa herë më të mëdha se sa mendohet। Në vendet e tjera, ky biznes plehrash është respektuar si një nga bizneset më të pista të sistemit politik, por si një nga bizneset më të mëdha të kohës।Sot, pushteti i vjedhjeve, krimit dhe i “plehrave” tenton të hapë edhe një problem tjetër të rrezikshëm për sovranitetin, menaxhimin e plehrave të Evropës. Jo pa qëllim, kohët e fundit në vendin tonë po bëhet gjithë kjo luftë lidhur me menaxhimin e plehrave, aq sa ka përfshirë edhe vetë presidentin e vendit. Praktikat në vendet e tjera kanë treguar se mbledhja e tyre e deri tek hedhja përfundimtare, përbën biznesin e tretë më të madh në botë. Për nga fitimi ky biznes plehu i pagëzuar në Shqipëri me termin shkencor “menaxhim” vjen pas biznesit të shitjes së drogës dhe të armatimeve.

Menaxhimi i plehrave ka një kosto të lartë dhe kjo padyshim do dalë nga xhepat e qytetarëve dhe do të shkojë në xhepat e disave. Menaximi i plehrave, në radhë të parë kërkon pastrimin e sistemit politik nga plehrat e tij dhe më pas menaxhimin e tyre. Në disa vende të BE, menaxhimi i tyre bëhet nga shteti nëpërmjet bashkisë së qytetit, ndërsa në vendin tonë flitet se ky menaxhim bëhet nga një firmë private austriake, ndërsa menaxhimi i energjisë elektrike nëpërmjet firmës çeke ÇEZ. Kjo tregon se jemi të aftë të prodhojmë dhe të paaftë për menaxhim. Pushteti i mbërthyer në ethet e korrupsionit dhe të krimit tenton që të kthejë vendin në një magazinë të përpunimit të plehrave të Evropës, e më pas të kalojë në privatizim dhe direkt në duart e një firme të huaj.

Në Greqi ka më se dhjetë ditë që punonjësit e këtij sektori janë hedhur në greva në plotësim të kërkesave të tyre, si kundërpërgjigje qeveria ka hedhur për pastrim kompani private duke punësuar edhe emigrantë të paligjshëm aziatë apo arabë. Kjo ndodh, pasi kompani të fuqishme greke kanë hedhur kthetrat për të kaluar në duart e tyre. Analistët vendas dhe të huaj theksojnë se biznesi i menaxhimit të plehrave është fitimprurës dhe renditet i treti në botë për nga fitimet ekonomike. Pak ditë më parë, zv/ministri i Mjedisit z. Taulant Bino, deklaroi se për menaxhimin e mbetjeve po hartohet një strategji që do të kushtojë 15 deri në 200 milionë euro. Pra që në hartimin e strategjisë vihet re shuma e parave fillon me 15 milionë dhe do të mbarojë me 200 milionë. Që këtu fillon mungesa e transparencës së menaxhimit të mbetjeve nga ana e qeverisë.

Siç dihet, pak ditë më parë presidenti Bamir Topi, ka kthyer në Kuvend ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si një kundërshtim për të mos importuar plehra apo mbetje të rrezikshme nga vendet e tjera të Evropës. Por kthimi i këtij ligji në Parlament nxori në pah sistemin më negativ të politikës shqiptare, mungesën e arsyetimit në mbrojtje të ambientit dhe të shëndetit të mbarë popullit shqiptar. Shqipëria është një vend me shkallën më të lartë të ndotjes mjedisore në Evropë, për këtë ka edhe një Ministri të Mjedisit që bie dakord me importimin e mbetjeve urbane. Po nga një sistemi i sotëm politik që vetëm plehra prodhon e ka të vështirë të ndahet dhe të mosbashkëjetojë me to.

Kryeministri po shkel çdo parim demokratik, duke mos dëgjuar dhe respektuar kundërshtimet për përpunimin e plehrave të huaja në vend. Përpunimi i plehrave është një biznes, po kjo nuk do të thotë të fusë edhe plehra nga gjithë bota, pasi vendit tonë i mungon një teknologji e përparuar, aq sa edhe tre skanera të vendosur në Portin e Durrësit për të kontrolluar mbetjet radioaktive nuk janë në gjendje pune. Vendit i mungon mbi të gjitha një studim total në bashkëveprim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Mjedisit. Qeveria nuk ka përse të ngutet dhe të veprojë me kokëfortësi. Asnjë qeveri në botë nuk do të kishte dëshirë të pranonte plehrat e një vendi tjetri, e jo më vendi ynë. Vallë, cila forcë mund ta ndalojë këtë qeveri mafioze, që kërkon të kthejë vendin në një kosh plehrash!?