Sunday, May 30, 2010

Kur pushteti kthehet në “Çiflig”!

Gazeta "SOT" 30/05/2010

Politika shqiptare e ka të vështirë të ndahet përfundimisht nga interesat personale, pasi e prej vitesh konsideron politikën si një çiflig të saj. Kur interesat personale përballen me interesat e përgjithshme atëherë, humbet edhe logjika politike. Kjo ndodh kur individët të veshur me kostumin politik veprojnë si të plotfuqishëm në një kohë kur kanë dështuar.

Demokracia shqiptare sot u ka dhënë të drejtën krerëve të pushtetit që, për të na qeverisur, të premtojnë, të gënjejnë e të mashtrojnë sa herë që duan, vetëm e vetëm për të veshur kostumin e pushtetit, së bashku me kravatën politike. U ka dhënë mundësi që, kur marrin në duar frenat e drejtimit të vendit, pa pasur turp e dinjitet të luajnë me fatet e popullit tonë, duke na treguar se pa ta vendi do të shkonte në katastrofë. Abuzimi nën emrin e demokracisë u dha të drejtën atyre që, para popullit të jenë ata, e pastaj populli. Kjo ndodh pasi në praktikë jetën në politikë e shohin si një çiflig.
Flasin dhe premtojnë, pasi e dinë se sa më shumë të premtojnë, aq më shumë do t‘i besojmë... Premtojnë e premtojnë, por kur dështojnë por nuk të thonë as "na falni se bëmë gabim", pasi këto fjalë nuk i njohin më. Në emër të demokracisë abuzohet deri aty, sa vetë tallet dhe luan me ndjenjat e popullit, sikurse ndodhi për vizat, që nuk u liberalizuan.
Meta diktator?...
Uberto Eko ka theksuar, se një diktatori për të qeverisur vendin nuk i duhen tanke, por mbi të gjitha i nevojitet kontrolli i mediave. Me këtë parim mëse dy dekada vepron pjesa më e madhe e politikës shqiptare, duke mos përjashtuar as dhe vetë drejtuesit kryesorë të shtetit, që në emër të demokracisë abuzojnë mbi lirinë e mediave. Bojkotimi i fundit i mediave nga ministri i jashtëm z. Iliri Meta tregon qartë, se vendi ynë tashmë në krahasim me vendet e tjera fqinje ka shumë rrugë për të bërë. Mentaliteti primitiv dhe koncepti i ulët i këtij politikani, që sot mban postin e nënkryeministrit dhe njëkohësisht të kryediplomatit, përbën një rrezik aktual mbi lirinë e mediave.
Ky fenomen “cinik” nuk përbën rastin e parë as edhe të fundin, pasi sistemi i sotëm politik në vendin tonë fatkeqësisht është ngritur mbi themelet e interesave dhe të dëshirave të politikanëve. Kryediplomati Meta përballë mediave po jep shembullin më të keq jo vetëm për politikën dhe shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha po jep shembull edhe përball vendeve e tjera të rajonit. Liria e fjalës së lirë në demokraci nuk është dhuratë e politikës së qeverisë aktuale, po është detyra e kësaj që të respektojë të drejtat themelore.
Gjithnjë e patundur
Gazeta “SOT” gjithnjë ka mbajtur një qëndrim të patundur dhe të asnjanshëm përballë interesave kombëtare. Si një “rebele” përball qeverisë, vite më parë gjobitej nga ish kryeministri Nano, ndërsa sot i mbyllet dera dhe i shkëputen kontaktet e informacionit nga dora e kryediplomatit. Dhe kjo ndodh sot në vitin 2010. Padrejtësitë sapo kanë filluar, ku seleksionimet në dhënien e informacionit në media mbajnë vulën e shtetit...Meta si nënkryetar i qeverisë, apo kryetar i LSI dhe njëkohësisht kryediplomat ka zgjedhur rrugën më të lehtë dhe më të gabuarën, duke dhënë një imazh të keq përballë ndërkombëtarëve, në një kohë kur nuk duhej bërë. Indiferentizmi i presidentit Bamir Topi është i papajtueshëm aq sa edhe për kryeministrin Sali Berisha.
Inatet personale kundra mediave janë të tepërta
Inatet personale në politikë kundra mediave të pavarura janë të tepërta, për një vend që sot më shumë se kurrë pretendon të bashkohet në familjen europiane. Rasti unik përbën një rrezik për lirinë e mediave, në përgjithësi. Në mars të viti 2008 me porosi të kryeministrit Sali Berisha gjobitet me 20 milionë lekë gazeta “Sot”. Po kjo gazetë ka qenë viktimë edhe e ish kryeministrit Fatos Nano. Viktimat në shtypin e shkruar pasojnë njëra tjetrën. Pushteti aktual me kryeministrin Berisha nuk e ka dashur asnjëherë shtypin e lirë.
Sot është viktimë gazeta “SOT”, ndërsa nesër do të jetë një tjetër. Dështimi në politikë e kudo gjithnjë është në mikroskopin e mediave pasi kjo është edhe detyra kryesore. Kjo gjë duhet të kuptohet drejt edhe nga kryediplomati edhe nga kushdo njeri tjetër i veshur me pushtet, që gjëra të tilla të mos përsëriten më. Dihet që demokracia nuk mund të qëndrojë në këmbë e të ecë përpara pa lirinë e mediave. Është populli që me votën u dha besimin për të qenë në krye, për të qeverisur vendin me përgjegjësi të plotë.
Në themelet e demokracisë së brishtë shqiptare të sapondërtuar, z. Meta po jep shembullin më të keq përballë elektoratit të tij, duke mos u shkëputur një herë e përgjithmonë nga nostalgjia e të kaluarës. Njëkohësisht, Meta futet në rangun e gjeneralëve, që kur fitojnë betejën në luftë, zor se mund të bëjnë paqe. Vendi ynë po përballet sot me një politikë të ndershme dhe të pandershme, po përballet me realitetin e politikës shqiptare, po përballet me nderin dhe dinjitetin. Po qeveriset nga një n/kryeministër jo transparent, po udhëhiqet nga një politikan i vjetër që di të menaxhojë më mirë se kushdo tjetër votat e vjedhura.
Në qeverinë Berisha, egoizmi e ka ndryshuar atë plotësisht, duke treguar në veçanti edhe karakterin e tij politik, ku fati i qeverisë aktuale varet plotësisht në duart dhe mendjen e tij cinike, duke treguar këtë njeri me dy fytyra, duke treguar se sa i mbyllur është me dinjitetin e një n/kryeministri historik në raport me ish-paraardhësit e tij. Meta i djeshëm nuk ka asgjë të përbashkët me Metën e sotëm. Me çdo lloj mënyrë mundohet të mbajë karrigen e n/kryetarit të qeverisë dhe të kryediplomatit në kundërshtim me besimin votues.
Dështim politik?...
Pa respektim, nuk mund të ketë integrim. Diplomacia e jashtme mban përgjegjësi morale, ku, edhe pse nuk përmbushte kushtet për liberalizmin e vizave, premtonte dhe mashtronte popullin shqiptar. Liberalizimi i vizave ka kushte dhe detyrime dhe më pas të drejta për ta kërkuar atë. Mekanizmat e pushtetit, diplomacia e jashtme dhe ajo e brendshme nuk punuan sa duhej në këtë drejtim...
Politika shqiptare në pretendimin e saj për liberalizimin e vizave duhet të ketë kujdes në emigracionin ilegal. Vitin e fundit në kufirin grek janë kapur 50.000 emigrantë shqiptarë ilegalë, kjo ka bërë që ky vend të kthejë për në vendin e tyre çdo ditë tre-katër autobusë me emigrantë klandestinë. Kjo gjë doli edhe në raportin e Komisionit Evropian pak ditë më parë, ku i kushtohej vëmendje emigracionit ilegal, me pretendimin se: “nevojitet akoma një menaxhim i integruar i kufijve në bashkëpunim me një plan konkret së bashku me policinë e kufirit dhe rritjes së kapacitetit dhe investimeve të infrastrukturës”.
Shumë shqiptarë nga premtimet e bëra para kohe u zhgënjyen, por kjo jo për faj të të tjerëve. Detyrimet për plotësimin e kushteve të vendosura nga BE ishin njëlloj për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin dëshirë për liberalizimin e vizave, por politika shqiptare me kohë as që ua vuri veshin fare. Për këtë dështim politik, moralisht para popullit ka përgjegjësi, jo vetëm mazhoranca, por edhe të gjitha partitë opozitare që në njëfarë mënyre zhgënjyen mbarë popullin shqiptar.