Thursday, August 17, 2006

Si mund të përfitohen dy pensionet paralele

Flet Igrid Zaimi, përgjegjëse e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

“Për emigrantët që nuk duan të humbasin vitet e tyre të punës që kanë në Shqipëri, duhet t’i blejnë vetë vitet që u duhen për të plotësuar kontratën e pensionit. Çdo emigrant që të marr pension të pjesshëm duhet t’i ketë këto 15 vite pune dhe nëse ka tetë vite, shtatë të tjera duhet t’i blejë vetë”

Photobucket - Video and Image Hosting

Fakt është se pala shqiptare lidhur me pensionet e emigrantëve në Greqi, i pati paraqitur palës greke një program të posaçëm në vitin 2000, po deri më sot ky program ka mbetur në heshtje. Një fakt tjetër, është se emigrantëve ditë e punuara nuk u njihen si vjetërsi pune, por vetëm u njihen për t’u legalizuar përkohësisht. Greqia sot po kalon një krizë të vërtetëdhe herë pas here, ajo ka marrë reforma të ndryshme duke mos gjetur akoma një rrugëdalje. Por, si ka mundësi që këto shtete europiane të forta ekonomikisht, rrisin vitet e daljes në pension në 5-7 vite, ndërsa në Shqipëri me një ekonimi të dobët ulen në 15-20 vjet?! Mos vallë në vëndin tonë kemi të bëjmë me një tregëti kompanish, apo me një strategji eksperimentale?!

Igrid Zaimi, përgjegjëse e Sigurimeve Shoqërore dhe pensioneve në Tiranë, në këtë kuadër, kur tregu i lirë dhe konkurenca nxorrën në dritë dhe kompanitë e para private të pensioneve, shpjegon se si një emigrant shqiptar në Greqi mund të marri pensionin e tij nga shteti amë, ndërkohë që kontriubon për të marrë dhe një pension të dytë, nga shteti grek.

A ka marrëveshje me Greqinë për pensionet?

Nuk kemi ende një marrëveshje me Greqinë në këtë pikë. Por, di të them se për kontributet e dhëna në Greqi, pensioni merret në atë vënd ku janë dhënë këto kontribute. Emigrantët shqiptarë në Greqi, kanë të drejtë të marrin pension nga Sigurimet tona Shoqërore, në bazë të kontributit që ka dhënë në Shqipëri.

Dhe nëse nuk ka dhënë aq kontribut sa duhet?

Ka sigurim vullnetar. Për emigrantët që nuk duan të humbasin vitet e tyre të punës që kanë në Shqipëri, ka dhe një mundësi tjetër. Pra, në se duan të marrin një pjesë të pensionit dhe nuk kanë aq vite pune, duhet të paguajnë një kontribut vetë vitet që u duhen për të plotësuar kontratën e pensionit.

Çfarë mundësish jep shteti shqiptar?

Janë dy raste. Është pensioni i pjesshëm që me ndryshimet e ligjit, nga 20 vjet u bë me 15 vjet pune. Pra çdo emigrant që të marr pension të pjesshëm duhet t’i ketë këto 15 vite pune dhe nëse ka tetë vite, shtatë të tjera duhet t’i blejë vetë, pra, do të paguajnë këtu në mënyrë vullnetare. Ndërsa mbi 15 vite punë, mund të shtojnë për të marrë pensionin e tyre të plotë. Ligji aktual kërkon që të merret pensioni i plotë, kontributet e 35 viteve pune, si për meshkujt ashtu dhe për femrat.

Ndërkohë emigranti është në Greqi. Si do ta zgjidhi këtë problem. Duhet të vijë në Tiranë?


Nuk është e domosdoshme. Në mungesën e tij fizike mund të dërgojë një nga të afërmit e tij. E autorizon për të kryer veprimet. I afërmi mund të vijë me librezën e punës dhe një çertifikatë të personit të interesuar dhe kryen veprimet. Këtu kryhet një llogaritje paraprake e viteve të punës që ka, i hapet një librezë kontributesh dhe një vertëtim shoqërues.

Sa duhet të paguash për një vit?

Një fakt nuk është se matet me vite, por me vlerë mujore. Dhe vlera mujore është 3722 lekë të reja. Kjo nuk ka rëndësi për profesionin që një njeri ka bërë në jetë. Kjo vlen thjesht për vjetërsinë e përgjithshme. që nga 1 tetori i vitit 1983 çdo njeri ka të drejtë të blejë vite pune për pensionin e pleqërisë.

Mund të bësh parapagim?

Absolutisht jo. Mund të blesh vitet e shkuara, por jo ato që do të vijnë, pasi çdo vit që vjen ndryshon dhe masa e shumës që paguhet për pensionet. Në të gjithë botën paguhen sigurimet shoqërore dhe ka ligj për një gjë të tillë. Pra dhe një emigrant në Greqi duhet të plotësojë pensionin sipas legjislacionit grek dhe përfiton pension në Greqi, ashtu siç dhe në Shqipëri kërkojmë kontribut për 15 vite pune për të dhënë një pension të pjesshëm

Ka vlerësime të ndryshme në bazë të profesionit?

Ka një kategori të parë, ku përfshihen profesionet e rënda si minatorët, një pjesë e punonjësve që kanë punuar mbi sipërfaqen e minierave, aviacioni. Në kategorinë e dytë, radhiten tornitorët, poligrafiku, arsimtarët. Po shumica e popullsisë përfshihen në kategorinë e tretë. Midis kategorive ka ndryshime në moshë dhe në vite pune. Por do të vijë duke u ngushtuar fare, derisa të mos ketë më dallim.

Cila është këshilla juaj për emigrantët tanë në greqi?

Duhet të kenë kujdes të gjithë ata që kanë vite pune në Shqipëri, fjala vjen 10 apo 12 vjet. Duhet të bëjnë kujdes sepse duhen për 3 apo pese vjet. Në këtë mënyrë, ata që janë të kujdesshëm marrin një pension minimal nga shteti shqiptar dhe pjesën tjetër e marrin sipas ligjit të sigurimeve shoqërore të shtetit grek. Gjithmonë ky pension jepet pasi ke mbushur moshën 60 vjet për gratë dhe 65 vjet për burrat.

Ndërkohë në Shqipëri kanë filluar aktivitetin dhe Sigurimet Shoqërore private, çmendoni për to?

Di që vetëm dy ditë më parë janë prezantuar publikisht dy prej tyre. Por nuk kam asnjë lloj informacioni për to:

Publikuar ne gazeten "Ballkan" 18/11/2005