BE, kushte Greqisë për të drejtat e emigrantëve
Të huajt, që punojnë në Greqi, këtej e tutje me të drejtë voteGreqia më së fundi ka bërë një hap përpara, duke u dhënë të drejta politike emigrantëve të ardhur nga vendet e treta dhe që nuk bëjnë pjesë në Komunitetin Evropian. Bëhet fjalë për emigrantët, të cilët kanë shumë vite qëndrimi në këtë vend. Është direktiva e Bashkimit Evropian të 25 nëntorit të vitit 2003, nr. 109/EK, ku të parët, që kanë përfaqësuar këtë direktivë dhe kanë mbështetur emigrantët, ka qenë partia opzitare e PASOK-ut dhe veçanërisht kryetari i saj, Jorgo Papandreu. Lidhur me këto të drejta, Qeveria e Karamanlisit është ndeshur jo pak herë me kritikat Komisionit Parlamentar Evropian si dhe të opozitës vendase. Emigrantët, me ligjin e ri të dalë nga Ministria e Brendshme Nr.160/2006, fitojnë më shumë të drejta se deri më sot. Gjithashtu konsiderohet si një rrugë e mbarë jo vetëm për të drejta politike për të votuar për bashkitë, po më e rëndësishme është se u lehtëson procedurat e bashkimit familjar, ku deri më sot zbatimi i këtij ligji ishte një ëndër e largët “europiane”. Jo pak, por më tepër se dy vjet ju desh kësaj Ministrie që të studionte dhe të hartonte këtë ligj “magjik” të një niveli evropian, ku, padyshim, një rol të rëndësishëm në projektimin e këtij ligji ka luajtur presioni i BE-së.
Kushtet
Përfitojnë emigrantët e ardhur nga vendet e treta dhe jo të vendeve të BE-së, si dhe ata, të cilët kanë një qëndrim më shumë se 5 vjet në Greqi, por me kusht që të ardhurat vjetore të përmbushin nevojat e familjes së tyre, duke mos rënduar arkën e sistemit ndihmës shoqëror të shtetit. Një kusht tjetër i domosdoshëm është që emigranti të jetë i siguruar në sigurimet shoqërore, si dhe të ardhurat e familjare në vit të jenë tregues që ai është taksapagues i rregullt. Gjithashtu, shëndeti i tij, por dhe i gjithë familjes të mbulohet nga arkat e sigurimeve shoqërore dhe jo nga shpenzimet e shtetit. Të njohë mirë historinë e kulturën e Greqisë dhe të flasë mirë gjuhën e këtij vendi. Në këtë ligj përjashtohen studentët, të cilët do të trajtohen sipas ligjit të mëparshëm, 2910/2001. Në plotësimin e këtyre kushteve emigrantët e vendeve të treta kanë të drejtë të bëjnë kërkesat për marrjen e lejes së qëndrimit me afat të gjatë. Për këtë leje emigrantët duhet të fillojnë edhe njëherë nga mekanizmi burokratik shtetëror, pasi shteti deri më sot u është borxhli emigrantëve në dhënien e dokumentave, për të cilat janë në pritje prej 10 muajsh.
Detyrimet
Fotokopje të pasaportës, ose të lejes së mëparshme të qëndrimit. Tregues nga zyrat e taksave, duke përfshirë edhe dy vitet e mëparshme (ku tregon se nuk ka detyrime ekonomike ndaj shtetit). Të tregojë se të ardhurat vjetore janë mbi 8.500 euro, po ashtu të tregojë me dokument se është i siguruar në sigurimet shoqërore dhe se nuk e rëndon shtetin. Gjithashtu, sikur të mos mjaftojnë këto, emigranti duhet të tregojë se ka blerë shtëpi dhe se kjo banesë i mbulon nevojat e strehimit të familjes së tij dhe se vjen nga një vend i “botës së tretë”. Të tregojë njohje të gjuhës, të dijë mirë historinë dhe kulturën greke. Këto të fundit janë edhe për fëmijët mbi moshën 16 vjeç, të cilët duhen të kenë kryer, ose të vazhdojnë shkollën në këtë vend. Emigrantët janë të detyruar që të kryejnë 25 orë mësim për njohjen e historisë së Greqisë dhe 100 orë për mësimin e gjuhës greke, ku më pas duhet të paraqesë një dokument për kryerjen e të gjitha orëve të mësimit. Ky detyrim është vazhdim i ligjit të mëparshëm 3386/2005, parag. 2, i nenit 68, si dhe të paraqesin akoma edhe tri fotografi me ngjyra. Një kusht vendimtar në dhënien e lejes është edhe pëlqimi i organeve të policisë, mbështetur në nenin nr. 4, ku me pëlqimin e këtyre organeve vendimi jepet jo më vonë se 6 muaj nga dita e bërjes së kërkesës, në mbështetje të urdhëresës së 13 janarit, 1030/2002.
Lejet e qëndrimit
Emigrantët, të cilët kanë nga 15-30 vjet qëndrim në Greqi, janë të detyruar t u nënshtrohen nga e para procedurave për të marrë një leje qëndrimi. Kjo tregon se Ministria ka vendosur pengesa për legalizimin e emigrantëve. Koha e dhënies së lejes së qëndrimit do të jetë 5 vjet, ku do të rinovohet në çdo 5 vjet në bazë nenit 4, ku emifranti është i detyruar të bëjë kërkesë për rinovim para se të mbarojë leja, sipas ligjit 3386/2005. Për këtë duhet të fotokopjohen të gjitha fletët e pasaportës, si dhe të gjitha lejet e mëparshme, (thua se emigranti po vjen për të parën herë në Greqi). Është një strategji e Greqisë, e cila, me ligjet e nxjerra njëri pas tjetrit, duket sikur i lehtëson emigrantët, por në fakt i pengon këta me shumë mënyra burokratike të panevojshme. Një rëndësi të madhe për legalizimin e emigrantëve në Greqi nuk është vetëm hartimi ligjeve, por më shumë rëndësi ka zbatimi i tyre, ku deri më sot ky vend me ka dështuar.
Ky lajm është publikuar: 02/08/2006