Thursday, February 03, 2011

Regjistrimi etnik dhe fetar popullsisë përbën një rrezik kombëtar...


Tirana Observer 29/01/2010

Sa mirë do të ishte që vendi ynë të kishte mundësi për të regjistruar shkallën e nivelit te varfërisë, të njerëzve me aftësi të kufizuar, emigrantët kudo ndodhur etj. Po ende pa u shëruar mirë plaga e fundit të përmbytjeve në veri perëndim të vendit, një “plagë” tjetër i hapet vendit tonë nga vetë qeveria shqiptare. Një plagë që mbart probleme sociale, etnike dhe politike. Një regjistrim që dëmton mbi të gjitha interesat e kombit shqiptar, dhe favorizon interesat e fqinjëve tanë dhe sidomos shtetin helen. Një vendim që hap një debat publik dhe që mund të krijojë pështjellime negative ku është e nevojshme që të ketë më shumë vend për akademikët, e të mos kthehet në një arenë politikë agresive midis këtyre forcave politike. Lind nevoja që të gjitha forcat politike dhe parlamenti duhet te rrisin transparencën dhe tolerancën, që të ndalin keq përdorimin politik të një qëndrim të caktuar.
Qëllimi kryesor i regjistrimit të popullsisë në parim është të japë një panoramë aktuale të realitetit demografik, ekonomik dhe social në vend, fotografimin për gjendjen sociale e nivelin e jetesës së popullsisë, ashtu siç u bë në vitin 2001. Por regjistrimi i radhës për vitin 2011 duket se ka një qëllim tjetër, ka një spekullim dhe abuzim që vjen me kërkesë nga jashtë, ku nuk kanë munguar dhe debatet në ambiente publike, pasi ai nuk përfshin nivelin e jetës, varfërinë, aftësitë e kufizuara, papunësinë, emigracionin etj.
Regjistrimi etnik dhe fetar në kohën dhe momentin e vendin jo të përshtatshëm, nga shumë mendohet se do të sjellë pasoja të rënda, në një kohë kur vetë Europa para dy-tre vjetësh i pat kërkuar vendeve fqinjë anëtare në BE, që në pasaporta dhe në kartat e identitetit të mos shënohej besimi fetar. Një shembull tipik është Greqia, që në kartat e identitetit apo edhe në pasaportat e reja nuk shënohet më besimi fetar...
Një enigmë mbetet heshtja e plotë e opozitës që në këtë problem madhor duket se jeton në një planet tjetër, dhe se ky proces i takon vetëm qeverisë Berisha. Politika shqiptare duhet ta shohë seriozisht dhe të shqetësohet për këtë kërkesë të BE, duke parë si një kërkesë që bëhet në kushtet aktuale jo të përshtatshme për vendin. Marrja e kësaj një iniciative për regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare bëhet padyshim pas kërkesës të vetë shtetit helen, si një vend anëtar të BE, menjëherë pas marrëveshjes së kufirit detar, ku më pas edhe kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pas kërkesës së vendosjes së kufirit detar, duket se grekëve u ka ardhur oreksi dhe po kërkojnë atë që nuk u takon. Nuk ka dyshim se kërkesa të tilla janë një rrezik kombëtar. Ambasada e Greqisë në Shqipërisë sot dominon pjesën më të madhe të gjendjes civile, duke vulosur e kontrolluar dokumentacionin shqiptar. Shkeljet ripërsëriten duke mos gjetur një qëndrim konkret, vetëm e vetëm për liberalizimin e vizave dhe për integrimin në BE.
Mbështetja e Shqipërisë nga shteti helen për integrimin e saj drejt Europës, nuk mund të bëhet pa vendime kushtëzuese. Për këto kushtëzime fqinjët tanë njihen shumë mirë, kur u jep gishtin të marrin krahun, dhe kjo bëhet në një kohë kur vendi ynë nuk i ka borxhe asnjë prej vendeve fqinjët.
Ne, jo pak herë kemi parë qëndrime nacionaliste me anën provokimeve të ndryshme nga fqinjët jugor. Për këtë historinë e shkruar nuk mund ta shuaj e ta rishkruaj më përsëri asnjë qeveri, pasi ajo është vulosur me mundin e gjakun e derdhur shqiptar.
Në qoftëse qeveria Berisha do t’i nënshtrohet edhe një herë dëshirave të panumërta fqinjëve tanë, spekulimeve te tyre të karakterit nacionalist , Ai do të bëjë krimin e radhës, krimin kundra interesave të popullit shqiptar, pasi në qeverisjen e tij deri me sot ka shkelur 14 herë kushtetutën e vendit. Për këtë opozita si forca më e madhe e vendit duhet ta kuptojë se është një detyrim moral e politik i saj, si dhe një presion jashtëm që bëhet kryeministrit, se sa një domosdoshmëri për vendin. Ky debat po bëhet më publik dhe nëqoftëse tani nuk ndërmerren disa hapa për ta respektuar shqetësimin mbarë kombëtar, kostoja do të jetë më e madhe…
Dihet që politika greke ka rezerva përsa i përket kryeministrit shqiptar, duke marrë parasysh vitet 1993. Për këtë z. Berisha tashmë po bën të pamundurën për të fituar sado pak simpatinë helene, dhe për këtë duhet të lëshojë pe, për regjistrimin e popullit, ashtu siç bëri me paktin ujor, ku sot Gjykata Kushtetuese ja hodhi poshtë pa asnjë kundërshtim.
Qeveria e sotme shqiptare me këtë regjistrim etnik dhe fetar, nesër do të gjykohet nga brezat e ardhshme, pasi raporti mes numrit të përgjithshëm të popullsisë është i pafavorshëm për të bërë një të tillë. Tolerimi në besimin fetar, harmonia ndërmjet komuniteteve përbën ndoshta një nga rastet e vetme, si dhe një shembujt tipik për mbarë Evropën.
Një veprim i tillë kërkon kohë edhe për studim për një fazë përgatitore me qëllim që të hidhet në diskutim me të gjitha komunitetet fetare, duke marrë në fillim mendimet e tyre, me partitë politike shqiptare, me njerëz të Akademisë të Shkencave si dhe me ekspertë të tjerë që i përkasin kësaj fushe.
Shqipëria e ka treguar tolerancën dhe harmonin që ekziston ndërmjet komuniteteve fetare. Asgjë e keqe nuk mund të ndodhë nëqoftëse në regjistrimin e popullsisë për 2011 të shtyhet edhe për një dhjetëvjeçar tjetër regjistrimi i fesë. Politika shqiptare duhet të kuptojë se vendi ynë akoma nuk është kthyer në një vend eksperimental, dhe për këtë duhet ta argumentojë se pranimi i një regjistrimi të tillë të dyfishtë mund të bëhet ME DETYRIM vetëm për vendet e BE, ndërsa kushtet aktuale të vendit tonë janë të tilla që me të drejtë mund ta refuzojë një gjë të tillë.
Liberalizimi dhe heqja e vizave, integrimi i vendit në BE, si anëtare e këtij Komuniteti krijon premisa që shqiptarët lirisht dhe me vetëdije të shprehin vullnetin për deklarimin e fesë, pasi do të ndihen të barabartë me këto vende.
Po t’i hidhet një sy në hartës se BE, do të shikojmë se të gjitha vendet e këtij komuniteti janë të besimit orthodoks apo katolik, si dhe asnjë vend të komunitetit mysliman. Turqia si një vend të besimit mysliman ka mbi dhjetë vjet që pret “OK” për anëtare në BE, por besimi fetar mysliman i këtij vendi nuk kanë bërë të mundur të kapërcejë portën për në komunitetin e Bashkimit Europian. Masat drastike të disa vendeve të BE, kundra komunitetit mysliman tregojnë qartë se këto vende e shikojnë këtë komunitet si nje rrezik , duke i mbyllur shtigjet për integrimin e tyre.,
Opozita po hesht, pasi pret që hapin e parë ta hedhë Akademia e Shkencave dhe më pas të hedhë kritikat e radhës, thua se ky problem i takon për zgjidhje qeverisë në mungesë të tyre. Qëndrimi i deritanishëm i Presidentit të vendit duket se i jep “OK” vendimit të qeverisë, duke mos patur parasysh qëndrimin e ish Presidentit z. Mejdani, që më 2001 në regjistrimin etnik dhe fetar të popullatës pat hedhur poshtë kërkesën e bërë nga grekët...