Wednesday, July 14, 2010

Greqi, "2010"-ta, viti i papunësisë...?


TIRANA OBSERVER 14/07/2010

Papunësia sfidon jo vetëm qeverinë “Papandreu”, por edhe FMN
Ekonomia dhe papunësia kanë gjunjëzuar përfundimisht qeverinë e Papandreut, por edhe vetë FMN që sa po i shtrëngon më shumë lakun. Masat e marra nga qeveria për të përballuar krizën ekonomike ka bërë që protestat dhe grevat e përditshme të masave punonjëse nga dita në ditë të përshkallëzohen e paralizojnë vendin, duke dëmtuar në masë edhe sektorin e turizmit, mekanizmin e vetëm të vendit. Masat e marra nga qeveria për përballimin e krizës ekonomike, kontrolli i gjithanshëm e kudo i FMN, ka rritur në maksimum zemërimin dhe indijimin e vendasve. Asnjë vend nuk do të kishte dëshirë nga morale dhe politike që ekonomia e vendit të tij të kontrollohej e të kalonte në mikroskop nga Komisioni Evropian.
Për 2009, 120 mijë punonjës humbën vendin e punës
Rritja e numrit të ushtrisë së të papunëve përbën sot protagonistin e vërtetë të vitit 2010. Kriza ekonomike u tregua e pamëshirshme për mijëra vendas dhe të huaj. Sipas Institutit të Sindikatave të Greqisë (GSEE) për vitin 2009, rreth 120 mijë punonjës u hodhën në rrugë. Sot papunësia përbën çështjen kryesore për vendin. Çdo ditë dyqane të shumta venë drynin për të mos u hapur më.
Nga dita në ditë shumë shtëpi boshatisen nga emigrantët që marrin rrugën e kthimit për në atdheun e tyre. Viti 2009 dhe në vazhdim përbën vitin e papunësisë, që shpreh realitetin. Papunësia nga 7.4 për qind që ishte për 2008 u ngrit në 9.3 për qind për 2009 dhe sot kurba është ngritur në 15.5 për qind, duke shënuar një rekord të ri në 750 mijë të papunë.
Ky fenomen më shumë ka prekur të rinjtë me arsim të lartë që tashmë kërkojnë të emigrojnë në Amerikë, Evropë apo në Dubai. Papunësia më shumë ka dëmtuar sektorin e ndërtim- montimit që pati shkurtime në 22 .000 vende pune dhe ai i tregtisë me 21.880 të papunë.
Çdo muaj 300 vendas humbasin apartamentet e tyre
Papunësia ka ndikuar që në çdo muaj rreth 300 grekë humbasin apartamente e blera me anën e kredisë, ndërsa 60.000 të tjerë në vit humbasin makinat për të njëjtën arsye. 60 për qind e popullit grek nuk është në gjendje të paguajë kreditë e marra, ndërsa pjesa më e madhe e biznesit nuk është në gjendje të paguajë detyrimet (taksë) shtetit.
Gjithashtu papunësia ka gjunjëzuar brezin e ri të moshës 25-34 vjeç, të diplomuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke renditur në vend të parë në rritjen e papunësisë ( 17,9 %) në BE, kundrejt Holandës në 3.1 për qind. Sot ky brez, e ardhmja e këtij vendi sytë i ka drejtuar nga emigrimi në drejtim të Amerikës, Evropës dhe Dubait.
Grekët sytë nga Amerika dhe Evropa
Spitalet e Amerikës dhe të Evropës janë kthyer shpresa e mijërave mjekëve dhe e infermierëve grekë, ndërsa Dubai i nxehtë, përbën një zgjidhje të përkohshme për të diplomuarit në sektorin e industrisë dhe ndërtimit. Nga viti në vit kërkesat për të emigruar sa vijnë dhe shtohen. Papunësia për këtë shtresë bëri që në dhjetë vitet e fundit, 550 mijë grekë të kenë emigruar për të punuar, duke mos përjashtuar edhe ata studenë që shkuan për studime dhe nuk u kthyen më.
Nga sektori i shëndetësisë, çdo vit emigrojnë për të punuar në spitalet e Amerikës dhe Evropës mbi 1000 mjekë, ndërsa 1900 të tjerë janë në pritje për punë. 70.3 për qind e të diplomuarve në fushën e mjekësisë dëshirojnë që të punojnë jashtë vendit. Të diplomuarit përbëjnë 0.90 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë, analogë me të punësuarit është 1 në 47 të punësuarve.
Sipas medias greke, në Dubai kanë emigruar rreth 5 për qind e numrit të përgjithshëm të diplomuarve në fushën e mekanikës. Vitin e kaluar 60 mijë grekë emigruan për të punuar në Evropë, Amerikë dhe Dubai, ndërsa muajt e fundit kanë bërë kërkesë për emigrim edhe 9 mijë të tjerë. Përsa i përket fenomenit të emigrimit Greqia zë vendin e 12 –të në BE.
Katër në dhjetë grekë, gati për të emigruar
Studimi i fundit i Eurobarometrit publikuar më 13 /07/ 2010 ka nxjerrë se 38 për qind e grekëve kanë deklaruar se janë gati për të emigruar në një vend tjetër për të gjetur punë. Emigrimi për të gjetur punë në një vend tjetër është kthyer në një fenomen si një nga çështjet më kryesore të vendasve, duke u kthyer mbrapa në vitet 60.
“Stop” strehimit azil
Të dhënat jepen nga Instituti i Statistikave Evropiane EUROSTAT, dalë dje në Bruksel, për miratimin e kërkesave për azil nga emigrantët, ku rezulton se Greqia ka përqindjen më të ulët (1%), në dhënien e azilit. Nga viti në vit Greqia u ka bërë një barrikadë zgjidhjeve të kërkesave për strehim politik (azil), duke bërë që numri i kërkesave të bjerë ndjeshëm.
Për vitin 2009, sipas statistikave dhënë në Bruksel, doli se ky vend ndodhet në vendin e fundit me 1%. Është një fakt që Greqia ka numrin më të madh të emigrantëve në krahasim me vendet e tjera të BE, po kjo nuk justifikon këtë vend në mos miratimin e kërkesave për azil.
Në 27 vendet e BE-së numrin më të ulët në dhënien e lejeve për azil politik e mban:
- Greqia me 1%
- Irlanda me 4%
- Spanja me 8%
- Franca me 14%
- Sllovenia me 15%
Në të kundërtën:
- Malta me 66%
- Sllovakia me 56%
- Portugalia me 51%
- Holanda 48%
- Danimarka me 48%
Duke u mbështetur nga të dhënat për Greqinë për 2009, del se nga 16.460 aplikacionet të kryera, janë pranuar dhe miratuar 210 kërkesa dhe janë refuzuar 16.250 kërkesa. Nga 210 aplikacionet që kishin një rezultat pozitiv janë dhënë azil në 25 në mbrojtjen e statusit dhe 115 raste për arsye humanitare. Shumica e azilkërkuesve që iu është dhënë një status i tillë janë nga Iraku, Afganistani dhe Irani.
Gjatë vitit 2009, në Bashkimin Evropian janë bërë rreth 261.000 aplikime për azil nga emigrantë, nga të cilat 78,820 kërkesa janë pranuar. Vendet që e kanë marrë më shumë aplikimet për azil janë: Franca me 54. 840 aplikime, Britania e Madhe 44.890 dhe Suedia 39. 350.
Gati rikthimi i 200 mijë emigrantëve shqiptarë
Nga dita në ditë grupe emigrantësh shqiptarë, të detyruar, po i drejtohen përkohësisht apo përfundimisht vendit të tyre të lindjes. Deri më sot nuk ka një numër të saktë nga shteti shqiptar, pasi edhe interesimi ndaj këtij fenomeni është zero. Sipas burimeve të mediave vendase, bëhet fjalë se të paktën rreth 30 për qind, ose 200.000 emigrantë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi, pritet nga dita në ditë të rikthehen në vendin e tyre.
Kushtet e legalizimit, ndërprerja e kontratave të punës me pronarin, gjendja e rëndë ekonomike gjatë gjithë këtyre viteve, i kanë lodhur së tepërmi emigrantët, që po i drejtojnë sytë gjithnjë e më shumë nga vendi i tyre. 30 për qind e të pyeturve janë përgjigjur se nuk mund të qëndrojnë më dot, dhe përgatiten për t’u kthyer. Dikur punonin me ëndrrën për të mbledhur para, ndërsa sot jeta e tyre varet nga këto të mbledhura.
Shumë mallra shtëpiake apo automjete janë blerë nga emigrantët me para në dorë, ndërsa pjesa tjetër me anën e kësteve. Çdo fund muaji në bankat e vendit, shumë emigrantë tërheqin sasi parash për të përballuar jo vetëm nevojat e jetesës, por edhe për të paguar këstin e automjetit dhe mallrave të tjera shtëpiake.
Qendra e Athinës ka marrë pamjen e viteve 1990-të, ku çdo mëngjes shumë emigrantë me çanta në duar grumbullohen në shesh me shpresë për të siguruar punë. Pasi presin me orë të tëra, fytyra të lodhura dhe të pa shpresa marrin rrugën e kthimit për në shtëpitë e tyre. Vite më parë pronarët kërkonin emigrantë për punë, ndërsa këta të fundit pretendonin me të drejtë për një për më të mirë, ndërsa sot ndodh e kundërta. 74.9 për qind e emigrantëve shqiptarë punojnë në ato vende pune ku nuk duan të punojnë vendasit. Sot çdo gjë ka ndryshuar, pasi Greqia nuk është më ajo e mëparshmja. Të pa shpresë për të ardhmen, sytë e tyre janë drejtuar për nga Shqipëria.
Rritet papunësia në Evropë
Rritje të papunësisë ka pasur në muajin prill, ku shifra arriti në 10.1 për qind. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë që prej gushtit të vitit 1998. Në muajin prill të papunët në Evropë ishin 23 milionë e 310 mijë, prej të cilëve 15 milionë e 867 mijë vetëm në Eurozonë. Krahasuar me muajin mars, numri i të papunëve u rrit me 25 mijë persona, si në BE po ashtu edhe në Eurozonë.
Në krahasim me muajin prill të 2009, numri i të papunëve është rritur me 2 milionë e 400 mijë persona në BE dhe me 1 milionë e 275 mijë në Eurozonë. Niveli rekord i papunësisë u regjistrua në Letoni me 22.5 për qind, Spanjë 19.7 për qind dhe Estoni me 19 për qind. Ndër vendet e tjera të prekura më rëndë nga kriza është Portugalia, me 10.8 për qind dhe Irlanda me 13.2 për qind të papunë.
Disa të dhëna
- Në Bashkimin Evropian jetojnë rreth 20 milionë emigrantë të ardhur nga “vendet e treta”, ose një në 25 banorë dhe që përbëjnë 5 për qind të gjithë popullsisë së BE. Për nga numri ata përbëjnë një shtet të veçantë të barabartë me Austrinë ose Suedinë.
- Portugalia, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Finlanda përbëjnë pesë vendet pritëse me numrin më të madh të emigrantëve, të politikave të emigracionit, si dhe të politikave sociale dhe ato politike, ku qëllimi i tyre është integrimi i emigrantëve në një Evropë me shanse të barabarta.
- Greqia, Lituania janë dy vendet e fundit që nuk u krijojnë kushte emigrantëve në fushën e integrimit.
- Në Greqi, komuniteti shqiptar përbën 67.2 për qind numrin e përgjithshëm të emigracionit në këtë vend, ose 557.600. 26.5 për qind me arsim të lartë.

Përsa i përket nivelit arsimor emigrantët paraqiten më lart se sa grekët.

19,1 për qind prej tyre kanë mbaruar arsimin e detyrueshëm.

48,5 për qind kanë mbaruar shkollën e mesme.

26,5 për qind kanë mbaruar arsimin e lartë.

Shumica kanë nga një diplomë në Arsim, Shëndetësi, Shkenca dhe Ekonomi. Po ky arsimim nuk luajti ndonjë rol në këtë vend pasi me ligj u ndalohej punësimi në vendet publike, ndërsa në ato private nuk u hapej rruga....