Monday, August 21, 2006

Emigrantët, “plaga që pikon” dhe BE-ja

Është fat i madh që edhe emigrantët janë njerëz. Por në vendet ku kanë emigruar duket se janë njerëz vetëm për të ofruar krahun e lirë të punës...

Photobucket - Video and Image Hosting

Emigracioni, “plaga që pikon”, muajt e fundit ka qenë në qendër të vëmendjes së Bashkimit Europian. Të ndodhur përballë një realiteti tronditës, qëllimi kryesor i vendeve anëtare ishte përpilimi i një strategjie të re, ndoshta për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë ksenofobisë dhe racizmit që ushtrohet ndaj emigrantëve. Por, zhvendosja e madhe e popullsisë në mënyrë ilegale drejt kufijve të Europës ka ndikuar që vendet e BE, të mendojnë se është e pa mundur për të shmangur emigrimin ilegal edhe pse në mes këtyre vendeve ra dakord për ruajtjen e përbashkët të kufijve. Një pjesë e vëndeve anëtare të BE kanë vështirësuar qëllimisht legjislacionin e tyre kombëtar për emigracionin për t’ua vështirësuar emigrantëve legalizimin. Me ndryshimin e njëpasnjëshëm të ligjeve dhe të qarkoreve duket qartë se emigracioni mbas ngjarrjeve tragjike të kohëve të fundit në Londër e Francë po merr gjithnjë karakter policor, duke mos patur asgjë të përbashkët me emigracionin e dekadave të mëparshme. Këto ndryshime kanë bërë sa që shkrimtari gjermani Max Frisch të shprehet me ironi se “emigrantët janë një forcë e madhe pune, si dhe kanë fatin të jenë njerëz”, (Kathmerini, 13 gusht 2006).
Fati i emigrantëve është në vartësi dhe varet nga politika që ndjek ai vënd për emigracionin. Qëllimi dhe strategjia e çdo vendi përballë fatit të emigrantëve janë të ndryshëm, kështu që një pjesë e tyre e shikojnë BE si një “kështjellë me dyer të mbylluara”, ku emigrantët të jenë në shërbim vetëm për të sjellë të mira materiale, pavarsisht se këto vënde kanë një histori dhe eksperiencë të veçantë si vende pritëse.

Strategjia e BE-së për emigracionin

Në qëndrimet e shtetave anëtare të BE-së për emigracionin ka një lloj “dyfytyrësie”: Nga njera anë u nevojiten emigrantët si krahë pune me kosto të ulët, si rregullatorë të sistemit të sigurimeve shoqërore dhe si zgjidhje e problemeve demografike, ndërsa nga ana tjetër, u tremben emigrantëve. Kjo dukuri vihet re në ksenofobinë dhe ligjet e ashpra për legalizimin. Dështimi i kushtetutës Europiane tregoi se këto vënde kanë shumë për të bërë, pasi në shumë pika nuk ranë dakord, por ranë dakord vetëm në një pikë të vetme, ta kthejnë Bashkimin Europian në një “kështjellë” të fortë kundër emigrantëve ilegalë.
Europa nuk ka pse t’i trembet emigrantëve të saj në qoftëse ajo ndjek një politikë të drejtë emigracioni, t’u japi të drejta të barabarta njëlloj me vendasit, nga ku edhe kjo shoqëri të respektoj emigrantët, të cilët sot për nga numri 37 milionë “përbëjnë” shtetin e 26-të në BE. Shumë përpjekje po bëhen në parandalimin e ashtuquajturit geto si në Francë, ku një shëmbull të mirë në këtë drejtim jep Greqia, nga ku banorët jetojnë në pallate sëbashku me emigrantët. Po a mjafton vetëm kjo?
Bashkim Europian po luan kartën e fundit lidhur me integrimin e emigrantëve, duke venë në dispozicion 1.7 miliardë euro ( 0.5 euro) për çdo emigrant, në një kohë kur akoma disa vende të këtij komuniteti ende nuk kanë zgjidhur përfundimisht problemin e legalizimit, po akoma po notojnë në ujrat e turbullta...
Në këtë komunitet 54% e emigracionit mbulohet, ku vetëm 44% prej tyre kanë mundur të futen në tregun e punës, ose 19% prej tyre të jenë të papunë. Janë gratë që kanë më shumë probleme se burrat lidhur me tregun të punës. Përsa i përket rolit të saj në shoqërinë vëndase me gjithë përpjekjet, as që bëhet fjalë.

Legalizimi, të paktën 1.176 euro!

Në Greqi janë bërë tre përpjekje të mëdha lidhur me legalizimin e emigrantëve më 1998 me dekretet presidenciale 357 dhe 359, në vitin 2001 me ligjin 2910, si dhe në vitin 2005 me ligjin 3385, por fatkeqësisht mungesa e një vullneti të mirë, si dhe mos interesimi i duhur i gjihë forcave politike, ka ndikuar që emigrantët të ndodhen në atë gjëndje që e dimë të gjithë. Tashmë vëmendja është përqëndruar në të ardhmen e “brezit të dytë”, pra tek fëmijët e migrantëve.
Të huajt në Greqi zenë 8.1% të popullsisë së përgjithëshme, ndërsa sëbashku me minoritarët apo homogjenet të cilët nuk kanë lindur në këtë vënd zenë 10.3% të popullsisë. Në këtë drejtim Greqia është kampione përsa i përket numrit të madh të emigrantëve, ku 57% të tyre e përbëjnë emigrantët shqiptarë, të cilët janë nga vetmit që punojnë në sektorët më të vështirë si ndërtimi dhe bujqësia.
Asnjë nuk e di numrin e saktë se sa emigrantë ndodhen këtu, por në regjistrimin e fundit theksohet nga Instituti për Politikat e Emigracionit se numri i emigrantëve është në 750.000. Greqia është i vetmi vënd në Europë që mbi 50% e emigrantëve vinë vetëm nga një vend, nga Shqipëria.
Përpjekje të mëdha u bënë për legalizimin e fundit me anë të ligjit 3385/05, ku afati ishte në fund të prillit 2006, dhe deri në këto momente thuhet se numri i emigrantëve të ligjshëm është në 500.000. Një fakt është se, shumë emigrantë vështirësohen për të mbledhur shumën e kërkuar të paravolave, ku sipas të dhënave zyrtare një kërkesë e tillë për legalizimin e një emigranti kushton jo më pak se 1.176 euro, ose 3.828 euro për një familje 3 pjestarësh. Një shumë kjo e madhe për një emigrant duke marrë parasysh pagën mesatare 500 euro në muaj.

50% e emigrantëve duan të qëndrojnë në Greqi

Më shumë se 50% e emigrantëve duan të qëndrojnë në Greqi , ndërsa rreth 300.000 prej tyre janë të siguruar në sigurimet shoqërore, nga këta 230.000 në IKA , ose 17% të numrit të përgjithshëm në këto sigurime. Në bujqësi emigrantët punojnë dhe janë të siguruar mbi 50.000 (OGA), ndërsa 10.000 në TEVE, ose 2.4% të numrit të përgjithshëm. Shqiptarët zenë 6.9% të numrit të përgjithshëm në këto sigurime shoqërore.
Përsa i përket kriminalitetit në vitin 1998 emigrantët zinin vetëm 0.6%, ndërsa në vitet 2003 kjo përqindje u rrit 5%, ku numri i keqbërësve në gjithë Greqinë llogaritet të jetë në 5000-6000 të huaj, ndërsa numri i evidentuar i keqbërësve është në 22.963 kundrejt numrit të përgjithshëm në kriminalitet që është në 173.298 keqbërës, ku 50% e të dënuarve vijnë si shkeje të paligjshëm kufiri, dokumenta fallco etj. Vetëm në burgun e fëmijëve në Avlona nga 204 të dënuar 155 ishin shqiptarë, ku në gjithë burgjet e vëndit të huajt zenë 45% të numrit të përgjithshëm. Policia i kontrollon emigrantët 15 herë më shumë se sa kontrollon një vendas.

Fëmijët e emigrantëve në shkollat e Greqisë.

Fëmijët e emigrantëve në gjimnazet në periferit e Athinës vijnë nga 75 komunitete, ku 80% e këtyre nxënësve janë fëmijë shqiptarë, ndërsa në shkollat teknike (likio) shqiptarët zenë 83. 5% nga 70 komunitete të ndryshme. Po numri i madh i fëmijëve shqiptarë është edhe në qytetin e Selanikut ku fëmijët e emigrantëve zenë 8.5% të numrit të përgjithshëm, ku shqiptarët zenë 56.3% të ndjekur nga gjeorgjianët me 17.5% etj.
Emigrantët përballë ligjeve të emigracionit janë ndeshur me vështirësi të shumta, ku ligji i fundit i vitit 2005 me dashje apo jo, shtyn një pjesë të mirë të tyre në ilegalitet dhe kjo më shumë në ata emigrantë të cilët nuk mund të plotësojnë disa kushte të vëna. Greqia mundohet që me direktivat e BE të hapë rrugë emigrantëve në integrimin e tyre, ku pjesa më i mirë e emigrantëve duket se ia ka arritur këtij qëllimi. Po nga ana filozofike lind pyetja a mund t’u japë Greqia shanse emigrantëve për integrim të plotë, në një kohë ku akoma ka probleme me legalizim afatgjatë, me të drejta politike etj.

Asnjë emigrant i paligjshëm në Greqi.

Photobucket - Video and Image Hosting

Kështu ka theksuar pak ditë më parë për radion Skaj 103.3 në Athinë, Ministri i Brendshëm Prokopis Pavlopulos, duke shtuar se “Emigrantët duhet të kenë të njëjtat të drejta me vëndasit. Dhe do ti fitojnë ato, duke filluar nga të drejtat në sektorin e punës dhe të integrimi në shoqërinë tonë”. Nuk është hera e parë që ministrat japin deklarata të tilla, të kujtojmë se të njëtën deklaratë pat bërë për median vëndase edhe ish ministria Vaso Papandreu. Po deri më sot këto lloj deklaratash kanë mbetur vetëm në premtime dhe asgjë më shumë. Po të shkojmë më larg do të shohim se kushtetuta aktuale vëndase nuk lejon përfitimin e të gjitha të drejtave politike për emigrantët e vëndeve jo anëtare të BE-së. Gjithsesi, zoti Pavlopulos ka theksuar se “Shpresojmë meqënese nuk patëm mundësi t’u japim këtë të drejtë emigrantëve që punojnë prej vitesh në Greqi, do të jemi gati në zgjedhjet e ardhshme. Prej kohësh ishte shfaqur nevoja e një organizmi të plotë të situatës, kjo nuk do të thotë se dëshirojmë të kufizojmë ardhjen e tyre...”.
Lidhur me legalizimin ministri Pavlopulos është shprehur se akoma nuk ka marrë fund shansi i legalizimit. Organet e administratës shtetërore janë në fazën e vlerësimit të situatës, ku kjo për shtetin grek është një eksperiencë e re, sa që ligji mund të ketë edhe boshllëqe... nuk do të mbetet asnjë emigrant i paligjshëm, ku nuk duhet të lejojmë asnjë viktimë shfrytëzimi nga të pandërgjegjëshmit.
Një fakt është se ndryshimi i herëpashershëm i ligjeve dhe dalja e mbi 70-80 qarkoreve lidhur me proçedurat e e galizimit duket se kanë humbur seriozitetin e duhur. Lidhur me këtë një sondazh i kryer vitin e kaluar në Greqi tregoi se 98% e emigrantëve nuk kanë besim dhe janë të pakënaqur nga legalizimi. Shpresojmë se deklarata e ministrit Pavlopulos të jetë e para dhe e fundit përsa i përket këtij problemi...


Publikuar ne gazeta "Tribuna"