“Strategjia për votën e emigrantëve, në letër”
Kreu i LSI-së Meta, premton se do të jetë tejet aktiv në mbrojtje të të drejtave të emigrantëveTë shtunën në mbrëmje, kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka zhvilluar në Athinë një takim prej tri orësh me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj partie. Ky takim kishte si qëllim kryesor evidentimin e punës së deritanishme, në të cilën është ndeshur emigracioni shqiptar në Greqi, si dhe për një politikë sa më shumë sensibilizuese. Për t’u theksuar është puna e mirë organizative e anëtarit të kryesisë, ish-deputetit Roland Çelmeta, si dhe të grupit nismëtar të emigrantëve Ilir Gusho, Met Metani dhe Mihal Shundo. Meta, që në fillim është pritur me entuziazëm nga të pranishmit, pasi herë pas here ai ka treguar një interes të veçantë për ta, që në kohën kur ishte edhe kryeministër. Meta këtë radhë ka shfrytëzuar qëndrimin e tij në Athinë për t’u takuar me emigrantët në një kohë rekord, pas takimit zyrtar të Konferencës Kryeparlamentare të vendeve të rajonit të Evropës Juglindore (SEECP). Kryetari i degës së LSI-së për Greqinë, Ilir Gusho, e ka njohur kreun Meta me hallet dhe problemet e emigracionit shqiptar, duke ia shtruar ato një për një. Emigranët, si po “rripen” nga shteti i tyreShumë nga diskutantët e përqëndruan diskutimin e tyre rreth problemit të tarifave në shërbimet konsullore të Ambasadës Shqiptare në Greqi. Emigrantët, në përgjithësi, janë të detyruar që dokumentin e marrë nga dikasteret apo institucionet përkatëse në Shqipëri ta ciklojnë përsëri në ambasadë, kundrejt një tarife të lartë, të vendosur nga Parlamenti Shqiptar. Duke bërë që Ambasada Shqiptare në Greqi të kontrollojë dokumentin e lëshuar në Shqipëri kundrejt një pagese të lartë. Fakt është se qeveria shqiptare prej kohësh i ka futur të ardhurat e tarifave të emigrantëve në planin buxhetor të shtetit. Shumat e marra nga xhepat e emigrantëve janë marramendëse. Faktikisht, për vitin kaluar vetëm në Konsullatën Shqiptare në Athinë, sipas ish-ambasadorit, Bashkim Zeneli, janë kryer rreth 170.000 veprime (600-800 veprime në ditë), po të shumëzohet 50 euro, shuma do të jetë 8.500.000 euro. Të gjitha këto vijnë pasi Greqia nuk do të njohë dokumentacionet e lëshuara nga institucionet e Shqipërisë, duke shkelur konventën ndërkombëtare, por njëkohësisht mbrapa nuk mbetet dhe shteti shqiptar, i cili i detyron emigrantët të paguajnë në krahasim me grekët për të njëjtat veprime cilkimesh 166 herë më shumë. Por lind pyetja: Deri kur?...“LSI do t’i ngrejë në Parlament premtimet dhe angazhimet”Pasi i ka dëgjuar pyetjet dhe diskutimet e emigrantëve, z. Meta është shprehur se: “Do t’i ngremë me forcë në Parlament edhe në median shqiptare dhe kudo, si dhe në Parlamentin Evropian. Por janë qeveritë ato që bëjnë marrëveshjet me njëra-tjetrën. Detyra jonë si opozitë është ta nxisim qeverinë që të jetë këmbëngulëse për të realizuar këto marrëveshje, duke filluar që nga sigurimet shoqërore, e cila ka nisur vite më parë e ku akoma nuk është përfunduar. Njohja e patentave është dhe mbetet një problem tjetër, po ashtu edhe tarifat konsullore, që janë një shqetësim i madh për ju për të ecur më tej me problemin e hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, si dhe qëndrës kulturore, e cila do të shërbejë si një qëndër aktivitetesh kulturore. Të gjitha këto ne do t’i ngrejmë në Parlament...” Problemet me Greqinë dhe çështja çame“Ne nuk e kemi mbyllur gojën kur janë vrarë shqiptarët vetëm për një flamur, por edhe kur kam qenë kryeministër çështjen çame e kam ngritur këtu në Athinë, me kryeministrin e asaj kohe, Kostas Simitis, sepse ai u përgjigj që nuk ekziston dhe unë, pa dyshim, duhej që t’i jepja përgjigje, ku edhe e dhashë atë përgjigje. Pra, unë nuk jam nga ata që flasin ndryshe kur janë në pushtet, si dhe ndryshe kur janë në opozitë. Ne absolutisht nuk duhet të acarojmë problemet me Greqinë, sepse jemi dy vende që kemi plot probleme të përbashkëta për t’u zgjidhur, por edhe dinjitetin tonë duhet ta ruajmë...”, tha Meta.LSI-ja, si forcë e madhe politike“Është një forcë që di t’i shlyejë gjërat në një rrugë të mirë e ta çojë Shqipërinë në Evropë. Vetë me iniciativën time e kam futur qytetin e Beratit në listën e trashgimisë së kulturës botërore të UNESCO-s. Sot, unë nuk jam as kryeministër, as ministër, por është gjynah që një qytet me vlera historike kaq të jashtëzakonshme, që ka Berati të mos jetë në vlerësimin dhe në kujdesin e UNESCO-s. Nga takimet që kam bërë them me bindje se brenda një viti Berati do të hyjë në listë. Konkretisht, duhet të bëjmë një gjë të mirë për Shqipërinë... Duke përfunduar diskutimin z. Meta theksoi se në të ardhmen LSI–ja do të jetë më aktive. Meta: Strategjia e emigracionit ka mbetur në letërLidhur me emigracionin, kreu i LSI-së, Ilir Meta, është shprehur se strategjia e emigracionit nga ana e qeverisë ka mbetur sot vetëm në letër, ku në të kundërtën LSI-ja i ka kushtuar një rëndësi të veçantë në programin dhe në strategjinë e saj, për të mbajtur lidhje sa më të forta me emigrantët, të cilët përfaqësojnë një potencial të madh ekonomik dhe kulturor. Me kritika të ashpra ai është drejtuar politikës shqiptare, e cila akoma nuk është ndërgjegjësuar për rolin që luan emigracioni në kontributin që jep për mbajtjen gjallë të qindra e mijëra familjeve shqiptare.Ai u shpreh edhe për nismat që ka marrë LSI-ja, si forcë e parë politike për emigracionin, ku dhe jashtë Shqipërisë janë krijuar degë të reja në të gjitha strukturat kombëtare, si dhe për nismat e marra në Parlament. Meta theksoi se më kryesorja është realizimi i të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë kudo që janë, ku akoma nuk u është krijuar kjo mundësi. Sigurimet Shoqërore janë dhe mbeten një nga problemet më kryesore, ku deri më sot nuk është bërë asgjë. Gjithashtu, Meta ka kritikuar qeveritë e mëparshme dhe atë aktuale për indiferentizmin lidhur me problemin e njohur të patentave shqiptare, si dokument zyrtar i lëshuar nga organet e Shqipërisë e që sot nuk njihen në Greqi. Një problem tjetër për emigracionin mbeten shkollat në gjuhën shqipe dhe ngritja e një institucioni kulturor. Ai u bëri thirrje emigrantëve që ndihmat ekonomike të mbledhura në emigracion t’i investojnë në vendin e tyre. Në të njëjtën kohë i njohu emigrantët për një interpelancë, ku ai ka ftuar kryeministrin lidhur me sigurimet shoqërore, si dhe për shërbimet konsullore të ambasadës dhe për regjistrimin e emigrantëve. “Për fat të keq jemi mësuar me humbjen e kohës”Pasi u ka bërë emigrantëve një paraqitje të gjendjes aktuale të vendit, Meta u shpreh se, “ne shqiptarët, për fat të keq, jemi mësuar të humbasim kohën si një gjë krejt normale, por megjithatë Shqipëria është e distinuar që të zhvillohet, ku i ka të gjitha mundësitë për këtë gjë. Jemi një vend midis Greqisë dhe Italisë. Jemi një vend, i cili tani është i hapur si me Kosovën, Malin e Zi, Serbinë edhe me Maqedoninë, ku rugët e zhvillimit dhe të komunikimit janë të jashtëzakonshme, ku pa ligj dhe institucione, pa përgjegjshmëri politike dhe kombëtare nuk mund të ecë përpara si nga ana ekonomike dhe sociale. Vendi ynë nga humbja e kohës nuk fiton, por humbet nga konfliktet, të cilat po e mbajnë të lidhur vendin në një prapambetje tepër serioze, duke e larguar atë më shumë nga Bashkimi Evropian. Më në fund z. Meta u tha se është gatshëm dhe i hapur për t’i dëgjuar problemet e emigrantëve, e cila, sipas tij, është një nga format më të mira të një bashkëbisedimi serioz e aq më shumë kur ka të bëjë me problemet e emigracionit dhe ato që po kalon vendi ynë. Parlamenti i sotëm me deputetë ilegalëPasi ka kritikuar qeverinë Berisha, z. Meta tha se, “qeveria Nano ishte qeveria e prapësirave dhe e mistrecave, ku ju e dini shumë mirë, ndërsa dhe kjo qeveri e sotme është qeveri e sherrit dhe e konflikteve të paarsyeshme, ku vendi dhe populli ynë nuk po sheh gjë të mirë. Ne jemi kjo forcë politike, që duhet të përqëndrojmë debatin në Parlamentin Shqiptar, ku në radhë të parë puna jonë të përqëndrohet tek zgjedhjet e ndershme, për të mos kthyer Parlamentin si sot, ku nuk mund të shkohet në Evropë me një të tillë Parlament, pasi 30% e tyre janë pa legjitim. Ku duke qenë deputet ilegal nuk mund të luftosh korrupsionin etj. Ne jemi forca, që duam që Shqipëria të bashkohet sa më shpejt me Evropën, ku për këtë jemi gati dhe të mbështesim edhe qeverinë aktuale....
Ky lajm është publikuar: 21/03/2006