Saturday, May 22, 2010

Dështimi i një ambasadori

Ambasadori shqiptar z. Vili Minarolli
Gazeta "SOT" 21 /05/2010


(Shqipëria, vendi ku të paaftët bëjnë karrierë)

Minarolli, në katër vite si ambasador në Greqi, nuk ka bërë asnjë marrëveshje shtetërore, ndërsa të ardhurat në ambasadë ranë 10 herë më pak. Për këto dështime qeveria duhet të jetë më ambicioze në diplomacinë e jashtme, aq më shumë kur emërimet bëhen në vende të Bashkimit Europian.


Ky është fakt. Vendi ynë në këto katër vitet e fundit ka humbur në arenën ndërkombëtare duke mos realizuar asnjë nga objektivat me vendin fqinj. Dhe kjo ka ardhur si rezultat i emërimeve të ambasadorëve tanë të paaftë të ardhur nga radhët e militantëve partiak, që në praktikë treguan se kështu nuk mund të vazhdohet më tej. Minarolli largohet për t’u riemëruar përsëri në një nga vendet e tjera të BE. Edhe pse ka dështuar në Greqi, kryeministri Berisha e ka besuar përsëri si ambasador në Austri, duke e zëvendësuar me z. Dervishi, diplomat karriere...
Një institucion shtetëror që nuk ka vend për njerëz të aftë, që kanë mbaruar studimet përkatëse, për njerëz të aftë e mëndje të freskët, padyshim është i një energjie që nuk i përgjigjet situatës në një kohë kur Shqipëria po bëhet gati të trokasë në portën e BE, vazhdon ende të punojë me mentalitetin ballkanik.
Vihet re se, kur një ambasador i ardhur në Greqi nga SHBA, si dhe kur largohet për në vendin e tij vendoset në detyrat më të larta. Po me të njëjtën logjikë vepron edhe Greqia. Nga politika shqiptare dihet shumë mirë që në disa shtete të BE, nuk pranojnë ambasadorë të kriterit politik, por pranohen diplomatë karriere. Fatkeqësisht të kundërtën ndodh me shtetin tonë, ku në vendet e BE-së, vendosen ambasadorë dhe diplomatë të karakterit politik, militantë partie, që në shumë raste kanë treguar se janë thjesht zbatues, ose përcjellës megafonë të politikës së qeverisë. Ky fenomen që u duk pas viteve ‘90-të, e që vazhdon akoma deri më sot.
Gjatë qeverisjes së parë z. Berisha, shumë diplomatë e deri në nivel ambasadorësh, janë shpallur me etiketën e njohur “No Grata”, për përfshirje në trafiqe të paligjshme nga vendet që aktualisht janë anëtare të BE-së. Kjo ka sjellë që sot sistemi i karrierës i diplomatit të jetë dëmtuar rëndë në sistemin e shërbimit me jashtë, duke shkelur hapur ligjin, ku përgjegjës për krijimin e gjendjes së sotme janë marrëdhëniet midis kryeministrit dhe presidentit, në mungesë të një dialogu të përbashkët për interesa të Kombit Shqiptar.
Padyshim emërimi i Minarollit nga vetë kryeministri Berisha si ambasador në Greqi ishte një zhgënjim dhe një pendim i tij. Largimi i ish ministrit të Jashtëm z. Mustafaraj tregoi se ishte vetëm fillimi i së keqes. Por mbi të gjitha drejtimi i ambasadës nga gruaja e Minarollit uli së tepërmi imazhin e tij si ambasador i plotfuqishëm përballë emigrantëve…
Ambasada një javë pa drejtues
Ndoshta e pa besueshme po një realitet që sundon në mentalitet. Ambasada shqiptare në Athinë ka qëndruar një jave pa ambasadë pasi Minarolli nuk dëshironte që dorëzimi i dokumentacionit të bëhej sipas rregullave në fuqi, e që nuk dëshironte që në prani të ishte edhe ish ambasadori Bashkim Zeneli me pretekstin se ishte i partisë së majtë. Kjo ndikoi që ambasada të mos merrej në dorëzim ne prezencë të dy ambasadorëve, ku edhe kështu ndodhi. Lind pyetja, përse gjithë kjo armiqësi?

Nuk ndau pushtetin nga shteti
Faktikisht tek ambasador Minarolli në katër vjet, emigrantët panë se ai i kishte mëshuar më shumë qëllimit të tij politik partiak se sa detyrave të ngarkuar nga shteti shqiptar. Më shumë Minarolli ishte i interesuar drejt vijës politike partiake, duke i dhënë shumë qartë imazhin para emigracionit shqiptar në Greqi se sa partiak ishte. Ai kur nuk ndau pushtetin nga shteti duke “harruar” se ishte ambasador i gjithë shqiptarëve.
Për korrupsion largohen 9 diplomatë
Minarolli, ndryshe nga ambasadorët e mëparshëm nën petkun e luftës kundër korrupsionit e ktheu Ambasadën Shqiptare në një “Gestapo”, duke vendosur në zyrat e diplomatëve tanë kamera vëzhguese, si edhe u mbylli portën emigrantëve që nuk kishin të njëjtë vijë politike me të. Gjatë karrierës së tij si ambasador, nga paaftësia e tij u larguan 9 diplomatë për përvetësim dhe shpërdorim detyre, ndërsa një pjesë tjetër u larguan me dëshirë, ashtu siç ishte rasti i sekretares së tij. Po këtë rrugë duhej të kishte ndjekur dhe ai. Është e para here në historinë e diplomacisë shqiptare, që një ambasador pa mbaruar mirë mandatin e tij, të jenë larguar komplet stafi i tij, përfshi këtu edhe shoferin dhe rojën që hap e mbyll derën, për ryshfete dhe korrupsion...
Duhej të ishte larguar me kohë
Me kohë duhej të kishte bërë gati valixhet për të ikur nga ambasada, pasi në këto katër vite të fundit vetëm shqetësime i ka sjellë vendit tonë dhe vendit fqinj. Largimi i tij në kohën e duhur do të ndikonte në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, jo vetëm për Greqinë, por edhe për komunitetin e BE-së. Po kjo nuk ndodhi asnjëherë edhe pse njihej si një politikan i dështuar i qeverisë Berisha. Rrahja me ish konsullin, futja e policisë greke brenda në zyrat konsullore, dalja e certifikatave false dhe trajtimi në median greke, si dhe probleme të tjera, duhej që ky ambasador të kishte kërkuar vetë largimin e tij.
Ambasadori shqiptar duhet ta ketë të qartë, se vendi i punës nuk është çiflig i një partie, as edhe e një pushteti, por do të ishte mirë që të ishte i gjithë përfaqësues i gjithë shtetit në vendin ku është atashuar. Të interesohet për emigrantët shqiptarë, problemet e tyre, si eurot që paguajnë për shërbimet konsullore që të shkojnë në arkën e shtetit dhe jo në xhepat e tjetërkujt. Një fakt konkret është se, më 13 nëntor të 2007, ambasadori ynë Dr. Minarolli ka marrë nga autoritetet greke një shkresë që bën fjalë për gjashtë dokumente të dyshimta (falsifikuara). Po më 22 nëntor të 2007, ambasadori ynë i ka kthyer përgjigje zv. ministrit të Jashtëm grek z. Valinakis, duke pranuar se gjashtë dokumente ishin jo origjinale.
Të ardhurat në ambasadë, 10 herë më pak
Përveç dështimit në fushën politike, një dëm të madh i ka sjellë edhe në fushën ekonomike. Të ardhurat në këtë institucion shtetëror ranë në 10 herë më pak. Konkretisht nga 5 milionë euro që mblidheshin në arkën e shtetit në vitin 2006, sot kanë rënë në 500 mijë euro, me justifikimin se ato tashmë kanë kaluar në ambasadën greke në Tiranë. Si drejtues i stafit të këtij institucioni shtetëror ai mban përgjegjësi të plotë për humbjet ekonomike në arkat e shtetit, nga përvetësimet e parave të individëve nëpërmjet ryshfetit.
Minarolli nuk mund të mohojë se nuk i njihte sekserët jashtë godinës konsullore, pasi kamerat e vendosura jashtë ambasadës, ndiqeshin nga një ekran i madh televizioni po nëpërmjet tij. Veprime këto të njohura dhe të stërnjohura nga shteti shqiptar. Para të shumta që kaluan për vite të tëra nga njëra dorë në tjetrën, po në dëm të vetë shtetit.
Në katër vjet, asnjë marrëveshje
E pabesueshme po një realitet. Asnjë marrëveshje ndërmjet dy vendeve nuk ka bërë të mundur që të realizonte me këtë vend të BE ambasadori ynë z. Vili Minarolli. Edhe pse ka dështuar plotësisht në vendin më të afërt fqinj, ai tashmë me mënyrat nga më të ndryshme paraqitet si një fitimtar dhe jo humbës. Pushteti dhe roli i gruas së tij në drejtimin e ambasadës gjatë kësaj periudhe bëri të mundur spostimin indirekt të tij në fushën diplomatike. Po të kthehemi në vitet 2002-2004 te ish kolegu i tij Bashkim Zeneli, do të shohim se çdo vit ishin bërë 7-8 marrëveshje në vit, ndërsa sot shohim se për periudhën 2006-2010 Vili Minarolli nuk ka bërë të mundur të lidhë asnjë marrëveshje të vetme.
Emigrantët duam që ambasada të jetë e jona
Këto kërkesa kanë dalë nga protestat e tyre që janë bërë përball derës së ambasadës, që me të vërtetë është kthyer në një degë partiake. Edhe pse porta e saj duhet të qëndrojë e hapur për çdo shqiptar, kjo i përket të kaluarës, pasi e sotmja flet krejt ndryshe. Minarolli dha shembullin më të keq si ambasador, duke i ndarë emigrantët në të “majtë” e të “djathtë”. Emigrantë me bindje të ndryshme politike, por që nuk ishin të djathtë për të ishin pijanecë dhe armiq dhe u mbyllej dera.

Si militant partie ai theu pllakën përkujtimore prej mermeri në hyrje të ambasadës, ku bënte fjalë blerjen e ambasadës me kontributin e emigrantëve në kohën e ish ambasadorit Bashkim Zenelit. Sot emigrantët kërkojnë që ajo pllakë të vendoset përsëri në vendin e mëparshëm. Largimi i tij nga Greqia edhe pse i tej vonuar përbën një fitore për emigracionin shqiptar me shpresën se, ardhja e “ambasadorit të ri” z. Dervishi do bëjë që Shqipëria të ketë ambiciet e saja për rritjen e mëtejshme të imazhit të Shqipërisë përball Greqisë…