Thursday, February 03, 2011

Ja gjashtë deputetët e PS që ndihmuan Papandreun në zgjedhje

Tirana Observer 9 /11/2010

Deputetët socialistë takohen dhe me emigrantët mbështetës të tyre

Ditën e premte më 5 nëntor 2010, një grup deputetesh i kryesuar nga Fatmir Xhafa, Eduart Shalsi, Arben Ahmetaj, Ervin Koçi, Luiza Xhuvani, Armando Subashi, si dhe koordinatori për emigracionin, Erion Veliaj, etj., kanë bërë një vizitë në kryeqytetin helen me rastin e zgjedhjeve lokale në mbështetje të Partisë Socialiste Pasok.
Që në fillim ata janë takuar edhe me kryeministrin grek Jorgo Papandreu. Grupi shoqërohej nga kryetari i degës së PS për Greqinë, Anastas Murati. Në zyrat e PS ditën e shtunë, grupi i deputeteve ka bërë edhe një takim me kryesinë dhe simpatizantët e PS në Athinë. Që në fillim, Fatmir Xhafa u ka përcjellë të pranishmëve përshëndetjet nga kryetari i PS, Edi Rama.


Takimi me emigrantët


Xhafa në bisedë me emigrantë theksoi se roli i emigrantëve shqiptarë në Greqi është i madh dhe për këtë duhet një organizim sa më i përsosur me qëllim që edhe ata mund të përfaqësohen në Parlamentin grek. “Sa më të organizuar që të jeni aq më shumë do të dëgjohet zëri juaj, aq më shumë do të ketë peshë fjala juaj. Duhet që të mos humbasim kohën duke luftuar njëri-tjetrin, pasi shumë kohë na ka ikur me këto gjera. Unë ju falenderoj që jemi këtu për t’ju ndihmuar ju. Mund të kishim punuar më mirë dhe për këtë, kemi ndjerë përgjegjësitë tona dhe kjo është thënë edhe në kryesinë e PS. Konkretisht puna nuk ka ecur mirë me ju. Ne jemi këtu për të hapur një faqe të re. Lidhur me PS, në Greqinë do të bëhet një organizim i ri në bazë rrethesh sipas statusit. Ky organizim do të jetë në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme. Prandaj kemi ardhur këtu për të dëgjuar shqetësimet tuaja. Problemi që ju ngritët për pasaportat ka qenë kërkesa e PS kjo edhe për çmimin që të jetë sa më i ulët. Ne kemi ngritur edhe çështjen e shkollave shqipe. Erion Velaj siguroj një numër të konsiderueshëm abetaresh dhe prapë mund të sigurojmë po qe nevoja” u shpreh Xhafa. Fatmir Xhafa u ka prezantuar Erion Velajn si koordinator ndërmjet PS dhe emigracionit në Greqi.


Emigrantët: Duhet të jeni më të kujdesshëm me ne


Emigrantët në diskutimet e tyre theksuan nevojën e një bashkëpunimi sa më të ngushtë, pasi kohët e fundit shikohet nga PS në qendër një shkëputje dhe indiferentizëm. Përsa i përket halleve dhe problemeve të tyre, ata ngritën si shqetësim asimilimin e fëmijëve shqiptarë ku në këtë drejtim, PS si një forcë e madhe në vend, duhet të jetë më e kujdesshme dhe të ndjekë hallet e problemet e tyre. Kriza ekonomike ka bërë që shumë emigrantë të marrin rrugën e kthimit, po në këtë drejtim nuk ka asnjë favorizim nga qeveria shqiptare. “Jemi mbi milionë dhe nuk kemi një shkollë shqipe, ndërsa grekët për 100-2000 fëmijë minoritarë kanë hapur shkolla për fëmijët e tyre. Një komb mbahet gjallë nga gjuha dhe kultura. Si ka mundësi zotërinj deputetë që për 20 vjet emigracion të mos kemi një qendër kulturore, për këtë, në bashkëpunim me ju, kërkojmë nga biznesmenët të na ndihmojnë duke marrë me qira një godinë. Kjo tregon se jemi pa atdhe dhe pa shtet. Kriza ka bërë që ju duhet të ndërhyni tek Papandreu, pasi kërkesat për legalizimin e dokumenteve janë vështirësuar. Kthimi jonë në Shqipëri na bën që të ndjehemi emigrantë të dyfishtë pasi edhe fëmijët tanë që kanë mbaruar studimet e mesme dhe të lartat nuk dinë shqip. Ne ju falënderojmë për ardhjen tuaj, na kini pranë” u shprehën emigrantët...