Kur drejtojnë të paaftët mbyten dhe të aftët
Tirana Observer 7/12/2010Dhe sa herë të tjera do përmbytet vendi? Më mirë se kushdo përgjigjen më të saktë pritet ta japë vetë qeveria, që sot vrapon dhe nuk arrin për të ndaluar të keqen e sapo filluar. Pengje të kësaj paaftësia janë banorët e dëmtuar nga përmbytjet e radhës, që po kthejnë vendin disa dekada prapa në këneta dhe moçale. Të konstatosh dhe të urdhërosh në raste të tilla përmbytjesh është rruga me e shpejtë dhe më e lehtë e një qeverie te paaftë, që sot ka katandisur vendin në këneta dhe moçale.
Siç dihet mungesa e te aftëve dhe profesionale bën që një pjesë e vendit tonë të përmbytet për të pestën herë radhazi brenda vitit. Një rast i shekullit? Pesë-gjashtë qytete tashme janë gjunjëzuar përmbytjeve të radhës. Kryeministri në mënyrë publike ka mbathur çizmet për ti dhënë kurajo se ndodhet pranë viktimave, i ndjekur nga zëvendësi i tij Meta, por a mjafton kjo? Askush nuk mund të thotë me gojë të plotë që vendi ynë nuk do të ketë pamje të kësaj natyre. Të përmbyturit tashme po humbasin durimin. Në Fushë-Krujë protestat sapo kanë filluar. Viktimat ngrenë kokën lart për të parë qiellin.Opozita konstaton dhe kritikon duke mos dhënë rrugët për një zgjidhje të problemit. Thua se kjo situatë i përket vetëm qeverisë, që nga ana e saj nuk ka ende dëshirë të mbledhë partitë politike për një unitet të përbashkët për kapërcimin e situatës. Studiuesit specialistët dhe projektuesit nuk janë marrë ende në konsideratë nga të paaftit që për të pestën herë zhdukin nga harta fshatra të tëra. Kryeministri Berisha këtë radhë mendon edhe të keqen, rrënimin politik si një kryeministër i të keqes. Pa u ulur dhe gjetur shkaqet e kësaj tragjedie mazhoranca dhe opozita janë hedhur në garë në kritika të ashpra, duke mos u kujtuar për njerëzit që ende u mungon uji dhe energjia.
Shirat e fundit. Koha e keqe, prurjet e ujit në hidrocentrale janë të mëdha duke mos dhënë për momentin shpresa për përmirësimin e situatës, duke bërë niveli i ujit në këto hidrocentrale të jetë në pikat kritike. Shkarkimet vazhdojnë me ritme të larta, duke keqësuar akoma më shumë situatën. Çdo ditë mbi 3 mijë metra kub shkarkohen në zonat e përmbytura. Kryeministri si gjithnjë vazhdon të përdor sloganin e njohur që të mos ketë jetë të humbura, duke mos patur kurajon dhe moralin për një falje publike, duke larguar nga qeveria e tij çdo përgjegjësi politike, duke e patur të qartë se asgjë nuk do të bëhet ashtu siç ishte më parë. Për mos profesionalizëm në drejtim të vendit miliona para të paparashikuara do të investohen jo për infrastrukturën, por për dëmshpërblime materiale. Shkatërrimi i disa institucioneve studimore dhe projektuese hidroteknike, beri që gjatë 20 vjetëve të fundit, asnjë qeveri nuk mori mundimin të vinte dorë në pastrimin e kanaleve dhe të hidrovoreve. Asnjë mjet pune nuk u pa në pastrimin e tyre. Indiferentizmi i qeverisë bëri që një pjesë e popullit të pësojë dëme të mëdha ekonomike po më kryesore dhe atë psikologjik. Ndonjë dikaster gjeti rrugën më të lehtë duke ju larguar përgjegjësisë dhe hedhur fajin natyrës, kur duhej të kërkonte përgjegjësitë brenda saj. Në Torovicë, nga televizioni shikojmë një ekskavator që shtron inertet e hedhura nga dy kamiona në prani të vetë kryeministrit, për të na treguar punën e madhe qe bëhej, në një kohë kur kjo duhej të ishte bërë me kohë.
Opozita nga ana e saj ka mbetur vetëm me deklarime publike. Brenda gjirit të saj ka shumë deputetë biznesmenë të cilëve ju mungoi dëshira dhe vullneti për të bërë diçka në këto momente që po kalojnë të dëmtuarit. Opozita është mjaftuar vetëm me konstatimet dhe replikat e radhës, kur i kishte të gjitha mundësitë që të ngrinte në këmbë strukturat e saj politike duke dhënë ndihmë konkrete. Asnjë thirrje dhe asnjë lëvizje nga ana e saj. Përballimi i situatës së sotme nuk është vetëm detyrë e qeverisë, por edhe e një detyrim i opozitës si një qeveri e së ardhmes. Kjo situatë tregoi edhe njëherë se me njerëz të paaftë nuk mund të ketë unitet, por vetëm ngjyra politike, të cilët janë të aftë për të bërë pozitë dhe opozitë në kurriz të popullit. Evakuimi afatgjatë i banorëve përbën për qeverinë një qetësim sekondar.
Ndonjë biznes ka fërkuar edhe duart. Varkat edhe çizmet janë më të kërkuarit nga viktimat. Kjo ishte një dhuratë e të paaftëve me rastin e festave të fundvitit. Të paaftët treguan se janë në gjendje të mbytin edhe të aftit, kjo ndodh në Shqipëri!