Friday, May 28, 2010

Greqia, dekret për vrasjen e mushkave që vijnë ilegalisht nga Shqipëria



Gazeta "SOT" 26/05/2010

Gjatë 20 viteve të fundit, me dhjetëra kuaj dhe mushka me “pasaportë” shqiptare janë masakruar dhe groposur në Greqi


Ndoshta e pabesueshme, po një realitet. Një veprim i tejnxituar në dëm të një vendi tjetër fqinj për vrasjen e kafshëve. Përse?... Një dekret i presidentit vendas i vitit 1991, u jep të drejtë autoriteteve vendore që të masakrojnë barbarisht deri në vrasje kuajt dhe

mushkat me “pasaportë” shqiptare, që janë futur ilegalisht në këtë vend të BE. Gjatë 20 viteve të fundit, me dhjetëra kafshë të tilla janë masakruar me metoda të ndryshme dhe janë groposur nga autoritetet në përputhje të zbatimit të dekretit presidencial, me justifikimin se vijnë nga vende jo anëtare të BE, përballë indiferentizmit të politikës shqiptare. Në emër të ruajtjes së shëndetit të popullit grek, kafshët shqiptare përfundojnë në gropa masive…
Melodia e skandaleve helene nga dita në ditë vazhdojnë të dalin në sipërfaqe, duke kaluar çdo lloj fantazie, me protagonistë vetë politikën vendase, që në mënyrë kasaphane vrasin kuajt dhe mushkat e ardhur nga Shqipëria. Qytetet Kosturi, Kastoria, Follorina dhe Prespa, janë epiqendra ku këto kafshë ekzekutohen dhe groposen ende pa u dalë mire shpirti me vulën e kreut të shtetit të Presidentit. Edhe pse këto kafshë nuk e kanë ballë apo në patkua të shkruar kombësinë dhe ende pa asnjë prove se nga kanë ardhur, ekzekutohen dhe groposen me fadroma dhe ekskavatorë, pasi mendohet se vijnë nga Shqipëria. Në të gjitha rastet kuajt dhe mushkat ndalohen nga rojet kufitare u dorëzohen organeve përkatëse vendore, që i ekzekutojnë pa asnjë ngurrim në mënyrat nga më barbare në zbatim te dekretit të presidentit, duke mos zbatuar anën tjetër të dekretit që bën fjalë për vrasjen e tyre me injeksion.
Barbarizëm me vulën e shtetit
Pak kohë më parë, 5 mushka u vranë në mënyrë barbare nga autoritetet e Prespës, në një kohë kur duhej të trajtoheshin me ushqim nga policia dhe t’u ishin dorëzuar autoriteteve shqiptare. Mushkat e ndaluara nga policia sipas ligjit janë përvetësuar dhe janë bërë mall i shtetit grek pa venë në dijeni autoritetet shqiptare, në një kohë kur dihej që ato do të vriteshin në mënyrë barbare. Por edhe kur këto vrasje janë publikuar nga media greke, ato ende vazhdojnë, me të njëjtën mizori përballë indiferentizmit të shtetit shqiptar që akoma nuk ka gjetur kohë për të hetuar vrasjet e kuajve, që sit ë tillë gabimisht kanë kaluar kufirin shqiptar e më pas atë grek. Edhe pse jetojmë në shekullin e 21 mizoritë e fqinjit Helen përball kafshëve të një vendi tjetër fqinj vazhdojnë.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit, protagonistja e vrasjeve
Është kjo ministri që ka marrë përsipër ekzekutimin e kafshëve që vijnë nga Shqipëria, bazuar sipas dekretit të Presidentit grek të 1991. Vrasja e kafshëve që vijnë nga Shqipëria kryhet nga ky dikaster sipas dekretit presidencial me pretekstin pasi vijnë nga një vend jo i Bashkimit Europian… Por me gjithë reagimet e kësaj shoqate vrasjet e kafshëve ende vazhdojnë. Askush me gojën plot nuk mund të thotë përse ndodh kjo armiqësi dhe egërsirë e vendit fqinj, firmosur dhe vulosur nga vetë kreu i shtetit Helen. Por një pyetje mbetet: Përse duhet të ekzekutohen në emër të “ruajtjes së shëndetit” kuajt dhe mushkat, ndërsa kafshët e tjera si qingjat dhe kecat jo?

Reagimi i avokatit grek
Skandali i 20 vjetëve të fundit ka dalë në dritë në prag të festës të Krishtlindjes të 2006 ku avokati grek Angjelos Angjeletos, i njohur si kryetar i Shoqatës së Përkujdesjes për Jetën e Kafshëve, pat reaguar ashpër, për vrasjet në mënyrë makabre të kafshëve (mushkave dhe kuajve) të ardhura nga vendi ynë në mënyrë “klandestine”. Reagimi i avokatit bëri që këto masakra të kryera nga dora e shtetit grek të marrë përmasa në shkallë vendi, duke kërkuar dhe ndërhyrjen e vetë prokurorit të qytetit Kastoria, vendi i ekzekutimit të kafshëve. Ishte një veprim i nxituar ku dhe pretendojnë se e kanë bërë për arsye shëndetësore, por unë nuk shoh të vërtetë këtë, thotë avokati Angjeleto. Më pas ai i ka kërkuar përgjigje ish ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillim z. Bosiako për të mos mbuluar këto masakra.

Cila është përgjigja e shtetit shqiptar?
Një përgjigje prej vitesh pritet nga shteti shqiptar që gjithmonë përballë padrejtësive të kryera nga grekët ka mbajtur një qëndrim pasiv. Po me të drejtë një pyetje bëhet; se cili do të jetë qëndrimi i autoriteteve përkatëse shqiptare, kur në vendin fqinjë reagojnë vetë grekët përse vriten barbarisht kafshët shqiptare? Besoj se fotot e publikuara do të sensibilizojnë sado pak politikën shqiptare që më së fundi do të bëjë atë që duhej të kishte bërë këtu e 20 vite më parë. Hetimet në Greqi kanë filluar me mendimin se këto masakra nuk do të kalojnë lehtë, po nga përfaqësia shqiptare nuk është bërë asnjë përpjekje për ndjekjen e problemit. Asnjë vend nuk ka të drejtë të zhdukë e të shkatërrojë nga faqja e dheut atë që nuk ka prodhuar vetë. Asnjëherë nuk është vonë kur flitet për padrejtësi në dëm të një tjetri. Të paktën të veshin njëherë pantallonat e burrërisë politikanët shqiptarë e të kërkojnë arsyen e vrasjeve makabre dhe të ngrenë imazhin e vendit të tyre atje ku i takon... Të shpresojmë …