Tuesday, November 08, 2011

Historia e dinastisë Papandreu, rënia e një miti grek



Tirana Observer

1/11/2011

A do mjaftojë fundi i kësaj dinastie për Greqinë, për të mos patur një dinasti tjetër?
Është kjo dinasti që 30 vjet më parë më 18 tetor të 1981 merr drejtimin e vendit me partinë e porsa ngritur, partinë socialiste PASOK, por sot pas 30 vjetësh e njëjta parti, e njëjta dinasti Papandreu që drejtoi vendin për gati dy dekada, bie nga froni duke humbur besimin e plotë të popullit dhe duke e lënë vendin në duart e Trojkës.
Dinastia Papandreu pas një maratone të gjatë i ka dhënë lamtumirën e fundit ditën e diel në mbrëmje qeverisjes së vendit. Pas rënies së dinastisë së familjes Karamanlis më 4 tetor të 2009 nga dinastia Papandreu ka rënë pikërisht pas 25 muajve të qeverisjes nga xhuniori Jorgo Papandreu. Rënia e xhuniorit Papandreu dhe më pare e Karamanliut përbëjnë fundin e dinastive në politikën vendase, duke lënë mënjanë për një çast atë të Micotakis.
Greqia për shumë kohë u ndodh në buzë të greminës, u ndodh në një kaos të vërtetë dhe kjo fillon me dinastinë e xhunior Papandreut, që sëbashku me 150 këshilltarët e tij të huaj dhe vendas nuk ishte në gjendje të operonte siç duhej krizën ekonomike që kishte mbërthyer vendin. Gjatë udhëheqjes së tij borxhi i jashtëm pati një rritje nga 120% që ishte në 178% të prodhimit bruto të vendit, me një rritje mesatare prej 24 miliardë euro në vit.

Dinastia, trashëgimi i partisë nga një dorë në tjetrën
Xhuniori Jorgo Papandreu, trashëgon nga i ati i tij një nga forcat më të mëdha politike të vendit, Partinë Socialiste (PASOK). Trashëgon një parti të ngritur nga i ati i tij Andrea Papandreu, që më 1996 në reminacion në prag të vdekjes ende nuk e lëshonte partinë nga dora e tij. Më 1996 pas vdekjes së kryetarit të qeverisë së asaj kohe, Andrea Papandreu, partinë e merr në dorë me një vote më shumë nga Akis Xhokaxhopulos ish-kryeministri Kostas Simitis me votën e vetme të Jorgo Papandreut. Më pas Kostas Simitis ja kthen partinë xhunjorit Jorgo Papandreut, i cili deri në atë kohë kishte trashëguar nga dinastia e familjes së tij vetëm emrin e të jatit dhe asnjë pasuri tjetër.
Jorgjio dhe Andrea Papandreu ishin figura të njohura që shërbyen si politikanë të këtij vendi, ndërsa sot djali i tyre si i ish kryeministër i fundit jep dorëheqjen në një kohë kur vendi ndodhet më keq se asnjëherë tjetër.

Asnjë familje nuk ka shërbyer kaq shumë vite në politikën e vendit sa familja Papandreu.

Jorgjios Papandreu (gjyshi) lindi më 1888 dhe më 1916 futet ne jetën politike. Më 1935 krijon partinë të emërtuar “Partia demokratike”, ndërsa emërohet kryeministër më 1944-1945 dhe më pas më 1964-1965. Djali i tij Andrea dhe babai i ish-kryeministrit Jorgo Papandreu shërbeu si kryeministër për tetë vite radhasi 1981-1989, si dhe më pas 1993-1996 deri sa vdiq. Këta dy politikan pas vdekjes u cilësuan si arkitektë të demokracisë së vendit, por edhe si përgjegjës së rritjes së borxhit të jashtëm të Greqisë.
Andreas Papandreu më 1974 ishte ai që ngriti partinë e sotme të ashtuquajtur PASOK si një forcë dinamike e politike të vendit, duke besuar votën e popullit më 1981 deri më 1993 dhe përsëri më 2009 deri më sot. Ai ishte kryeministri i 174 i Greqisë, duke u zgjedhur edhe tri herë te tjera.

Greqia që nga krijimi i saj si shtet e deri më sot ka patur fatin e keq lidhur me borxhet e sotme, të cilat e kanë fillim që nga vitet 1797-1821. Që nga ajo kohë e deri më sot Greqia është mbajtur me para nga të huajt, duke bërë një jetë luksoze që nuk i takonte. Andrea Papandreu (babai) ish kryeministrit Jorgo Papandreu që në ditën e parë si kryeministër më 18/10/1981 deklaron para popullit të tij se: “Do jemi qeveria e gjithë popullit, ku kërkon të riparojë të gjitha gabimet e të kaluarës”, ndërsa dy javë më pas Andrea Papandreu deklaron se borxhi i Greqisë është në 320 miliardë dhrahmi. Po me gjithë gjendjen e mjerueshme në ditën 37-të të drejtimit të qeverisë Andrea Papandreu deklaron rritjen në 76% të pensionit për punonjësit e bujqësisë. Pas dy muajsh qeveria e tij deklaron rritjen e rrogave nga 22-48% të punonjësve të administratës. Me r4astin e 100 ditëve të qeverisjes deklaron rritjen në masë 88% të pensioneve për punonjësit e shërbimeve publike. Sot pas 30 vjetësh djali i ish kryeministrit Andrea Papandreu, xhuniori Papandreu uli në maksimum nën kufirin e varfërisë rrogat dhe pensionet, taksë kudo në pasuritë që vendasit vunë me djersën e ballit.
Që nga krijimi i dinastisë Papandreu, sëbashku me atë Karamanlisë, të dy sëbashku janë përgjegjës për gjendjen e sotme. Sot Jorgo Papandreu, djali i Andresë dhe nipi i Jorgjios e çoi Greqinë nga parajsa në sketere, e drejtoi ate drejt FMN dhe në duart e Trojkës. Kjo është rezultat i një trashëgimie të një dinastie të një mentaliteti ballkanik dhe mesjetar.
Ish-kryeministri Papandreu në moshën 59 vjeçare si një i humbur i dorëzon qeverinë mikut të tij të fëmijërisë, kreut të opozitës Antonit Samaras, që gjatë gjithë kësaj kohës në opozitë kishte bërë një luftë të ashpër për të larguar nga qeveria Papandreun një orë e sa më pare. Dita e diel në mbrëmje ora 21.00 në prezencë të presidentit të vendit Karolos Papulia, ish-kryeministri Papandreu jep dorëheqjen me një kusht që më parë të jetë formuar një qeveri teknike të unitetit kombëtar të “shpëtimit” deri në zgjedhjet e parakohshme, duke ruajtur të gjitha marrëveshjet e bëra me BE, sidomos me atë të 26 tetorit.
Nga ana tjetër kreu i partisë “Demokracia e Re” ka ngulur këmbë që miku dhe shoku i tij Papandreu duhet të japë në fillim dorëheqjen, pasi kriza mund të marrë një rrugë tjetër. Ai ka mbyllur një herë e përgjithmonë bashkëpunimin e tij me qeverinë Papandreu për të dale nga kriza, pasi sipas tij Papandreu po bën një lojë personale në dëm të interesave kombëtare.
Dinastia

Në emër të dinastisë së familjes së tij, Xhuniori Jorgo Papandreu mori përsipër me premtimin “para ka” drejtimin e vendit në çaste më të vështira. I vetëdijshëm për krizën që kishte mbërthyer vendin Jorgo si njeri i fundit i dinastisë e drejtoi vendin atje ku nuk duhej. Familja Papandreu ishte dhe mbetet një pjesë e jetës politike të vendit, jo vetëm një dinasti si Mubaraku, apo Kadafi, por më shumë se gjysëm shekulli, si një dinasti më e fortë e parë ndonjëherë në këtë vend. Dinastia Papandreu ka shërbyer dhe qëndruar më shumë apo dinastia mbretërore, por nuk është vetëm kjo dinasti, pasi në politikën vendase me frikë shihet edhe dinasti pak më të vogla, Micotakis dhe Samaras.
Papandreu me dashje apo jo shkatërroi gjithçka që ish ndërtuar më parë lidhur me të drejtat e punëtorëve ne tregun e punës, në sigurimet shoqërore etj. Nga frika për ndonjë kryengritje të mundshme, ai më 1 nëntor ndërron të gjithë gjeneralët e ushtrisë me te rinjtë e tij besnikë.

TE DHENA RRETH TIJ
Jorgos Papandreu lindi më 16 /06/1952 në Saint Paul të Minesota në SHBA. Në vitin 1959 vjen për të parën herë në Greqi. Ai mori emrin e gjyshit duke u pagëzuar nga Xhefri në Jorgo.

Është zgjedhur deputet që nga viti 1981 e deri më sot. Ka shërbyer si ministër i Kulturës 1985-1987, ministër i Arsimit 1998-1999, z/ministër i Jashtëm 1993-1994, ministër i Arsimit 1994-1996, ministër i Jashtëm 1996-1999, ministër i Jashtëm 1999-2004.

Kryeministër 4 tetor 2009 deri më sot.
Ai është kryetar i partisë PASOK që nga viti 2004 dhe kryeministri i dhjetë që nga përmbysja e juntës ushtarake më 1974.

Në 22 korrik të 2011 bën ndryshim në qeverinë e tij duke marrë besimin në Parlament me 155 pro dhe 143 kundra.

Më 31 tetor të 2011 kërkon të bëjë referendumin ku solli pakënaqësinë e mbarë opinionit publik,

Më 4 nëntor kërkon besimin në parlament dhe më pas dorëheqjen