Ambasadori në nëntor: Do japim asistencë ligjore për emigrantët
Në intervistën e dhënë për gazetën “Ballkan”, më 12 nëntor, Minalolli, premtonte se problemi i emigrantëve shqiptarë, do të ishte një nga prioritetet e punës së tij. Sipas diplomatit shqiptar në Athinë, “problemi i emigrantëve, padyshim, ka qenë prioritar edhe në punën e paraardhësve dhe progresi që është arritur është edhe rezultat i kësaj pune. Pra, është arritur një standard, që shprehet në integrimin e gati 90 për qind të shqiptarëvë që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Unë jam njohur me këtë progress dhe dëshiroj të shpreh vlerësimin për masat e marra nga Qeveria greke dhe mirëkuptimin për bashkëjetesë të shoqërisë greke. Ka probleme që duhet të avancohen, për standarde të reja, siç është problematika e lehtësimit të procedurave të legalizimit, i lehtësirave në periudhën e lëvizjeve për në atdhe, e mësimit të gjuhës amtare, etj. Por, ne duhet të shkojmë edhe më tej. Unë mendoj se ne kemi mundësi për më shumë asistencë ligjore për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi, më shumë asistencë ekonomike dhe financiare, që të mund t’i drejtojnë kapitalet e tyre edhe në drejtim të vendit të vet, për veprimtari më të gjera kulturore e shkencore si mënyra rëndësishme të afrimit më të ngushtë të dy popujve tanë etj.Ky lajm është publikuar: 15/02/2006