Kush do ta ndalë korrupsionin politik?
Gazeta "SOT" 22/07/2010Çdo ditë vendi përballet me skandale të ndryshme politike dhe ekonomike, përballë një drejtësie të paralizuar. Kjo nga një pakicë njerëzish të veshur me pushtetin që i dha populli, brenda një periudhe të shkurtër janë pasuruar aq shumë, sa që sot nuk u besojnë syve të tyre. LSI, në këtë drejtim me kreun e saj z. Meta po jep shembullin më të keq në qeverisjen e vendit, duke përfituar më shumë nga ç’mendonte para se të futej në koalicion. Qeveria Berisha tashmë duket e pafuqishme për të parandaluar skandalet e radhës. Por deri kur?
Demokracia nuk është vendi i këtyre parazitëve, por mesa duket demokracia shqiptare i pranon këta parazitë në trupin e saj të brishtë. Demokracia shqiptare ndryshe nga ajo e vendeve të tjera, u ka dhënë të drejtën krerëve të pushtetit që për të na qeverisur duhet të na premtojnë, të na gënjejnë, të na mashtrojnë sa herë që duan, vetëm e vetëm për të veshur kostumin e pushtetit për interesat vetjake. Skandalet e freskëta të ditëve të fundit janë pasqyra e sistemit të sotëm.
Në emër të demokracisë abuzohet deri aty, sa vetë Kryeministri tallet dhe luan me ndjenjat e popullit, ndërsa kabineti i qeverisë së tij pas skandaleve bën sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë. Këta drejtues pushteti që uzurpuan shtetin të kthyer në parazitë në kurriz të shoqërisë, treguan se janë të pathyeshëm në demokracinë e sotme shqiptare, që sapo ka hedhur themelet pas një diktature 50 vjeçare, duket se i lehtëson këta parazitë të zhvillohen.
Vetë parazitët kujdesen që mundësinë që u dha demokracia për t’u zhvilluar pa patur pengesa, të mos i lërë mëndja që të sundojnë në dëm të saj, sepse më pas nuk do të kenë më mundësi për të gjetur vendin dhe kohën për të qenë më parazitë në kurriz të popullit. Uinston Çërçill ka theksuar se “Demokracia është forma më e keqe shtetërore, me përjashtim të të gjitha të tjerave.
Sot në demokracinë e brishtë shqiptare shumë politikanë po përfaqësojnë interesa të ngushta materiale, si edhe të disa klasave duke dëmtuar deri diku imazhin e tyre politik. Mungesa e transparencës në investime të ndryshme ekonomike për interesa të tyre janë një tregues kuptimplotë përballë shoqërisë. Moskryerja e misionit ndaj situatave dhe kërkesave në kohë do rrisnin pakënaqësinë e popullit.
U ka dhënë mundësi që kur marrin në duar frenat e drejtimit të vendit, pa patur turp e dinjitet të luajnë me fatet e popullit tonë, duke na treguar se pa ata vendi do të shkonte në katastrofë, pasi më parë kanë siguruar jetën e familjeve dhe fëmijëve të tyre. Gjithashtu u lejon këtyre parazitëve të shoqërisë që të bënin privatizimin shtetëror me stilin “Made in Korruptiv Albania”, duke grabitur për vete dhe njerëzit e tyre pasuritë e popullit, pasurinë shumë vjeçare të ndërtuar me mund dhe djersë. U lejon që të na flasin për korrupsion, në një kohë kur këta parazitë nuk mund të jetojnë një ditë pa të. Na flasin për një ndryshim në sistemin tonë demokratik, kur vetë në radhë nuk kanë ndryshuar, duke ditur se erdhën nga sistemi i mëparshëm. Na flasin për antikomunizëm nga pozita ende komuniste apo të kriptokomunizmit, duke na bërë që të qeshim, në një kohë kur është për të qarë. Thua se Shqipëria nuk kishte më parë, si edhe nuk ka as sot element fizik të pastër.
Në emër të demokracisë na vidhen në mes të ditës votat. Në emër të demokracisë zënë karrigen për në parlament njerëz që nuk e meritojnë, njerëz me dy fytyra, pasi duhet të dalin para drejtësisë. Në emër të demokracisë na flasin kur duhet të japin llogari para drejtësisë për pasuritë e tyre të mëdha. Fenomeni i shumë përfolur Gërdeci i Mediut apo rruga Basha mbeten tashmë të harruar nga pushteti i sotëm, pasi të tjera skandale dalin në dritë. Këta njerëz që vranë në Gërdec, apo vodhën parat e popullit dhe u pasuruan si asnjëherë tjetër, udhëheqin akoma dikastere të rëndësishme…
Ja ku na katandisën parazitët e demokracisë.
Dihet që demokracia nuk mund të qëndrojë në këmbë e të ecë përpara pa prezencën e qytetarëve. Populli voton për qeverinë për të udhëhequr shtetin. Është populli ai që i jep besimin disave që të jenë në krye të shtetit. Demokracia u ka lejuar që në emër të saj çdo gjë të legalizohet, edhe pse prish interesat e shoqërisë dhe mbarë kombit. Për të mbajtur pushtetin legalizojnë qindra objekte e banesa të pa miratuara në kundërshtim me ligjin mbi urbanistikën, në një kohë kur duhej prishur.
Flasin për liberalizimin e vizave kur vetë janë të liberalizuar pasi e dinë që nuk realizohet. Flasin dhe premtojnë pasi e dinë sa më shumë të premtojnë aq më shumë do t’i besojmë. Miratojnë ligje në një kohë kur janë këta të parët që nuk i zbatojnë. Bëjnë sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë që edhe Shqipëria të integrohet sa më parë në familjen evropiane, kur më parë na kanë marrë votën, e më pas na lëmë të rrimë në mëshirën e fatit dhe në duart e ndërkombëtarëve për të na ndihmuar. Në një aspekt shikon se populli përpiqet me të gjitha mënyrat për të jetuar, ndërsa qeveritaret shikojnë interesat e tyre. Sot në parlament rrallë mund të gjesh ndonjë politikan që të luftojë për interesat e kombit
Që të mashtrosh veten është e drejta kujtdo, por të mashtrosh një popull të tërë përbën një krim politik.
Të mirën shoqëria shqiptare do ta kishte në një kohë kur politika e vendit do të ishte në shkallën e duhur. Konkretisht Shqipëria tenton të barazohet me Europën e Bashkuar, një dëshirë e madhe kundrejt një mentaliteti ballkanik, që herë pas herë shfaqet në politikën shqiptare. Çdo ditë populli ndeshet përballë të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe rrallë përball realitetit. Gënjeshtra dhe mashtrimi janë binomi i jetës së politikës shqiptare, duke mos përjashtuar edhe vetë “Drejtësinë” e mbërthyer në kthetrat e kësaj “politike të re” me fytyra të vjetra. Demokracia gjithashtu lejon edhe indiferentizmin tonë për mëkatet e mëkatarëve, duke lënë në mëshirë të tyre fatin e fëmijëve tanë, fatin e kombit tonë.
Mungesa e kulturës së politikanëve tanë, mashtrimet dhe ofendimet në debatet publike tregojnë qartë se vendi ynë me këta së bashku do të vuajë akoma edhe dekada të tjera. Politika shqiptare paraqitet para popullit shqiptar me një nivel të ulët kulturor, mashtrues dhe lypës... Për këtë indiferentizëm të sotëm, shoqëria e të nesërmes nuk do të na i fal, por ja që në demokraci duhet të jetojmë së bashku edhe me këta...