Sunday, July 26, 2009

Shqipëria, vendi i mrekullisë dhe i lirisë, por edhe i skandalit e i diktaturës politike


Gazeta Sot


Është një mrekulli disi e veçantë për vendin tonë që kemi këta politikanë, por njëkohësisht edhe një skandal për ne shqiptarët e mësuar e të duruar. Mrekullirat dhe skandalet e përditshme te politikës janë bërë mikrobe në shoqërinë shqiptare. Politika në përgjithësi “në emër të popullit” ka ngritur në një shkallë të lartë profesionalizmin, duke e kthyer ambientin politik në interesa vetjake.

Besimi i sovranit përball politikës sa vjen dhe po bëhet më shqetësues kohët e fundit. Kjo u pa në zgjedhjet e fundit ku “sovrani”, një shprehje e politikanëve, për të ecur në rrugën e BE-së, u ndesh përball mrekullisë, pra ditës së votimit, diktaturës politike në numërimin e votave, duke lënë të kuptosh se i ka kthyer këto zgjedhje në parcela e çifligje sipas dëshirave të tyre politike. Pushteti i sotëm me padurim pret shtatorin për të formuar qeverinë e re me plane dhe strategji të reja, por në mungesë të një transparence politike. Por ...

Kisha një besim për një mrekulli në zgjedhjet e 28 qershorit, por edhe një frikë të ndonjë skandali të mundshëm, duke pasur parasysh se pushteti politik e kishte më të lehtë të çante malet e të hapë tunelet, se sa të numëronte fletët e votimeve. Por fatkeqësisht ndodhi ajo që dihet. Edhe pse kanë kaluar dy javë KQZ-ja ende nuk është në gjendje të japë rezultate përfundimtare, në një kohë kur Bullgaria votoi një javë pas nesh dhe i përfundoi numërimin e votave po para një jave (brenda 12 orëve).

Realiteti i shoqërisë sonë është i tej mbushur me fakte tronditëse,që tregojnë ndarje metafizike e mekanike të midis lirisë individuale dhe përgjegjësisë penale dhe sociale. Kjo gjendje detyroi edhe ndërhyrjen e kreut të shtetit, Bamir Topi, në vlerësimin e tij për zgjedhjet në vend, kërkoi që KQZ-ja të respektojë Kushtetutën e ligjin, për sa i përket ankimimeve dhe shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në deklaratën e tij presidenti theksoi se: “Është KQZ – ja që vepron mbi bazën e ligjit, që kontrollon dhe certifikon, dhe përtej KQZ-së, aty ku ka kontestime është Kolegji Zgjedhor. Dikur, Presidenti ka pasur përfaqësuesin e tij në KQZ dhe nëse do të ishte në atë kondicion unë do të kisha zë tjetër. Por, në momentin e realizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe të ligjit të ri zgjedhor, partitë politike parlamentare e kompozuan KQZ-në në mënyrë bipartizane”.

Pushteti që ka uzurpuar shtetin vazhdon akoma me arrogancën e KQZ-së, të mbajë peng vullnetin e mirëfilltë të popullit shqiptar, të nxijë e të sterrojë imazhin e vendit tonë, duke harruar se është një legjitim dhe jo një çështje dëshire politike. Pushteti i sotëm ende pa përfunduar zyrtarisht votimet, me padurim pret shtatorin për të formuar qeverinë e re me plane dhe strategji të reja, por në mungesë të një transparence politike.

Mesazhi i kryeministrit shqiptar se, votimet do të jenë të ndershme dhe të rregullta, tashmë kanë përfunduar në koshin e plehrave. Emërimi i kreut të KQZ-së nga pushteti natyrisht do të ndikonte në ndërgjegjen e ulët të politikës së sotme pushtetarë. Ndodhi ajo që pritej. Në vendin tonë këto zgjedhje ishin një test për “Demokracinë” e mëtejshme. Ishin një test i aspiratave të popullit tonë, ishin një test i politikës shqiptare, ishin një test për të njohur akoma më mirë vetveten se sa të vendosur ishim për të ecur më përpara.

Gjithashtu ishte një test për mbarë politikën shqiptare, por sidomos për pushtetin që ka uzurpuar të gjithë shtetin...Edhe pse nga ndërkombëtarët u dhanë udhëzime dhe paralajmërime si një shans i mëtejshëm për integrimin e vendit tonë në BE, një pjesë e politikës shqiptare tregoi se nuk është e gatshme për më tej interesave të ngushta vetjake apo personale. Rreth 500 vëzhgues ndërkombëtarë monitoruan nga afër procesin zgjedhor, të konsideruar si një test i rëndësishëm për progresin e demokracisë në vend, duke dhënë edhe raportin përfundimtar. Nga ana tjetër skandali i pushtetit të sotëm, ka bërë që Partia Socialiste prej disa ditësh rresht ka hedhur kritika ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kryeministrit aktual Sali Berisha për rezultatet në disa rajone të Shqipërisë, duke kërcënuar me mosnjohjen e zgjedhjeve nëse nuk u jepet e drejta për ankimimet e tyre.

Kamikazi i opozitës Rama, gjithashtu jo pak herë ka deklaruar se, “Të gjithë qytetarët e Fierit dhe mbarë Shqipërisë, që votuan PS në 28 qershor, të ndjekin nga afër maskaradën e KQZ, dhe të përgatiten shpirtërisht për të ndalur dorën e grabitësve, në rast se KQZ s’do të ndalet në realizimin e skenarit ogurzi të Sali Berishës”. Vëzhguesit kanë vërejtur probleme procedurale si pasojë e mungesës së trajnimit të pamjaftueshëm të komisionerëve dhe kritikojnë KQZ për nivel të ngadaltë administrimi dhe menaxhim të papajtueshëm të animimeve. Ky skandal politik e zgjedhor është përballuar edhe ndaj kritikave të misionit vëzhguesve të OSBE/ODIHR, për procesin e numërimit të votave se, “Sistemi i ri elektronikimonitorimit, sipas çdo votë duhet të vendosej para video kamerës që vëzhguesit të shihnin se për cilën parti ishte vendosur shenja, duket se nuk e ka rritur shumë transparencën e procesit. Në mënyrë të veçantë, nuk ishte gjithmonë e mundur të shikohej se për cilin subjekt ishte votuar apo nëse votat vendoseshin në stivën e votave të partisë së duhur”. Gjithashtu ODIHR, ka deklaruar se: “Numërimi i votave është njolla e zezë e zgjedhjeve”. Por dihet si një përgjegjës kryesor,pushteti i sotëm nuk i mori në konsideratë për të ndrequr gabimet, por vazhdoi ato akoma më tej, duke treguar se shoqëria është e dënuar nga këto skandale politike.

Të mirën shoqëria shqiptare do ta kishte në një kohë kur politika e vendit do të ishte në shkallën e duhur. Konkretisht Shqipëria tenton të barazohet me Europën e Bashkuar, një dëshirë e madhe kundrejt një mentaliteti ballkanik, që herë pas herë shfaqet në politikën shqiptare. Çdo ditë populli shqiptar ndeshet përball të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe rrallë përball realitetit. Gënjeshtra dhe mashtrimi janë binomi i jetës së politikës shqiptare, duke mos përjashtuar edhe vetë “Drejtësinë” e mbërthyer në kthetrat e kësaj “politike të re” por me fytyra të vjetra.

Dihet që prej shumë vitesh politika punoi për interesat vetjake, duke u shkëputur nga realiteti dhe premtimet e bëra më parë. Në prag të votimeve, në fushatat elektorale fillojnë mashtrimin e radhës, duke u venë në garë se kush do të gënjejë më shumë. Por edhe pas zgjedhjeve me pa të drejtë u luajt me votat e shqiptareve.

Mungesa e kulturës së politikanëve tanë, mashtrimet dhe ofendimet në debatet publike tregojnë qartë se vendi ynë me këta sëbashku do të vuajë akoma edhe dekada të tjera. Politika shqiptare paraqitet para popullit shqiptar me një nivel të ulët kulturor se vetë votuesi.

Abuzimi në votat e popullit tregojnë rrënjësisht se pushteti i sotëm ka një ngritje profesionale në premtime dhe mashtrime, përball një populli të vuajtur të çon vetvetiu në pyetje se, a mund të luftohet mashtrimi dhe korrupsioni nga njerëz të korruptuar të këtij pushteti? Dimë që shteti përbën qeverinë, por nuk është identike me atë, dhe se shteti nuk i takon qeverisë, por është qeveria ajo që i takon shtetit.

Realiteti tek ne tregon se qeveria aktuale po ç’ekulibron këto marrëdhënie, duke ozupuar akoma më shumë shtetin, ku pushteti po ndërtohet jashtë dëshirave të popullit.Reformat në Shqipëri nuk mund të kryhen pa përcaktuar parime të qarta e një metode të qartë pune, pa një program konkret afat gjatë, sepse të gjitha mendimet dhe dëshirat mbi integrimin europian do të kthehen në një retorikë të pabazuar. Shoqëria jonë duke u bërë pjesë e ndërgjegjes europiane mund të konsiderohet si partnere për të hyrë me dinjitet në Europën e Bashkuar, në një kohë kur paraqitja e kësaj përvoje do të nxjerrë në pah shumë të meta, të cilat i lenë shteg arbitraritetit individual në aspektin politik dhe social.

Opozita nuk ka mbetur pa bërë edhe akuzën ndaj kryetarit të KQZ-së Arben Ristani se:"Ky zotëri i dënuar dikur me burg për marrje ryshfeti, sot i kthyer në gardian të burgut ku Sali Berisha kërkon të kyçë të vërtetën e 28 qershorit, është fytyra e këtyre zgjedhjeve të damkosura me turpin e mungesës së plotë të standardeve”. Vendosja e një njeriu të tillë në krye të një organi të lartë zgjedhor tregon qartë seriozitetin e pushteti për zgjedhje të lira dhe të ndershme, tregon qartë se deri ku ka mbërritur nderi dhe dinjiteti i këtij pushteti.Ka ardhur koha që të pritet rruga e këtij fenomeni dhe të dal përgjegjësia në KQZ-në, që bëri atë që nuk duhej bërë. Mos ndoshta ky komision nuk pati kohë dhe dëshirë të njohë ligjin?...

Dëshira e kreut të KQZ për të bllokuar numërimin e votave dhe anasjelltas, tregon se kreu i kësaj KQZ ka marrë ngjyra politike, duke prishur legjitimin zgjedhor. Mungesë profesionale, apo transmetim politik. Askush nuk ka të drejtë të veprojë e të luaj jo vetëm me mandatin por edhe me votën. Numërimi i votave ende i pa përfunduar edhe pas dy javësh është një skandal tjetër politik që ka njollosur edhe një herë këto zgjedhje. Në emër të demokracisë, përfaqësuesi i shtetit është kudo ndodhur si një person i shërbimeve publike, si një “pronë e shtetit”, fatkeqësisht kundra çdo mekanizmi të ashtuquajtur “shtetëror”. Votimet mbahen peng nga diktatura politike në mungesë të lirisë së një demokracie të vërtetë... Një dialog i ndershëm është e vetmja mënyrë e zgjidhjes së problemeve në shoqëritë demokratike dhe civilizuese, për të gjetur një zgjidhje të dobishme të interesit të përbashkët të të gjithë qytetarëve.

Kur bëhet një padrejtësi të gjithë mbështetemi te shteti, por edhe kur kemi nevojë që të ndërhyjë themi; A ka shtet? Ku është shteti? Pra nuk themi ku është qeveria. Askush nuk ka të drejtë të lozë me fatet dhe interesat e popullit...