Wednesday, July 28, 2010

Në kërkim të armikut!..

(Replikë me gazetarin Kastriot Myftaraj)


Ne foto: gazetari Kastriot Myftaraj
Gazeta "SOT' 29/06/2010

Nuk e di se cila do te ishte pergjigja e ish hoxhë Qemalit (gjyshit tim), po të jetonte akoma dhe të lexonte shkrimet e gazetarit Kastriot Myftaraj?...

Ksenofobia dha nacionalizmi vetëm dëme i kanë sjellë njerëzimit. Ky fenomen më shumë se kurrë prek vendet e Ballkanit. Edhe pse njerëzimi po jeton në shekullin e XXI–të, këto vende janë të mbërthyera nga ky fenomen tepër negativ. Demokracia në një vend demokratik në fund të fundit nuk mund të rezikohet nga ngritja e xhamive dhe minareve. Të jesh mysliman nuk përbën krim, por përkundrazi kur luan me ndjenjat dhe lirine e tij.

Nuk dimë të vlerësojmë atë gjë të çmuar që e kemi, por e kërkojmë ta vlerësojmë kur e humbasim. E nisa me këtë parim duke marrë shkasë nga disa shkrime të njëpasnjëshme të kohëve të fundit e që janë kthyer me një epiqendër goditjesh në dëm të komuniteti mysliman, nga një gazetar ksenofob apo nacionalist siç është Kastriot Myftaraj. Kjo falë hapsirës që i ka krijuar stafi i gazetës “SOT”, një gazetë e hapur për të gjithë...

Eshte nje fatkeqësi e madhe të kesh sy dhe të mos kesh mundësi të shohësh ka thënë një i mënçur. Është fatkeqësi që sot të ngrihen probleme të tilla kur ato nuk egzistojnë në shoqërinë shqiptare, për të cilën do ta kishte zili çdo shoqeri tjetër. Te ngatërosh myslimanizmin me islamin dhe terrorizmin është akuza më e madhe e padrejtësi që i bëhet komunitetit mysliman në Shqipëri. Të jesh mysliman nuk përbën ndonjë krim për vendin tend ku jeton. Dhe kjo gjë ndodh pikërisht kur vendi ynë është një shëmbull për mbarë vendet e tjera. Po përse vallë ngrihen probleme të tilla kur nuk egzistojnë?...

Dihet fare mirë që Komuniteti Mysliman është një popull etnik dhe jo imigrues, i ardhur nga vendet islamike apo arabe. Dihet që është një popull me dopio taban, popull shqiptar. Është e drejta e këtij komuniteti qe jeton në truallin e vet të vendos për fatin e tij, duke respektuar dhe komunitetet e tjera fetare.

Sot demokracia shqiptare i ka dhënë të drejta njëllojë si në vendet e tjera dhe për këtë asnjë nuk ka të drejtë të pretendojë se nuk mund të durojë minaretë e xhamisë kudo ndodhur apo predikimet e hoxhës. Kush nuk duron dhe respekton kultet fetare le të marrë me vrap fushat e malet...
Gabimi më i madh i gazetarit është se ngatëron komunitetin mysliman me atë islam dhe e barazon me atë të Hamas-it. Kjo përbën një rrezikshmëri. Predikimet fetare të kultit fetar janë trashëguar në shekuj dhe nuk u kultivuan sot, për këtë është meritë e popullit shqiptar, që deri më sot vendit tonë nuk i ka ardhur asnjë e keqe nga komuniteti mysliman, që sot di të jetojë në harmoni me të tjerët.

Gazetari me fantazine e tij tej nacionaliste tenton të krijojë disa anë të errta, për ta kthyer këtë komunitet në një armik sa imagjinar po edhe aq real, duke e importuar atë edhe jashtë kufirit shqiptar. Kjo shihet ne krahasimet që bën të kaluarën e largët këtu e 2500 vjet më parë, duke mos pasur parasysh lidhjet e sotme midis orthodhokseve dhe myslimanëve, që i dedikohet në radhë të parë shoqërisë shqiptare.

Si popull me përqindje më të madhe me fe myslimane është e llogjikshme që të ndërtohen xhami me minare, ashtu siç mund të ndërtohen kisha të shumta. Për këtë asnjë nuk ka të drejtë të kufizojë ngritjen e kulteve fetare në Shqipëri. I vetmi qytet sot në Europë që nuk ka xhami edhe varre për myslimanët është Athina, mos vallë duhet që edhe ne të ndjekim të njëjtën rrugë? Përse ngritja e xhamive shikohet me frikë?...

Pak kohë më parë emigrantët shqiptarë bën të mundur ngritjen e një xhamie në Itali. Mos vallë lejimi i ndërtimeve të xhamive është një tolerim, ashtu siç pretendon gazetari, apo është një detyrim dhe respektim i të drejtave të njeriut?. Këtë gjë ai nuk na i thotë. Te jetosh me frike do te thotë të mos në një demokratik...

Të kërkosh armikun imagjinar në vendin tënd dhe ta përcjellësh atë në një vend europian, nuk është gjë tjetër përveç një fantazie së gazetarit, një rrezik që i kanoset këtij komuniteti. Në mbyllje te shkrimit do hidhja pyetjen përse është kaq këmbëngulës ky gazetar me pikpamjet dhe tezat e tija nacionaliste kundra komunitetit mysliman? Cila e vertetë egziston ndërmjet gazetarit dhe komunitetit mysliman? Përse shtrohen teza të zeza kundra myslimanizmit, duke e krahasuar atë me grupet ekstremiste islamike e me ato të Hamasit ? Cila është kauza e vertetë e Kastriot Myftaraj?...

Gazeta si një mjet informimi është edhe një mjet mezazhi që i jepet lexuesit. Si një nacionalist i vetdeklaruar gazetari shpreh lirshëm mendimet e tija dhe kjo falë stafit të gazetës “SOT” , por kjo hapsirë në asnjë mënyrë nuk duhet përfituar në dëm të një tjetri. Të jesh mysliman nuk përbën ndonjë krim zoti Kastriot...

Greqi, 10 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë greke

"TIRANA OBSERVER" 26/07/2010

Eurostat: Për një vit katërfishohet numri i të huajve që kanë marrë nënshtetësi greke



Pak ditë më parë, Eurostat ka publikuar se 10 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë greke, duke mos dhënë të dhëna të sakta se sa janë emigrantë shqiptarë dhe sa me kombësi greke.Edhe pse janë dhënë me pikatore nga ish-qeveria konservatore e Karamanlis, sot qeveria Papandreu po bën përpjekje për të mbyllur njëherë e mirë këtë proces të tej vonuar, përballë opozitës së djathtë të kryesuar nga Samaras, që kërkon nga emigrantët se duhet të lënë nënshtetësinë e vendit të tyre.S hërbimi Statistikor i Bashkimit Europian ( Eurostat ) ka publikuar se numri i të huajve që kanë marrë nënshtetësinë greke është katërfishuar në krahasim me vitin 2007, ku kishin marrë nënshtetësinë greke 3.920 shtetas.


Statistika për vitin 2008
Për vitin 2008 numri i marrjes së nënshtetësisë është katërfishuar duke shkuar në 16.920, më saktë e ka marrë një në 1000 të huaj. Nga takimet e bëra me përfaqësues të emigrantëve, ministri i Brendshëm i Greqisë z. Ragusis ka theksuar se, të gjitha kërkesat e bëra nga emigrantët shqiptarë futeshin në “frigorifer”, ndërsa sot po bëhet përpjekje për dhënien e nënshtetësisë. Qeverisja e vendit nga partia “Nea Dhimokratia” me ish-kryeministrin Karamanlis bëri që ky vend te ketë numrin më të ulët për sa i përket dhënies së nënshtetësisë emigrantëve të ardhur nga vendet e treta. Faktikisht në 27 vende anëtare të BE-së, për vitin 2007 morën nënshtetësinë e vendit ku jetojnë dhe punojnë 707.110 të huaj, ndërsa për 2008 numri ra në 696.880 .

Statistika për Greqinë
Për 2008, emigrantët shqiptarë që kishin marrë nënshtetësinë greke zinin 59%, ose 9.996 njerëz, ndërsa 7.6% nga Gjeorgjia, dhe 4.9% nga Rusia. Pra, për këto vende bëhet fjalë për shtetas të huaj me kombësi greke edhe pse shërbimi statistikor nuk e sqaron plotësisht këtë, pasi vetkuptohet qartë.

Në vendet e tjera te BE
Vendet e tjera të BE-së ndryshe nga Greqia kanë një politikë më të qartë për integrimin e emigrantëve, duke e lënë Greqinë në vendin e fundit, edhe pse ka 30 vjet që është anëtare e bllokut. Emigrantët për nga numri më i madh që morën nënshtetësinë vinin: Maroku me 64.000 emigrantë, Turqia 50.000, Ekuadori 27.000, Algjeria 23.000 dhe Iraku 20.000.
Në Rumani 89 për qind e emigrantëve që morën nënshtetësinë e këtij vendi ishin nga Moldavia, ndërsa në të kundërtën 68 për qind që kanë marrë nënshtetësinë hungareze janë rumunë. Në Bullgari, vendi ku nënshtetësia jepet shumë lehtë, 51 për qind që përfituan nënshtetësinë bullgare vijnë nga vendet e ish-Jugosllavisë, si Maqedonia etj.

Nënshtetësia përçan politikën vendase

Samaras: Emigrantët duhet të lënë nënshtetësinë e vendit të tyre
Nënshtetësia sa vjen dhe po bëhet një mollë sherri duke përçarë politikën vendase. Kryetari i opozitës z. Antonis Samaras i është rikthyer përsëri vendimeve të tija raciste me tonë të ashpra brenda Parlamentit, duke deklaruar edhe platformën e partisë së tij për emigracionin. Ai ka kërkuar që integrimi i emigrantëve të bëhet gradualisht dhe pa u nxituar deri në atë shkallë sa që mund të durojë shoqëria, ndërsa për fëmijët e emigrantëve ka theksuar se, “Jemi të detyruar që këtë ligj të PASOK-ut ta ndryshojmë kur “Demokracia e Re” (Nea Dhimokratia) të marrë pushtetin. Dhe angazhohemi qartë që tani për këtë. Fëmijët e emigrantëve të ligjshëm që lindin këtu do ta marrin të drejtën e nënshtetësisë kur të arrijnë moshën madhore. Mirëpo, që të ushtrojnë këtë të drejtë do të duhet të zgjedhin ndërmjet nënshtetësisë greke dhe nënshtetësisë së vendit të prindërve të tyre, dhe së dyti të kenë kryer arsimin nëntëvjeçar, që është i detyrueshëm edhe për grekët. Nëse fëmijët që do të marrin nënshtetësinë do të zhvillojnë një ndërgjegje komuniteti të ndryshme nga ajo e shoqërisë ku u rritën, këtu ka problem”.

Ministri i Brendshëm z. Ragusis
Vendimi i qeverisë për nënshtetësinë, vendim historik. Me gjithë presionet e opozitës për të rishikuar edhe njëherë vendimet për dhënien e nënshtetësisë, ministri i brendshëm Ragusis nuk bën asnjë hap prapë, duke patur parasysh se ky vendim mund te ketë edhe një kosto politike. Në një kohë kur edhe brenda partisë së tij ka element që ngurojnë të përqafojnë vendime te tilla. Lidhur me këtë kohët e fundit qeveria po bën takime te njëpasnjëshme me përfaqësues te emigranteve për të kërkuar mbështetjen e tyre. Në takimin e fundit me përfaqësues të komuniteteve të emigrantëve , në sallën e partisë së Pasokut, ministri i Brendshëm grek, Ragusis ka deklaruar se: “Qeveria nuk do të bëjë mbrapa në vendimin e vet, me gjithë presionet e opozitës. Nuk kemi për të bërë asnjë cm mbrapa. Besojmë vërtet te kjo që bëmë, besojmë se kjo do të ndihmojë Greqinë, të gjithë neve, do të krijojë një shoqëri të vërtetë, e do të jetë shumë më e mirë se sa kjo që është sot.
Ky regjim i papranueshëm i mungesës së rregullave, mungesës së parimeve, ishte një regjim i papranueshëm izolimi për qindra mijëra emigrantësh. Por para dhënies së nënshtetësisë me mijëra emigrantë qëndrojnë sot të izoluar nga burokracia shtetërore të dikastereve për rinovimin e dokumenteve”.

Athina nuk njeh Kosovën, por mbështet Serbinë

Ne foto: Zevendesministri i Puneve te Jashtme te Greqise Dimitris Droutsas
"TIRANA OBSERVER" 28/O7/2010

Zëvëndësimi i ambasadorit Minarollit i duhur, por i vonuar


Provokimet dhe shkeljet ajrore dhe detare të forcave të armatosura turke në muajt e fundit në detin Egje, si dhe zhvillimet në Kosovë, etj, kanë qenë çështjet kryesore e fjalimit të zëvendësministri i Jashtëm Dimitris Droutsas Dimitris në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme të BE-së. Përsa i përket Turqisë, D. Droutsas, tha për gazetarët, se sjellja dhe veprimet e palës turke ka një mungesë e besueshmërisë në sytë e Greqisë dhe Bashkimit Evropian, veçanërisht në se detyrimet e saj për ruajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore me vendet evropiane, si një kandidat për vendin e pranimit në BE.

Athina nuk njeh Kosovën

Kështu ka deklaruar nga Brukseli zv/ministri i Jashtëm i Greqisë z. Droutcas, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhëne vendimin për legalizimin e pavarësisë së Kosovës. Greqia ashtu si edhe 5 vendet e tjera të BE-së, janë të vendosur në këtë qëndrim, për mos njohjen e shtetit të Kosovës. Kështu bëjnë të ditur mediat greke. Droutsas ka theksuar sesSynimi i politikës greke është për të nxitur në perspektivat europiane vendet e Ballkanit, të shprehura në strategjinë e ashtuquajtur të Selanikut që ka filluar në 2003 nën presidencën greke të BE-së, por edhe në bazë të propozimeve më të fundit të dilomacisë greke.

Vizitë në Prishtinë dhe Beograd
Gjithashtu duke komentuar mbi problemin e Kosovës midis të tjerave ai u shpreh se, Greqia është gati të marrë përgjegjësitë si një vend ballkanik ne komunitetin e BE-së, për këtë qëllim do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin.

Greqia mbështet fuqimisht Serbinë
Greqia është një vend që mund të flasë edhe në Serbi dhe Kosovë dhe do të mundohet për të gjetur çdo mundësi për zgjidhje të pranueshme, qëndrimi i butë dhe serioze e treguar nga qeveria serbe e vlerësuar pozitivisht në BE dhe për forcimin e perspektivës evropiane të Serbisë në Komunitetin e BE-së. Për këtë Greqia e ka mbështetur fuqimisht Serbinë.

5 vende te BE-së nuk njohin Kosovën
Spanja menjëherë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare ka deklaruar se nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për legalizimin e pavarësisë së Kosovës, ka bërë që qeveria e Spanjës të mos njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Spanja është një nga 5 vendet e BE-së , së bashku me Greqinë, Qipron, Bullgarinë, Sllovakinë, që kundërshtojnë me tone të larta mos njohjen e Kosovës si shtet. Spanja brenda territorit te saj ka probleme me komunitetin Katalonjë, rajon i cili pak ditë më parë kërkoi autonominë, ndërsa ishulli i Qipros ka probleme me komunitetin turk.

Shumë muaj për të bërë rokadën në Athinë
U deshën të kalonin shumë muaj qe në përfaqësinë shqiptare në Greqi që të bëhej zëvendësimi i ambasadorit Vili Minarolli me një ambasador tjetër karriere të suksesshëm z. Dashnor Dervishit. Kjo vonesë bëhej pikërisht në një kohë kur dikasteri përkatës e dinte qe Minarolli kishte dështuar plotësisht nga të gjitha anët. Ky dikaster e dinte se ai gjatë katër viteve nuk kishte bërë asnjë lloj marrëveshje në Greqi e jo më të luante rolin e një ambasadori të plotfuqishëm.

Friday, July 23, 2010

Kush do ta ndalë korrupsionin politik?

Gazeta "SOT" 22/07/2010

Çdo ditë vendi përballet me skandale të ndryshme politike dhe ekonomike, përballë një drejtësie të paralizuar. Kjo nga një pakicë njerëzish të veshur me pushtetin që i dha populli, brenda një periudhe të shkurtër janë pasuruar aq shumë, sa që sot nuk u besojnë syve të tyre. LSI, në këtë drejtim me kreun e saj z. Meta po jep shembullin më të keq në qeverisjen e vendit, duke përfituar më shumë nga ç’mendonte para se të futej në koalicion. Qeveria Berisha tashmë duket e pafuqishme për të parandaluar skandalet e radhës. Por deri kur?

Demokracia nuk është vendi i këtyre parazitëve, por mesa duket demokracia shqiptare i pranon këta parazitë në trupin e saj të brishtë. Demokracia shqiptare ndryshe nga ajo e vendeve të tjera, u ka dhënë të drejtën krerëve të pushtetit që për të na qeverisur duhet të na premtojnë, të na gënjejnë, të na mashtrojnë sa herë që duan, vetëm e vetëm për të veshur kostumin e pushtetit për interesat vetjake. Skandalet e freskëta të ditëve të fundit janë pasqyra e sistemit të sotëm.

Në emër të demokracisë abuzohet deri aty, sa vetë Kryeministri tallet dhe luan me ndjenjat e popullit, ndërsa kabineti i qeverisë së tij pas skandaleve bën sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë. Këta drejtues pushteti që uzurpuan shtetin të kthyer në parazitë në kurriz të shoqërisë, treguan se janë të pathyeshëm në demokracinë e sotme shqiptare, që sapo ka hedhur themelet pas një diktature 50 vjeçare, duket se i lehtëson këta parazitë të zhvillohen.

Vetë parazitët kujdesen që mundësinë që u dha demokracia për t’u zhvilluar pa patur pengesa, të mos i lërë mëndja që të sundojnë në dëm të saj, sepse më pas nuk do të kenë më mundësi për të gjetur vendin dhe kohën për të qenë më parazitë në kurriz të popullit. Uinston Çërçill ka theksuar se “Demokracia është forma më e keqe shtetërore, me përjashtim të të gjitha të tjerave.

Sot në demokracinë e brishtë shqiptare shumë politikanë po përfaqësojnë interesa të ngushta materiale, si edhe të disa klasave duke dëmtuar deri diku imazhin e tyre politik. Mungesa e transparencës në investime të ndryshme ekonomike për interesa të tyre janë një tregues kuptimplotë përballë shoqërisë. Moskryerja e misionit ndaj situatave dhe kërkesave në kohë do rrisnin pakënaqësinë e popullit.

U ka dhënë mundësi që kur marrin në duar frenat e drejtimit të vendit, pa patur turp e dinjitet të luajnë me fatet e popullit tonë, duke na treguar se pa ata vendi do të shkonte në katastrofë, pasi më parë kanë siguruar jetën e familjeve dhe fëmijëve të tyre. Gjithashtu u lejon këtyre parazitëve të shoqërisë që të bënin privatizimin shtetëror me stilin “Made in Korruptiv Albania”, duke grabitur për vete dhe njerëzit e tyre pasuritë e popullit, pasurinë shumë vjeçare të ndërtuar me mund dhe djersë. U lejon që të na flasin për korrupsion, në një kohë kur këta parazitë nuk mund të jetojnë një ditë pa të. Na flasin për një ndryshim në sistemin tonë demokratik, kur vetë në radhë nuk kanë ndryshuar, duke ditur se erdhën nga sistemi i mëparshëm. Na flasin për antikomunizëm nga pozita ende komuniste apo të kriptokomunizmit, duke na bërë që të qeshim, në një kohë kur është për të qarë. Thua se Shqipëria nuk kishte më parë, si edhe nuk ka as sot element fizik të pastër.

Në emër të demokracisë na vidhen në mes të ditës votat. Në emër të demokracisë zënë karrigen për në parlament njerëz që nuk e meritojnë, njerëz me dy fytyra, pasi duhet të dalin para drejtësisë. Në emër të demokracisë na flasin kur duhet të japin llogari para drejtësisë për pasuritë e tyre të mëdha. Fenomeni i shumë përfolur Gërdeci i Mediut apo rruga Basha mbeten tashmë të harruar nga pushteti i sotëm, pasi të tjera skandale dalin në dritë. Këta njerëz që vranë në Gërdec, apo vodhën parat e popullit dhe u pasuruan si asnjëherë tjetër, udhëheqin akoma dikastere të rëndësishme…

Ja ku na katandisën parazitët e demokracisë.

Dihet që demokracia nuk mund të qëndrojë në këmbë e të ecë përpara pa prezencën e qytetarëve. Populli voton për qeverinë për të udhëhequr shtetin. Është populli ai që i jep besimin disave që të jenë në krye të shtetit. Demokracia u ka lejuar që në emër të saj çdo gjë të legalizohet, edhe pse prish interesat e shoqërisë dhe mbarë kombit. Për të mbajtur pushtetin legalizojnë qindra objekte e banesa të pa miratuara në kundërshtim me ligjin mbi urbanistikën, në një kohë kur duhej prishur.

Flasin për liberalizimin e vizave kur vetë janë të liberalizuar pasi e dinë që nuk realizohet. Flasin dhe premtojnë pasi e dinë sa më shumë të premtojnë aq më shumë do t’i besojmë. Miratojnë ligje në një kohë kur janë këta të parët që nuk i zbatojnë. Bëjnë sikur aspirojnë dhe japin jetën për demokracinë që edhe Shqipëria të integrohet sa më parë në familjen evropiane, kur më parë na kanë marrë votën, e më pas na lëmë të rrimë në mëshirën e fatit dhe në duart e ndërkombëtarëve për të na ndihmuar. Në një aspekt shikon se populli përpiqet me të gjitha mënyrat për të jetuar, ndërsa qeveritaret shikojnë interesat e tyre. Sot në parlament rrallë mund të gjesh ndonjë politikan që të luftojë për interesat e kombit

Që të mashtrosh veten është e drejta kujtdo, por të mashtrosh një popull të tërë përbën një krim politik.

Të mirën shoqëria shqiptare do ta kishte në një kohë kur politika e vendit do të ishte në shkallën e duhur. Konkretisht Shqipëria tenton të barazohet me Europën e Bashkuar, një dëshirë e madhe kundrejt një mentaliteti ballkanik, që herë pas herë shfaqet në politikën shqiptare. Çdo ditë populli ndeshet përballë të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe rrallë përball realitetit. Gënjeshtra dhe mashtrimi janë binomi i jetës së politikës shqiptare, duke mos përjashtuar edhe vetë “Drejtësinë” e mbërthyer në kthetrat e kësaj “politike të re” me fytyra të vjetra. Demokracia gjithashtu lejon edhe indiferentizmin tonë për mëkatet e mëkatarëve, duke lënë në mëshirë të tyre fatin e fëmijëve tanë, fatin e kombit tonë.

Mungesa e kulturës së politikanëve tanë, mashtrimet dhe ofendimet në debatet publike tregojnë qartë se vendi ynë me këta së bashku do të vuajë akoma edhe dekada të tjera. Politika shqiptare paraqitet para popullit shqiptar me një nivel të ulët kulturor, mashtrues dhe lypës... Për këtë indiferentizëm të sotëm, shoqëria e të nesërmes nuk do të na i fal, por ja që në demokraci duhet të jetojmë së bashku edhe me këta...

Wednesday, July 14, 2010

Greqi, "2010"-ta, viti i papunësisë...?


TIRANA OBSERVER 14/07/2010

Papunësia sfidon jo vetëm qeverinë “Papandreu”, por edhe FMN
Ekonomia dhe papunësia kanë gjunjëzuar përfundimisht qeverinë e Papandreut, por edhe vetë FMN që sa po i shtrëngon më shumë lakun. Masat e marra nga qeveria për të përballuar krizën ekonomike ka bërë që protestat dhe grevat e përditshme të masave punonjëse nga dita në ditë të përshkallëzohen e paralizojnë vendin, duke dëmtuar në masë edhe sektorin e turizmit, mekanizmin e vetëm të vendit. Masat e marra nga qeveria për përballimin e krizës ekonomike, kontrolli i gjithanshëm e kudo i FMN, ka rritur në maksimum zemërimin dhe indijimin e vendasve. Asnjë vend nuk do të kishte dëshirë nga morale dhe politike që ekonomia e vendit të tij të kontrollohej e të kalonte në mikroskop nga Komisioni Evropian.
Për 2009, 120 mijë punonjës humbën vendin e punës
Rritja e numrit të ushtrisë së të papunëve përbën sot protagonistin e vërtetë të vitit 2010. Kriza ekonomike u tregua e pamëshirshme për mijëra vendas dhe të huaj. Sipas Institutit të Sindikatave të Greqisë (GSEE) për vitin 2009, rreth 120 mijë punonjës u hodhën në rrugë. Sot papunësia përbën çështjen kryesore për vendin. Çdo ditë dyqane të shumta venë drynin për të mos u hapur më.
Nga dita në ditë shumë shtëpi boshatisen nga emigrantët që marrin rrugën e kthimit për në atdheun e tyre. Viti 2009 dhe në vazhdim përbën vitin e papunësisë, që shpreh realitetin. Papunësia nga 7.4 për qind që ishte për 2008 u ngrit në 9.3 për qind për 2009 dhe sot kurba është ngritur në 15.5 për qind, duke shënuar një rekord të ri në 750 mijë të papunë.
Ky fenomen më shumë ka prekur të rinjtë me arsim të lartë që tashmë kërkojnë të emigrojnë në Amerikë, Evropë apo në Dubai. Papunësia më shumë ka dëmtuar sektorin e ndërtim- montimit që pati shkurtime në 22 .000 vende pune dhe ai i tregtisë me 21.880 të papunë.
Çdo muaj 300 vendas humbasin apartamentet e tyre
Papunësia ka ndikuar që në çdo muaj rreth 300 grekë humbasin apartamente e blera me anën e kredisë, ndërsa 60.000 të tjerë në vit humbasin makinat për të njëjtën arsye. 60 për qind e popullit grek nuk është në gjendje të paguajë kreditë e marra, ndërsa pjesa më e madhe e biznesit nuk është në gjendje të paguajë detyrimet (taksë) shtetit.
Gjithashtu papunësia ka gjunjëzuar brezin e ri të moshës 25-34 vjeç, të diplomuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duke renditur në vend të parë në rritjen e papunësisë ( 17,9 %) në BE, kundrejt Holandës në 3.1 për qind. Sot ky brez, e ardhmja e këtij vendi sytë i ka drejtuar nga emigrimi në drejtim të Amerikës, Evropës dhe Dubait.
Grekët sytë nga Amerika dhe Evropa
Spitalet e Amerikës dhe të Evropës janë kthyer shpresa e mijërave mjekëve dhe e infermierëve grekë, ndërsa Dubai i nxehtë, përbën një zgjidhje të përkohshme për të diplomuarit në sektorin e industrisë dhe ndërtimit. Nga viti në vit kërkesat për të emigruar sa vijnë dhe shtohen. Papunësia për këtë shtresë bëri që në dhjetë vitet e fundit, 550 mijë grekë të kenë emigruar për të punuar, duke mos përjashtuar edhe ata studenë që shkuan për studime dhe nuk u kthyen më.
Nga sektori i shëndetësisë, çdo vit emigrojnë për të punuar në spitalet e Amerikës dhe Evropës mbi 1000 mjekë, ndërsa 1900 të tjerë janë në pritje për punë. 70.3 për qind e të diplomuarve në fushën e mjekësisë dëshirojnë që të punojnë jashtë vendit. Të diplomuarit përbëjnë 0.90 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë, analogë me të punësuarit është 1 në 47 të punësuarve.
Sipas medias greke, në Dubai kanë emigruar rreth 5 për qind e numrit të përgjithshëm të diplomuarve në fushën e mekanikës. Vitin e kaluar 60 mijë grekë emigruan për të punuar në Evropë, Amerikë dhe Dubai, ndërsa muajt e fundit kanë bërë kërkesë për emigrim edhe 9 mijë të tjerë. Përsa i përket fenomenit të emigrimit Greqia zë vendin e 12 –të në BE.
Katër në dhjetë grekë, gati për të emigruar
Studimi i fundit i Eurobarometrit publikuar më 13 /07/ 2010 ka nxjerrë se 38 për qind e grekëve kanë deklaruar se janë gati për të emigruar në një vend tjetër për të gjetur punë. Emigrimi për të gjetur punë në një vend tjetër është kthyer në një fenomen si një nga çështjet më kryesore të vendasve, duke u kthyer mbrapa në vitet 60.
“Stop” strehimit azil
Të dhënat jepen nga Instituti i Statistikave Evropiane EUROSTAT, dalë dje në Bruksel, për miratimin e kërkesave për azil nga emigrantët, ku rezulton se Greqia ka përqindjen më të ulët (1%), në dhënien e azilit. Nga viti në vit Greqia u ka bërë një barrikadë zgjidhjeve të kërkesave për strehim politik (azil), duke bërë që numri i kërkesave të bjerë ndjeshëm.
Për vitin 2009, sipas statistikave dhënë në Bruksel, doli se ky vend ndodhet në vendin e fundit me 1%. Është një fakt që Greqia ka numrin më të madh të emigrantëve në krahasim me vendet e tjera të BE, po kjo nuk justifikon këtë vend në mos miratimin e kërkesave për azil.
Në 27 vendet e BE-së numrin më të ulët në dhënien e lejeve për azil politik e mban:
- Greqia me 1%
- Irlanda me 4%
- Spanja me 8%
- Franca me 14%
- Sllovenia me 15%
Në të kundërtën:
- Malta me 66%
- Sllovakia me 56%
- Portugalia me 51%
- Holanda 48%
- Danimarka me 48%
Duke u mbështetur nga të dhënat për Greqinë për 2009, del se nga 16.460 aplikacionet të kryera, janë pranuar dhe miratuar 210 kërkesa dhe janë refuzuar 16.250 kërkesa. Nga 210 aplikacionet që kishin një rezultat pozitiv janë dhënë azil në 25 në mbrojtjen e statusit dhe 115 raste për arsye humanitare. Shumica e azilkërkuesve që iu është dhënë një status i tillë janë nga Iraku, Afganistani dhe Irani.
Gjatë vitit 2009, në Bashkimin Evropian janë bërë rreth 261.000 aplikime për azil nga emigrantë, nga të cilat 78,820 kërkesa janë pranuar. Vendet që e kanë marrë më shumë aplikimet për azil janë: Franca me 54. 840 aplikime, Britania e Madhe 44.890 dhe Suedia 39. 350.
Gati rikthimi i 200 mijë emigrantëve shqiptarë
Nga dita në ditë grupe emigrantësh shqiptarë, të detyruar, po i drejtohen përkohësisht apo përfundimisht vendit të tyre të lindjes. Deri më sot nuk ka një numër të saktë nga shteti shqiptar, pasi edhe interesimi ndaj këtij fenomeni është zero. Sipas burimeve të mediave vendase, bëhet fjalë se të paktën rreth 30 për qind, ose 200.000 emigrantë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi, pritet nga dita në ditë të rikthehen në vendin e tyre.
Kushtet e legalizimit, ndërprerja e kontratave të punës me pronarin, gjendja e rëndë ekonomike gjatë gjithë këtyre viteve, i kanë lodhur së tepërmi emigrantët, që po i drejtojnë sytë gjithnjë e më shumë nga vendi i tyre. 30 për qind e të pyeturve janë përgjigjur se nuk mund të qëndrojnë më dot, dhe përgatiten për t’u kthyer. Dikur punonin me ëndrrën për të mbledhur para, ndërsa sot jeta e tyre varet nga këto të mbledhura.
Shumë mallra shtëpiake apo automjete janë blerë nga emigrantët me para në dorë, ndërsa pjesa tjetër me anën e kësteve. Çdo fund muaji në bankat e vendit, shumë emigrantë tërheqin sasi parash për të përballuar jo vetëm nevojat e jetesës, por edhe për të paguar këstin e automjetit dhe mallrave të tjera shtëpiake.
Qendra e Athinës ka marrë pamjen e viteve 1990-të, ku çdo mëngjes shumë emigrantë me çanta në duar grumbullohen në shesh me shpresë për të siguruar punë. Pasi presin me orë të tëra, fytyra të lodhura dhe të pa shpresa marrin rrugën e kthimit për në shtëpitë e tyre. Vite më parë pronarët kërkonin emigrantë për punë, ndërsa këta të fundit pretendonin me të drejtë për një për më të mirë, ndërsa sot ndodh e kundërta. 74.9 për qind e emigrantëve shqiptarë punojnë në ato vende pune ku nuk duan të punojnë vendasit. Sot çdo gjë ka ndryshuar, pasi Greqia nuk është më ajo e mëparshmja. Të pa shpresë për të ardhmen, sytë e tyre janë drejtuar për nga Shqipëria.
Rritet papunësia në Evropë
Rritje të papunësisë ka pasur në muajin prill, ku shifra arriti në 10.1 për qind. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë që prej gushtit të vitit 1998. Në muajin prill të papunët në Evropë ishin 23 milionë e 310 mijë, prej të cilëve 15 milionë e 867 mijë vetëm në Eurozonë. Krahasuar me muajin mars, numri i të papunëve u rrit me 25 mijë persona, si në BE po ashtu edhe në Eurozonë.
Në krahasim me muajin prill të 2009, numri i të papunëve është rritur me 2 milionë e 400 mijë persona në BE dhe me 1 milionë e 275 mijë në Eurozonë. Niveli rekord i papunësisë u regjistrua në Letoni me 22.5 për qind, Spanjë 19.7 për qind dhe Estoni me 19 për qind. Ndër vendet e tjera të prekura më rëndë nga kriza është Portugalia, me 10.8 për qind dhe Irlanda me 13.2 për qind të papunë.
Disa të dhëna
- Në Bashkimin Evropian jetojnë rreth 20 milionë emigrantë të ardhur nga “vendet e treta”, ose një në 25 banorë dhe që përbëjnë 5 për qind të gjithë popullsisë së BE. Për nga numri ata përbëjnë një shtet të veçantë të barabartë me Austrinë ose Suedinë.
- Portugalia, Suedia, Belgjika, Holanda dhe Finlanda përbëjnë pesë vendet pritëse me numrin më të madh të emigrantëve, të politikave të emigracionit, si dhe të politikave sociale dhe ato politike, ku qëllimi i tyre është integrimi i emigrantëve në një Evropë me shanse të barabarta.
- Greqia, Lituania janë dy vendet e fundit që nuk u krijojnë kushte emigrantëve në fushën e integrimit.
- Në Greqi, komuniteti shqiptar përbën 67.2 për qind numrin e përgjithshëm të emigracionit në këtë vend, ose 557.600. 26.5 për qind me arsim të lartë.

Përsa i përket nivelit arsimor emigrantët paraqiten më lart se sa grekët.

19,1 për qind prej tyre kanë mbaruar arsimin e detyrueshëm.

48,5 për qind kanë mbaruar shkollën e mesme.

26,5 për qind kanë mbaruar arsimin e lartë.

Shumica kanë nga një diplomë në Arsim, Shëndetësi, Shkenca dhe Ekonomi. Po ky arsimim nuk luajti ndonjë rol në këtë vend pasi me ligj u ndalohej punësimi në vendet publike, ndërsa në ato private nuk u hapej rruga....