Thursday, March 11, 2010

Kreu i PS-së në Greqi, flet nga Athina: Edi Rama po e kthen partinë në pronë të agallarëve të rinj

10/03/2010, "TIRANA OBSERVER"
Anastas Murati sqaron artikullin e gazetës dhe si është e vërteta e kushërirës së Edi Ramës që ka përçarë socialistët e Greqisë
Në mbështetje të shkrimit të botuar në shtypin grek dhe të përkthyer në atë shqiptar, përsa i përket akuzës që i bëhet socialistëve shqiptar në Greqi “për dyfytyrësi”, Anastas Murati, kryetar i Partisë Socialiste, dega Greqi, në një intervistë të dhënë për korrespondentin e gazetës “Tirana Observer”, në Athinë, Shpëtim Zinxhiria, flet lidhur me prapaskenat që kanë çuar në përçarjen e socialistëve në Greqi. Sipas Muratit, kuptohet qartë se autori i kësaj situate të krijuar del se është vetë kreu i PSSH. Sipas Muratit prapaskena te tilla nga lideri socialist Edi Rama janë të papranueshme dhe antidemokratike. “Është një pabesi dhe aq më keq një turp që i bëhet socialistëve shqiptarë në Greqi, është një turp i dyfishtë që u bëhet pas shpine, pasi mban firmën dhe vulën e vetë kryetarit të PSSH”, thotë ai. “Po mbrapa nuk mbeten edhe deputetet e tjerë që janë në dijeni të plotë për këto prapaskena, që nga një anë premtonin se është bërë një gabim nga Tirana në emërimin e grupit “Eda Gemi – Fatos Malaj” dhe nga ana tjetër vepronin ndryshe, duke shkelur parimet me elementare, në ngritjen e strukturave paralele për shkatërrimin e partisë ekzistuese”. Sipas Muratit, në Kongresin e PSSH (qershor 2006) kryetari i socialisteve, Rama theksoi se: “PSSH është pronë e gjithë anëtarëve të partisë dhe jo e kryetarëve...” Ndërsa sot, thotë ai, po del e kundërta, ku kreu i kësaj partie tenton që ta kthejë këtë parti në pronë të agallarëve dhe të pashallarëve të rinj. Kjo ndodh në kohë kur socialistët në Greqi kanë ngritur organizatat socialiste që më 1993, dhe se puna e tyre e deritanishme nuk mund të shuhet aq kollaj nga kushdo kryetar apo lider partie. Murati thekson se socialistët në Greqi, jo vetëm që nuk respektohen në angazhimet politike të vendit, po tashmë ata sulmohen në mënyrat nga më të ndryshme dhe anti-demokratike.
Zoti Murati, lajmi i pasqyruar në shtypin grek dhe që u përkthye në atë shqiptar, është i vërtetë?
Ky problem, neve, strukturave të PS-së në Greqi, na ka preokupuar që më 1 dhjetor të vitit 2008, ku unë protestova në organet përkatëse kompetente të larta të PSSH-së dhe mora përgjigjen që, ne nuk kemi firmosur një vendim të tillë, nuk dimë gjë, s’kemi nevojë për një strukturë shtesë paralele, pasi aktualisht ajo ekziston që më 12/03/2006. Pra nuk ka sesi të krijohet një gjë që është krijuar. Por...
Përse ndodh kjo?
PSSH në punën e saj me emigracionin, krahasuar në të kaluarën, ose me forcat e tjera politike, ka merita dhe ka investuar një punë kolosale, por në këtë përpjekje të re shfaqen edhe dobësi dhe mangësi. Është gabim që strukturat tona që shtrihen në të gjithë Greqinë, si meritë e punës tonë, në Kongresin e PS-së më 2007 nuk u përfaqësuam në organet që zgjedh kongresi, si në Asamblenë Kombëtare ashtu dhe në organet e tjera. Mungesa e përfaqësimit është mungesë demokracie dhe shprehje. Aktualisht PS është duke organizuar një diskutim të gjerë brenda në Parti për ndryshimet statutore. Atje ne kemi paraqitur mendime dhe propozime që do të përmirësojnë funksionimin organizativ në të ardhmen siç janë, krijimi pranë PSSH në Tiranë i sektorit të organizimit dhe nevoja e një sekretari të PSSH për emigracionin, përfaqësimi statutor në organet e PS dhe strukturat janë pronë e anëtarëve dhe asnjëherë nuk duhet të jenë pronë e pashallarëve dhe agallarësh të vjetër apo të rinj. Politikanëve të sundimit u ka ikur koha, dëmtojnë rëndë partinë dhe nuk gëzojnë simpatinë e masave. Është nevoja të sqarojë se punën për zbatimin e vendimeve të organeve qendrore, qoftë edhe nevojën e strukturave të reja, organizojmë ne që jemi organe të zgjedhur dhe jo ata të vetëzgjedhur.
Ju jeni i emëruar, apo jeni zgjedhur?
Siç është bërë e njohur nga organi “Zëri i Popullit” dhe nga vetë deklarata e PSSH e nga vetë z. Edi Rama, unë jam zgjedhur së bashku me të gjitha organet përkatëse në bazë të parimit, një anëtar një votë, ku ishin prezentë kryetari, sekretari dhe një grup deputetësh të PSSH, si dhe nga organet më të larta të PASOK-ut. Në fakt, së bashku me shokët e mi, kemi udhëhequr strukturat e PS që nga viti 1993, ku kishim krijuar shumë organizata socialiste me veprimtari të njohura, si ndër të tjerat përmendim mitingun e madh në sheshin “Kanigos” në qershor të 1997, me prezencën e të gjithë udhëheqjes së PSSH, mitingun në pallatin te lojërave “SPORTING” më 26/07/2005 në prezencën e shokut Gramoz Ruçi, Anastas Angjeli, si dhe shumë takime të njohura nga opinioni shqiptar dhe ai grek në mbarë Greqinë me shokët Edi Rama, me shumë grupe deputetësh dhe në takime të mëdha e të rëndësishme me PASOK-un dhe me z.Jorgo Papandreu, këto takime kanë ndikuar fuqimisht në zgjedhjen e z. Jorgo Papandreut në postin e kryetarit dhe në fitoret e PASOK-ut, në zgjedhjet parlamentare dhe greke, si dhe me ardhjen e PASOK-ut në pushtet.
E quaj gabim politik shqiptar në përgjithësi për Parlamentin, por edhe për vetë PS-në, për mungesën juridike që ekziston nga mos përfaqësimi i emigracionit në organet e pushtetit lokal dhe në ato parlamentare, sepse mungesa e përfaqësimit në organet e partisë dhe të pushtetit është një padrejtësi shqiptare përballë një përvoje të përparuar evropiane. Pa zgjidhur nevojën e përfaqësimit të emigrantëve në të gjithë sistemin piramidal të pushtetit, të shtetit, por edhe të forcave politike, nuk ka përpjekje dhe përparim të proceseve demokratike, nuk ka integrim në autostradën evropiane. Por, do të lulëzojnë edhe në të ardhmen manipulimet dhe falsifikimet. Prandaj ju gazetar, këto mos i merrni si kritika në dëm të PS, por si mangësi të shoqërisë shqiptare, të shoqërisë emigrante dhe të klasës politike aktuale që udhëheq sot në Shqipëri. Se në fund të fundit, PSSH në lidhje me emigracionin, qëndron më shumë përpara.
Konkretisht shihni ndonjë pengesë?
Strukturat e PS në emigracion janë ndeshur dhe janë bërë pengese fenomeneve të shoqatizimit të organeve, ose organizatave socialiste, të depërtimit në to të ish kryetarëve të skaduar, figura emigrantësh të diskretituar, e që kanë fituar urrejtjen e shumicës, mentalitetet e futjes në parti nga dritarja, e të depërtimit tangent, ato të “miqësisë” me qendrën, me udhëheqjen, e që zënë 100 herë në ditë emrin e drejtuesit, ashtu dhe fenomenet e shitblerjes e të biznezisimit të organeve të partisë, nga biznesmenë të çastit dhe të shansit, nga “korrier” ambasade, nga skorie e teprica e së djathtës, ose dështakë të PD, ku përpiqen të veshin kostumin e PS.
Në mbyllje të bisedës, mesazhi juaj?
Do të jetë mirë që në të ardhmen, PSSH me organet e saj në qendra, të mos bëhet pengesë (të mos bazohet në punën e disa koordinatoreve të dështuar) të respektojnë forumet, strukturat dhe organet e zgjedhura, por mbi të gjitha ti përgjigjet vrullit, militantizmit dhe dinamizmit të socialistëve emigrantë, që strategjia e tyre është kontributi i pa ndërprerë për ardhjen e PSSH në pushtet, si dhe shembullit pararojë e tepër patriotik të mbarë emigracionit shqiptarë, që me mijëra simpatizantë vërshojnë drejtë Shqipërisë për votimet, dhe duan që kjo votë e hedhur në kuti, të mos manipulohet, të mos vidhet, por të administrohet e të njihet ashtu siç është në kuti.