Emigrantët shqiptarët, të dielën protestë e madhe në Athinë
Të gjithë emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë në Greqi, me anë organizmit që i përfaqëson dolën me një deklaratë të fortë proteste ku dënonin vrasjen e 17 vjeçarit Edison Zahaj, në një qytet të ishullit të Kretës. Federata e Shoqatave Shqiptare në Greqi bën te ditur se një tubim i madh proteste do të zhvillohet në kryeqytetin e Greqisë Athinë, më datën 15 janar. Ndërkohë që familjarët e të riut që u ther barbarisht me 17 goditje thike në trup, janë në vendlindje për ceremoninë e lamtumirës, organizatorët e tubimeve në Kretë dhe Athinë, kanë vendosur që protesta që ishullin ku ndodhi tragjedia të zhvillohet sot, ndërsa në Athinë mitingu do të zhvillohet ditën e dielë. Në deklaratën e federatës së shoqatave shqiptare të emigrantëve në Greqi, e të firmosura nga Flutura Tafilaku dhe Jovan Mëhilli, përkatësisht sekretare dhe kryetar, theksohet se “Dënojmë aktin e dhunshëm e të turpshëm që i mori jetën të riut emigrant Edison Zahaj, me banim në Rethimno të Kretës, nga persona vendas të cilët sulmuan barbarisht familjen Zahaj, duke manifestuar urrejtjen ndaj të huajve, pra atë që quhet racizëm”. Sipas organizmit që përfaqson të drejtat e shqiptarëve në Greqi, “Ky veprim i papërgjegjshëm, pavarësisht se u bë për motive të dobëta, nuk ka për të cënuar aspak marrëdhëniet e mira ndërmjet shoqërisë së përparuar greke dhe emigrantëve shqiptarë, që kanë derdhur djersën e, pse jo, edhe kanë dhënë jetë njerëzish për përparimin e begatinë e këtij vendi”. Ndërkohë, Federata e Shoqatave shqiptare në Greqi, në njoftimin për shtyp në lidhje me ngjarjen e rëndë të Kretës, bën të ditur se ku tubim është paqësor dhe kërkon të krijojë frymën e mirëkuptimit midis grekëve dhe shqiptarëve. Sipas organizatorëve qëllimi i protestës së funsdjavës, është që të mbahet qëndrim i ashpër ndaj krimeve të kësaj natyre. Sipas organizatorëve të protestës theksohet se “për fat të keq, ka situata të shëmtuara dhe të dhimbshme që krijojnë klimë tensioni, si ajo e 1 janarit 2006 me dhunimin e banesës dhe vrasjen e të riut shqiptar Edison Latif Zahaj”.Ky lajm është publikuar: 11/01/2006