Monday, March 08, 2010

Debati Ankara-Athine


Greket kerkojne shkolla ne Kalkite. Erdogan:"Te hapen 2 xhamit e Athines".

Greqia thotë "Po" për Xhamitë dhe varrezat muslimane

8/03/2010, Gazeta "Telegraf"

Dy ditë më parë edhe një premtim tjetër i jepet komuniteti mysliman që edhe këta të kenë më në fund varrezat e tyre në Athinë, që deri më sot cilësohet si i vetmi qytet në botë që nuk ka varreza të tilla, si dhe asnjë Xhami. Të vdekurit udhëtojnë nga Athina për në veri të Greqisë në qytetin Komotini rreth 600 kilometra për të varrosur të afërmit e tyre. Sipas medias së shkruar vendase, varrezat për komunitetin mysliman do të ngrihen në fushën e zonës Skisto, pak kilometra larg Athinës, ku i jepen në dispozicion 10 hektarë, që i përkasin Ministrisë së Mbrojtjes.
Ngritja e kësaj varreze ka ardhur si rezultat i një marrëveshjeje midis ministrit të Mbrojtjes Evangjellos Venizellos dhe kryetarit të bashkisë së Athinës N. Kaklamanis. Njëkohësisht është rënë dakord edhe për ngritjen e një xhamie në zonën Botanikos në Eleona, me propozimin e vetë kryetarit të bashkisë së Athinës, Kaklamanis. Për këtë kryetari i bashkisë i ka kërkuar ministrit të mbrojtjes që këto fusha që i përkasin kësaj ministrie t’i jepen bashkisë, për të cilën nuk ka pasur kundërshtime.
Po një përgjigje pritet edhe nga Kisha greke, e cila deri me sot ka mbajtur rezervat e saja. Kërkesat e komunitetit mysliman për ngritjen e varrezave dhe xhamisë janë kthyer në një legjendë të vërtetë, pasi prej shumë dekadash myslimanët në Athinë, xhami dëgjojnë dhe xhami nuk shikojnë. Po e njëjta gjë ndodh edhe për ngritjen e varrezave të tyre. Sot mijëra besimtarë me mënyra nga më të ndryshmet me financimet e tyre kanë marrë me qira bodrume dhe i kanë kthyer në kulte fetare.

Tre vite më parë një biznesmen nga Arabia Saudite bleu një fabrikë të vjetër në Athinë me qëllim për ta kthyer në kult fetar, në një kohë që në Athinë dhe Pire jetojnë rreth 700 mijë myslimanë. Premtimi i bërë para dy ditësh për ngritjen e varrezave dhe të një Xhamije të vetme, myslimanët e shikojnë me pak dyshim, pasi për mbi 70 vjetë ky komunitet vetëm premtime ndigjon dhe asgjë praktikisht nuk shikon.

Shumë politikanë dhe klerikë kanë dalë hapur, me justifikime nacionaliste. Vitin e kaluar, Prefektura e Athinës ka gjobitur me 86.000 euro pronarin e një depoje (bodrum) për shkak se prona që ai kishte dhënë me qira disa pakistanezëve ishte kthyer në xhami informale. Mbledhja e myslimanëve para derës së bodrumit, për të kryer lutjet e kultit fetar ka ndikuar reagimin e banorëve grekë...
Të paktën 19 emigrantë në zonën ku u gjobit pronari, janë rrahur dhe keqtrajtuar nga sulme të disa të rinjve, që në mënyrë të organizuar janë futur brenda në shtëpitë të pakistanezëve dhe kanë shkatërruar çdo gjë. Lidhur në këtë drejtim mbrapa nuk ka qëndruar edhe policia, që në ditën e Ramazanit, pushton dhe provokon besimtaret në bodrume apo depo të kthyera në kulte fetare nga vetë emigrantet.

Athina zyrtare pati premtuar disa kohë më parë ndërtimin e një xhamie të re në shërbim të komunitetit mysliman, gjë që nuk u realizua kurrë. Projekti pa nisur mirë dështoi, për shkak të kontradiktave lidhur me vendndodhjen e saj. Në Athinë aktualisht gjenden dy xhami të vjetra. E para, që për momentin funksionon si muze, është ndërtuar në vitin 1759, ndërsa tjetra daton në vitin 1458.

Për pesë vjet, ministritë e punëve të Jashtme, të Brendshme, të Arsimit si dhe Prefektura e Athinës, i dërgon besimtarët myslimanë nga një dikaster në tjetër, ndërsa qeveria e ka bërë si rregull për të mos iu përgjigjur kërkesave të myslimanëve. Të cilët janë angazhuar që në qoftë se nuk ka ndonjë zgjidhje deri në fund të vitit, komuniteti mysliman në Greqi do t’i drejtohet Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut .
Debati mbi ndërtimin zyrtar të xhamisë filloi në vitin 2000, ndërsa raundi i dytë i tij filloi në vitin 2006, kur ish-ministri i arsimit Marieta Giannakou ishte shprehur se: “Myslimanët në Athinë kurrë nuk kanë parashtruar një kërkesë zyrtare të ndërtimit xhami”. Në fakt komuniteti mysliman disponon një dosje e plotë ku vërtetohen kërkesa jo vetëm për xhami, por edhe për krijimin e varrezave myslimane.

Erdogan: “Ktheni në identitet dy xhamitë në Athinë”
Duket se plotësimi i kërkesës për ngritjen e xhamisë të ketë marrë përmasa të gjera politike. Kjo gjë u pa, kur pak muaj më parë ka qenë vetë Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili i ka kërkuar zyrtarisht Athinës ndërtimin e saj, përpara se Athina t’i kërkojë Turqisë rihapjen e shkollës fetare në zonën Kalkit. Erdogan theksoi se ndërtimi i xhamisë në Athinë do t’u lejonte myslimanëve që jetojnë në këtë vend, të kenë një ambient njerëzor për të shprehur besimin e tyre fetar.
Gjithashtu ai i ka kërkuar zyrtarisht Greqisë rihapjen e dy xhamive ekzistuese në metropolin helen, për shkak se Greqia është i vetmi vend anëtar i Këshillit të Evropës, në hartën e së cilës nuk gjendet qoftë edhe një xhami e vetme. Kryeministri turk në deklaratë ka bërë të njohur se në Athinë gjenden dy xhami të vjetra me vlera të rralla arkitektonike, ndërtuar sipas stilit klasik osman, të cilat, nëse i nënshtrohen restaurimit i përmbushin më së miri nevojat e komunitetit mysliman atje.

A do të ketë reagime kësaj radhe?
Edhe pse akoma nuk ka një projekt ndërtimi, ka pasur reagime nga më të ndryshme dhe nga më të pabesueshmet, gjoja se ngritja e xhamisë në këtë qytet do të prishte “vitrinën” e Athinës, si dhe se ngritja e saj si një “qendër kulturore islamike”, mund të sjellë gjallërim të “grupeve terroriste”. Përveç reagimeve të një pjesë së politikës vendase, ka pasur edhe nga Kisha Ortodokse të Greqisë.
Ish-kryepeshkopi Kristodulos është shprehur se: “Xhami “poshtë Akropolit, nuk mund të bëhet xhami në Monastirak. Është qendra e historisë së Athinës, ku duhet siguruar qarkullimi i mijërave turistë. Imagjinoni se çdo të bëhej ditë premte, kur myslimanët të kenë lutjet fetare”. Ndërsa Bakojanis, ish-ministre e Jashtme e Greqisë është shprehur se: “Greqia është një vend me demokraci të fortë. Në Athinë jetojnë shumë myslimanë. Nuk mundet që një qytet i tillë, të mos njohë të drejtat e këtyre njerëzve, që me dinjitet kërkojnë të ruajnë dhe të kryejnë lutjet e besimit fetar. Ka një vullnet politik për mbyllur këtë temë përfundimisht, si dhe për të pasur një vend të besimit fetar për myslimanët, që jetojnë në Athinë”

Myslimanët në Europë
Në Gjermani
funksionojnë mbi 2.300 xhami, si dhe jetojnë 3 milionë myslimane, ku numrin e madh e bëjnë turqit. Në vitet 2004-2005, rreth 4.000 gjermanë u konvertuan në fenë islame. Në këtë vend numërohen mbi 141 xhami të kompletuar me minare.
Austria renditet ndër vendet e para evropiane që ka njohur zyrtarisht fenë islame, ku shteti lejon zhvillimin e lëndës së kulturës islame si pjesë përbërëse e programit mësimor në arsimin publik.
Qendra “London Merkezi” në Londër, bën fjalë se, sipas regjistrimit për vitin 2001, myslimanët përbënin 24 për qind të popullsisë. Gjithashtu ushtria angleze ka rezervuar për të ardhmen, vendin e nevojshëm për kryerjen e riteve fetare të ushtarëve myslimanë, si dhe do siguroj ushqimet që u lejon feja.

Në qytetin e Milanos në Itali, një shkollë vendosi të hapë një klasë të veçantë për nxënësit myslimanë që në orën e mësimit të mbajnë shami në kokë. Po një vendim tjetër është për një pushim zyrtar në shkollat ku gjenden nxënës myslimanë gjatë festave të Bajramit, të Ramazanit dhe të Kurbanit.
Në Rusi me një popullsi prej 144 milionëshe, jetojnë së bashku rreth 20 milionë myslimanë. Islami në Rusi është i përhapur në rajonet e Kaukazit, duke treguar një rritje të vazhdueshme në numër.
Në Belgjikë me një popullsi prej 10 milionësh, 450 mijë janë myslimanë. Qyteti Briseli është qyteti me përqindjen më të madhe të popullatës, ku vitet e fundit janë konvertuar në islam 40 mijë.Në Danimarkë, në vitet 2003-2006 janë kthyer në fenë myslimanë rreth 5 mijë vendas. Një grua myslimane ka kandiduar në zgjedhjet parlamentare në Danimarkë, si dhe vazhdon të mbajë mbulesën islame.
Në Kataloni në Spanjë jetojnë 800 mijë myslimanë, nga 1.5 milionë që ka vendi. Të gjithë myslimanët e çdo komuniteti, përfshi edhe forcat nacionaliste kanë bashkuar forcat për ngritjen e një xhamie të ngjashme me atë të Madridit. Në qytetin e Katalonit janë ngritur 169 xhami etj.
Në Angli pritet aprovimi i qeverisë, për rikonstruktimin e xhamisë më të madhe të Evropës, që do të ketë kapacitetin për 60 mijë besimtarë.

Më shumë se kuriozitet
- Në Angli ndodhet varri më i madh në Europë për myslimanët si dhe xhamia të shumta -Në Suedi ndodhen sot mbi 10 varreza për myslimanët, si dhe 5 xhami dhe 150 vende shërbimi të kultit mysliman
-Në Francë ka gjithashtu varreza të tilla si dhe 12 xhami dhe 2.000 vende shërbimi kulti fetar
- Në Oslo të Norvegjisë xhamia është ndërtuar më 1980, ndërsa në Poloni më 1989.
- Në Rusi ( Moskë) xhamia është ngritur më 1980, ndërsa në Skoci (Glaskou) më 1913.
- Në Portugali ( Lisbonë) më 1998, në Malta më 1978, ndërsa Irlandë (Dublin) më 1978.