Friday, March 05, 2010

Votohet ligji i shumëdebatuar për shtetësinë në Greqi

5/03/2010 "Tirana Observer"


Radikalët dhe opozita greke vazhdon ta kundërshtojë këtë ligj

Parlamenti grek, me vota të PASOK-ut dhe SYRIZA ka miratuar projektligjin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për dhënien e shtetësisë së fëmijëve të emigrantëve dhe të drejtën e votës për emigrantët që jetojnë të ligjshëm në Greqi. Tre nga pesë parti në parlament kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me miratimin e ligjit, përfshi edhe Partinë Komuniste greke, por ka kaluar me votat e Partisë në fuqi “PASOK” dhe Partisë Liberale “SYRIZA”.
Kundër
Partia opozitare “Demokracia e Re” si dhe partia ultra nacionaliste “LAOS” kanë votuar kundra, ndërsa Partia Komuniste greke “KKE”, ka rezervuar edhe këtë radhë qëndrimin e saj mbi votimin. Ky ligj u jep të drejtën për të votuar rreth 65 mijë emigrantëve, përfshi këtu edhe minoritarët apo emigrantë të ardhur nga vendet e tjera po qe kanë kombësi greke.
Ligji
Kalimi i këtij projektligji ka përçarë politikën vendase, pasi partitë e djathta janë kundra dhënies së shtetësisë, pasi për ta, dhënia e të drejtave politike emigrantëve përbën një rrezik kombëtar. Ndërsa partia në pushtet kërkon që të krijojë paqe, siguri dhe kohezionin social në vend, për të mbrojtur të drejtat individuale të emigrantëve dhe për të vendosur standardet e transparencës. Përfaqësuesi i Pasokut, z. Janis Diamantidis, deklaroi se Greqia nuk është një “vresht pa gardhe e pa zot”, duke hedhur kritika të ashpra për ata që kanë reaguar ndaj përfshirjes sociale të emigrantëve, që jetojnë dhe punojnë të ligjshëm në këtë vend, duke theksuar se: “ky është një problem i madh dhe duhet të përballemi me realitetin”...
Reagimet
Reagime ka pasur si gjithnjë edhe nga partitë opozitare, duke përfshirë edhe partitë e majta, të cilat gjatë gjithë këtyre viteve treguan se qëndronin në krah të emigrantëve, por në fakt treguan, se kur bëhet fjalë për integrimin e emigrantëve dalin kundra me çdo lloj justifikimi. Por, ende pa u futur projektigji për miratim në Parlament, opozita “Demokracia e Re” me anën e kryetarit të saj z. Antonis Samaras, mbështetur edhe nga Dora Bakojanis kanë deklaruar se kur “Demokracia e Re” do të vijë në pushtet, do ta shfuqizojnë ligjin e dhënies së nënshtetësisë, me pretendimin se Greqia nuk është një lloj si SHBA.

Opozita “Demokracia e Re”, të tërhiqet ligji nga Parlamenti
Nga partia opozitare “Demokracia e Re” deputeti z. Thanasis Nakos, është kërkuar tërheqja e këtij projektligji nga parlamenti me justifikimin se, pasojat për vendin do të jenë rënduese, pasi ky ligj tashmë i miratuar do të ndryshojë përfundimisht përfaqësimin etnologjik dhe demografik të vendit, si dhe do të nxisë më tej emigrimin e paligjshëm. Simbas z. Nakos, synimi i qeverisë është për të siguruar rezultate pozitive në zgjedhjet vendore që do të mbahen në nëntor të këtij viti.

Papulias: Rrezikojmë integrimin e emigrantëve
Pak ditë më parë nga qytetit i Janinës, Presidenti Papulias me rastin e përvjetorit të çlirimit tha se: “Të mos harrojmë se populli ynë dikur kishte emigruar në vend të huaj. Elementi i pjekurisë dhe thellësinë e arsimit demokratik është të zbatojë plotësisht parimin e të drejtave të barabarta, respekti në shtetin ligjor, ku parashikon të drejtat dhe detyrimet për të gjithë, pavarësisht nga origjina dhe besimit”, theksoi ai në fjalën e tij.

Samaras: Do të shfuqizoj ligjin e Papandreut
Kryetari i opozitës “Demokracia e RE”( ND) z. Andonis Samaras, ka dalë hapur duke thënë se: “Kur të vij në pushtet do të shfuqizoj menjëherë ligjin e Papandreut, që u jep fëmijëve të emigrantëve të drejta sociale dhe politike”. Për këtë ai i ka dërguar edhe një letër ministrit të Brendshëm, Janis Ragushis, duke paraqitur qëndrimin e tij se është kundra vendimit të qeverisë. E gjithë kjo zhurmë bëhet për arsye se emigracionin në këtë vend e dominojnë shqiptarët, që përbëjnë 65 për qind të gjithë emigracionit. Ne nuk duam ta bëjmë vendin të “mbyllur”, por edhe nuk duhet të jetë “vresht i hapur”.