Friday, March 05, 2010

Gjermania i propozon Greqisë borxhlie të shesë ishujt

5/03/2010 "Tirana Observer"
Gjermania i propozon Greqisë të nxjerrë në shitje ishujt e saj, në mënyrë që të shlyejë borxhet e shumta që ka marrë. “Greqia të shesë ishujt e saj!”, ishte titulli me të cilën është hapur sot e përditshmja “Bild”, e cila citonte deputetin liberal-demokrat dhe ekspertin gjerman të ekonomisë, Frank Schaeffle. “Qeveria greke duhet të heqë dorë nga sforcimi që po i bën biznesit privat, dhe më e mira do të ishte që të nxirrte në shitje ishujt e pabanuar”, është shprehur përfaqësuesi i Partisë Social-Demokrate, parti e cila është në koalicion me kristian-demokratët e Angela Merkelit. Gjithashtu, edhe lideri i Kryesisë së Partisë Kriastian-Demokrate, Josef Schlarmann ka propozuar të njëjtën gjë. “Një person që falimenton, gjëja e parë që bën është të kthejë në para çdo pasuri që ka. Greqia për shembull zotëron shumë ishuj të pabanuar dhe ku nuk ushtrohet asnjë biznes. Me paratë e fituara nga shitja e ishujve, ajo mund shlyejë shumë lehtë borxhet që ka marrë”, propozon Schlarmann.

Të njëjtin propozim ka bërë edhe Forumi Rinor i kristian-demokratëve. Prestigjiozja gjermane vë në dukje se Greqia zotëron 3 054 ishuj, dhe nga këta vetëm 87 janë të banueshëm. Ironia therëse e “Bild” shkon edhe më tej, duke i gjetur klientin e parë Greqisë. “Në landin e Hamburgut gjendet një kompani e quajtur ‘Vladi Private Islands’, e cila është e gatshme që sot të japë 45 milion euro për të blerë një ishull”, shkruan prestigjiozja gjermane.