Greqia paditet në Gjykatën Evropiane për emigrantët
ATHINË - Greqia së shpejti do të vihet përballë padisë së Komisionit Europian, i cili ka rezervuar të drejtën që ta padisë atë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë. Jo pak, por dy vite më parë, më 23 janar 2003, ka hyrë në fuqi udhëzimi i Komisionit Europian me nr. 109/2003, i cili u jep të drejta të plota emigrantëve që vinë nga vendet e “botës së tretë” të përfitojnë të njëjtat të drejta me vendasit në tregun e punës, të gëzojnë njëkohësisht lirinë e lëvizjes e të stabilizimit të plotë tyre. Sipas udhëzimit, të drejtat i përfitojnë ata emigrantë të cilët ndodhen në Greqi dhe kanë njëkohësisht mbi 5 vite qëndrim të ligjshëm dhe kanë të drejtë të shkojnë për të punuar e jetuar në çdo vend të Bashkimit Europian, përveç tre vendeve skandinave si, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandës dhe Danimarkës, të cilat në vitin 1997 janë përjashtuar nga zbatimi i disa dispozitave të Traktatit të Amsterdamit, në fushën e drejtësisë dhe të çështjeve të tjera të brendshme të këtyre vendeve.Udhëzimi
Sipas Komisionit Europian emigrantët e ardhur nga vendet e”botës se tretë” që jetojnë dhe punojnë në Bashkimin Europian, të cilët plotësojnë këto kushte arrijnë sot në numrin 10.000.000 njerëz. Komisioni bën të ditur se vendet anëtare Austria, Polonia, Lituania, Sllovenia, Sllovakia, ishin pesë vendet e para që kanë përshtatur në legjislacionin kombëtar të tyre këtë udhëzim të BE-së. Por, vendet e tjera, përfshirë këtu edhe Greqinë ende nuk kanë marrë në konsideratë këtë udhëzim të komisionit, ku duhej të ishte kryer qysh më 23 janar të vitit 2006, duke pasur në dispozicionin e tyre plot dy vite (që nga 23 janari 2003). Për shkelje dhe moszbatim të udhëzimit në lëvizjen e lirë të emigrantëve brenda kushteve të caktuara, Komisioni ka rezervuar të drejtën që të padisë Greqinë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë së bashku me vendet e tjera, që të mësohen e të disiplinohen me udhëzimin komunitar dhe këtë udhëzim t’ua bashkëngjisin legjislacionit kombëtar të tyre.
Reagimi
Refuzimi i udhëzimit të Komisionit Europian nga qeveria greke, bëhet për arsye se ajo me çdo kusht do që emigrantët të jenë pengje të interesave politike dhe ekonomike. Dihet se deri më sot vitet e punuara të emigrantëve në Greqi nuk u njihen për pension, por vetëm për legalizim një-dyvjeçar. Është një padrejtësi e një vjedhje që u është bërë emigrantëve prej vitesh, një veprim që ndodh vetëm në vendet pirate, por jo në vende europiane. Ndërkohë ndaj vendimit të qeverisë ka reaguar ashpër sekretari i Konfederatës së Sindikatës Greke për Emigrantët, Jorgos Alivizakis. Sipas tij, “një gjë e tillë është skandal. U kërkojnë nga 150 deri në 200 ensima (pulla të ditëve të punuara) në kohën që mjaftonin vetëm 50 ensimat për rinovimin e librezës së shëndetit, ashtu siç vlen për të gjithë dhe natyrisht edhe për grekët”.
Ky lajm është publikuar: 29/01/2006