Tuesday, February 16, 2010

Bushati: Ne Greqi ka elemente te gatshem per Kombetaren


22/01/2010
"Tirana Observer"

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Tirana Observer”, trajneri i Kombëtares Shpresa ka folur për zbulimit e talenteve që ata kanë bërë në shtetin fqinj, Greqinë, duke thënë se atje ka një kontingjent mjaft të madh lojtarësh të cilët luajnë në liga të ulëta ose amatore, jo për shkak të talentit të tyre, por është çështje dokumentesh.
Pas vëzhgimeve të stafit tuaj, lojtarët shqiptarë që luajnë këtu në Greqi, a kanë potencial që një pjesë e tyre të veshë fanellën e ekipit kombëtar?
“Ne jemi duke vëzhguar lojtarët të cilët luajnë në Greqi, që na ka vënë në pozitë edhe neve në Shqipëri, duke parë që ka elementë që t’i zbulojmë nëpërmjet vëzhgimeve tona, të përcaktojmë ata lojtarë që janë të denjë të përfaqësojnë fanellën dhe emrin e kombëtares. Unë, personalisht mendoj qe ka element të cilët për arsye të dokumenteve nuk mund të luajnë në ato klube ku e meritojnë për të luajtur, pasi ka lojtare qe kanë nivele, por duke mos luajtur në klube ata nuk mund të shfaqin talentin e tyre, por e kufizojnë atë akoma më shumë. Ata dinë të luajnë futboll, kanë çfarë të japin dhe për këtë shpresojmë që në të ardhmen të veshin fanellën e ekipit kombëtar”.
Në lidhje me testimin, a ka pasur interes nga ana e të rinjve shqiptarë që janë këtu, sa është afërsisht numri i tyre dhe sa e vështirë është përzgjidhja?
“Në radhë të parë ne duam që ata të pajisen sa më shpejt me dokumente për të realizuar dëshirën e tyre, por edhe ne jemi të interesuar që mundi dhe djersa e tyre të shpërblehet. Lidhur me testimin mund të them se unë po shoh që ka një numër të madh futbollistësh të rinj me një dëshirë të madhe. Është hera e parë që bëhet një organizim i tillë, duke e qenë e tillë ne e kemi vështirë për të testuar në një kohë kaq të kufizuar, pasi bëhet fjalë për zbulim të talenteve të reja të futbollit shqiptar. Bëhet fjalë për testimin e 180 futbollistësh, që është një punë me përgjegjësi dhe tepër e vështirë për ne. Duhet të jemi realist kur ti vlerësojmë ata. Duhet të kuptoni që të gjithë lojtarët që luajnë në Athinë i larguam dhe morëm lojtarë që luajnë jashtë Shqipërisë e jashtë Athinës, por problemi qëndron se ne duhet të kemi numrin më të kufizuar dhe më të koncentruar të lojtarëve cilësorë”.
A ka futbollistë që luajnë me ekipet greke të nivelit të lartë?
“Me sa di unë asnjë nga këta nuk luajnë në ekipet e kategorisë së parë në Greqi, ku më shumë luajnë në klube amatore, pasi siç ju thashë më lart ka lidhje me dokumentet. Lojtarit duhet që ti jepet një hapësirë shumë më e madhe, ku ato ekzistojnë po kanë mungesa të trajnimit dhe kualitetit”.

Çurri: Athina mund të ketë 7-8 lojtarë të gatshëm për Kombëtaren
Leonidha Çurri, ish-futbollist dhe trajner i skuadrës së Flamurtarit të Vlorës, njëkohësisht merr pjesë në zbulimin e talenteve në tokën helene, shprehet se vetëm në Athinë mund të jenë rreth 7-8 lojtarë që mund të konsiderohen me plot gojën talente të vërtetë dhe të gatshëm për të veshur fanellën e kombëtares, por nuk ka bërë emra të ditur për shkak se testimi është në punë e sipër. “Grumbullimi që ka bërë Federata Shqiptare e Futbollit për të parë dhe testuar të gjithë fëmijët e moshave të reja duke filluar nga viti 1990-1993, me qëllim për të mbuluar boshllëqet e ekipit kombëtar. Ky testim tre ditor bëhet me qëllim për të parë nga afër konkretisht këto grupmosha që për mua kapur një masivitet ku listat rriten nga dita në ditë. Të gjithë futbollistët shqiptar të kësaj grupmoshe që jetojnë në Greqi dhe luajnë me ekipet e ndryshme greke, po tregon se ka shumë talente dhe se në këtë vend punohet mirë me këto mosha. Nga eksperienca besoj se do të jetë një baze e mirë për kombëtaren shqiptare, ku padyshim gjatë këtyre ditëve si specialist dhe ish trajner kam zbuluar 5-6 talente, që luajnë me ekipet e AEK-ut, në Athinë, Iraklisit në Selanik dhe në rrethet e tjera. Kam mendimin se Athina ka në gjirin e saj një grup prej 7-8 lojtarësh të mirë shqiptarë, ku për momentin nuk mund të them emrat, pasi testimi është në punë e sipër, ku trajnerët e ardhur nga Shqipëria e dinë mirë këtë”, ka deklaruar Çurri.

Pas Greqisë, do të kalohet në Itali për të kërkuar talente
Viti 2010 duket se do të jetë një vit “surprizë” për futbollin shqiptar. Janari ka gjetur specialistët dhe trajnerët e futbollit jashtë vendit në kërkim të talentit të ri, duke filluar që nga trajneri i ekipit kombëtar Josip Kuzhe. Testimet dhe kontrollet dhe grumbullimet me lojtarët që jetojnë në vendet fqinjë po vazhdojnë, duke filluar nga Greqia dhe më pas një zhvendosje për në Itali. Më 18 janar në Greqi, sipas një programi të parapërcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit ka filluar një seleksionim për të mbushur boshllëqet e ekipit kombëtar, që kohët e fundit ka pasur një rënie përsa i përket talenteve shqiptarë. Rezultatet e dobëta të ekipit përfaqësues kanë bërë që Federata Shqiptare e Futbollit me të drejtë është kritikuar për mosmarrjen e mundimit dhe zbulimin e këtyre talenteve, edhe pse kohët e fundit janë hapur dy-tre zyra përkatëse në funksion të talenteve si Greqi, Itali e Gjermani.

Rreth 180 talente marrin pjesë në testimin e bërë nga FSHF-ja
Kërkimi i talenteve nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit ka filluar në kryeqytetin helen qysh nga 18 janari, me ekipin U-19 vjeçar, me trajnerin Ramadan Shehu, ku numri i futbollistëve ka kaluar shifrën 100, ndërsa testimi për U-21 është drejtuar nga vetë trajneri i ekipit kombëtar të shpresës Artan Bushati me një pjesëmarrje prej 80 futbollistësh. Të dy bashkë në stadiumin modest, “Ajaks”, në Tavro për tre ditë radhazi kanë zhvilluar ndeshje kontrolli për grup moshat e datëlindjeve 1990, 1991, 1992 dhe 1993. Thirrjes për një testim e kanë përqafuar shumë lojtarëve të rinj shqiptarë që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës. Mjaft prej këtyre sportistëve të ardhur nga gjithë Greqia shpresojnë të lënë përshtypje të mira te trajneri Kuzhe.

Kuzhe në shkallët e stadiumit, vëzhgon vetë nga afër
Në shkallët e stadiumit janë parë edhe ish futbollistë apo trajner të ekipeve shqiptarë, por njëkohësisht edhe trajnerë të ekipeve të futbollit grek. Të gjithë lojtaret janë vëzhguar nga tribuna e stadiumit “Ajaks” nga Trajneri Kuzhe dhe asistenti i tij Xhemal Mustedaganiç, për të vëzhguar këta talente si asnjëherë tjetër. Kjo metodë pune mendohet se po shfaqet rezultateve, duke bërë evidentimin e lojtarëve premtues për të veshur fanellën kuqezi. Rastet e talenteve të rinj si Nini, Kone, Behrami, Xhemaili, apo i riu nga Vlora Kapino, që mbron portën e kombëtares greke për të rinj, njëkohësisht dhe portier rezerve i ekipit të Panathinajkosit, tregojnë se jashtë Shqipërisë ka talente të tilla. Por këtë radhë duhet që talentet që të zbulohen të luajnë për kombëtaren tonë dhe jo të ndonjë vendi tjetër, siç kanë vepruar shumë talente të tjera shqiptare.