Wednesday, July 28, 2010

Në kërkim të armikut!..

(Replikë me gazetarin Kastriot Myftaraj)


Ne foto: gazetari Kastriot Myftaraj
Gazeta "SOT' 29/06/2010

Nuk e di se cila do te ishte pergjigja e ish hoxhë Qemalit (gjyshit tim), po të jetonte akoma dhe të lexonte shkrimet e gazetarit Kastriot Myftaraj?...

Ksenofobia dha nacionalizmi vetëm dëme i kanë sjellë njerëzimit. Ky fenomen më shumë se kurrë prek vendet e Ballkanit. Edhe pse njerëzimi po jeton në shekullin e XXI–të, këto vende janë të mbërthyera nga ky fenomen tepër negativ. Demokracia në një vend demokratik në fund të fundit nuk mund të rezikohet nga ngritja e xhamive dhe minareve. Të jesh mysliman nuk përbën krim, por përkundrazi kur luan me ndjenjat dhe lirine e tij.

Nuk dimë të vlerësojmë atë gjë të çmuar që e kemi, por e kërkojmë ta vlerësojmë kur e humbasim. E nisa me këtë parim duke marrë shkasë nga disa shkrime të njëpasnjëshme të kohëve të fundit e që janë kthyer me një epiqendër goditjesh në dëm të komuniteti mysliman, nga një gazetar ksenofob apo nacionalist siç është Kastriot Myftaraj. Kjo falë hapsirës që i ka krijuar stafi i gazetës “SOT”, një gazetë e hapur për të gjithë...

Eshte nje fatkeqësi e madhe të kesh sy dhe të mos kesh mundësi të shohësh ka thënë një i mënçur. Është fatkeqësi që sot të ngrihen probleme të tilla kur ato nuk egzistojnë në shoqërinë shqiptare, për të cilën do ta kishte zili çdo shoqeri tjetër. Te ngatërosh myslimanizmin me islamin dhe terrorizmin është akuza më e madhe e padrejtësi që i bëhet komunitetit mysliman në Shqipëri. Të jesh mysliman nuk përbën ndonjë krim për vendin tend ku jeton. Dhe kjo gjë ndodh pikërisht kur vendi ynë është një shëmbull për mbarë vendet e tjera. Po përse vallë ngrihen probleme të tilla kur nuk egzistojnë?...

Dihet fare mirë që Komuniteti Mysliman është një popull etnik dhe jo imigrues, i ardhur nga vendet islamike apo arabe. Dihet që është një popull me dopio taban, popull shqiptar. Është e drejta e këtij komuniteti qe jeton në truallin e vet të vendos për fatin e tij, duke respektuar dhe komunitetet e tjera fetare.

Sot demokracia shqiptare i ka dhënë të drejta njëllojë si në vendet e tjera dhe për këtë asnjë nuk ka të drejtë të pretendojë se nuk mund të durojë minaretë e xhamisë kudo ndodhur apo predikimet e hoxhës. Kush nuk duron dhe respekton kultet fetare le të marrë me vrap fushat e malet...
Gabimi më i madh i gazetarit është se ngatëron komunitetin mysliman me atë islam dhe e barazon me atë të Hamas-it. Kjo përbën një rrezikshmëri. Predikimet fetare të kultit fetar janë trashëguar në shekuj dhe nuk u kultivuan sot, për këtë është meritë e popullit shqiptar, që deri më sot vendit tonë nuk i ka ardhur asnjë e keqe nga komuniteti mysliman, që sot di të jetojë në harmoni me të tjerët.

Gazetari me fantazine e tij tej nacionaliste tenton të krijojë disa anë të errta, për ta kthyer këtë komunitet në një armik sa imagjinar po edhe aq real, duke e importuar atë edhe jashtë kufirit shqiptar. Kjo shihet ne krahasimet që bën të kaluarën e largët këtu e 2500 vjet më parë, duke mos pasur parasysh lidhjet e sotme midis orthodhokseve dhe myslimanëve, që i dedikohet në radhë të parë shoqërisë shqiptare.

Si popull me përqindje më të madhe me fe myslimane është e llogjikshme që të ndërtohen xhami me minare, ashtu siç mund të ndërtohen kisha të shumta. Për këtë asnjë nuk ka të drejtë të kufizojë ngritjen e kulteve fetare në Shqipëri. I vetmi qytet sot në Europë që nuk ka xhami edhe varre për myslimanët është Athina, mos vallë duhet që edhe ne të ndjekim të njëjtën rrugë? Përse ngritja e xhamive shikohet me frikë?...

Pak kohë më parë emigrantët shqiptarë bën të mundur ngritjen e një xhamie në Itali. Mos vallë lejimi i ndërtimeve të xhamive është një tolerim, ashtu siç pretendon gazetari, apo është një detyrim dhe respektim i të drejtave të njeriut?. Këtë gjë ai nuk na i thotë. Te jetosh me frike do te thotë të mos në një demokratik...

Të kërkosh armikun imagjinar në vendin tënd dhe ta përcjellësh atë në një vend europian, nuk është gjë tjetër përveç një fantazie së gazetarit, një rrezik që i kanoset këtij komuniteti. Në mbyllje te shkrimit do hidhja pyetjen përse është kaq këmbëngulës ky gazetar me pikpamjet dhe tezat e tija nacionaliste kundra komunitetit mysliman? Cila e vertetë egziston ndërmjet gazetarit dhe komunitetit mysliman? Përse shtrohen teza të zeza kundra myslimanizmit, duke e krahasuar atë me grupet ekstremiste islamike e me ato të Hamasit ? Cila është kauza e vertetë e Kastriot Myftaraj?...

Gazeta si një mjet informimi është edhe një mjet mezazhi që i jepet lexuesit. Si një nacionalist i vetdeklaruar gazetari shpreh lirshëm mendimet e tija dhe kjo falë stafit të gazetës “SOT” , por kjo hapsirë në asnjë mënyrë nuk duhet përfituar në dëm të një tjetri. Të jesh mysliman nuk përbën ndonjë krim zoti Kastriot...