Shqipëria në duart e kujt!?
Gazeta “SOT” 1 Tetor 2011
Nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria e sotme ka rënë në duart e një grupi njerëzish që për nga mënyra sesi po e drejtojnë këtë vend të brishtë në mes të Evropës, do ta kishin zili edhe vendet më diktatoriale të Lindjes së Mesme. Por ja që fati na solli që vendi ynë të bjerë përsëri në duart e këtyre njerëzve, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me drejtuesit e vendeve demokratike. Me një president “kukull” që në mënyrë publike e shohim vetëm në shkallet e stadiumeve duke ndjekur ndeshjet e futbollit, apo në ndonjë intervistë që thuajse kjo është detyra e tij, duke mos u prononcuar për atë çka po ndodh me vendin. Dihen kompetencat e tij, po kjo në asnjë mënyrë nuk mund të shfajësojë rolin dhe pozicionin e tij indiferent, në një kohë që vendi ndodhet në një situatë të vështirë politike. Pushteti i sotëm që ka uzurpuar gjithë shtetin, po e udhëheq vendin më keq se asnjëherë tjetër, duke shkelur në të gjitha drejtimet parimet demokratike, duke e ndarë shoqërinë Ne në pushtet dhe Ju në opozitë, duke e shpërbërë shoqërinë shqiptare në shumë shoqëri.
Shqipëria gjithashtu ndodhet edhe në duart e një opozite, që tjetër premton dhe tjetër vepron, të një opozite që njeh vetëm humbje, që nuk është në gjendje të mbrojë votën e saj. Është kjo opozitë si forca më e madhe e vendit që nuk di të luajë rolin e saj të vërtetë në momentin dhe kohën e duhur, duke i dhënë gjithnjë e më shumë terren qeverisë në shkatërrimin plotësisht të vendit. Vendi ndodhet në duart e qeverisë dhe opozitës, më konkretisht: të hajdutit dhe të viktimës, dy protagonistëve kryesorë që janë përgjegjës të dështimit në rrugën e integrimit të vendit. Bojkoti është arma e fundit e opozitës, që përbën krim kur ka të bëjë me integrimin e vendit, por që gabimisht opozita këtë rrugë zgjodhi.
Në emër të demokracisë, Shqipëria ndodhet në duart edhe të një sistemi politik të rënduar dhe tej të korruptuar, me një parlament të copëtuar dhe të diktuar nga qeveria, me një parlament konfrontimi në mungesë të një kulture politike dhe tolerance. Me një parlament që nga ethet partiake po shkel gjithnjë e më shumë parimet demokratike, duke vendosur përfundimisht diktatin qeveritar. Një parlament i neveritur që nuk ka asgjë të përbashkët me parimet demokratike të vendeve të tjera të Europës. Me një gjyqësor të kompromentuar në mungesë të një shteti ligjor, ku drejtësia ka vdekur një herë e përgjithmonë. Të një drejtësie që u ka zgjidhur duart një pjesë të politikanëve tanë që të vjedhin pasuritë e popullit, të shesin edhe sovranitetin, nderin dhe dinjitetin e kombit shqiptar.
Është kjo Shqipëri që ka rënë në duart e një qeverie që akuzohet për vjedhje, vrasje dhe për kusari, por që më pas mundohet që të ndërrojë lëkurën e saj të ndotur, përballë popullit të varfër. Këtij populli që nuk meriton të trajtohet dhe njëkohësisht të dënohet moralisht dhe “penalisht” nga ndërkombëtarët si një komb i fundit i Ballkanit, për paaftësitë politike të pushtetit të sotëm.Fatkeqësisht ndodhet në duart e një pushteti që vjedhësit, të korruptuarit dhe vrasësit jo vetëm që nuk dënohen penalisht, por përkundrazi bëjnë pjesë akoma në kabinetin e qeverisë, por dhe ndonjë tjetër në krye të Bashkisë së Tiranës.
Korrupsioni si dhe vrasjet janë bashkëudhëtare të përhershme të sistemit të sotëm politik në Shqipëri, në mungesë edhe të një shteti të ashtuquajtur Ligjor.Shqipëria ndodhet në duart e një pushteti që kërkon të udhëheqë me metoda të tipit diktatorial, duke shkatërruar sindikatat, forumet e rinise dhe atë të gruas, të udhëheqë drejt një rruge me demokraci të tipit Berishian. Të udhëheqë me çdo mënyrë edhe pa opozitën. Populli shqiptar gjatë 20 vjetëve të pluralizmit pati në dorë për të ndryshuar të ardhmen e vendit, gjë që nuk e bëri. Sot paguan gjynahet e këtyre 20 vjetëve të humbura, për këtë fakt nuk na e ka fajin të tjerët. Shqipëria ndodhet në duart e “horrave dhe lavireve të bulevardit” (kjo sipas kreut të qeverisë), ndodhet në duart e atyre njerëzve që për ironi kanë krijuar një atmosferë që të mbush me trishtim, që po na shfaqin përditë dhe publikisht një luftë egoje të pandershme politike. Ndodhet në duart e atyre njerëzve që për interesa personale penguan edhe njëherë rrugën e integrimit të vendit. A e meritonte populli shqiptar që gjatë 20 vjetësh, të kishte këtë mënyrë qeverisje si kjo e sotmja? A do ta dëshironte ndonjë vend që të kishte këtë lloj qeverisje “Made in Albania”?
Koha, si barometri më i saktë ka treguar që askush nuk ka qenë i përjetshëm në qeverisjen e një vendi, sado i fortë që mund të ketë qenë, duke na kujtuar edhe njëherë se çdo lloj qeverisje është kalimtare. Asgjë nuk mbetet përjetë, ashtu siç është. Në botë, asnjë udhëheqës që ka shkelur parimet demokratike, nuk i ka shpëtuar dot drejtësisë së vendit të tij. Shqipëria, fatkeqësisht ka rënë në duart e një pushteti që për të mbajtur atë të përjetshëm, po shkel çdo ditë parimet më elementare të demokracisë, duke e çuar vendin atje ku nuk e meriton...