Greqia në kaos të plotë, drejt falimentimit
Gazeta “ SOT” 6 Tetor 2011
Varfëria e madhe për Greqinë me një histori 3 mijë vjeçare, përbën një shembull tipik në BE, të cilët synojnë që ta kthejnë në një vend eksperimental për vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Greqia bënte një jetë që nuk i takonte, një jetë të shfrenuar dhe luksoze me paratë e tjetërkujt, duke mos menduar se borxhi një ditë do të kthehej. Papritur dhe pa kujtuar për 20 vjet vendasit nga punëtorë u kthyen në agallarë duke shfrytëzuar krahët e të huajve, kundrejt një page qesharake. Rreth 600 mijë emigrantë punuan gjatë këtyre viteve në “punëra të zeza” pasi kështu e kërkonin interesat e sistemit politik të vendit.
Sot Trojka nën ombrellën e BE, kërkon ti gllabërojë këtij vendi atë që nuk i takon, duke i kërkuar që të shesë pasuritë e patundshme shtetërore.Kriza padyshim po rrit kriminalitetin dhe dyfishon numrin e vetëvrasjeve për 2011. Për vitin 2010 u regjistruan 500 vetëvrasje, ndërsa vrasjet me armë për 50-100 euro, çdo muaj u merr jetën 10 vendasve. Askush nuk fantazonte, askujt nuk i shkonte ndërmend se një ditë ky vend do të përfundonte në një kaos të vërtetë. Populli grek po jeton ditët më dramatike të pas luftës. Vendi është mbërthyer nga një krizë ekonomike dhe politike të vërtetë. Masat antikrizë, shkurtimi nga dita në ditë i vendeve të punës, varfëria dhe papunësia kanë gjunjëzuar përfundimisht shoqërinë vendase, që të ardhmen e shohin të pashpresë. Papritur populli grek papritur dhe kujtuar u gjend nga jetë “parajsë” në skëterrë. Nga një vend që dallohej për një jetë lluksoze dhe argëtimi, një vend kampion i vetëvrasjeve të Evropës.
Papandreu erdhi në qeveri me premtimin se vendi ka “para” dhe se i di ku janë, por gjatë 700 ditëve të qeverisjes së tij, paratë jo vetëm që nuk u gjetën, por vendi u fundos atje ku nuk e meritonte, duke ja dorëzuar më në fund Trojkës. Analistët e vendit i shikojnë me skepticizëm masat antikrizë të marra nga qeveria Papandreu, që borxhet jo vetëm nuk po ulen, por rriten edhe më tej. Kreditë e marra deri më sot nuk kanë bërë të mundur normalizimin e gjendjes, pasi pjesa më e madhe shkon për të larë interesat kreditore, si dhe për pagesat e punonjësve të shërbimit publik. Shumë qytetarë të Athinës janë kthyer dhe po kthehen në fshatrat nga erdhën, ndërsa emigrantët në vendlindjet e tyre.
Greqia ndodhet në një kaos të vërtetë, duket sikur vendi është kthyer peng i Trojkës, që nga ana e saj kërkon çdo ditë masa të reja në kurriz të popullit. Papandreu po e udhëheq vendin i vetëm pa asnjë aleatë, dhe përball kritikave të shumta të partive të tjera politike të vendit, që kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Sikur të mos mjaftojnë këto, Papandreu ndodhet sot përballë edhe Kishës Ortodokse që i është bashkuar popullit. Marrja e masave antikrizë nga ana e qeverisë, shkurtimi i vendeve të punës i ka lëshuar terren edhe rritjes së kriminaliteti që nga dita në ditë po merr jetë njerëzish. Greqia, dikur një nga vendet më të sigurta në Evropë është kthyer sot në një nga më të pasigurta. Në ambientet e brendshme të metros apo trenit elektrik nga artopalanti dëgjon se udhëtari duhet të tregohet i kujdesshëm për të mos rënë viktimë e hajdutëve të xhepave dhe çantave.
Sot Varfëria ka prekur rreth 833.000 familje që jetojnë me të ardhura vjetore, më pak se 13.600 euro, këto të regjistruara para krizës ekonomike. Po sipas statistikave të Shërbimit Kombëtar të Greqisë (NSG) të vitit 2008, më shumë se 832.975 familje greke, ose 2.186.869 njerëz, janë të regjistruar në listën e varfërisë, baras kjo me 21 për qind të popullsisë të kërcënuar nga varfëria. Sipas studimit të kushteve të jetesës së familjes, të ardhurat në vitin 2008 ishin në pragun e rrezikut të varfërisë për person, me të ardhura vjetore prej 6.480 euro. Këtu nuk janë marrë në konsiderate emigrantët, shtresa e të pastrehëve apo të romeve (ciganëve).
Papunësia ka prekur rreth 850 mijë vendas, duke rritur shkallën e papunësisë në 16.5%. Ndërsa në 1 milion pritet të rritet vitin e ardhshëm, ku një në katër do të humbasë vendin e punës. Nëpër rrugë është rritur numri i lypsave, ndërsa në bashki dhe kisha numri i radhëve të gjata për një pjatë gjellë dhe një copë bukë. Kriza i ka dhënë teren krimit, ku për gjashtëmujorin e parë të këtij sipas medias vendase janë kryer 48.266 vjedhje, si dhe janë vjedhur 541 kisha. Çdo ditë regjistrohen mbi 290 vjedhje, dhe vritet një në çdo dy ditë. Sipas Organizatës të Punësimit të Fuqisë Punëtore (OAED) për muajin janar të 2011, numri i të papunëve të regjistruar u rrit nga 36.000 njerëz krahasuar me dhjetor (5,5% rritje) dhe mbi 74.272 në janar të vitit 2010 (12% rritje), duke arritur në 689.558 të papunëve të regjistruar. Përveç 689.600 të papunëve të regjistruar, ka edhe 144.700 të cilët nuk janë në kërkim për punë. Pra në përgjithësi papunësia arrin në 834.300 persona, në bazë të Statistikave të Shërbimit të Punësimit. 50 mijë grekë emigruan vjet në vendet e tjera të Evropës dhe në kontinentet më të largëta të botës, ndërsa sot Australia po bëhet shpëtimtari i këtij vendi, duke thithur emigrantë nga Greqia të çdo lloj profili.
Studimi i fundit i Eurobarometrit publikuar më 13 /07/ 2010 ka nxjerrë se 38 për qind e grekëve kanë deklaruar se janë gati për të emigruar në një vend tjetër për të gjetur punë. Emigrimi për të gjetur punë në një vend tjetër është kthyer në një fenomen si një nga çështjet më kryesore të vendasve, duke u kthyer mbrapa në vitet ‘60.Populli, i indinjuar dhe i prekur psikologjikisht është ngritur në këmbë si një kundërpërgjigje me protestat e shumta, mbështetur edhe nga rinia studentore dhe nga sindikatat. Sipas ministrit të Rendit Kristo Paputci, vitin e kaluar u bënë mbi 1.000 protesta dhe greva, ose 80 të tilla brenda një muaji.
Greqia, me një borxh tronditës prej 165 përqindësh të GDP-së, mundohet të zvogëlojë kësaj radhe numrin e punëtorëve në sektorin publik, si dhe do të mbledhë taksat pavarësisht kundërshtimeve dhe pamundësisë së njerëzve për t’i paguar ato. Deri në fund të vitit qeveria greke duhet të shkurtojë 30 mijë vende pune në administratën shtetërore, po kundra këtij vendimi janë partitë opozitare si dhe sindikatat e përgjithshme.700 shkolla dhe universitete janë mbyllur nga vetë studentët dhe nxënësit si një kundërpërgjigje qeverisë për mungesë mjetesh mësimore dhe për një arsim publik dhe jo privat. 7 ministri janë pushtuar dhe janë në duart e punonjësve të administratës, si kundërshtim të uljes së pagës.
Askush nuk mendon më për një rritje të zhvillimit ekonomik të vendit, aq sa që buka ardhur nga Bullgaria u shpërndahet familjeve me një të tretën në Greqinë e Veriut. Krizës ekonomike nuk i kanë shpëtuar as edhe emigrantët të cilët janë të parët që u prekën, kthimi i tyre në atdhe përbën një sfidë për qeverinë shqiptare.