Saturday, September 17, 2011

Me Salinë, lamtumirë o integrim...


Publikuar te Shtunen, 17 Shtator 2011
Shkruar ne gazeten “SOT “

Për vitin 2011, Shqipëria i ka dhënë lamtumirën integrimit për në BE, një nga prioritetet e politikës shqiptare, por edhe një dëshirë e madhe për popullin shqiptar. Prej shumë vitesh Evropa e dinte që në Shqipëri ka vdekur demokracia dhe bashkë me të edhe integrimi për në BE. E di shumë mirë që vendin e sundon monarku Berisha, dhe sa të jetë Berisha në udhëheqje, Shqipëria vetëm ëndrra në diell mund të shohë për anëtarësimin në BE. Evropa nuk do të ketë më probleme, e ka të qartë që një vend si Shqipëria me Saliun vetëm probleme do të sjellë. Evropa e di që Saliu në emër të demokracisë ka uzurpuar gjithë shtetin, pasi më parë ka vrarë demokracinë. Por që të jesh anëtar në BE, nuk është vetëm një çështje dëshire, por problemi kryesor është sa e meriton atë plotësisht, jo vetëm nga ana gjeografike, por nga qenia e mentalitetit global si një evropian.

Lidhur me këtë Berisha ngriti edhe një “dikaster të ri” të ashtuquajtur Ministria e Integrimit, që deri më sot ka dhënë vetëm rezultate negative, por që ende funksion si ministri. Nga qeveria shqiptare u mendua se ngritja e këtij institucioni fantazmë do “vuloste” përfundimisht marrjen e statusit si kandidat, duke mos bërë më asnjë përpjekje më të vogël serioze. Kjo u pa edhe nga konkluzionet e fundit që dhanë dy kryediplomatët e vendeve fqinj dhe aleatët më të ngushtë të vendit tonë, Franko Frattini dhe Stavros Lambrinidis. Por, një fjalë të urtë ruse thotë: “Në qoftë se nuk ke bërë atë që duhej bërë, atëherë ke bërë një krim”. Në vendin tonë ndodh e kundërta. Politika shqiptare, mbas rënies së komunizmit ka vuajtur dhe po vuan nga egoja dhe megalomania e ish komunizmit, që edhe pas njëzet vjetësh Shqipëria të mbetet e izoluar, jo vetëm nga vendet e Evropës, por edhe nga fqinjët e Ballkanit. Kjo ndodh për fajin tonë që sa të kemi në krye Salinë, do t’i themi përherë lamtumirë integrimit për në BE. Dëshira e popullit për një Shqipëri evropiane, ka mbetur në dorën e një pjese “sharlatanësh” politikanë të ardhur nga sistemi ish komunist, që përbën një rast unik e të veçantë për vendet e tjera. Entuziazmi i popullit tonë i viteve ‘90, “Ta bëjmë Shqipërinë si Evropa”, ka rënë dhe duket si diçka e pabesueshme, pasi politika e sotme i ka rrënjët tek e djeshmja, te ish sistemi komunist. Shqipëria është e vetëdënuar që të durojë akoma edhe disa vite tjera izolimin, ku vendet e tjera në Ballkan po ecin me hapat e kohës, duke lënë mënjanë njëherë e përgjithmonë sistemin e vjetër komunist. Greqia, Rumania dhe Bullgaria i dhanë me kohë lamtumirën Shqipërisë, ndërsa Turqia është kandidate për në BE, ndërsa Serbia pret muajin dhjetor. Për këtë nuk ia ka fajin njeri. Inatet personale të krerëve të partive, sharjet dhe banaliteti, hakmarrja dhe fjalori i ulët në debate përbëjnë sot sistemin politik të vendit tone, kur e ardhmja e vendit varet në duart e tyre.

Në një anë duket se të huajt po na ndihmojnë me vërejtjet dhe këshillat e tyre, këtë nuk e mohon njeri, por çdo ndihmë ka edhe një kufi. Vendin nuk e udhëheq opozita. Evropa duhet që t’ia fusë Salës dy këmbët në një këpucë, në qoftë se duan që Shqipëria të integrohet.Por nga ana tjetër që të jesh anëtar në BE, nuk është vetëm një çështje dëshire, por problemi kryesor është sa e meriton atë plotësisht, jo vetëm nga ana gjeografike, por nga qenia e mentalitetit global si një evropian. Populli shqiptar gjatë 20 vjetëve të pluralizmit pati në dorë për të ndryshuar të ardhmen e vendit, gjë që nuk e bëri. Sot paguan gjynahet e këtyre 20 vjetëve të humbura.Që të kërkojmë integrimin në BE, në radhë të parë duhet ta justifikojmë përse kemi të drejtë që e kërkojmë. Askush nga ndërkombëtarët nuk na ka inat, përkundrazi na dhanë mbështetje, na këshilluan disa herë, pa asnjë dallim njëlloj si vendet e tjera. Mbështetja në momentet e duhura dhe këshilla janë ndihma më e mirë që mund t’i jepet një vendi, por kjo nuk do të thotë që të japin atë që nuk të takon, pasi akoma nuk i ka lënë mëndja, kur ne nuk bëjmë përpjekjet e duhura, por mbetemi vetëm në premtimet e Berishës. Edhe pak javë e ndan vendin tonë nga publikimi i progres-raportit nga Komisioni Evropian, në një kohë kur Shqipëria me një qeverisje ish komuniste nuk ka plotësuar asnjë kriter, 12 kushtet e vendosura, si edhe 21 rekomandimet për integrim.


Shqipëria si një vend demokratik ndërtuar mbi themelet e ish sistemit komunist nuk është më vendi i fundit në Evropë, por e fundit në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Sali Berisha nuk ka më kurajo të premtojë më popullit të tij për integrimin e vendit, pasi misioni i tij tashmë ka dështuar. Si një dështak, ai duhet të largohet pasi përsëri edhe një herë tjetër popullit shqiptar iu mbyllën dyert e Evropës, kur e dinte mirë që në vendin e tij nuk funksionon Kuvendi, marrëdhëniet me opozitën, bllokimi i ligjeve me 3/5, asfiksimi i Avokatit të Popullit etj.A e meritojnë shqiptarët të trajtohen dhe njëkohësisht të dënohen moralisht nga ndërkombëtarët si një komb i fundit i Ballkanit për paaftësisë politike të pushtetit të sotëm Berisha? A ka moral të dytë që shqiptarëve t’u premtohet akoma edhe njëherë nga qeveria Berisha për integrimin e vendit në BE ? Përgjigjen më të mirë do ta jepte vetë qeveria e sotme Berisha, që në vend të bënte autokritikë, premton akoma ende pa mbushur standardet më elementare të një shteti. Sa turp! Ende jeton me të kaluarën, duke mos dalë nga errësira e getos të ish komunizmit. Por kur problemet e kombit do të merren seriozisht nga pushteti që ende qëndron në këmbë me vota të vjedhura?Duhet të dimë që Komisioni Evropian po përpiqet konkretisht edhe njëherë për të mbështetur plotësimin e 12 kushteve apo të 21 kritereve, luftën kundër korrupsionit. Për këtë duhet një unitet i të gjitha partive politike, si dhe një opozitë në shkallën e duhur të një politike të kulturuar, duke mos lënë për në fund kritikat dhe vërejtjet.Shqipëria i tha “lamtumirë integrimit” për 2011, pasi nuk ishte gati. Kjo nuk fajëson të tjerët më shumë sesa vetë ne shqiptarët, më shumë udhëheqësit e këtij kombi që nuk patën vullnet të mirëfilltë. Për këtë dështim politik, moralisht para popullit ka përgjegjësi, jo vetëm mazhoranca, por edhe të gjitha partitë opozitare që në njëfarë mënyre zhgënjyen mbarë popullin shqiptar. Bojkoti është arma e fundit e opozitës, por përbën krim kur ka të bëjë me integrimin e vendit. Është një hipokrizi e tepruar, kur shikon se si janë hedhur në sulm me kritika të njëpasnjëshme kundër qeverisë Berisha partitë e tjera politike të vendit, thua se integrimi i vendit nuk prek këta.