Sunday, July 26, 2009

Rama një kamikaz i PS, apo viktimë i vetvetes?...


Gazeta Sot


Zgjedhjet e fundit nxorën në dritë vullnetin e popullit për një demokraci të vërtetë si dhe karakterin e politikës shqiptare. Nxorën në dritë se sa e denjë është politika shqiptare për të udhëhequr popullin tone drejt rrugës së integrimit për në BE, por njëkohësisht tregoi se politika shqiptare me anën e KQZ, po mban akoma peng numërimin e votave në një kohë kur kanë kaluar mbi dhjetë ditë, kundrejt një kulture të ulët politik. Tregoi se 92% e popullit votoi për dy partitë e mëdha, duke i dhënë mandatin e dytë së djathtës, duke shmangur dhe provuar njëkohësisht regresin e së majtës. Në këto votime votuan afërsisht 50% e votuesve si dhe 5% e emigrantëve. Tregoi se edhe në Shqipëri ka ardhur koha që të besohet se e Djathta mund të bashkohet me të Majtën ashtu siç ndodh në vendet perëndimore. Gjithashtu tregoi se ka humbur niveli i standardeve që kërkohej nga votuesit, pavarësisht nga premtimi politik…

Njeriu misterioz që hipi në majën e piramidës me katapult do të mbahet mend për shumë vite si një përçarës i së majtës, por edhe si shkaktar kryesor i humbjes së socialistëve në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit të 2009. I ardhur nga emigracioni ende pa qenë anëtar i kësaj partie, me forcat e veta bëri të mundur të vendosë një tip “censurë” si brenda ashtu dhe jashtë partisë, duke bërë të mundur një lloj reformimi brenda kampit socialist. Si një politikan progresist Rama bëri të pamundurën në të mundur duke larguar politikanë me zë që kishin kontribuar në politikën shqiptare, duke filluar që nga ish presidenti Rexhep Mejdani dhe ish kryeministri Nano, Servet Pëllumbi etj.

Si një bashkiak i suksesshëm vinte në Partinë Socialiste si një kryetar me vizione të reja me mesazhin e një “politike të re” duke u bazuar edhe tek elementi i ri e pa perspektivë i parakohshëm, por duke i mbështetur gjithashtu edhe tek xhaketat e vjetra. Largimi i politikanëve më me zë dhe mënjanimi i tyre në këto zgjedhje tregonte se Rama po hapte një plagë të dytë brenda partisë, ndërsa marrëveshja e përbashkët me kryetarin e PD-së për ndryshimin e kodit të sistemit të ri zgjedhor e vuri atë përball vetes së tij edhe kundërshtarë të tjerë.
Në vend që të punonte për bashkimin e të majtës Rama bëri të kundërtën, pasi kërkonte që në votime të shkonte i vetëm duke mos llogaritur mirë kohën dhe vendin e duhur. Rama shkonte në këto zgjedhje i vetëm përball një politikani të vjetër që gjatë gjithë jetës së tij politike vetëm premtonte, por njëkohësisht Rama nuk e shfrytëzoi mirë këtë situatë duke mos patur një platformë konkrete para elektoratit të tij.

Me filozofinë “Rama i vetëm” si forcë e madhe opozitare, synonte njëkohësisht të mbante mbi supe një peshë të rëndë duke bërë një eksperiment para kohor në vendin tonë, por njëkohësisht me vetëdije punoi për të groposur aleatët e koalicionit të tij. Metoda filozofike “Rama i vetëm” në zgjedhje solli humbjen e së majtës dhe njëkohësisht edhe largimin “Rama ik” ose edhe pse jo “Arben Malaj hajde”. Edhe pse ka marrë dhjetë mandate më shumë se zgjedhjet e 2005, Rama ka prodhuar njëkohësisht edhe humbjen e subjekteve të vogla ku shumë mirë mund të kishte bërë një koalicion të mundshëm.

Kjo tregon se kreu socialist tentonte që të grumbullonte votat i vetëm ,duke shkatërruar përfundimisht këto subjekte të vogla, por njëkohësisht duke rënë vetë brenda. Deklarata e tij se do të largohej në rast humbje mendohet se ishte vetëm një mashtrim politik, dhe jo një largim konkret. Rama korri atë që mbolli...Humbja e së majtës në Shqipëri mban vulën dhe përgjegjësinë e vetë kreut të saj, i cili kishte bindje dhe propagandonte se i vetëm pa LSI-në do të fitonte zgjedhjet, por pasi më parë ta kishte groposur atë. Pas votimeve ai kërkonte një koalicion me LSI-në, që sot po luan një rol të rëndësishëm në qeverisjen e të djathtës për 2009-2013. Qeverisja e vendit me koalicionin Meta mund të ketë pasoja për qeverinë nr.2 Berisha, pasi Meta njihet si një politikan i paqëndrueshëm në momente të caktuara dhe si një njeri që do pushtet.

Me një pretendim për një “politikë e re” dhe ndryshim Rama nuk mund të ecte përpara me njerëz të veshur me kostume të vjetra, ashtu siç u shpall para elektoratit në Tiranë, sepse politika e re kërkon njëkohësisht element të rinj dhe strategji të re me një program partie konkrete. Rama nuk kishte përpara elektoratit të vet një program të qartë, në një kohë kur kishte përball një ujk të vjetër të politikës shqiptare, i cili siguronte se do të njihte çdo rezultat zgjedhor, pasi më parë kishte bërë të mundur koalicion me të gjitha subjektet e vogla.Humbja në zgjedhje bën që kryetari i saj, Edi Rama të dalë shpejt në pension, të japë dorëheqjen, ashtu siç dha më 2005 dorëheqjen e parevokueshme pas humbjes Fatos Nano, e këtë radhë Petro Koçi. Mendohet se kjo humbje mund të vlejë për programimin e një platforme konkrete në ndërtimin e një federate të majtë, me qëllim bashkimin e të gjitha subjekteve të majta duke përfshirë Mejdanin dhe Nanon, Pëllumbin etj. Ndërkohë brenda selisë rozë ka filluar të pozohet për kreun e PS, Majko, Mejdani dhe Malaj, për zëvendësimin e Ramës, ku më shumë shanse mund të ketë për të zënë kreun Malaj, që mund të mbështet nga Majko dhe Nano.

Pas pranimit të humbjes nga Edi Rama pritet me padurim edhe largimi i tij, si dhe një reformë në zëvendësimet e kryetarëve të vendosur më parë nga vetë Rama. Kreu i PS gjatë gjithë kohës në drejtimin e PS, nuk ka mbajtur lidhje të mira edhe me Degën e PS në Greqi, pasi drejtuesit e saj më parë kishin qenë simpatizantët e Nanos. Pas humbjes pritet që edhe këta të bëjnë një reformë duke mbajtur qëndrim edhe karshi Ramës. Koalicioni i Metës me Berishën nuk luajti ndonjë rol të rëndësishëm për të justifikuar dhe forcuar më shumë qëndrimin e Ramës në PS. Rama e ka të qartë se me të njëjtën katapultë që hipi në me të njëjtën do të zbresë, për këtë nuk ka asnjë dyshim.

Ai vetë duhej të ishte larguar nga drejtimi i PS, dhe jo më të pretendojë akoma në dy tre kuti votimi, ose të shpresojë tek Ruçi për të hedhur në rrugët e vendit një pjesë të simpatizantëve në protesta .Një pengesë kryesore për largimin e Ramës nga kreu i PS, janë “kostumet e vjetra” si Gramos Ruçi, Namik Dokle, Arta Dade dhe Fatmir Xhafa, të cilët i bëjnë presione për të mos marrë këtë vendim. Rama gjithashtu ka përballë edhe njeriun më të afërt Ben Blushin, i cili kërkon që të njohë pa humbur kohë humbjen e zgjedhjeve dhe mos mendojë bojkotimin e parlamentit dhe të heqë dorë nga nisja protestave.

Siç dihet protestat e dhunshme se: “do ta mbrojmë votën me gjak“ nuk janë një zgjidhje e mirë se sa një autokritik për humbjen dhe largimi i tij. Integrimi i vendit varet në radhë të parë nga vetë integrimi i politikës shqiptare në përgjithësi, të pranosh humbjen nuk është krim, por krim është të ngresh popullin në protesta të padrejta...