Greqia, komision parlamentar për emigracionin
ATHINË - Parlamenti grek ka pranuar propozimin e kryetarit të partisë më të madhe opozitare PASOK, Jorgo Papandreu, për krijimin e një komisioni parlamentar për emigracionin. Tani e tutje, çështjet e emigracionit do të kenë një prani të përhershme institucionale në Parlamentin grek. Kjo do të realizohet nëpërmjet funksionimit të një komisioni parlamentar, ç’ka kryetari i partisë kryesore të opozitës, PASOK, Jorgo Papandreu, e kishte kërkuar muajin e kaluar me një letër drejtuar kryetares së Parlamentit. Në propozimin e tij, zoti Papandreu theksonte se objekti dhe qëllimi i këtij komisioni do të jetë hartimi dhe sugjerimi i propozimeve për një integrim thelbësor dhe funksional të emigrantëve në shoqërinë greke, për garantimin e të drejtave individuale, sociale, dhe politike të tyre. Zoti Papandreu e argumentonte propozimin e tij me faktin se siç theksonte, masat legjislative e administrative që janë marrë deri tani, nuk u kanë dhënë zgjidhje problemeve, sipas tij kardinale për emigrantët. Në këto çështje ai rendit arsimimin, punësimin dhe mbrojtjen sociale, si dhe të drejtat politike, ku përfshin të drejtën e votës dhe të marrjes së nënshtetësisë. Zoti Papandreu kishte vënë në dukje kontributin e veçantë të më shumë se një milion emigrantëve gjatë 15 viteve të fundit. “E ardhmja e shoqërisë sonë, varet veç të tjerash edhe nga mënyra se si do të trajtojmë problemin e emigracionit”, theksonte zotit Papandreu. Komisioni parlamentar do të përbëhet nga 15 anëtarë, sipas ndarjes proporcionale, ndërsa në të do të marrin pjesë edhe eurodeputetë.Ky lajm është publikuar: 24/12/2005