Wednesday, June 02, 2010

Kriza në Greqi


Gati rikthimi i 200 mijë emigrantëve shqiptarë
"TIRANA OBSERVER" 2/06/2010


Kriza në shtetin grek, detyron shqiptarët ti japin fund emigracionit Asgjë nuk mbetet ashtu si më parë. Kriza ekonomike që po fundos nga dita në ditë vendin helen, po rrezikon gjithmonë e më shumë sigurinë e qëndrimit të pjesës më të madhe të emigrantëve shqiptarë. Ky kthim i mundshëm dikur dukej si një skenar filmi, ndërsa sot duket se përbën një realitet të thurur në legjendë.

Nga dita në ditë grupe emigrantësh shqiptarë, të detyruar, po i drejtohen përkohësisht apo përfundimisht vendit të tyre të lindjes. Deri më sot nuk ka një numër të saktë nga shteti shqiptar, pasi edhe interesimi ndaj këtij fenomeni është zero. Sipas burimeve të mediave vendase, bëhet fjalë se të paktën rreth 30 për qind, ose 200.000 emigrantë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi, pritet nga dita në ditë të rikthehen në vendin e tyre. Kthimi i emigrantëve do të ketë një faturë të rëndë ekonomike për vetë Shqipërinë, që gjatë 20 vjetëve të emigracionit ka mbajtur një qëndrim të pa pranueshëm.
Mungesa e politikave dhe e një strategjie për emigracionin nga politika shqiptare kanë indinjuar në maksimum kohët e fundit emigrantët tanë në Greqi, ku edhe të indinjuar kanë mbetur edhe nga politika e propaganduar nga qeveria “Papandreu”, që deri më sot jo vetëm nuk ka mbajtur asnjë veprim, por përkundrazi, vazhdon fshesën ndaj tyre.

30 për qind e emigrantëve do të kthehen
Kushtet e legalizimit, ndërprerja e kontratave të punës me pronarin, gjendja e rëndë ekonomike gjatë gjithë këtyre viteve, i kanë lodhur së tepërmi emigrantët, që po i drejtojnë sytë gjithnjë e më shumë nga vendi i tyre. 30 për qind e të pyeturve janë përgjigjur se nuk mund të qëndrojnë më dot, dhe përgatiten për t’u kthyer. Dikur punonin me ëndrrën për të mbledhur para, ndërsa sot jeta e tyre varet nga këto të mbledhura.
Shumë mallra shtëpiake apo automjete janë blerë nga emigrantët me para në dorë, ndërsa pjesa tjetër me anën e kësteve. Çdo fund muaji në bankat e vendit, shumë emigrantë tërheqin sasi parash për të përballuar jo vetëm nevojat e jetesës, por edhe për të paguar këstin e automjetit dhe mallrave të tjera shtëpiake.
Një barrë e rëndë për tu përballuar janë edhe taksat e vendosura nga shteti (paravolat) 300 euro për çdo emigrant në rast rinovimi të dokumenteve, si dhe të tjera para për blerjen e ensimave (pullat e ditëve të punuara). Tashmë kriza ekonomike po gjunjëzon nga dita në ditë me dhjetëra emigrantë, që deri dje e shikonin krizën si një fenomen që do kalohej pa i prekur këta.

Preket biznesi shqiptar
Kriza nuk la pa prekur edhe biznesin shqiptar që pas viteve 1998 mori një zhvillim të kënaqshëm. Numri i tyre në gjithë Greqinë kapi shifrën 20.000, duke tërhequr edhe vëmendjen e mediave vendase. Një pjesë e prej tyre kanë përfaqësuar në panairet ndërkombëtare vendin tonë, ndërsa sot një në tre prej tyre po shkojnë drejt falimentimit. Me gjithë uljen në çmime, fuqia blerëse ka rënë në minimum.
Rritja e TVSH-së, nga 19 për qind në 21 për qind, ndikoi negativisht në frymëmarrjen e këtij sektori që sot shikohet si një falimentim i sigurtë, edhe pse qeveria “Papandreu” ka parashikuar për të hedhur në këtë sektor rreth 1 miliardë euro.

Rikthehet papunësia në Sheshin “Omonia”
Qendra e Athinës ka marrë pamjen e viteve 1990-të, ku çdo mëngjes shumë emigrantë me çanta në duar grumbullohen në shesh me shpresë për të siguruar punë. Pasi presin me orë të tëra, fytyra të lodhura dhe të pa shpresa marrin rrugën e kthimit për në shtëpitë e tyre. Vite më parë pronarët kërkonin emigrantë për punë, ndërsa këta të fundit pretendonin me të drejtë për një page më të mirë, ndërsa sot ndodh e kundërta. 74.9 për qind e emigrantëve shqiptarë punojnë në ato vende pune ku nuk duan të punojnë vendasit. Sot çdo gjë ka ndryshuar, pasi Greqia nuk është më ajo e mëparshmja. Të pa shpresë për të ardhmen, sytë e tyre janë drejtuar për nga Shqipëria.

Kriza
Rikthimi i emigrantëve
Rreth 200 mijë emigrantë shqiptarë pritet të rikthehen në Shqipëri për shkak të krizës ekonomike. Greqia është ndër vendet më të prekura nga kriza ekonomike, krizë që preku kryesisht emigrantët

Rritet papunësia në Evropë
Rritje të papunësisë ka pasur në muajin Prill, ku shifra arriti në 10.1 për qind. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë që prej gushtit të vitit 1998.
Në muajin prill të papunët në Evropë ishin 23 milionë e 310 mijë , prej të cilëve 15 milionë e 867 mijë vetëm në Eurozonë.

Krahasuar me muajin Mars, numri i të papunëve u rrit me 25 mijë persona, si në BE po ashtu edhe në Eurozonë.

Në krahasim me muajin Prill të 2009, numri i të papunëve është rritur me 2 milionë e 400 mijë persona në BE dhe me 1 milionë e 275 mijë në Eurozonë.

Niveli rekord i papunësisë u regjistrua në Letoni me 22.5 për qind, Spanjë 19.7 për qind dhe Estoni me 19 për qind.

Ndër vendet e tjera të prekura më rëndë nga kriza është Portugalia, me 10.8 për qind dhe Irlanda me 13.2 për qind të papunë.

Disa të dhëna
- Në Bashkimin Evropian jetojnë rreth 20 milionë emigrantë të ardhur nga “vendet e treta”, ose një në 25 banorë dhe që përbëjnë 5 për qind të gjithë popullsisë së BE. Për nga numri ata përbëjnë një shtet të veçantë të barabartë me Austrinë ose Suedinë.

- Portugalia, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Finlanda përbëjnë pesë vendet pritëse me numrin më të madh të emigrantëve, të politikave të emigracionit, si dhe të politikave sociale dhe ato politike, ku qëllimi i tyre është integrimi i emigrantëve në një Evropë me shanse të barabarta.

- Greqia, Lituania janë dy vendet e fundit që nuk u krijonë kushte emigrantëve në fushën e integrimit.

- Në Greqi, komuniteti shqiptar përbën 67.2 për qind numrin e përgjithshëm të emigracionit në këtë vend, ose 557.600. 26.5 për qind me arsim të lartë.

Përsa i përket nivelit arsimor emigrantët paraqiten më lartë se sa grekët.

- 19,1 për qind prej tyre kanë mbaruar arsimin e detyrueshëm.

- 48,5 për qind të shkollave të mesme,

- 26,5 për qind kanë mbaruar arsimin e lartë. Shumica kanë nga një diplomë në Arsim, Shëndetësi Shkenca dhe Ekonomi. Po ky arsimim nuk luajti ndonjë rol në këtë vend pasi me ligj u ndalohej punësimi në vendet publike, ndërsa në ato private nuk u hapej rruga....

10 për qind e emigrantëve kanë shtëpi të tyre.

85 për qind e emigrantëve jetojnë në shtëpi me qira, ndërsa 10.5 për qind janë pronarë të shtëpive të tyre. Ndërsa një në dy ka llogari në bankat greke. Shuma e depozituar llogaritet në 3 miliardë euro.