Ende duhet të kemi Ministri Integrimi!?
Gazeta “SOT” 27 Shtator 2011
Integrimi i Shqipërisë nuk i përket vetëm Ministrisë së Integrimit, por gjithë politikës dhe shoqërisë shqiptare. Edhe pse rezultatet e kësaj ministrie janë tepër negative, shteti akoma vazhdon të paguajë nga xhepat e taksapaguesit shqiptar, punonjësit e këtij dikasteri “fantazmë”, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me integrimin e vendit.
Skandali i fundit, fshehja e raportit të konkluzioneve të ekspertëve të komisionit të BE nga vetë ministrja e Integrimit znj. Bregu, vulos përfundimisht se ky institucion jo vetëm që nuk punon, por mbulon dhe mashtron konkluzionet e partnereve tanë të BE. Por që ky dikaster të qëndrojë ende në këmbë me paratë e popullit të varfër duhet ta justifikojë punën e deritanishme me vepra dhe jo me premtime dhe mashtrime. Suprimimi i tij sa më parë do të ishte gjëja më e mirë që mund të bënte shteti shqiptar.Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian përbën misionin dhe objektivin shumë vjeçar të shtetit shqiptar, që njëkohësisht kishte gjetur edhe mbështetjen e partnerit më kryesor të BE.
Nënshkrimi me MSA në 2006 padyshim do të hapte një kapitull të ri perspektiv për popullin shqiptar, ndërsa shtetit i mbetej si gjithnjë një luftë e gjithanshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma për krijimin e një ekonomie funksionale, të respektimit të të drejtave të njeriut, lirisë së medias etj.Për të arritur këtë objektiv historik, shteti shqiptar brenda kompetencave ngriti edhe një “dikaster të ri” të ashtuquajtur Ministria e Integrimit, që deri më sot ka dhënë vetëm rezultate negative, por që ende funksion si ministri.
Nga qeveria shqiptare u mendua se ngritja e këtij institucioni fantazmë do “vuloste” përfundimisht marrjen e statusit si kandidat, duke mos bërë më asnjë përpjekje më të vogël serioze. Një fjalë e urtë ruse thotë: “Në qoftë se nuk ke bërë atë që duhej bërë, atëherë ke bërë një krim”. Në vendin tonë ndodh e kundërta. Dy vite më pas, më 28 prill të 2009, Shqipëria paraqiti kërkesën për statusin kandidat për anëtarësimin në BE, duke qenë e ndërgjegjshme se ende nuk plotësonte kushtet më elementare, por ja që ndodh...Politika shqiptare, mbas rënies së komunizmit ka vuajtur dhe po vuan nga egoja dhe megalomania e ish komunizmit, që edhe pas njëzet vjetësh Shqipëria të mbetet e izoluar, jo vetëm nga vendet e Evropës, por edhe nga fqinjët e Ballkanit. Shqipëria si një vend demokratik ndërtuar mbi themelet e ish sistemit komunist nuk është më vendi i fundit në Evropë, por e fundit në Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Sali Berisha nuk ka më kurajo t’i premtojë më popullit të tij për integrimin e vendit, pasi misioni i tij tashmë ka dështuar, bashkë me të edhe dikasteri përkatës, Ministria e Integrimit.
Kriza ekonomike po i detyron të gjitha vendet që të bëjnë reforma antikrizë në të gjitha fushat, duke mos përjashtuar edhe shtetin shqiptar. Si alogjikë, ngritja e ministrive bazohet në bazë të nevojave që ka vendi, por kur një ministri nuk i përgjigjet kërkesave të kohës, nuk ka rezultate në punën e saj, është e kotë të shpenzosh më për të. Integrimi i Shqipërisë nuk varet në vartësi të një ministrie se sa nga vullneti i mirëfilltë dhe angazhimi i gjithë politikës shqiptare.Skandalet dhe abuzimet me fondet e projekteve dhe të donatorëve të huaj, publikuar dhe trajtuar në median shqiptare, nga ish Drejtor pranë kësaj ministrie, Pal Gjoni, me profesion financier, Jurist (Avokat, Master), dërguar letër edhe kryeministrit shqiptar z. Sali Berisha, ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. John Ëithers, si dhe Avokatit të Popullit z. Ermir Dobjani, ka prekur vetëm majën e ajsbergut të korrupsionit të kësaj ministrie “fantazmë”, përballë një shteti që kërkon portën e integrimit. A e meritojnë shqiptarët të trajtohen dhe njëkohësisht të dënohen moralisht nga ndërkombëtarët si një komb i fundit i Ballkanit për korrupsionet dhe paaftësisë politike të pushtetit të sotëm Berisha? A ka moral të dytë që shqiptarëve t’u premtohet akoma edhe njëherë nga qeveria Berisha për integrimin e vendit në BE? A duhet të kemi në këmbë ende një Ministri Integrimi? Përgjigjen më të mirë do ta jepte vetë qeveria e sotme Berisha, që në vend të bënte autokritikë, premton akoma ende pa mbushur standardet më elementare të një shteti.
Duhet të dimë që Komisioni Evropian po përpiqet konkretisht edhe njëherë për të mbështetur plotësimin e 12 kushteve apo të 21 kritereve, luftën kundër korrupsionit. Për këtë duhet një unitet i të gjithave partive politike, si dhe një opozitë në shkallën e duhur të një politike të kulturuar, duke mos lënë për në fund kritikat dhe vërejtjet.Shqipëria i tha “lamtumirë integrimit” për këtë vit, pasi edhe pse kishte në dispozicion një Ministri Integrimi, tregoi se nuk ishte akoma gati. Kjo nuk mund të fajësojë më asnjë më shumë sesa vetë qeverinë dhe ministrinë përkatëse që i kishin të gjitha mundësitë dhe shanset, por udhëheqësit shqiptarë nuk patën vullnet të mirëfilltë. Dimë që në komunitetin e BE sundon një shoqëri demokratike mbështetur nga ligji demokratik, në një shtet të drejtë e ligjor për të gjithë, dhe jo ashtu siç ndodh në Shqipëri, ku një grusht njerëzish kanë uzurpuar institucionet demokratike, dikasteret dhe mbarë shtetin. Këtë e di jo vetëm shoqëria shqiptare por edhe BE, ku Shqipëria pa bërë reforma të thella nuk mund të shpresojë më për integrim. Nga ana tjetër, BE i ka treguar Shqipërisë se ka një rrugë të gjatë për të mbërritur tek stacioni i integrimit për në BE, pasi nuk përmbush 12 kushtet më elementare, duke filluar nga e drejta e njeriut e deri tek reformat lidhur me pronat, duke e detyruar atë të futet me zor në rrugën e reformave, një rrugë që nuk i pëlqen sistemit të sotëm politik.
Skandali i fundit, fshehja e të dhënave të konkluzioneve të eksperteve të komisionit të BE nga ministrja e Integrimit zj. Bregu, vulos përfundimisht se ky institucion jo vetëm që nuk ka punuar, por me qëllim të caktuar mbulon dhe mashtron konkluzionet e BE. Suprimimi i kësaj ministrie duke u zëvendësuar me Drejtorinë e Integrimit do të ishte një veprim më i saktë nga ana e qeverisë, në përgjigje të kohës. Integrimi i vendit tonë nuk varet dhe nuk është peng në duart e kësaj ministrie sesa nga mungesa e vullneti të mirëfilltë dhe angazhim i gjithë politikës shqiptare, në mbështetje të gjithë shtetasve të saj.Shteti shqiptar me mentalitetin e tij primitiv kishte menduar se nëpërmjet Ministrisë së Integrimit do të përshpejtojë rrugën e integrimit të Shqipërisë me BE-në, në një kohë kur në Parlamentin shqiptar ekziston sot edhe një komision i tillë që luan një rol ndihmës në procesin për integrimin e vendit. Ngritja e Ministrisë së Integrimit gjatë 5-6 viteve nuk solli rezultate pozitive, por nga ana ekonomike ka rënduar edhe buxhetin e shtetit. Nga njëra anë shikojmë se vendet e tjera u futën në familjen europiane pa e pasur të nevojshme këtë ministri, ndërsa nga tjetër disa vende që nuk e këtë lloj ministrie janë më para nesh për t’u futur në familjen europiane.