OKB akuzon Greqinë për trafikun e fëmijëve
Një realitet është se vitet e fundit Greqia është vëzhgimin e organizmave të ndryshme lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Çdo vit ky vend përballet me kritika dhe akuza nga më të rëndat e më të ashprat, që u janë bërë ndonjëherë vendeve të familjes evropiane. Po me gjithë këto vërejtje të njëpasnjëshme, Greqia mbetet një nga vendet më të prapambetura, duke ndjekur një strategji ndoshta të gabuar kundrejt të huajve. Komisioni i Organizatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut “Humani Rights” i Kombeve të Bashkuara, me anën e një raporti special ka akuzuar Greqinë me akuza tepër të rënda lidhur me keqtrajtimin e fëmijëve të mitur në trafikimin klandestin, hedhjen në treg për llogari prostitucioni të mijëra fëmijëve. Ky publikim zyrtar është bërë në raportin e fundit të marsit 2006 nga i dërguari i lartë i OKB-së në Greqi, si dhe bashkëpunëtori i Kofi Anan, Zhan Migel Peti. Gjithashtu, të njëjtat akuzua rëndojnë edhe për median po ashtu edhe për policinë vendase, por më shumë nga të gjitha, akuza më e rëndë ka prekur edhe rastin e zhdukjes misterioze të 502 fëmijëve në “Fondacionin eksperimental” të kryer nga vetë qeveria e Greqisë më 1998, në “Agia Varvaras” në Sigru të Athinës. Raporti, i përbërë prej 24 faqesh, me 4 kapituj, si dhe 121 paragrafë, ka evidentuar një sërë problemesh që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimin e fëmijëve të huaj. Më konkretisht raporti bën fjalë për trafikimin e më shumë se 5800 fëmijëve, kryesisht shqiptarë dhe ciganë (romë), nga ku dyshon se në këtë trafik janë përfshirë edhe një pjesë e punonjësve të policisë. Nga burimet zyrtare, që i dhanë shërbimet informatike të Ministrisë së Rendit dhe ajo e Drejtësisë të dërguarit të OKB-së Piter, theksohet se shfrytëzimi i fëmijëve në pikat kryesore të rrugëve të Greqisë arrin deri në 12 orë në ditë, në frikën e tmerrin e trafikantëve, duke u sjellë atyre miliona euro në vit. Zhan Piter, si i dërguar i posaçëm i OKB-së për hartimin e raportit special, ka qëndruar në Greqi në nëntor të vitit të kaluar, po ashtu ai ka bërë vëzhgime edhe në Shqipëri në muajin tetor, po të vitit kaluar.Ky lajm është publikuar: 07/08/2006